Liri — Më mirë tani

/Muhammad Ali/

Boksieri i shquar Muhammad Ali ia dedikon poezinë revoltës në burgun e Attica-s në vitin 1971. Kjo revoltë, që njihet si një nga më të rëndësishmet ne lëvizjen për të drejtat e të burgosurve, shpërtheu pas vrasjes së George Jackson-it në burgun San Quentin. Gati 50 vjet pas kësaj ngjarjeje në Amerikë gjërat nuk duket se kanë ndryshuar shumë. Në burgje përfundojnë të varfrit dhe minoritetet, ndërkohë çdo vit njerëzit me ngjyrë dhe të varfrit humbin jetën nga brutaliteti policor, që vazhdon të mbetet i pandëshkuar.

***

Me aq sa kuptoj tani 
Më mirë të vdesësh për liri
Çfarë fund tjetër do të donte një njeri?! 

Shumë më mirë se në një shtrat
Duke vuajtur aq gjatë
Në fund i vdekur nga një lëngatë.

Më mirë pa u lutur dhe përgjëruar
Ose nga një sëmundje i kurthuar
Dhe jetën ta shikoj avash duke shkuar.

Më mirë se nga një atak kardiak
Ose nga një overdozë me krak
Më mirë të vdes si zezak. 

Më mirë se të largohem
Përballë armikut po qëndrohem
Me këtë vdekje të mirë pajtohem.

Më mirë se nga gjaku, i njollosur
I shtrirë rrugëve, i plagosur 
I çjerrë nga xhama të thyer, të ciflosur.

Më mirë pres vdekja të më vijë
Se të vdes në humbëtirë
Në geton e shurdhët si kotësirë.

Më mirë në revoltë në burg të rëndë
Zgjedhje tjetër nuk kam në mend
Le të vdes tani në vend.

Më mirë erdhi koha për të luftuar
Tani që gjaku vlon i zemëruar
Në shekuj të tërë nuk është qetësuar.

Më mira dhunshëm le të vdesim
Se nga xha Tomi të presim
Që gënjeshtrën e paqes përsëri të tresim. 

Më mirë tani të them fjalën time
Për të vërtetën do të ikë jeta ime 
Rinisë time t’i jap kuptim. 

Më mirë tani se të vonohem
Tani që nga vdekja nuk frigohem 
Në një agim të ri do zgjohem. 

E përktheu Edvin Thomollari 

Poezia në origjinal

Recitimi nga autori

Imazhi: AP

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.