Dhuna policore dhe racizmi sistemor

/Klodjana Agaj/

Pamjet e dy ditëve më parë në një rrugë të Minneapolis në SHBA, ku një polic i bardhë i kishte vendosur gjurin mbi fytyrë një zezaku që përsëriste vazhdimisht se nuk mund të merrte frymë, përveçse ishin shokuese, treguan edhe një herë brutalitetin policor që ekziston në SHBA ndaj njerëzve me ngjyrë.

Edhe pse mund të duket si “land of free” dhe parajsa e premtuar, Amerika në fakt është vatër e një racizmi sistematik që nxitet vazhdimisht nga klasat më të larta. Dhe nuk është e vetme.

Që nga periudha e kolonializmit, njerëzit me ngjyrë apo çdokush që ka tipare të ndryshme fizike nga “superiorët” e bardhë vuajnë mbi kurriz jo vetëm pikëpamjet raciste të shoqërisë, shtetit dhe institucioneve, por edhe represionin e vazhdueshëm të aparatit policor. Nëse je njeri me ngjyrë në rrugët e Amerikës, jeta jote është gjithmonë në rrezik.

Gjithë kjo urrejtje ndaj njerëzve me ngjyrë nuk buron natyrshëm si karakteristikë e njeriut apo shoqërisë në të cilën bën pjesë. Janë gjithnjë klasat sunduese që për interesin e tyre i vendosin njerëzit e së njëjtës klasë kundër njëri-tjetrit. Retorika e Trump-it në fushatën zgjedhore dhe gjatë presidencës së tij ka qenë gjithnjë kundër emigrantëve. Po ashtu edhe liderët e tjerë populistë apo ekstremistë nëpër botë e kanë drejtuar gishtin nga emigrantët si burimi i të gjitha të këqijave. Detyra e tyre ka qenë t’i bëjnë njerëzit të mendojnë se emigrantët me ngjyrë, por jo vetëm, do të rrëmbenin vendet e punës së vendasve, do të vandalizonin “qytetërimin e tyre të përsosur” dhe në fund do të përdhosnin “gjakun dhe racën e tyre të pastër”. Pa këto koncepte dhe këtë retorikë nuk do të ekzistonte dhuna klasore e as racizmi që ngjizet prej saj.

Ndarja e njerëzve në raca ka lënë hapësirën për teori biologjike nga më të çmendurat, të cilat propagandojnë superioritetin e racës së bardhë e inferioritetin e njerëzve me ngjyrë. Vetë raca nuk bazohet në ndonjë fakt shkencor që të vërtetojë ndarjen e një grupimi në bazë të disa karakteristikave fizike dhe aq më pak shtypjen e tyre për shkak të këtyre tipareve. Të gjitha këto janë mjete për të kundërvënë njerëzit e së njëjtës klasë në mënyrë që frytet e kësaj përleshjeje sociale t’i mbledhë një i tretë.

Bie fjala, një punëtor i bardhë ka më shumë të përbashkëta me një punëtor me ngjyrë sesa me pronarin e fabrikës. Ata të dy shtypen e shfrytëzohen njëlloj, të dy punojnë në kushte të vështira, të dy paguhen pak. Një student i bardhë ka më shumë të përbashkëta me një student me ngjyrë sesa me të privilegjuarit e klasës sunduese. Të dy nuk arrijnë ta përballojnë shkollimin, nuk arrijnë të blejnë librat, nuk arrijnë të paguajnë borxhin studentor. Por interesi i klasës sunduese nuk është që t’i shohë këta njerëz të bashkuar. Për të ruajtur pushtetin, asaj i duhet të mbjellë përçarje, kësisoj punëtorët e bardhë të mendojnë se problemi i tyre është te ngjyra e kolegut dhe jo shfrytëzimi nga ana e pronarit.

Edhe pse skllavëria është zhdukur, racizmi ka mbetur, dhe jo si një mbetje e rendit të kaluar, por si tipar i sistemit. Për të mbijetuar kapitalizmit i nevojitet kjo ndarje mes njerëzve. Fundja, çfarë interesi do të kishte pronari i një fabrike nëse punëtorët e bardhë, punëtorët me ngjyrë, punëtorët arabë, meksikanë, kinezë etj. do të bashkoheshin nëpër sindikata?! Ndarja racore e bën më të vështirë organizimin e tyre.

Ndarja e njerëzve në bazë të karakteristikave të tyre fizike për më tepër bëhet edhe program qeverisës. Zezakët e kanë vendin e tyre në getot e pista, në kolegjet problematike, në restorante të dorës së dytë e deri te ndarja e veçuar në kinema. Dhe ky pranohet si një realitet i mirëqenë. Janë gjithnjë njerëzit me ngjyrë ata që kryejnë krime, ata që përdhunojnë, që përdorin drogëra, janë ata që vandalizojnë dhe si përfundim janë ata që përfundojnë në burg edhe kur qëndrojnë me duar ne xhepa. Ndërkohë, të dhënat tregojnë që në fakt njerëzit e bardhë kryejnë po aq krime dhe njëlloj përdorin apo shpërndajnë drogë. Sigurisht që, për arsye klasore, të varfrit e bardhë nuk trajtohen shumë më mirë.

Mendojeni pak t’ju rrasin në një lagje të varfër si të ishit mbetje të përdoruara! T’ju paguajnë pak apo, më keq akoma, t’ju heqin mundësinë për të punuar, t’ju heqin të drejtën për ushqim apo më keq, t’ju heqin të drejtën për të ecur në rrugë! Ata na shtyjnë të mbijetojmë e më pas na arrestojnë.

I gjithë ky sistem shtypjeje dhe racizmi fiton mbështetje edhe nga fakti që policia i shërben shtetit, ndërsa ky i fundit i shërben klasës sunduese. Dhuna sistematike që ushtrohet ndaj njerëzve me ngjyrë nuk njeh një përpjekje për ta ndaluar nga ana e institucioneve shtetërore. Përkundrazi, policia përdoret si mjet për të neutralizuar çdolloj përpjekjeje të njerëzve me ngjyrë për organizim dhe reagim.

Për të ardhur më në fund në vendin tonë, duhet të them se edhe në Shqipëri racizmi i ka shtrirë rrënjët e tij duke u bërë një privilegj i shtuar i autoritetit policor. Në Tiranën “evropiane” të Erion Veliajt janë të shumta rastet ku policia bashkiake dhunon anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian, për faktin e thjeshtë se uniforma që mbajnë veshur u jep autoritetin për të ushtruar dhunë e për të shpëtuar nga përgjegjësia dhe ndëshkimi. Rasti më i afërt ishte para pak ditësh, kur Policia Bashkiake shtyu në tokë dhe tërhoqi zvarrë një punëtor të këtij komuniteti i cili nuk ishte duke bërë asgjë më shumë sesa përpjekja për të fituar bukën e përditshme.

Për të bërë një përafrim, ashtu si njerëzit me ngjyrë në SHBA, edhe anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian degdisen në lagje të varfra, në barake buzë Lanës, apo më keq akoma në qiell të hapur në mes të kryeqytetit të ftohtë. Ata po ashtu privohen nga e drejta për shkollim, për ushqim dhe rrjedhimisht për të jetuar. Politikat fashiste të Edi Ramës dhe Erion Veliajt vetëm sa e promovojnë këtë fenomen. Duke i shtyrë njerëzit të mbijetojnë dhe të humbasin dinjitetin, ata i japin vetes të drejtën për të përdorur autoritetin policor për të nënshtruar çdo formë rebelimi, madje janë aq të pafytyrë sa duan të nënshtrojnë edhe çdo formë mbijetese. Është më se normale për politikat shtetërore që i vetmi vend pune për romët në Shqipëri të jetë mbledhësi i mbetjeve të riciklueshme, të lypin apo të punojnë në landfillet e oligarkëve, ku mund të humbasin jetën ashtu si 17-vjeçari Ardit Gjoklaj në vitin 2016. Si përfundim, institucionet shtetërore nuk do bëjnë asgjë për ta ndryshuar këtë realitet, mundësisht do ta shpërfillin derisa t’i mohojnë ekzistencën.

Gjithsesi kam se reagimi shoqëror do të triumfojë mbi dhunën raciste sistemore. Marr shkas për këtë nga protestat që kanë shpërthyer në SHBA pas vrasjes së George Floyd-it nga policia. Të njëjtin besim kam se edhe në Shqipëri do ta kuptojmë se kjo ndarje në bazë të racës i shërben vetëm klasës sunduese, oligarkëve dhe interesave të pakicës shtypëse. Në fund shoqëria do ta kuptojë se vetëm solidariteti dhe bashkëpunimi me njerëzit që e vuajnë në kurriz shtypjen pavarësisht ngjyrës, përkatësisë etnike apo prejardhjes mund t’na çlirojë nga vargonjtë e skllavërisë moderne.

Imazhi: Stephen Maturen/Getty Images

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.