Koncepti i të majtës

/Leszek Kolakowski/

Në 1966, Gomulka përjashtoi Kolakowskin nga Partia Komuniste Polake sepse kishte mbrojtur kryengritjet e 1956 të cilat e rikthyen Gomulkën në pushtet. Që nga ajo kohë, ai u përjashtua nga departamenti i Filozofisë në Universitetin e Varshavës.

Ngjarja në këtë kohë është shumë e njohur për t’u komentuar. Ne vetëm duhet të vëzhgojmë se çfarë bëjnë Shtetet e Bashkuara në Iran, Guatemala dhe Vietnam, Bashkimi Sovjetik përafrohet me Poloninë, Hungarinë, Çekosllovakinë, dhe çfarë u bëjnë vendet e bllokut intelektualëve kryesorë të tyre, dhe Shtetet e Bashkuara përafrohen me dhjetëra prej profesorëve të tyre të rinj. Firma e periudhës tonë mbështetet pjesërisht në nderin që e rrethon një lloj disfate.

Gjatë gjithë koleksionit nga i cili është marrë kjo ese, Drejt një Humanizmi Marksist, ndërmjetësimi i vazhdueshëm i Kolakowskit — i ftohtë, i gatshëm, kurrë në mungesë të trishtimit—është pikërisht mbi këtë rrugë qorre. Në butësinë e tij që nuk është kurrë sentimentale, shkëputja e tij që nuk është kurrë paangazhim, vetmia e tij që nuk është kurrë larg, mund ta vërejmë Camus-në e vërtetë.

ÇDO PUNË E NJERIUT është kompromis midis materiales dhe mjetit. Mjetet nuk janë kurrë krejtësisht të barabarta me detyrën e tyre, dhe asnjë nuk është përtej përmirësimit. Përveç ndryshimeve në aftësi njerëzore, papërsosuria e mjetit dhe rezistenca e materialit vendosin së bashku kufijtë që përcaktojnë produktin përfundimtar. Por mjeti duhet t’i përshtatet materialit, sado pak, për të mos prodhuar një monstruozitet. Nuk mund t’i pastrosh dhëmbët si duhet me turjelë vaji ose të bësh operacione truri me laps. Sa herë që janë bërë përpjekje të tilla rezultatet kanë qenë më pak se të kënaqshme.

E MAJTA SI MOHIM

Revolucionet shoqërore janë kompromise mes utopisë dhe realitetit historik. Mjeti i revolucionit është utopia, dhe materiali është realiteti shoqëror mbi të cilin dikush dëshiron të imponojë një formë të re. Dhe në një farë mase mjeti duhet t’i përshtatet substancës që rezultatet të mos dalin qesharake.

Ekziston, megjithatë, një ndryshim thelbësor mes punës mbi objekte fizike dhe punës në histori; e fundit, e cila është substanca, po ashtu krijon mjetet e përdorura për t’i dhënë kësaj substance formë. Utopitë që përpiqen t’i japin historisë formë të re janë vetë produkte të historisë, ndërkohë që historia vetë mbetet anonime. Kjo është arsyeja se pse edhe kur mjetet bëhen të papërshtatshme për materialin, askush nuk është në faj dhe do të ishte e pakuptimtë që ndokush të konsiderohet përgjegjës.

Në anën tjetër, historia është produkt njerëzor. Edhe pse asnjë individ nuk është përgjegjës për rezultatet e procesit historik, prapëseprapë secili është përgjegjës për përfshirjen personale në të. Prandaj secili është gjithashtu përgjegjës për rolin e tij në formimin e mjeteve intelektuale të përdorura mbi realitetin për ta ndryshuar atë—për pranimin ose refuzimin e një utopie të caktuar dhe mjeteve të përdorura për ta realizuar atë.

Ndërtimi i një utopie është gjithmonë një akt mohimi drejt një realiteti ekzistues, një dëshirë për ta transformuar atë. Por mohimi nuk është e kundërta e ndërtimit—është vetëm e kundërta e pohimit të kushteve ekzistuese. Kjo është arsyeja se pse ka pak kuptim ta fyesh dikënd për kryerjen e një vepre shkatërruese e jokonstruktive, sepse çdo vepër konstruktive është domosdo mohim i rendit ekzistues. Maksimumi mund ta qortoni për mosmbështetje të realitetit që ekziston dhe për dëshirën për ta ndryshuar atë; ose, në anën tjetër, për pranimin e saj pa kushte, pa kërkuar ndryshim; ose, përfundimisht, për kërkim të ndryshimeve të dëmshme. Por një pozitë negative është vetëm e kundërta e një qëndrimi konservator drejt botës, ndërsa mohimi në vetvete është thjesht dëshirë për ndryshim. Ndryshimi mes punës shkatërruese dhe konstruktive qëndron në një mistifikim verbal që rrjedh nga mbiemrat e përdorura për të përshkruar ndryshimet, të cilat konsiderohen ose të mira, ose të këqija. Çdo ndryshim është, në fakt, një akt negativ dhe pozitiv në të njëjtën kohë, dhe vetëm e kundërta e një pohimi të gjërave siç janë. Ta hedhësh në erë një shtëpi është aq konservatore sa të ndërtosh një të tillë—dhe në të njëjtën kohë po aq negative. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që asgjë nuk ndryshon nëse dikush e ndërton ose shkatërron një shtëpi. Ndryshimi në mes dy akteve është se e para, në shumicën e rasteve, punon në dëm të njerëzve të përfshirë, dhe e dyta gati gjithmonë punon për të mirën e tyre. E kundërta e shkatërrimit të një shtëpie nuk është ndërtimi i një shtëpie të re, por ruajtja e asaj ekzistuese.

Ky vëzhgim do të shërbejë për të nxjerrë përfundime qëllimi i të cilave është përcaktimi më i saktë i kuptimit që i japim konceptit të së Majtës shoqërore.

E Majta—dhe kjo është karakteristikë e saj e pandryshueshme dhe e domosdoshme, edhe pse në asnjë mënyrë nuk është e vetmja karakteristikë—është një lëvizje mohimi ndaj botës ekzistuese. Për këtë arsye është, siç e kemi parë, forcë konstruktive. Është, thjesht, kërkesë për ndryshim.

Kjo është arsyeja se pse e Majta refuzon kundërshtimin se programi i saj është vetëm negativ e jo konstruktiv.

E Majta mund të përballet me fyerjet drejtuar kah dëmi ose dobia e mundshme që mund të lindë prej mohimeve të saj. Gjithashtu mund t’i hyjë diskutimit me qëndrimin konservator që dëshiron t’i përjetësojë gjërat siç janë. Mirëpo, ajo nuk do ta mbrojë veten kundër akuzës së të qenit krejtësisht negative, sepse çdo program konstruktiv është negativ, dhe anasjelltas. Një e Majtë pa program konstruktiv, sipas kësaj logjike, nuk mund të këtë program negativ, meqenëse këto dy terma janë sinonimë. Nëse nuk ekziston një program, në të njëjtën kohë nuk ka as mohim, pra nuk ka të kundërt të të Majtës—me fjalë tjera, konservatorizëm.

UTOPIA DHE E MAJTA

Por akti i mohimit nuk e përcakton vetë të Majtën, pasi ekzistojnë lëvizje me qëllime regresive. Hitlerizmi ishte mohimi i Republikës së Vajmarit, por kjo nuk e bën të majtë. Në vendet që nuk kontrollohen nga e Djathta, një lëvizje kundërrevolucionare ekstreme është gjithmonë mohim i rendit ekzistues. Andaj e Majta përkufizohet nga mohimi i saj, por jo vetëm nga kjo; përkufizohet gjithashtu nga drejtimi i këtij mohimi, në fakt, nga natyra e utopisë së saj.

E përdor fjalën utopi qëllimisht dhe jo në kuptimin nënçmues që shpreh idenë absurde se të gjitha ndryshimet shoqërore janë ëndrra në diell. Me utopi unë shpreh një gjendje të vetëdijes shoqërore, një homolog mendor për lëvizjen shoqërore në luftë për ndryshim radikal në botë—një homolog vetë i pamjaftueshëm për këto ndryshime që vetëm i reflekton ato në mënyrë të idealizuar dhe të errët. E pajis lëvizjen e vërtetë me një ndjenjë të realizimit të një ideali të lindur në fushën e shpirtit dhe jo në eksperiencën e tanishme historike. Prandaj, utopia është vetëdije misterioze e një tendence aktuale historike. Sa kohë që kjo tendencë jeton vetëm një ekzistencë klandestine, pa u shprehur në lëvizje masive shoqërore, lind utopi në kuptim të ngushtë, pra modele bote të ndërtuara individualisht, siç duhet të jetë. Por me kohë, utopia bëhet vetë vetëdija shoqërore; pushton vetëdijen e një lëvizjeje masive dhe bëhet një nga forcat e saj thelbësore. Atëherë, utopia kalon nga fusha e mendimit teorik dhe moral në fushën e mendimit praktik dhe vetë fillon të qeverisë veprimin njerëzor. Megjithatë, kjo nuk e bën atë të realizueshme. Utopia gjithmonë mbetet fenomen i botës së mendimit; edhe e mbështetur nga një lëvizje masive dhe, më me rëndësi, kur hyn në vetëdijen e saj është e joadekuate, duke tejkaluar mundësitë e lëvizjes. Në një farë mënyre, ajo është “patologjike” (në kuptimin e gjerë të fjalës, pasi vetëdija utopike është në të vërtetë një fenomen shoqëror i natyrshëm). Është një përpjekje e deformuar për të imponuar mbi një lëvizje historike realiste qëllime përtej historisë.

Mirëpo—dhe kjo është thelbësore për të kuptuar kontradiktat e brendshme të lëvizjeve të majta—e Majta nuk mund t’ia dalë pa utopi. E Majta sjell utopi sikurse pankreasi shkarkon insulinë—në bazë të një ligji natyror. Utopia është përpjekja për ndryshime që “realisht” nuk mund të vijnë nga veprime të menjëhershme, të cilat qëndrojnë përtej të ardhmes së parashikueshme dhe nuk përfillin planifikim. Sidoqoftë, utopia është një mjet veprimi mbi realitetin dhe planifikimi të aktivitetit shoqëror.

Një utopi, nëse tregohet aq e largët nga realiteti, saqë dëshira për ta zbatuar do të ishte groteske, do të sillte një deformim monstruoz dhe ndryshime të dëmshme shoqërore që kërcënojnë lirinë e njeriut. E Majta, në qoftë se ka sukses, do të kthehej atëherë në të kundërtën e saj— në të Djathtë. Po pastaj, gjithashtu, utopia do të pushojë së qeni utopi dhe do bëhej slogan që justifikon çdo praktikë.

Në anën tjetër, e Majta nuk mund të heqë dorë nga utopia; nuk mund të heqë dorë nga qëllimet që janë, për momentin, të paarritshme, por që u japin kuptim ndryshimeve shoqërore. Po flas për të Majtën shoqërore në tërësi, se megjithëse koncepti i të Majtës është relativ—dikush është majtist vetëm në krahasim me diçka, dhe jo në terma absolutë—prapëseprapë elementi ekstrem i çdo të Majte përbën një lëvizje revolucionare. Lëvizja revolucionare është strumbullari i të gjitha kërkesave përfundimtare që bëhen në shoqërinë ekzistuese.

Ajo përbën një mohim të plotë të sistemit ekzistues dhe, për pasojë, gjithashtu një program të plotë. Një program i plotë është, në fakt, utopi. Utopia është përbërës i nevojshëm i të Majtës revolucionare, dhe kjo e fundit është produkt i nevojshëm i të Majtës shoqërore në tërësi.

Po pse është utopia kusht i të gjitha lëvizjeve revolucionare? Sepse shumë eksperienca historike, pak a shumë të varrosura në vetëdijen shoqërore, na tregojnë se qëllimet e paarritshme në të tashmen nuk do të arrihen kurrë nëse nuk artikulohen kur janë ende të paarritshme. Mund të ndodhë që e pamundura në një moment të caktuar të bëhet e mundur vetëm duke u deklaruar në një kohë kur është e pamundur. Për të cituar një shembull, një seri reformash nuk do të arrijnë kurrë qëllimet e revolucionit, një parti konsistente reformiste nuk do të transformohet kurrë në përmbushjen e një revolucioni. Ekzistenca e utopisë si utopi është parakushti i nevojshëm për përfundimin eventual të mandatit të saj si utopi.

Një lëvizje revolucionare nuk mund të lindë njëkohësisht me aktin revolucionar sepse pa një lëvizje revolucionare që i paraprin, revolucioni nuk mund të ndodhë. Përderisa akti revolucionar nuk është realizuar, ose nuk është i dukshëm në mënyrë të padiskutueshme dhe qartë, ai përbën një utopi. Për proletariatin spanjoll sot një revolucion shoqëror është utopi; por proletariati spanjoll kurrë nuk do të arrijë në revolucion nëse nuk e shpall atë kur është i pamundur. Kjo është arsyeja se pse tradita luan një rol kaq të rëndësishëm në lëvizjen revolucionare: lëvizja nuk do të njihte kurrë asnjë fitore nëse nuk do të kishte përjetuar humbje të pashmangshme në faza të mëparshme—nëse nuk ka ndërmarrë veprimtari revolucionare kur situate historike e ka parandaluar suksesin.

Dëshira për revolucion nuk mund të lindë vetëm kur situata është e pjekur, sepse në mesin e kushteve për këtë pjekuri janë kërkesat revolucionare të një realiteti të papjekur. Influenca e vazhdueshme e vetëdijes shoqërore është një nga kushtet e nevojshme për pjekurinë e historisë deri në pikën e ndryshimit radikal; utopia është parakusht i trazirave shoqërore, ashtu siç janë përpjekjet joreale parakusht i përpjekjeve reale. Prandaj vetëdija revolucionare nuk mund të përmbushet thjesht me pjesëmarrje në ndryshime të cilat janë duke ndodhur ndërkaq; ajo nuk mund thjesht të ndjekë ngjarje, por duhet t’i paraprijë ato në kohë kur nuk janë as të planifikuara, as të parashikuara.

Prandaj—dhe ky përbën një konkluzion elementar praktik—të Majtën nuk e pengojnë kritikat, sipas të cilave e Majta lufton për një utopi. Do ta kishte mbrojtur veten kundër akuzave se përmbajtja e utopisë së saj është e dëmshme për shoqërinë, por nuk duhet ta mbrojë veten kundër akuzës së të qenit utopike.

E Djathta, si forcë konservatore, nuk ka nevojë për utopi; esenca e saj është afirmimi i kushteve ekzistuese—fakt e jo utopi—ose dëshira për t’u rikthyer në një gjendje që ishte dikur një fakt i kryer. E Djathta përpiqet të idealizojë kushtet ekzistuese, jo t’i ndryshojë ato. Asaj i nevojitet mashtrimi, dhe jo utopia. E Majta nuk mund të heqë dorë nga utopia sepse ajo është një forcë e vërtetë edhe kur është thjeshtë utopi. Revolta e fshatarëve gjermanë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, lëvizja babëfiste, Komuna e Parisit ishin të gjitha utopike. Siç doli, pa aktivitete të tilla utopike asnjë ndryshim joutopik, progresiv shoqëror nuk do të kishte ndodhur. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se detyra e të Majtës është të ndërmarrë veprime ekstreme në çdo situatë historike. Ajo çka po themi është vetëm se të denoncosh utopinë thjesht për faktin se është utopi është djathtiste, konservatore, dhe pengon mundësitë e krijimit të një utopie. Për çdo rast, nuk po formulojmë detyra shoqërore. Jemi duke e konsideruar konceptin e të Majtës plotësisht në kuptim abstrakt, në përpjekje për të konstatuar dhe jo postuluar. Meqë e Majta është fenomen shoqëror po aq “normal” sa e Djathta, dhe lëvizjet progresive shoqërore janë po aq normale sa ato reaksionare, është po aq normale për të Majtën, e cila është minoritet, të persekutohet nga e Djathta.

E MAJTA DHE KLASAT SHOQËRORE

Koncepti i të Majtës mbetet i paqartë edhe sot. Edhe pse vetëm rreth njëqindepesëdhjetë vjeç, ka siguruar dimensione universale historike dhe është aplikuar në historinë antike në bazë të përhapjes së kuptimit të përbashkët për të gjitha gjuhët. Gjerësisht e përdorur, termi ka një funksion praktik, por kuptimi i tij bëhet shumë i turbullt, më shumë i marrë me mend sesa i kuptuar. Një gjë është e sigurt: është më lehtë të thuhet se cilat lëvizje, programe dhe qëndrime janë të majta në raport me të tjera sesa të përcaktohet ku mbaron e majta dhe ku fillon e djathta në marrëdhëniet e pushtetit publik në kuadër të strukturës së përgjithshme të shoqërisë. Ne flasim për një të Majtë brenda partisë së Hitlerit, por kjo, sigurisht, nuk do të thotë që e Djathta gjermane kufizohej në partinë e Djathtë dhe se gjithçka tjetër, duke përshirë krahun e Majtë të asaj partie, ishte e Majta në një kuptim absolut. Shoqëria nuk mund të ndahet në një të Djathtë dhe të Majtë. Një qëndrim majtist drejt një lëvizjeje mund të lidhet me një qëndrim të djathtë drejt një lëvizje tjetër. Këto fjalë kanë kuptim vetëm në domethëniet e tyre relative.

Po çfarë nënkuptojmë kur themi se një lëvizje ose qëndrim është i Majtë në lidhje me një tjetër? Më konkretisht, cili aspekt i konceptit të së Majtës është i vlefshëm në të gjitha situatat shoqërore? Për shembull, çfarë nënkuptojmë kur flasim për të Majtën në Partinë Radikale të Francës, ose të Majtës socialdemokrate, katolike, apo komuniste? A ka ndonjë element të përbashkët në fjalën e përdorur në kontekste kaq të ndryshme? Apo jemi thjesht duke konstatuar se çdo situatë politike shfaq ndonjë aktivitet njerëzor që ose e aprovojmë, ose na duket më pak e neveritshme, dhe të cilën për këtë arsye ne e quajmë “të Majtë”? (Unë them “ne e quajmë” sepse e Majta harton vijën ndarëse në mes të Majtës dhe të Djathtës, ndërsa e Djathta e lufton këtë ndarje në mënyrë sistematike—dhe pa dobi, se vetë përkufizimi i të Majtës është mjaft i fortë për të përkufizuar të Djathtën dhe, për çdo rast, të krijojë ekzistencën e vijës së demarkacionit).

Padyshim, për shkak se ka marrë një aurë pozitive, termi “e Majtë” shpesh përvetësohet nga grupet reaksionare. Për shembull, ekziston e “Majta Evropiane,” një aneks politik i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Andaj të Majtën nuk e përkufizon vetëm përdorimi i fjalës. Ne duhet të kërkojmë të tjera shtylla drejtuese për të na ndihmuar të rregullojmë pozicionin tonë në këtë fushë të errët. Parulla si “liri” dhe “barazi” i takojnë, padyshim, traditës së Majtë; por ato e humbën kuptimin kur u bënë fjalë universale në modë të cilave të gjithë u japin interpretimin e tyre arbitrar. Me kalimin e kohës, e Majta duhet ta përkufizojë veten më saktë se kurrë. Sa më shumë e influencon vetëdijen shoqërore, aq më shumë parullat e saj marrin një aurë pozitive, dhe aq më shumë përshtaten nga e Djathta dhe humbin kuptimin e tyre të përcaktuar. Askush nuk i kundërshton sot koncepte të tilla si “liri” dhe “barazi”; prandaj ato mund të bëhen instrumente mashtrimi, të dyshimta nëse nuk shpjegohen. Për më keq, fjala “socializëm” ka fituar gjithashtu shumë kuptime.

Natyrisht, është mjaft e lehtë ta përkufizosh të Majtën në terma të përgjithshëm, siç mund të përkufizojmë “progresin.” Por përkufizimet e përgjithshme janë doemos çorientuese dhe të vështira për t’u aplikuar në diskutime konkrete. Për shembull, mund të themi se “ E Majta” është shkalla e pjesëmarrjes në procesin e zhvillimit shoqëror që përpiqet të eliminojë të gjitha kushtet në të cilat mundësia për të plotësuar nevojat njerëzore pengohet nga marrëdhëniet shoqërore. Nga një përkufizim i tillë nxjerrim një numër të caktuar parullash njëlloj të përgjithshme, që janë shumë të pranuara universalisht për të qenë të dobishme në rregullimin e demarkacioneve politike. Koncepti i të Majtës, progresit, dhe lirisë janë plot me kontradikta të brendshme; mosmarrëveshjet politike nuk lindin thjesht nga pranimi ose refuzimi i koncepteve.

Andaj, në vend se të ndërtojmë një koncept të përgjithshëm, të lehtë dhe joefektiv të së Majtës, të zbatueshëm për të gjitha epokat, le të pranojmë si fakt realitetin ekzistues shoqëror dhe të kërkojmë për konfliktet themelore që e përcaktojnë historinë e tanishme. Para së gjithash ekzistojnë konfliktet klasore, dhe, së dyti, ato politike. Megjithatë, beteja politike nuk është plotësisht identitike me modelin e marrëdhënieve klasore; nuk është fotokopje e tyre e zhvendosur në marrëdhëniet mes partive politike. Ndodh kështu sepse ndarjet klasore nuk janë i vetmi lloj ndarjesh, dhe vetë klasat janë duke u bërë më shumë, e jo më pak, të komplikuara për shkak se ato janë të ndara përbrenda nga nacionalizmi ose ideologjia. Së fundi, ekzistojnë ndarje politike, përderisa ato marrin forma të ndryshme autonomie. Në këto kushte, jeta politike nuk mund t’i pasqyrojë konfliktet klasore thjesht dhe drejtpërdrejt, por, përkundrazi, gjithnjë e më shumë në mënyrë indirekte dhe të paqartë. Në fakt, kurrë nuk ka qenë ndryshe—po të kishte qenë ndryshe, të gjitha konfliktet historike do të ishin zgjidhur shekuj më parë. Kjo është arsyeja se pse nuk është gjithmonë e vërtetë deklarata se duhet të jetë në interes të klasës punëtore t’i takojë të Majtës. Nga njëra anë, është karakteristikë e të Majtës të përpiqet që të mos i realizojë dëshirat e njerëzve kundër vullnetit të tyre, të mos i detyrojë ata të pranojnë përfitime të cilat nuk i dëshirojnë. Në anën tjetër, klasa punëtore e një vendi të caktuar mund të ndikohet në masë të madhe nga nacionalizmi, por e Majta nuk mbështet kërkesa nacionaliste; diku tjetër, klasa punëtore mund të ketë rrënjë të thella në ndonjë traditë fetare, por e Majta është lëvizje laike. Edhe interesat reale të menjëhershme të klasës punëtore mund të bien në kundërshti me kërkesat e së Majtës. Për shembull, për një kohë të gjatë klasa punëtore angleze ka përfituar nga shfrytëzimi kolonial—dhe prapëseprapë e Majta është armik i kolonializmit.

Kjo është arsyeja se pse e Majta nuk mund të përkufizohet duke thënë se gjithmonë, në çdo rast, ajo do të mbështesë çdo kërkesë të klasës punëtore, ose se ajo gjithmonë është në anën e shumicës. E Majta duhet përkufizuar vetën në nivelin e ideve, duke pranuar se në shumicën e rasteve do ta gjejë veten në pakicë. Edhe pse në botën e sotme nuk ekziston një qëndrim majtist i pavarur nga lufta për të drejtat e klasës punëtore, edhe pse asnjë pozitë e majtë nuk mund të realizohet jashtë strukturës klasore, po ashtu edhe pse vetëm lufta e të shtypurit mund ta bëjë të Majtën forcë materiale, prapëseprapë e Majta duhet të përkufizohet në terma

intelektualë, e jo klasorë. Kjo nënkupton se jeta konkrete intelektuale nuk është dhe nuk mund të jetë kopje e saktë e interesave klasore.

Mbi këtë bazë mund të përcaktojmë disa karakteristika të caktuara të pozitës së të Majtës në rende të ndryshme shoqërore:

Në vendet kapitaliste, lufta e së Majtës ka të bëjë me heqjen e të gjitha privilegjeve shoqërore. Në vendet jokapitaliste, lufta ka të bëjë me heqjen e të gjitha privilegjeve të lindura nga kushtet jokapitaliste.

Në vendet kapitaliste e Majta lufton kundër të gjitha format e shtypjes koloniale. Në ato jokapitaliste, kërkon eliminimin e pabarazisë, diskriminimit dhe shfrytëzimit të vendeve të caktuara nga vende të tjera.

Në vendet kapitaliste e Majta lufton kundër kufizimeve të lirisë së fjalës dhe të shprehjes. Këtë e bën edhe në troje jokapitaliste. Si në njërën dhe në tjetrën e Majta lufton të gjitha kontradiktat e lirisë që dalin në të dyja kushtet shoqërore: Sa larg mund të shtyhet kërkesa për tolerancë pa u kthyer vetë kundër idesë së tolerancës? Si mund të garantohet se toleranca nuk do të çojë në fitore të forcave që do të mbysin parimin e tolerancës? Ky është problem madhor i të gjitha lëvizjeve të majta. Padyshim, është gjithashtu e vërtetë se e majta mund të bëjë gabime dhe të veprojë në mënyrë joefektive, dhe si rezultat të shkaktojë një situatë që është e rrezikshme për veten. Megjithatë, tipar i së Majtës nuk janë taktikat e meta sepse, siç e kemi thënë, kriteret e saj vendosen në fushën ideologjike.

Në vendet kapitaliste e Majta përpiqet ta bëjë jetën shoqërore laike. Kjo qëndron edhe për vendet jokapitaliste.

Në vendet kapitaliste shkatërrimi i të gjitha racizmave është pjesë themelore e pozitës së të Majtës. Kjo qëndron edhe për trojet jokapitaliste.

Gjithkund e Majta lufton kundër shpalosjes së çdo lloj obskurantizmi në jetën shoqërore; lufton për fitoren e mendimit racional, që në asnjë mënyrë nuk është luks i rezervuar për intelektualët, por është pjesë integrale e progresit shoqëror në këtë shekull. Pa të, çdo formë progresi bëhet një parodi e premisave të veta.

Së fundi, në të dyja sistemet, e Majta nuk përjashton përdorimin e forcës kur është e nevojshme, edhe pse përdorimi i forcës nuk është shpikje e së Majtës, por më tepër një formë e pashmangshme e ekzistencës shoqërore. E Majta pranon antinominë e forcës, por vetëm si antinomi dhe jo si dhuratë nga fati. Kudo e Majta është gati të bëjë kompromis me faktet historike; por refuzon kompromiset ideologjike; që do të thotë se nuk heq dorë nga e drejta për të shpallur parimet bazë të ekzistencës së saj, pavarësisht nga taktikat e saj politike.

E Majta nuk posedon ndjenja të shenjta; nuk ka sens të shenjtërisë drejt çdo situate ekzistuese historike. Ajo merr një pozitë revizionizmi të përhershëm ndaj realitetit, ashtu sikurse e Djathta supozon një qëndrim oportunizmi në lidhje me botën ashtu siç është. E Djathta është mishërimi i inercisë së realitetit historik—andaj është po aq e përjetshme sa e Majta.

Në të dyja sistemet e Majta përpiqet t’i bazojë mundësitë e saj në eksperiencën dhe prirjet evolucionare të historisë; ndërsa e Djathta është shprehja e kapitullimit përballë situatës së momentit. Prandaj e Majta mund të ketë ideologji politike, ndërsa e Djathta nuk ka asgjë përveç taktikave.

Brenda kontekstit të të dyja sistemeve, e Majta e di se çdo liri njerëzore plotëson një dëshirë të caktuar, por se ekziston edhe nevoja për lirinë si të tillë.

E majta nuk ka frikë nga historia. Ajo beson në fleksibilitetin e marrëdhënieve shoqërore dhe të natyrës njerëzore—në mundësinë e ndryshimit të tyre. Brenda të dyja kampeve, ajo refuzon të gjithë përuljen në lidhje me situatën, autoritetet, doktrinat, shumicën, paragjykimet dhe presionet materiale ekzistuese.

Në të dyja, e Majta—duke mos përjashtuar përdorimin e forcës, pa pasur turp për të, dhe duke e mos e quajtur “edukim” ose “dashamirësi” ose “kujdes i fëmijëve,” etj—megjithatë refuzon çdo mënyrë të luftës politikë që sjell pasoja morale të cilat kundërshtojnë premisat e veta.

Gjatë gjithë kësaj kohë e kam përshkruar të Majtën si një lloj qëndrimi ideologjik dhe moral. Sepse e Majta nuk është një lëvizje, parti a grup partish e vetme politike dhe e definuar. E Majta është një karakteristikë e cila në një shkallë më të madhe ose më të vogël mund t’iu shërbejë lëvizjeve dhe partive të caktuara, si dhe individëve të caktuar ose aktiviteteve, qëndrimeve dhe ideologjive njerëzore. Dikush mund të jetë i majtë nga një këndvështrim dhe jo nga tjetri. Rrallë ndodhin lëvizje politike të cilat janë plotësisht të Majta në çdo aspekt dhe gjatë gjithë kohës së ekzistencës së tyre. Një njeri i të Majtës mund të marrë pjesë në luftën politike dhe të jetë politikan në një parti të Majtë, por të refuzojë miratimin e veprave dhe opinioneve që janë haptazi armiqësore ndaj qëndrimeve majtiste. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që pozicioni i Majtë nuk sjell konflikte dhe kontradikta të brendshme.

Për këto arsye, e Majta, si e tillë dhe e tërë, nuk mund të jetë një lëvizje e organizuar politike. E Majta është gjithmonë në të majtë në aspekte të caktuara në lidhje me disa lëvizje politike. Çdo parti ka krahun e saj të majtë, një rrymë që është më larg në të majtë sesa pjesa tjetër e partisë në lidhje me disa veçori që mund të merren si shembull. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të gjitha elementet majtiste të të gjitha partive të marra së bashku formojnë një lëvizje të vetme, ose se këto elemente janë aleatë më të ngushtë me njëri-tjetrin sesa me partinë që i ka lindur. Kjo do te ishte e vërtetë nëse ato do t’i përmbushnin të gjitha kushtet e të qenit e Majtë në çdo aspekt; por në këtë rast nuk do të ishin segmente të shumë partive të ndryshme me programe aq të ndryshme që nga fillimi. Krahu i majtë i partive demokristiane ka, si rregull, më shumë gjëra të përbashkëta me demokristianët sesa me të Majtën Socialiste, por megjithatë ajo është e majtë demokristiane. E “Majta” e saj mund të tregohet nga një qëndrim apo tjetër mbi një problem aktual politik që, në një rast të vecantë, e sjell atë më afër të majtës së partive tjera—për shembull dënimi i kolonializmit ose racizmit. Në anën tjetër, kërkesat e të Majtës plotësohen në shkallë të ndryshme nga parti të ndryshme, të cilat për këtë arsye quhet pak a shumë të majta.

E MAJTA DHE KOMUNIZMI NË POLONI

A mund të flitet për një parti të Majtë të pastër, dhe nëse po, kur? A është Partia Komuniste e tillë? Meqë nuk mundemi, në këtë kohë, t’i përkufizojmë të gjitha partitë komuniste, le ta zbatojmë këtë pyetje mbi Partinë Komuniste Polake.

Për një kohë të gjatë ndarja mes një partie të Majtë dhe të Djathtë nuk ka ekzistuar, edhe pse disa anëtarë ishin më pak ose më shumë të majtë. Kjo ndarje nuk ekzistonte sepse Partia ishte e privuar nga çdo jetë e vërtetë politike, sepse ideologjia e saj nuk u rrit nga përvoja e saj historike, por, në një shkallë të lartë, iu imponua asaj pavarësisht përvojës. Ndarja mes të Majtës dhe të Djathtës u hartua vetëm kur jeta politike e partisë erdhi në ekzistencë.

Ndarja u bë sipas pozicioneve në problemet që gjithmonë ndajnë një lëvizje në të Majtë dhe në të Djathtë. Partia e Majtë përbëhej nga ata që luftuan për shfuqizimin e të gjitha formave të privilegjeve në jetën shoqërore, për njohjen e parimit të barazisë në marrëdhëniet mes kombeve, dhe në kundërshtimin e nacionalizmit vendas dhe te huaj, duke i rezervuar vetes të drejtën për ta thirrur atë me emrin e saj të vërtetë të nacionalizmit. E majta qëndron për shfuqizimin, pa mashtrim, të të gjitha llojeve të antisemitizmit në Poloni, për lirinë e fjalës dhe diskutimit, për fitoren ndaj dogmës dhe të menduarit të zbrazët, doktrinar, ose ndryshe të menduarit magjik në jetën politike, për ligjshmërinë në marrëdhëniet publike, për rritjen maksimale të rolit të klasës punëtore në sistemin qeverisës, për likuidimin e paligjshmërisë së policisë. Lufton kundër të të quajturit të krimeve “komunizëm” dhe të gangsterëve “komunistë”—dhe kundër njëmijenjë gjërave të tjera.

Po i rendis këto çështje në mënyrë përmbledhëse, pa hyrë në hollësi, vetëm për të treguar se drejtimi i ndryshimeve që synojnë triumfin e demokracisë socialiste u inspirua në Parti nga e Majta e saj, kërkesat e së cilës në të gjitha pikat vitale janë të përfshira në atë çfarë e quajmë pozitë e Majtë. Partia e Djathtë përbëhet nga forcat e inercisë staliniste, duke mbrojtur një sistem të bazuar në parime që heqin dorë nga sovraniteti polak në favor të një nacionalizmi të huaj. Mbështet diktaturën e skemave doktrinare në jetën intelektuale, diktaturën e policisë në jetën publike dhe diktaturën ushtarake në jetën ekonomike. Shtyp lirinë e fjalës dhe përdor terminologjinë e qeverisë nga populli për ta fshehur qeverinë nga një aparat politik që hedh poshtë mendimin e publikut dhe nevojat e tij. Forcat e stalinizmit brenda partisë ishin dhe janë një përqendrim i madh i të gjitha karakteristikave themelore që e përkufizojnë të Djathtën, konservatorizmin, dhe reaksionin.

Megjithatë, e Majta në Partinë Komuniste Polake e gjen veten në një pozitë të veçantë në të cilën prirjet politike nuk mbulojnë një spektër të vetëm të pandërprerë “nga e majta në të djathtë,” por ka me bollëk komplikime. Forcat e Majta qëndrojnë në mes të dy prirjeve të djathta: reaksionit brenda Partisë, dhe reaksionit tradicional. Ky është një zhvillim i ri historik, vetëdija për të cilin ka lindur vetëm në vitet e fundit. Deri tani është një fenomen shumë i kufizuar, por pasojat e tij janë ndërkombëtare. Ne do të përmbahemi së përshkruari shkaqet historike të kësaj situate, të cilat në një fazë caktuar të zhvillimit krijuan një krizë në lëvizjen komuniste, dhe thjeshtë do deklarojmë se e Majta e Re u shfaq në kuadër të lëvizjes kur u bë e qartë se një e Djathtë e Re ekzistonte. Në këtë kohë nuk do të pyesim se si u degjenerua e Majta e Vjetër dhe mbijetoi në formën e së Djathtës së Re—një proces për të cilin historia e stalinizmit na jep një shembull që na shërben si mësim—por nuk duket se ky proces u shkaktua vetëm nga ardhja në pushtet e së Majtës. Pra nuk duket se e Majta mund të

ekzistojë vetëm në pozicionin e opozitës, ose se zotërimi i pushtetit është i papërputhshëm me natyrën e së Majtës dhe çon në shkatërrimin e saj në mënyrë të pashmangshme.

Edhe pse mohimi i realitetit është pjesë e natyrës së të Majtës, koj nuk do të thotë medoemos se realiteti duhet të jetë gjithmonë në kundërshti me kërkesat e se Majtës. Është e vërtetë se historia ofron përvoja të panumërta që duket se flasin për një pikëpamje të tillë dhe na provokojnë ta shohim të Majtën si të mallkuar për të qenë në “opozitë të përjetshme.” Megjithatë, me kalimin e viteve historia ka dëshmuar shumë pengesa për kërkesat (për shembull, barazinë para ligjit) që më pas, pas shekujsh vuajtjeje dhe humbjesh, u bënë realitet. Dashuria e martirizimit dhe heroizmave është po aq e huaj për të Majtën si oportunizmi në një situatë të tanishme ose heqja dorë nga qëllimet utopike. E Majta proteston kundër botës ekzistuese, por nuk dëshiron një boshllëk. Është një rrymë shpërthyese që ndërpret stabilitetin e jetës shoqërore, por nuk është lëvizje drejt asgjësë.

DOBËSITË E TË MAJTËS

Dobësia kryesore e të majtës nuk është se u tërhoq nga mohimi, por se mohimi i saj u arrit vetëm në nivelin e protestës morale dhe jo të mendimit praktik. Një qëndrim i majtë që ndalet në fazën e përvojës morale ka shumë pak efekt praktik. “Gjynafizmi” nuk është pozicion politik.

Një tipar tjetër, që ishte i pashmangshëm në rrethanat tona, ishte se e Majta nuk mund të ishte një lëvizje e organizuar, por vetëm një vetëdije e paqartë, e fragmentuar dhe negative në krahasim me të Djathtën, që nuk ishte e lidhur nga asnjë skrupull besnikërie në lidhje me formimin e fraksioneve të shkëputura brenda Partisë. Andaj, e Majta nuk u bë një lëvizje politike në kuptimin e vërtetë, por vetëm shuma totale e pozicioneve spontane morale.

Një dobësi e të Majtës lindi si rezultat i rrethanave regresive të situatës ndërkombëtare, detajet e së cilës nuk do t’i shpjegoj, por të cilat favorizuan dukshëm aktivitetet e së Djathtës.

Dobësi të tjera të së Majtës ishin ato elemente të situatës së menjëhershme nga e cila përpjekjet e së Djathtës mund të marrin forcë. E Djathta nuk heziton së përdoruri çdo lloj demagogjie, çdo slogan politik dhe ideologjik që do t’i mundësonte të sundonte gjendjen momentale. Kur është e nevojshme, ajo përdor antisemitizmin për të fituar një numër të caktuar aleatësh nga fanatikët brenda ose jashtë partisë. E Djathta shkon kryesisht pas pushtetit. Në luftën për pushtet (të cilin, për shembull, sot nuk e zotëron ne Poloni), ajo është e gatshme të paraqesë ndonjë parullë majtiste që mund t’i ngjisë popullit. Le të flasim hapur: përçmimi i ideologjisë është forcë e së Djathtës, sepse kjo lejon fleksibilitet më të madh në praktikë dhe përdorim arbitrar të çdo fasade verbale që lehtëson marrjen pushtetit. E Djathta nuk mbështetet vetëm nga inercia e zakoneve dhe institucioneve të vjetra, por edhe nga fuqia e gënjeshtrës; vërtet vetëm në një masë të vogël, por të mjaftueshme për të mundësuar kontrollin e situatës. Në momente të caktuara, këto slogane ideologjike ekspozohen si mashtrim taktik; por mjeshtëria është të sigurosh që ky moment të vijë pasi situatën e ke në dorë dhe policia në dispozicion. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për të Majtën që të ketë në dispozicion në çdo kohë kriteret e njohjes në formën e qëndrimeve ndaj atyre çështjeve aktuale politike që, për ndonjë arsye, e detyrojnë të Djathtën të dalë lakuriq ashtu siç është. Sot kritere të tilla ekzistojnë kryesisht në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Si rezultat i këtyre rrethanave, e Majta (në shkallë ndërkombëtare) nuk kishte mundësi tjetër veç humbjes. Megjithatë, për të ekzistuar, e Majta mbi të gjitha duhet të jetë e vetëdijshme për rrezikun e pozitës së saj ideologjike.

Rreziku qëndron në ekspozimin e saj të dyfishtë ndaj dy formave të presionit të së Djathtës. E Majta duhet të jetë veçanërisht e vëmendshme ndaj nevojës së saj për të përcaktuar pozitën e saj të veçantë që tregon kundërshtimin ndaj këtyre forcave në mënyrë të vazhdueshme dhe të njëkohshme. Duhet të shpallë qartësisht dhe vazhdimisht qëndrimin e saj negativ ndaj të dyja rrymave të së Djathtës, nga të cilat njëra është shprehje e inercisë staliniste dhe tjetra e inercisë kapitaliste në formën e saj më obskurantiste dhe të prapambetur. E Majta është në rrezik të madh nëse i drejton kritikat e saj vetëm kundër një presioni, sepse kështu mjegullon demarkacionet e saj politike. Pozita e saj duhet të shprehet në mohim të njëkohshëm. E Majta duhet ta kundërshtojë nacionalizmin polak aq fuqishëm sa kundërshton nacionalizmin e huaj që kërcënon Poloninë. Duhet të mbajë të njëjtin qëndrim racional ndaj religjionit sklerotik të versionit stalinist të marksizmit dhe ndaj obskurantizmit të klerit. Duhet të refuzojë njëkohësisht frazeologjinë socialiste si fasadë për shtetin policor dhe frazeologjinë demokratike si maskim të sundimit borgjez. Vetëm në këtë mënyrë e Majta mund ta ruajë pozitën

e saj të ndarë dhe të veçantë, që është ajo e një pakice. Megjithatë, e Majta nuk dëshiron të bëhet shumicë me çdo çmim.

Në situatën aktuale, pohimi më i fuqishëm i të Majtës është ideologjik. Për të qenë më të saktë, është të dallosh pikërisht mes ideologjisë dhe taktikave të tanishme politike. E Majta nuk e refuzon kompromisin me realitetin, për sa kohë kompromiset janë të tilla. Ajo do të luftojë gjithmonë çdo përpjekje që ia nënshtron ideologjinë kërkesave të momentit, koncesioneve të nevojshme përkohësisht dhe taktikave. Ndërsa e kupton se në disa raste është e pafuqishme përballë krimit, e Majta refuzon ta “bekojë” krimin.

Kjo nuk është aspak çështje e vogël apo dytësore. Një parti politike e cila nuk mbështetet në një bazë të mirëfilltë ideologjike mund të ekzistojë për një kohë të gjatë në gjendje vegjetacioni, por do të shembet si shtëpi letrash në momentin e ballafaqimit me një vështirësi. Një rast të tillë përfaqëson Partia Hungareze. Një lëvizje komuniste e cila e nënshtron ideologjinë e saj ndaj taktikave të menjëhershme është e destinuar për degjenerim dhe humbje. Mund të ekzistojë vetëm me mbështetjen e fuqisë dhe kapacitetit shtypës të shtetit. Vlerat intelektuale dhe morale të komunizmit nuk janë stoli luksoze të veprimtarisë së saj, por kushtet e ekzistencës së saj. Kjo është arsyeja se pse është e vështirë të krijohet socializëm i majtë në një vend reaksionar. Një lëvizje komuniste, forma e vetme e ekzistencës të së cilës janë vetëm taktikat dhe e cila lejon humbjen e premisave të saj origjinale intelektuale dhe morale, pushon së qeni lëvizje e majtë. Prandaj fjala “socializëm” ka fituar më shumë se një kuptim, dhe nuk është më sinonim për fjalën “e Majtë”. Dhe kjo është arsyeja se pse një rigjenerim i konceptit të së Majtës është i nevojshëm—gjithashtu që të mund të caktojmë caqet e kuptimit të parullave socialiste. Prandaj, ne propozojmë termin “socializëm i majtë.”

Pa dorëzuar ndonjë nga premisat e ekzistencës së saj, e Majta është padyshim e gatshme të bëjë aleancë me çdo grup, pa marrë parasysh sa i vogël është, dhe me të gjitha “vatrat e majta” kudo që janë. Por ajo duhet të refuzojë mbështetjen e situatave dhe aktiviteteve të së Djathtës; ose nëse detyrohet ta bëjë këtë nën presion, duhet ta quajë “presion” dhe të mos kërkojë justifikim ideologjik për veprimet e saj.

E Majta e di se këto kërkesa duken vetëm modeste, dhe e kupton se mund të çojnë drejt humbjeve të reja—por humbje të tilla janë më të frytshme sesa kapitullimi. Për këtë arsye e Majta nuk ka frikë të jetë pakicë, çka është në shkallë ndërkombëtare. Ajo e di që historia vetë kërkon në çdo situatë një anë të majtë që është komponent po aq i nevojshëm i jetës shoqërore, sa edhe aspektet e konservatorizmit dhe inercisë.

Kontradiktat e jetës shoqërore nuk mund të likuidohen; kjo do të thotë që historia e njeriut do të ekzistojë për aq kohë sa vetë njeriu. Dhe e Majta është faktori fermentues edhe në masën më të ngurtësuar të historisë së tanishme. Edhe pse herë pas here është e dobët dhe e padukshme, ajo është megjithatë dinamit i shpresës që shpërthen ngarkesat e vdekura të sistemeve, institucioneve, zakoneve, shprehive intelektuale të ngurtësuara dhe doktrinave të mbyllura. E Majta bashkon ato atome të shpërndara dhe shpeshherë të fshehura lëvizja e të cilave është, në fund të fundit, ajo që quajmë progres.

Përkthyer nga: Jeta Mula

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.