Dija dhe tregu

/Arlind Qori/ Një herë tjetër do merremi edhe me shpjegimin e faktit se pse sot ka më pak shqiptarë që dyshojnë mbi paradigmën se dija duhet të integrohet në treg nga ç’kishte qëmoti që dyshonin mbi shkencitetin determinist të mësimeve të shokut Enver. Këto kohë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë nismën për të reformuar arsimin e lartë në vend. Në mendjen e shqiptarit të zakonshëm, përmendja e fjalës reformë shkakton mornica pasi lidhet rëndom me flakjen nga puna, rritjen e çmimeve, shkatërrimin e shërbimeve publike përmes privatizimit etj. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët janë antireformistë, por se reformizmi i këtyre dekadave nuk ka pasur të bënte me ri-formimin, pra me dhënien e një forme të re më të mirë të marrëdhënieve shoqërore, por me procesin e pandalshëm të shformimit e shkatërrimit për hir të interesave oligarkike. Ç’kërkon të bëjë qeveria? Hiç më pak se të rilindë, së paku në vija të përgjithshme, berishizmin, domethënë reformat arsimore të nisura prej qeverisë së shkuar dhe të mbetura rrugës, edhe për shkak të rezistencës studentore. Gjithsesi kryeministri ynë është pedant, dhe nuk e lë ligjërimin publik pa e pasuruar me parulla zulmëmëdha, si ajo që lindi shi gjatë lëvizjes studentore të vitit 2012 Universiteti në Rrezik, se “Dija nuk është mall”. Parim i bukur, sidomos kur i dihet kuptimi. Sidoqoftë, besnik i pseudosocialdemokracisë thirdway-ste, (kujtoni se Tony Blair-i është këshilltar i qeverisë sonë, duke provuar kështu kartërcipërisht faktin se jemi kopsht shkëmbor anakronizmi, pasi do guxim të madh të marrësh seriozisht blerizmin, sidomos pas krizës ekonomike të 2008-s), Rama pohon gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje, ku të famshmes “Dija nuk është mall” i shton të antinomiken “Dija duhet të integrohet dhe t’i shërbejë tregut”. Po mirë, a nuk e këshillon kush se malli është produkti dhe fetishi kryesor i tregut?! Se dija, e praktikisht aparatet universitare shqiptare, sidomos ato që me meritë duhen quajtur diplomore private, janë pjesë e tregut, veprojnë si agjenci tregtare dhe i shërbejnë një tregu, që në rastin tonë kërkon diploma apo shtyrje kohe në mjedise universitare nga pinjollët e familjeve të ngeshme?! Sigurisht që kryeministri ynë mund të gjegjej, i ndihmuar edhe prej këshilltarëve të tij zulmëmëdhenj që u duket vetja Njutonë kur pohojnë se Shqipërisë nuk kanë ç’i duhen filozofët, se ai është i pari që po këmbëngul për kthimin e diplomoreve private fitimprurëse në shoqata jofitimprurëse, për hir të përfitimit të fondeve publike. Bash këtë synonte edhe plan-reforma e fundit e qeverisë Berisha, edhe ajo e sponsorizuar publikisht nga pronarë-analistë-gjithçkalogët e diplomoreve private. Mirëpo, çudi e madhe kjo që krerët e agjencive tregtare fitimprurëse universitare lobojnë kaq fort për t’u kthyer në shoqata jofitimprurëse. Duhet të hyjë në risitë më të mëdha të historisë së njerëzimit, madje duhet t’u vlejë edhe gjuhëtarëve për të ripërkufizuar nocionin lobim, ky kur ata që fitojnë ndikojnë qeverinë (ndoshta i japin edhe para, gjithmonë brenda kufijve të ligjit) pikërisht që kjo e fundit të mos i lejojë më të bëjnë para. Ne jemi vend i çudirave, ku filantropët në vend që t’i bien shkurt e t’i japin para ndonjë jetimoreje, shkolle fshati a universiteti rrethi në vështirësi financiare, zgjedhin një rrugë kaq të gjatë e të mundimshme që do t’i sharronte degën (e fitimit) mbi të cilën janë rehatuar prej kohësh. Apo, siç u shkon mendja shejtanëve, kjo s’është gjë tjetër veçse kamuflimi i radhës për të zhvatur para publike në emër të ojëfëizmit, kur baza financiare (kërkesa studentore e konvertuar në para) e tyre po rrudhet frikshëm? Për të pudrosur karakterin kryekëput privat të sipërmarrjes së tyre, ithtarët e reformës financiare (shteti ua heq pjesërisht paratë universiteteve publike dhe ua jep atyre private, në emër të konkurrencës) po lënë pa mend edhe të ngratin Xhorxh Oruell në atë botë. Ku ta dinte i ziu Oruell se Newspeak-u i tij do të përdorej edhe për të quajtur publike institucione logjika e të cilave është kryekëput private. Ja p.sh., nëpërmjet zgjerimit të konceptit “publike” deri në kufijtë e monizmit logjik. Kësisoj, edhe diplomoret private do të quhen institucione publike pasi publike është gjithçka që ofron një shërbim publik, pra një shërbim që u drejtohet, kundrejt pagesës, të gjithëve. Siç thamë përrallën e transformimit të tyre në shoqata jofitimprurëse nuk po e besojmë se u mjafton që fitimet t’i kamuflojnë në shpenzime operative apo paga formale marramendëse për stafin. Ky konceptim i publikes duket se buron nga ai i shtëpisë publike, ku publikja nuk ka të bëjë me shërbimin, marrëdhëniet midis pjesëtarëve të saj, raportin emancipues me shoqërinë etj., por thjesht me faktin se po pate para me vete s’të zbon kush nga qejfi erotik, edhe po ishe me një këmbë, i shëmtuar, psikopat etj. Kështu institucion publik është edhe tavolina ku njëri shet fara, diskoja e periferisë apo pika e karburantit. Gjithçka bëhet publike në mënyrë që asgjë të mos jetë mirëfilli publike. Eufemizmat vazhdojnë kur, me arsyen se arsimi i lartë ka nevojë për financime që shtetit s’ia mban samari, mendohet se në të duhet të kontribuojnë edhe bizneset, qeveritë lokale, madje edhe vetë studentët. Që dy të parët do bënin mirë të lanin ndonjë mëkat përpara se të takonin perëndinë, s’do shumë mend e kalem, por mbase duhet të presim edhe ca për faktin që oligarkët shqiptarë janë ende të rinj dhe punëplotë për të menduar për ditën e qametit. Eufemikja qëndron në pikën e studentëve, të cilëve u thuhet tërthorazi se duhet të paguajnë edhe vetë për arsimin e tyre, pasi ky arsim jo vetëm që u kushton taksapaguesve, por edhe është thjesht përfitim i tyre dhe jo e drejtë publike. Pikësëpari, propozuesit e kësaj teze duket se harrojnë se studentët në universitetet publike paguajnë, dhe jo pak madje, por të paktën një rrogë mesatare prindërish në vit, tarifë kjo në rritje nga viti në vit. Së dyti, argumentit se për shkollimin e një studenti paguan edhe një minator që s’ka mundësi ta çojë fëmijën në universitet është i dobët, pasi problemi është pikërisht se si ta çojmë edhe fëmijën e minatorit në shkollë dhe jo si të shesim dëngla fiskale. Madje, nëse minatorit i thuhet se për momentin buxheti i shtetit e ka të pamundur të mbulojë edhe fëmijën e tij, ai prapëseprapë do të ishte më shumë dakord që tatimi i pagës së tij të shkollonte fëmijën e fqinjit sesa të shkonte për misione idiote paqeruajtëse nëpër vende ku s’ruhet paqja, e aq më pak për shpenzime të fryra burokratësh që rregullojnë farefisin në punë të mira shteti. Dhe e fundit, dija me të cilën mbruhet një student në universitet nuk shkon veç në përfitim të tij, se fundja ai një pagë mediokre ka me marrë prej saj, por është burim emancipues për mbarë shoqërinë. Një inxhinier, mjek a filozof më shumë në lagje nuk i shërben vetëm vetes, por mbarë shoqërisë, dhe fuqizimi i tyre hap shtigje për ngritjen ekonomike dhe shoqërore edhe të shtresave më nevojtare. Kësisoj dija që rrezatojnë ata nuk është as private, as e privatizueshme, por mirëfilli pasuri publike. Në kuptimin e sapopërmendur publikja është si trotuari. Në të ka vend për të gjithë, nuk duhet të paguash, mundet edhe t’ia fusësh gjumit, dhe nuk mund ta përdorësh për qëllime fitimprurëse nëse nuk të japin leje të gjithë bashkëqytetarët. Kjo barazi radikale në mbarështimin dhe përfitimin nga publikja na risjell te marrëdhënia e dijes me tregun. Dija, në të shumtën e historisë së saj krenare, është jo vetëm një veprimtari që e lidh kërkuesin me krejt historinë e përpjekjeve të mëparshme për ta prodhuar atë, por edhe me të gjithë bashkëkohësit dhe pasardhësit e tij. Dija, qoftë si prodhim kolektiv, qoftë si zbulim individual, e ka të nevojshme një raport përkushtimi ndaj të vërtetës, që me t’u prodhuar a zbuluar nuk i përket më vetëm subjektit të saj, por mbarë njerëzimit. Shumica e dijetarëve janë rropatur për hir të së vërtetës, dhe nuk kanë pranuar t’ia kushtëzonin këtë të vërtetë diktatit të pushtetarëve apo tekave të tregut. Vërtetimi i një teoreme matematike është bukuri më vete, dhe motiv i mjaftueshëm pune për çdo matematikan, mjafton që të ketë ç’të hajë në shtëpi në darkë. Reduktimi i kërkimit shkencor në tekat e tregut dhe shndërrimi i kërkuesit në zanatçi tregu jo vetëm që e shpërfytyron raportin e dijetarit me dijen, por edhe e keqorienton të menduarit njerëzor, duke u shërbyer kësisoj verbërisht interesave të korporatave, që jodoemos përputhen me të mirën publike. Nga ana tjetër, dija është publike pasi s’mund të mos jetë kritike, pra s’mund të mos jetë e pakënaqur dhe të mos vërë në dyshim në mënyrë konstante veten, arritjet e mëparshme, dhe në vetvete s’mund të mos shtrojë pyetje të reja. Ky proces, i ashpër në kundërvënie, por solidar në prodhim të së vërtetës, është trualli i përbashkët i dijetarëve, dhe boshti lidhës midis tyre dhe shoqërisë. Po ashtu dija, në autonominë e saj nga diktati i pushtetit dhe tekat e tregut, mishëron potencialin përfytyrues të së ardhmes. Roli i saj, sidomos në fushat shoqërore-humane, është të zbulojë farën e të ardhmes në barkun në dukje shterp të së sotmes. Ajo është medoemos edhe utopike, po jo si zhgjëndërr nate, as si fluturim anakronik, por, siç thoshte Ernst Bloch-u, si prodhuese e ëndrrave me sy hapur të ditës, ku e ardhmja më e mirë përvijohet që sot. E nëse dijetarit, kërkuesit shkencor apo lektorit universitar do t’i rrëmbehet kjo mundësi, duke e shndërruar në fakir të kollarisur që kërkon të nxjerrë rrogën me çdo çmim, qoftë edhe duke bërë reklamë televizive për ndërmarrjen e tij universitare, atëherë nuk kemi shpërfytyruar thjesht një njeri, por kemi zhdukur potencialin emancipues të kohës. Sidoqoftë, roli i dijes dhe aparateve të prodhimit të saj (universiteteve) nuk mund të jetë i shkëputur nga nevojat e shoqërisë, se fundja ç’kuptim ka të krijojmë ishuj të lumtur narcisë të teorizimit për hir të teorizimit, pa u shtuar edhe tiparin e nevojshëm të prodhimit të kapaciteteve dhe njohurive praktike, që ndihmojnë në rritjen e prodhimit dhe mirëqenies së shoqërisë. Këtu, ithtarëve të barazimit dije-treg u duket se luajnë në shtëpinë e tyre. Ama veç u duket. Ekziston një besim i çuditshëm mbarëshqiptar se problemet e mëdha ekonomike, si p.sh. papunësia, burojnë nga fakti se punë ka boll, por s’ka punëtorë të kualifikuar për to. Kjo paradigmë, kur nuk ia hedh fajin shtetit tutkun për mosarsimimin siç duhet të punëtorisë, e shtrin përgjegjësinë te punëtori i mundshëm që s’do të punojë, ose më mirë s’do të mësojë se si të punojë, dhe për arsye misterioze preferon të lëngojë në varfëri të skajshme. T’i marrim punët me radhë: Pikësëpari, duhet ndarë mendja se papunësia është produkt strukturor, pra domosdoshmëri e një modeli ekonomik të bazuar kryekëput te tregu. P.sh. parimet e tregut të kulluar i shtyjnë kapitalet aty ku norma e fitimit është më e lartë, përkatësisht nga sektorët prodhues te spekulimet financiare, si në rastin e krizës që nisi më 2008-n. Tregu prodhon papunësi, dhe në Shqipëri ka prodhuar papunësi për dy dekada rresht. Edhe ato vende pune që prodhon janë rëndom punë e pakualifikuar ose e pakkualifikuar, në kushte jorallë vdekjeprurëse dhe me paga mjerane. Modeli ekonomik neoliberal (privatizo gjithçka, hiq nga puna masivisht, shkatërro burimet për fitime të mëdha afatshkurtra, transfero kapitalet, spekulo financiarisht dhe pastaj dora e fshehtë e zotit treg do t’i ujdisë të gjitha) ka dështuar, dhe jo vetëm në Shqipëri. Ama në Shqipëri ka shkatërruar deri në mosmëkëmbje sektorë si ai minerar, ai i industrive të lehta të dikurshme, ka çuar në zgrip industritë nxjerrëse etj, duke e shndërruar shtetin në vëzhgues xhepist të humbjeve të pasurive natyrore dhe potencialeve prodhuese. Pra tregu, të paktën në kuptimin vetërregullues mistik, ka dështuar anekënd, dhe pjesë e dështimit të tij është edhe shtrirja e logjikës së tregut në fushën e arsimit. Tregu arsimor i përgjigjet një kërkese, po për çfarë? Për dije të specializuara në ndonjë fushë prodhimi? Ruana zot! Kujt i duhet të paguajë qimet e kokës për t’u bërë inxhinier në një vend ku tregu ultrakapitalist ka shkatërruar përfundimisht industritë?! Për punë të thjeshta, s’ka nevojë për dije universitare, por për dije praktike zanatore që përftohen ende në marrëdhëniet usta-çirak. Tregu po ashtu ka nevojë për mbjellës e korrës hashashi, trafikantë të vegjël, vrasës me pagesë etj., por edhe për këto punë s’hyjnë në punë universitetet se shkolla e rrugës të nxjerr në dritë. Po ashtu tregu ka nevojë për një aradhe profesionesh joprodhuese, hem në sferën private (specialistë marketingu, shitës buzëqeshës), hem në atë publike (juristë më së shumti, për të zënë me punë një pjesë të klientelës). Sigurisht që fundamentalistët e tregut do të gjegjeshin se ky nuk është tregu ideal, por treg i deformuar. Mirëpo tregu ideal ekziston vetëm në mirazhet e gomarëve, pasi tregu, si çdo institucion tjetër shoqëror, është produkt i marrëdhënieve shoqërore-politike në një fazë të caktuar historike, dhe ky treg ndër ne, edhe si rezultat i pozicionit tonë në tregun global, është kështu, dhe mund të vetërregullohet vetëm kështu. Pikërisht ky treg, që ofron papunësi në masë, punë të keqpaguar, në kushte mjerane, të pa-ose-pakkualifikuar, pra ky treg prodhon edhe linjat e arratisë për shumë të rinj. E përballur me fatalitetin e punës në rrobaqepësi, pse të mos ëndërrojë një vajzë e re të punojë në shtet apo sekretare diplomoreje private pas mbarimit të shkollës?! A nuk e shtyn edhe hedonizmi reklamor të ëndërrojë një jetë më të mirë?! Ja ku është banaku i diplomave, thjesht duhen gjetur ca para shpejt-e-shpejt, dhe u kry! Po reklamat e vetë diplomoreve a nuk garantojnë punësim për vetëm pak mijëra euro?! Ata që dalin në reklama duken edhe zotni burra, profesorë me nam madje, si mund të gënjejnë?! U përmend më sipër se problemi i papunësisë shtrohet në atë mënyrë që e bën të duket fiktiv, pasi sipas ithtarëve të tregut nuk është se s’ka vende pune, por s’ka fuqi punëtore të kualifikuar për ta ushtruar atë. Prandaj universiteti u dashka të prodhojë specialistë të mirëfilltë për tregun. Edhe këtu ngatërrohet radha. Nuk është tregu i kulluar dhe as universiteti si patericë e tij që prodhon vende pune, por rimodelimi i ekonomisë që kryhet nga një shtet sa vizionar, aq edhe demokratik, që i riorienton investimet në prodhim, bëhet edhe vetë aktor prodhues, punëson njerëz në sektorë jetikë publikë si arsimi, shëndetësia, përpiqet të mpiksë plagët sociale përmes punonjësve socialë etj. Vetëm në kuadrin e këtij ristrukturimi demokratik të ekonomisë ka vend edhe për arsimin e lartë si përgatitës të specialistëve për punët e reja. Nëse shteti rimerr në dorë industrinë minerare, riinveston me interesa afatgjatë në të, do të ketë vend edhe për inxhinierë, e për pasojë shkolla do të prodhojë inxhinierë. Po ashtu mësues për fshatrat e largëta, periferitë etj. Dhe mos pyesni se ku do të gjendeshin paratë, se një shtet që rimerr në dorë sektorë kyçë të prodhimit i rrit të ardhurat e veta, për të mos përmendur pastaj se sa vend ka për taksimin serioz të oligarkëve ekonomike apo sektorëve spekulativë e joprodhues të ekonomisë. Madje një shtet si i mësipërmi do t’i shtynte edhe pronarët e diplomoreve të mos e kërkonin fitimin në themelimin e kioskave universitare, ku përveçse pajiset gjindja me diploma, punësohen shumë pak vetë, përfshirë këtu edhe një basen të mirëpaguar amplifikuesish akademikë të interesave të pronarëve të tyre. (E keni vënë re besoj se më shumë gjasë kishte të kritikoje Partinë e Punës qëmoti sesa të kritikosh interesat dhe qëndrimet e pronarit sot nga pozitat e pedagogut të paguar prej tij.) Në pamundësi për të investuar në të tilla punë të pakrye, kapitalet do të orientoheshin drejt sektorëve prodhues, duke i plotësuar ëndrrën edhe të vetmit neoliberal simpatik, S. Ngjelës, për ta parë më së fundi këtë vend të prodhojë gozhdë. Kësisoj edhe të punësuar do të kishte më shumë, dhe jo nga ata servilët e mirëpaguar të kollarisur sidozot, por punëtorë masivë që herët a vonë do të organizoheshin për ta shtruar çështjen e tyre me të fortë, duke emancipuar veten dhe mbarë shoqërinë asisoj. Por kjo ditë duket ende larg. Po parafrazoj një prej fundamentalistëve më të kudogjendur të tregut në Shqipëri, i cili thoshte se Rama do të ketë sukses vetëm nëse tradhton premtimet parazgjedhore, një prej të cilave ishte edhe dhënia përparësi arsimit publik. Ndryshe nga fundamentalistët fetarë, ndaj të cilëve neveria për qëndrimet që mbajnë shoqërohet me një tip admirimi për vetëheroizimin kretin për hir të ideve që kanë, fundamentalistët e tregut nga sendërtimi i ideve të tyre fanatike nuk pësojnë asgjë, përkundrazi pasurohen edhe më. E ky lloj fundamentalizmi i ka gjithmonë të hapura dyert qeveritare, pasi nuk premton botën e përtejme poetike, por të këtushmen prozaike të xhepave plot, publicitetit pozitiv dhe financimit të fushatave.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.