Katër fantazma sillen nëpër Tiranë!

/Fitim Salihu/ Katër fantazma sillen nëpër Tiranë! Fantazmat e Ziver Veizit, Aleks Nikajt, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt. Fantazma politike e tyre. Fantazmat që ecin në trajtë rebelimi shoqëror e si mishërim i Idealit për barazi e drejtësi sociale. Fantazma të katër martirëve të mjerimit që nuk gjejnë dot qetësinë politike pa realizuar kauzën. Fantazma shoqërore që i ngërmohen sistemit që i vrau, i përbuzi e i tradhtoi. Katër fantazma s’duan përdëllim. Duan ta kuptimësojnë rënien e tyre para kryeministrisë më 21 janar 2011 e duan drejtësi. Jo drejtësi të izoluar vetëm për vrasjen e padrejtë të tyre. Por drejtësi për vrasjet e çdoditshme të popullit të varfër, që po vritet padrejtësisht për së gjalli nga pakica sunduese e biznesmenëve politikanë dhe politikanëve biznesmenë. Ata katër janë martirët par excellence të vargut të pafund të mjerimit, varfërisë, papunësisë e korrupsionit. Po. Ata ishin katër! Ata ishin katër… katër të shtypur tek të cilët dhuna subjektive e gjerasokohshme morri fytyrën e saj të vërtetë, të dhunës objektive. Katër të shtypur që derdhën gjakun në përballje me padrejtësinë e shtypjen. Po. Ata ishin katër! Të katërtit u vranë nga Sali Berisha, u shanë nga Ilir Meta dhe u tradhtuan nga Edi Rama. Ata ishin katër! E u vranë tri herë! I vrau autokracia shtypëse e Sali Berishës, i vrau gjuha virulente e Ilir Metës dhe i vrau Edi Rama, kjo pleksje e demagogjisë dhe lapërdhisë. Socialdemokracia, sikurse më 1997, edhe një herë e la popullin në rrugë dhe tregoi fytyrën e saj të kahershme, që nuk i dallon aspak nga shtypësit borgjezë. Socialdemokracia borgjeze, e cila vetëm se ia shton jetën sistemit shtypës dhe e tulat çdo përpjekje burimore popullore për një lëvizje të vërtetë emancipuese e subversive. Socialdemokracia, e cila është partikulare në thirrjen e saj, por universale në dëmin që shkakton. Është universale në pandehmën e shpresën e rrejshme. Dëmet e saj kudo, kanë qenë të njëjta kurdo. Është socialdemokracia ajo që mbante në gjendje iluzive dhe shpërndan shpresa sikurse opium për masat e shtypura. Shkrimtari e luftëtari i të shtypurve, Petro Markoja thoshte se “ata që e gënjejnë popullin janë më tiranë se ata që e shtypin.” Është e njëjta kudo dhe kurdo. Është po ajo socialdemokraci tutëse që në Nikaraguan e largët, për vite me radhë ndrydhi shpirtin rebel të rinisë revolucionare. E sa e sa Nikaragua e FLSN-ja tjera na mëson historia e popujve të lirë të botës. Por, një ditë ata hapën sytë dhe e kuptuan tinëzinë e tradhtinë e socialdemokracisë. Dhe vetëm kur vendosën ta marrin fatin e vet në duart e veta, ata fituan dhe u çliruan. Mendimtari francez Mishel Fuko thoshte se aty ku ka pushtet ka edhe qëndresë. Shqiptarët e Shqipëria (jo ajo e kufijve arbitrarë, por ajo e vërteta) kanë nevojë ta shqelmojnë edhe çdo iluzion të fundit dhe ta nisin përpjekjen për çlirim shoqëror. Çdo ditë që kalon me shpresë tek socialdemokracia dhe sistemi shtypës, është një ditë e falur për këtë sistem dhe një ditë më pak nga qenia jonë politike. Ne nuk duhet të kemi frikë! Frika jonë e vetme është frika nga të qenit i frikësuar. Rinia studentore dhe intelektualët e vetëdijshëm të popullit, ia kanë borxh popullit që të fillojnë të mendojnë e luftojnë për popullin. Shtresat që kanë mundësi të mendojnë e luftojnë për klasat e shtypura duhet ta fillojnë këtë sa më parë. Koha e rrethanat e egra që po jetojmë kërkojnë veprime radikale, të prira nga një organizatë avangarde, prijatare e pakënaqësisë popullore. Dhe asnjë shpresë më tepër tek socialdemokracia tradhtare e dinake. Kjo s’ka të bëjë me ringjallje të së kaluarës. As me nostalgji. Nostalgjia jonë nuk ka lidhje me rrënjën e kësaj fjale, me “nostos”-in grek, me prapakthimin. Nostalgjia jonë merr kahje të kundërt: drejt së ardhmes dhe në raport me të ardhmen. Kështu e shkuara heroike, e tashmja shtypëse dhe e ardhmja me shpresë shkrihen në një dhe vetë nostalgjia merr kuptimësim të ri: nuk është më e shkuara, por e ardhmja. Pra, mall për diçka që do të vijë një ditë. Apo më mirë thënë: për diçka që do e realizojmë vetë ne. Gjer atëherë na duhen shumë sakrifica. Do kalojmë shumë pengesa. Do gjendemi përballë shumë tradhtish. Siç u tradhtua lëvizja studentore e 1990-s apo luftërat çlirimtare të shqiptarëve të viteve 1999-2001. Siç u tradhtua 21 janari i Tiranës ose 10 shkurti i Prishtinës. 21 janari 2011, që vulën e tradhtisë e mori më 23 qershor 2013. Edi Rama, i cili dikur i ftoi shqiptarët kundër autokracisë e korrupsionit të binomit Berisha-Meta, më pas vetë u bë palë e hapur e këtij binomi që vetëm ndërron emrat, por jo edhe thelbin e tij antipopullor. Kjo ishte një rivrasje e katër martirëve: e Ziverit, Aleksit, Hekuranit e Faikut. Ishte rivrasje edhe e Idealit pse ata dolën përballë shpurës qeveritare. Ishte tradhtia e radhës. Përkundër humbjes, avangarda duhet të vazhdojë që t’i prijë rebelimit. Prej humbjes në humbje. Gjer në fitoren përfundimtare! Fitorja përfundimtare arrihet vetëm nga goditjet e njëpasnjëshme. Dhe jo nga fitoret e vogla. Fitoret e vogla kanë doza të rrezikshme vetëkënaqësie dhe rehatie delirante. E humbjet të forcojnë për ta synuar më këmbëngulës qëllimin. E largëta të afrohet sa më shumë përçapesh t’i afrohesh asaj. E të largohet edhe më tutje nëse ke andralla se e ke arritur, ndërkohë që je milje larg saj. Zhizheku reciton qëllimisht Samuel Beketin e vargjet e tij dialektike të “Worsward Ho”-së: “Ever tried. Ever failed. No matter. Try again. Fail again. Fail better.” (Ke provuar? Ke dështuar? Punë e madhe. Provo prapë. Prapë dështo. Por dështo më mirë kësaj radhe.)
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.