Jeta dhe mësimet e Malcolm X

/Klodi Leka/

I rritur në një familje të varfër të krishterë, Malkolm X vazhdon të mbetet personazhi më kontravers i lëvizjes zezake për të drejta gjatë viteve ’60. I ati, prift baptist dhe militant i idesë së kthimit të popullsisë zezake në Afrikë, vritet, ashtu si i vëllai, prej racistëve të bardhë. Përveç të atit, plagë të thella në kujtesën e fëmijërisë së tij të hershme lë edhe e ëma, një mulate që mallkonte lëkurën e saj të çelët, e cila, pas vdekjes së bashkëshortit, çmendet dhe kalon pjesën e mbetur të jetës në spital psikiatrik.

Lëkura e çelët e zezakut dhe paraqitja e njeriut të bardhë do të linin gjurmë të thella në vetëdijen e tij, çka do ta përndiqte gjatë gjithë jetës. Lëkura e çelët ishte rrjedhojë e përdhunimit të gruas zezake nga padroni i bardhë, ç’kish ngjarë edhe me të ëmën e mamasë së tij, çka kjo e fundit nuk duronte deri në dëshpërim. Siç nuk duronte edhe njeriun e bardhë, sundimin e dhunshëm të të cilit Malkolmi e njohu që në vogëli në rolin e punonjësit social që shkatërroi mendërisht mamanë dhe familjen e tij.

Në vijim, jeta e Malkolmit do të jetë një kalvar i kalimit nga familja në familje. Fillimisht në familjen normale zezake gjysmurbane ku ndjek edhe shkollën, prej së cilës përjashtohet si rrugaç, dhe pastaj në tutelën e një familjeje të bardhë liberale gjatë kohës së riedukimit në një institucion integrues. Këtu Malkolmi, tashmë shkollar, ndjek një jetë të rehatshme deri në momentin kur nis të kuptojë natyrën e njeriut të bardhë liberal. Pavarësisht se i ndryshëm nga racistët e të njëjtës ngjyrë, atij nuk i shpëtojnë klishetë e ngulitura në trurin e shoqërisë amerikane.

Dy janë rastet. I pari, kur tutorët e tij, çift i bardhë i arsimuar i shtresës së mesme, gjatë bisedave të shpenguara në shtëpi diskutonin mbi zezakët i  quanin ata “pacë të zinj”, a thua se Malkolmi ishte objekt apo nuk ekzistonte aty. I dyti, kur mësuesi i shkollës, një burrë i mirë i bardhë, teksa pyet nxënësit ç’duan të bëhen në jetë, i aprovon i buzëqeshur dëshirat e tyre, ndërsa ëndrrës së Malkolmit për t’u bërë avokat i gjegjet se profesioni më i përshtatshëm për një zezak është ai i zdrukthëtarit.

Në këta dy shembuj Malkolmi kupton se, pavarësisht se ata ishin njerëz të bardhë të mirë, objektivisht nuk ishin çliruar prej mendësisë dhe praktikave të diskriminimit të cilin e luftonin me naivitet. Në librin autobiografik të cilit i referohem, ai thotë se kjo shpërfillje ndaj ekzistencës së zezakut është zakon i njeriut të bardhë sundues që për katërqind vite ka shpërfaqur superioritetin në praninë qoftë edhe intime të zezakut në shtëpi. Sepse, për Malkolmin, kishte dy lloje zezakësh: zezakët e shtëpisë dhe zezakët e fushës. Të parët ishin “xha Tomë”, kafshë të zbutura shtëpiake që i tmerroheshin syve të padronit dhe e admironin atë. Të dytët ishin skllevërit e fushave me pambuk.

Po kështu Malkolmi kap me intuitë kuptimin e fjalës dhe funksionit “integrim”. Sado që njerëzit e bardhë të arsimuar që kishin ngarkuar mbi supe detyrën e emancipimit të zezakut silleshin mirë me ta dhe i pranonim në mesin e tyre, prapë ata nuk do të ndiheshin kurrë të barabartë me zezakët. Sepse ndjesitë e tyre ishin paternalizuese, të ngjashme me ato të padronëve, të cilët e shihnin zezakun si një fëmijë të papjekur që nuk ishte gati për të qenë i lirë dhe i barabartë me të tjerët dhe, kësisoj, duhej vënë nën tutelën e të bardhit. Integrimi, sipas Malkolm X, në rastin më të mirë ishte një betejë që nuk e cenonte themelin racist të Amerikës, ndërsa në më të keqin një praktikë që e shtypte instinktin rebelues të zezakut, duke i shtënë në kokë mendime inferiore karshi të bardhit.

Fill pas mbarimit të shkollës fillore, Malkolmi lidh letërkëmbim me të motrën e tij Elën dhe shpërngulet në Boston. Në qytetin e madh njihet me lagjet e zezakëve urbanë, me rrugët e zhurmshme, stilin e jetës, të folmen rrugaçërore, sallat e xhazit dhe tregtinë e hashashit. Aty nis të punojë si lustraxhi dhe shitës alkooli, cigaresh e prezervativësh në banjot e sallave të vallëzimit; vend pune ky që trashëgohej nga njëri zezak te tjetri, nga një lustraxhi që kalonte në jetën e trafikut të hashashit dhe femrave tek ardhacaku i ri zezak e i uritur në qytet, derisa ky të ngjiste shkallën tjetër. Shkallë të cilat Malkolmi i kapërcen me shpejtësi duke kaluar në rangun e gangsterit që bën para përmes tregtisë së cigareve magjike dhe peshkimit të klientëve për prostituta.

Këtu Malkolmi takohet me yjet zezakë të muzikës, ndjek modën e fundit, ndreq flokët dhe mbath kostume të cilat më vonë do t’i përkufizonte si “ndikime të njeriut të bardhë në shijet e zezakut”. Jeta e rrugës, portretizimi i personazheve të larmishëm të botës së nëndheshme dhe raportet e shfrenuara me drogërat dhe femrën e tij të bardhë në sallat e vallëzimit paraqesin me nuanca dinamike dhe dramatike getot ku përpëlitej si peshk në kutizën e sardeles zezaku i varfër, i alkoolizuar dhe i egërsuar në kulm. Po kështu ai paraqet edhe gjendjen e përgjithshme të zezakëve të cilët fundoseshin në kumar, krim dhe kurvëri.

Gjatë kësaj faze magjike të jetës së tij, Malkolm X përshkruan se si racat këmbeheshin në geto në rrafshin e qejfit dhe seksit. Masa të mëdha jenkish zbarkonin atje për të konsumuar drogë dhe muzikë xhaz, si dhe prostitutat e tyre zezake me të cilat hapnin zemrën më gjerë se me gratë e tyre. Po kështu të pasurit e një femre të bardhë ishte dëshirë dhe prestigj i jashtëzakonshëm social në mesin e meshkujve zezakë. Gjithçka shkonte vaj gjersa paqja të ndërpritej prej zezakut të frustruar dhe, bashkë me xhazin dhe ekonominë, mermin fund edhe masa të tëra njerëzish. Rënia e Malkolmit në burg si gangster dëshmon thyerjen e tij të tretë.

Në burg, përmes të vëllait, Malkolmi bie ne kontakt me Kombin e Islamit, një organizatë sektare myslimanësh zezakë të cilët teorizonin rreth ndarjes së racave dhe të dërguarit të Allahut, Elhajxhad Muhamed, një zezak me të shkuar kriminale që pretendonte të kish takuar Mesinë dhe ai ta kishte ngarkuar me profetësinë e ngritjes fetare e racore të zezakut amerikan. Letrat e këmbyera midis Malkolmit dhe “profetit” i japin një drejtim tjetër jetës së tij ndërkohë që vuante dënimin njëdekadësh në burg.

Malkolmi nisi të lexonte. Në fillim mësoi të shkruante dhe të lexonte. Bagazhi i tij gjuhësor nuk i kalonte disa dhjetëra fjalë. Prandaj e nisi me fjalorin e gjuhës angleze dhe vijoi me Biblën e mbretit Xhejms, për të cilin mendonte se ishte Shekspiri, ngaqë askush asokohe nuk e lëvroi anglishten si ai. Duke shfrytëzuar bibliotekën e burgut, për rreth pesëmbëdhjetë orë në ditë, lexoi libra mbi historinë e zezakut, filozofinë, filologjinë, letërsinë etj. Burgu, thoshte ai, të jep mundësinë për të menduar në botën që lëvizte me aq shpejtësi dhe, pas kolegjit, ishte vendi më i saktë i edukimit.

Pas burgut, Malkolmi bëhet militant dhe pastor i Kombit të Islamit. Me një energji të jashtëzakonshme ai ngre struktura në çdo qytet të madh, agjiton dhe shton radhët në getot ku dje ishte gangster, zhvillon kritikën mbi supremacinë e bardhë dhe përse krishterimi ishte mjet imperial i njeriut të bardhë. Shpejt ai vihet në qendër të akuzave si zezak urryes. Publiku i vihet pas. Ai ligjëron në ekrane dhe universitete të cilat nuk do t’i kishte imagjinuar kurrë pak vite më parë. Popullariteti i tij dhe i Kombit Islam kap majat, gjersa tradhtitë e brendshme e shkëpusin prej organizatës dhe ligjërimi i tij bëhet më tepër social, kulturor dhe ekonomik sesa profetik dhe brutalisht racor. Kjo është thyerja e katërt.

Pas shkëputjes prej Kombit Islam dhe strukturave të tij, të cilat në masë të madhe i kishte ndërtuar ai vetë, Malkolmi vëren se zezakë të cilët e kishin simpatizuar, por që nuk e donin aspektin fetar dhe sektar të Kombit Islam, nisën ta përqafonin ndryshimin e tij dhe të ndërtonin një organizatë të re. Por Malkolmi është i paqartë. Me para borxh, ai ndërmerr një udhëtim në qytetin e shenjtë të Mekës, ku shpreson që konceptet dhe rruga drejt të vërtetës të qartësohet. Në Mekë, gjatë takimit me dijetarë dhe njerëz të thjeshtë, ai kupton se islami i Elxhajah Muhamed dhe ai i Lindjes ishin krejt të ndryshëm.

Po kështu, ai realizon disa udhëtime në Afrikë – në Egjipt, Algjeri dhe Gana – gjatë kohës së Naserit dhe të lëvizjeve antikoloniale, kur shtetet zezake po modernizoheshin me shpejtësi ndërsa njeriu i thjeshtë, ai që ishte kolonizuar prej të krishterit perëndimor, po fitonte vetëdije kombëtare dhe sociale. Në Mekë, bashkë me përvojën afrikane, ai heq dorë pjesërisht prej distancimit ekstrem nga njeriu i bardhë dhe përfton konceptin e “vëllazërisë” ku racat, e mira dhe Zoti ishin Një. Ai del në konkluzionin se racizmi te njeriu i bardhë nuk është veti natyrore, por shprehje e klimës dhe konstruktit racist të Amerikës, çka rrezikonte shkatërrimin shoqëror të saj.

Megjithatë, paçka se organizata e tij e re bazohej mbi nacionalizmin zezak dhe në masa zezakësh me identitet më tepër civil dhe urban sesa fetar dhe racor, Malkolmi nuk largohet nga feja islame dhe fakti se i thërret vetëm komunitetit zezak. Të bardhët, sipas tij, racizmin duhet ta luftojnë jo në organizata zezake, por në zemër të komunitetit të tyre, aty ku buron aparteidi. Ndërkohë ai zbut kritikën ndaj intelektualëve të bardhë dhe zezakë, duke e kanalizuar kritikën nga njeriu i bardhë te sistemi social amerikan që mbante në nënshtrim të bardhët dhe të zinjtë. Rrëfimi i Malkolm X mbyllet me trazirat e vitit ’65. Pak kohë më pas vritet gjatë një ligjërate.

Rrëfimi prej 800 faqesh i Malkolmit, në autobiografinë e ndërtuar me ndihmën e shkrimtarit Alex Haley, është i jashtëzakonshëm, i pasur në përvojë dhe mendim dhe, për rrjedhojë, i pakapshëm në kompleksitetin dhe gjerësinë e tij në një shkrim të vetëm. Ky është një nga librat më të mrekullueshëm që kam lexuar tash e shumë kohë dhe ku shpesh kam gjetur veten e njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë në dramaticitetin e tyre. Po kështu, meqë ndaj dijes mbaj pozicion aktivist dhe jo arkivues, ky libër më ka shërbyer për të nxjerrë disa pika mbi aktivitetin politik në vendin tonë. Pika që mund të jenë problematike.

I. Që çdo organizim kolektiv të jetë i suksesshëm dhe efikas, ai ka nevojë për disa norma të rrepta morale. Sigurisht, pa rrëshqitur në konservatorizëm. Malkolm X tregon diku se përmes Kombit të Islamit kishte ndërtuar një rrjet solidariteti me narkomanët dhe lumpenët të cilët, pasi i shtynin të linin drogën ose kumarin, ktheheshin në agjentë brenda komunitetit duke ndihmuar të tjerë të ngriheshin nga balta. Një censurë e tillë ndaj vetes nevojitet edhe ndaj fesë së konsumit, fe mbase më e fortë se krishterimi, ku njeriu është i tjetërsuar prej lëshimit instiktiv në kurthin e reklamës e nihilizmit. Pa disiplinë, s’ka besim.

II. Ashtu si Malkolm X, nevojitet ndërtimi i një retorike që nuk është thjesht zhargon ojëqëist apo formalitet politik, por që zhytet thellë në shpirtin e njeriut aktual, aq sa arrin të kapë brengat dhe të nxitë revoltë brenda tij. Vetëm kjo lloj retorike mundet t’i çajë muret e trasha të ideologjisë dhe të depërtojë në thelbin e tij. Sigurisht, duke pasur disa parime të qëndrueshme dhe të qarta që nuk e bëjnë atë rrëfim limonadë, por ligjëratë që vë në pikëpyetje themelet e sistemit të tanishëm social. Pra përftimi i një populizmi nga poshtë që i ngre ndërgjegjet dhe dinjitetin njerëzor të njeriut të thjeshtë të shkatërruar në varfëri e gënjeshtra.

III. Politikanët profesionistë e kanë ndarë gjithnjë politikën prej personales dhe shpesh personalja është konsideruar si dobësi ku kundërshtarët mund të shkatërrojnë karrierën. Por rasti i Malkolm X dëshmoi se personalja është dobësi që mund të kthehet në forcë dhe mjerë ai që angazhohet politikisht pa marrë parasysh sakrificat që i duhet të bëjë. Kush nuk do të rrezikonte jetën dhe rehatinë për idetë e tij, për ndryshimin e shoqërisë, nuk do të ndryshojë asgjë dhe në fund do të bjerret si individ. Në politikë radikale, siç thotë Malkolm X, duhet të përgatitesh qoftë edhe për një vdekje të dhunshme. Pra, politikja është përgatitje thelbësisht shpirtërore, pa të cilën nuk shkohet askund.

Imazhi: WMHT

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.