Të dyja, si komunën edhe revolucionin

/Richard Moser/

Kriza mjedisore po bëhet gjithnjë e më e tmerrshme, por ne nuk jemi pranë një zgjidhjeje të madhe politike sepse ajo kërkon hiç më shumë sesa një revolucion: ne duhet të zëvendësojmë fuqinë e korporatave me ekonominë demokratike dhe luftën me paqen. Në SHBA gjendemi në mes të klimës mohuese moskokëçarëse të Republikanëve dhe gradualizmit trullosës të Demokratëve korporativë. Njëra palë mohon se shkatërrimi mjedisor është real, ndërsa pala tjetër mohon faktin se duhet reaguar fuqishëm ndaj saj. Të dyja i shërbejnë kërkesës së pangopur për luftë, pushtet dhe fitime që na çojnë vetëtimthi drejt skërkës. Ndonëse ne duhet të përdorim çdo mjet që kemi për të vendosur kontrollin demokratik mbi qeverinë dhe kapitalin, ne nuk mund të presim që një ditë e re të agojë. Duhet të veprojnë këtu dhe tani. Merreni në dorë problemin e shkatërrimit klimatik! Bashkojuni komunës!

 

Shumë rrugë drejt revolucionit

“Komuna” e shkruar në titull të kësaj eseje është shkurtim i politikës prefigurative. Projektet prefigurative përpiqen të krijojnë shembuj të gjallë të ndryshimeve shoqërore që aspirojmë për mbarë shoqërinë, edhe pse gjendemi ende brenda regjimit korporativist. Ne kemi nevojë për ndryshime tani dhe kemi nevojë të eksperimentojnë me projekte që mund të jenë të dobishme si modele për të ardhmen.[1]

Politikat prefigurative përpiqen të rifillojnë ato mënyra jetese në bashkësi të cilat kanë qenë të praktikuara gjerësisht përpara vendosjes së familjes patriarkale, pronës private dhe shtetit në fillim të të ashtuquajturit civilizim. Ndonjëherë mund ta perceptojmë të ardhmen duke parë thellë në të shkuarën.

Banorët indigjenë nëpër botë vijojnë të luftojnë për të ruajtur institucionet e komunës – para së gjithash tokën komunale – pavarësisht sulmit kolonial dhe korporativist.

Politikat prefigurative u bënë pjesë e traditës evropiane të rezistencës qysh me Luftën Civile të Anglisë. Baza të komunave utopike u ngritën në vitet përpara Luftës Civile të SHBA dhe përuruan një zinxhir thuajse të pandërprerë kooperativash eksperimentale mes amerikanëve në jetën e përditshme. Në 1871 klasa punëtore parisiane kreu një revolucion duke organizuar një lloj të ri qeverisjeje, që ata e quajtën “republika demokratike dhe shoqërore”. Ky eksperiment i shkurtër, i njohur botërisht si “Komuna e Parisit”, shkriu përmbysjen revolucionare me demokracinë pjesëmarrëse dhe kontrollin punëtor.

Betejat e Indisë kundër Perandorisë Britanike i rifutën politikat prefigurative në lëvizjet për ndryshime shoqërore të shekullit të njëzetë. Një shprehje e famshme e atyre kohëve, që i atribuohet Gandit, na thotë: “Bëhu ndryshimi që do të shohësh në botë!”

Një rrymë tjetër e kësaj tradite u artikulua nga Martin Luther King-u përmes konceptit të “komunitetit të njerëzve të dashur”. Për King-un, mosdhuna ishte mjeti revolucionar dhe komuniteti i njerëzve të dashur qëllimi revolucionar. Për King-un, dashuria dhe e vërteta u kthyen në fuqi politike. Dëshira për “paqe dhe dashuri” preku miliona njerëz rreth botës dhe ishte, në shumë drejtime, pjesa më e ndritur e kulturës hippie dhe e lëvizjeve të reja shoqërore. Duke shkrirë dashurinë dhe të vërtetën me fuqinë, King-u na ndihmoi të imagjinojmë sërish se si mund të duket një revolucion.

Një tjetër rrymë e kësaj tradite u nis prej organizatorëve në lëvizjen për të drejtat civile dhe atë studentore. Ata punuan në krijimin e organizatave që sfiduan modelet hierarkike të veprimit politik duke ushtruar demokracinë përfshirëse në bazë. Ella Baker-i, një veterane e lëvizjes së kooperativave, luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e metodave moderne të organizimit, të fokusuara në zhvillimin e udhëheqjes lokale dhe fuqizimit lokal.

Ella Baker-i dhe shumë të tjerë u përpoqën të organizonin Student Nonviolent Coordinating Committee (SNCC) si e para organizatë e udhëhequr nga të rinj që në mënyrë të ndërgjegjshme synonte një transformim dykahësh. Ata argumentuan se lëvizja për të ndryshuar veten dhe botën përbënin të njëjtin proces të pandashëm. SNCC u përqendrua më tepër në fuqizimin e punëtorëve me ngjyrë sesa te promovimi vetjak si udhëheqës. Kjo qasje e organizimit riformësoi të menduarin politik dhe ndihmoi në lindjen e lëvizjeve të tjera studentore dhe rinore. Kur Studentët për një Shoqëri Demokratike hartuan dokumentin e tyre themelues, demokracia pjesëmarrëse ishte guri i tyre i themelit.

Pjesa tjetër thelbësore e politikës prefigurative është tradita shumë e vjetër e projekteve ekonomike alternative. Kopshte komunitare, tregje të fermerëve, kultura bujqësore të qëndrueshme, ndërmarrje në pronësi të punëtorëve, prodhim i energjisë në mënyrë individuale dhe kolektive dhe kujdesi shëndetësor alternativ – të gjitha këto kontribuojnë në përmirësimin e jetës së tashme.

Bashkëpunimi Demokratik është një think tank dhe qendër informacioni për praktikën dhe teoritë e ndërmarrjeve në pronësi të punëtorëve. Kooperativat, bashkësitë dhe kolektivët e të gjitha llojeve na tregojnë se si mund të duket dhe përfytyrohet e ardhmja.

Sot kemi një lëvizje në rritje të komunave në qendrat e qyteteve. Një prej shembujve kryesorë është Cooperation Jackson-i me rrjetin e saj në rritje të institucioneve politike demokratike dhe projektet ekonomike kooperative.

Organizatori Larry Stafford i vlerëson lëvizjet e Jackson Mississippi-t kështu:

“Jackson Rising është i rëndësishëm pasi na mëson si të ndërtojmë dhe mbajmë fuqinë e komunitetit; ajo nuk na tregon vetëm se çfarë duhet të kundërshtojmë. Ajo siguron një model mikrokozmik se si duhet të duket fuqia e komunitetit.” [2]

Projektet prefigurative bëjnë më tepër sesa modelimin e së ardhmes. Ato nisin punën e vështirë për ngritjen e një fuqie të dyfishtë – institucione alternative që fitojnë besimin  e njerëzve dhe ideale – në një botë që sundohet prej fuqisë së korporatave.

 

Një botë e re që rritet në gjirin e së vjetrës

Ne kemi nevojë për diçka që t’ua dëftojmë të tjerëve duke thënë: “Ja si duket demokracia!” Një pjesë e suksesit global të lëvizjes Occupy kishte të bënte me faktin se njerëzit e përjetuan demokracinë në vetë të parë, madje shpesh herë për herë të parë. Nuk jam duke sugjeruar se politikat prefigurative nuk kanë të meta, por, siç dëshmon historia e lëvizjes së të drejtave civile, vizionet dhe metodat prefigurative mund të shkrihen me protestën dhe organizimin për të krijuar strategji efektive që hedhin rrënjë në betejat e përditshme.

Si në shtrirje, ashtu edhe në potencialin çlirimtar përpjekjet lokale për të ngritur institucione komunitare përbëjnë një forcë shoqërore që po e ndryshon kulturën tonë dhe shoqërinë civile në mënyra potencialisht të thella. Ky është një revolucion i heshtur që po ndodh poshtë hundëve tona. Projektet prefigurative na ndihmojnë të përfytyrojmë pozitiven dhe të rimendojmë se çfarë domethënie ka revolucioni në kohën tonë.

Duke pasqyruar përvojën dhe aktivizmin prej dekadash në Detroit, Grace Lee Boggs-i argumenton:

“Jemi në mes të një procesi që nuk është hiç më pak se rishpikja e revolucionit. Për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë teoria dhe praktika e revolucionit janë mbisunduar prej ideologjive gjithëpërfshirëse, paradigmave puriste dhe pikëpamjeve absolutiste të një parajse statike; argumenteve se cila klasë, racë dhe gjini përbënte forcën shoqërore revolucionare kryesore; dhe ndarjes dihotomike midis të Majtës dhe të Djathtës. Fitoreve të mëdha u është dhënë përparësi karshi veprimeve të vogla bashkëpunuese që ndërtojnë komunitete dhe lagje: është vlerësuar qëllimi përkundër mjeteve. Ne rrallëherë jemi ndalur të shtronim pyetjen se deri në ç’pikë kjo pikëpamje e revolucionit pasqyronte kulturën kapitaliste që po na dehumanizonte.” [3]

Duhet ta rishpikim revolucionin duke e bërë më të mundshëm në shkallë më njerëzore. Ndonëse kultura e vjetër e së majtës rreth luftës ideologjike është e fiksuar fort, ajo ka më pak kuptim me kalimin e kohës – së paku si kultura mbisunduese e progresivëve – dhe shpeshherë është humbje kohe në një rrugë qorre.

Boggs-i na tërheq vëmendjen te potenciali çlirues i bashkëpunimit, ndërtimit të komuniteteve dhe fuqisë që buron prej trajtimit të barabartë si të qëllimeve, ashtu edhe mjeteve.

Ne duhet të ndalemi së harxhuari energji dhe humbur aleatë duke kritikuar njerëzit që ndjekin ndryshime “në stilin e jetesës”, projekte prefigurative ose ato që duken si utopike, apo praktikat konsumatore miqësore me mjedisin. Ata si puna jonë që janë të përkushtuar në llojin e aktivizmit për ndryshime shoqërore synojnë ndryshime të mëdha: protesta të mëdha në shkallë të gjerë, korrje fitoresh legjislative, projekte organizimi transformuese, e madje edhe revolucion. Por ndërkohë që punojmë dhe presim për këto projekte të mëdha politike, ne duhet të marrim seriozisht progresin real të realizuar nga ky revolucion i heshtur. Të gjitha llojet e veprimtarive prefigurative duhet të shihen si pjesë e një strategjie brenda/jashtë më të gjerë.

 

Organizatorët dhe komuna

Mund ta përshtatim vizionin tonë duke filluar me vëzhgimin klasik të Saul Alinsky-it: ne angazhohemi në botën reale, jo në atë që do të donim të ishte. [4] Miliona njerëz janë të përfshirë tashmë në projekte të stilit alternativ të jetesës dhe ndërtimit të komuniteteve. Mos duhet t’i shpërfillim apo shkurajojmë ato? Fatalizmi është tashmë një prej armiqve tanë më të mëdhenj: Të mos shtojmë edhe një tjetër!

Puna e organizatorit është të ndihmojë njerëzit të gjejnë detyrat dhe taktikat që përshtaten me kapacitetin, interesin dhe botëkuptimin e tyre – jo medoemos tonin. Le të vendosin vetë njerëzit! Siç duket qartësisht, miliona amerikanë kanë vendosur që projektet prefigurative dhe ndryshimet në stilin e jetesës përbëjnë një pikënisje të rëndësishmë dhe një qëllim me vlerë në vetvete. Kaq të vështirë e kemi të përfytyrojmë se komunitetet e kopshtarëve veprojnë kundër kontrollit korporativist mbi ushqimet?! Në fakt është e vetëkuptueshme që të angazhuarit në ndryshime shoqërore të marrin në konsideratë kryerjen e zgjedhjeve konsumatore në jetën e përditshme që janë më miqësore me mjedisin dhe kundër korporatave.

Nëse zyrtarët e sindikatave kanë shtëpi të mëdha në lagjet e të pasurve, bëjnë rrugë të përditshme me makina që harxhojnë shumë karburant, kalojnë pushime me të fuqishmit në vende si Martha’s Vineyard dhe hanë ushqim të paketuar, atëherë çfarë mesazhi u dërgojnë punëtorëve? Natyrisht, ne mund të mendojmë se ata thjesht kanë shitur shpirtin, por ky është edhe një shembull se si çështjet e punës dhe ato mjedisore janë në konflikt me njëra-tjetrën.

Qyshse aktivistët për ndryshime shoqërore zakonisht mendojnë se numrat kanë rëndësi, merrni në konsideratë sikur vetëm 1% e popullsisë së SHBA të bënte ndryshime domethënëse në mënyrën e konsumit dhe prodhimit lokal. Kjo do të përkthehej në ndikime reale dhe veprime të ndërmarra prej 3.5 milionë vetësh.

Disa vëzhgues vlerësojnë se deri në 10 milionë amerikanë janë pjesëmarrës në nisma lokale. Kur ishte hera e fundit që 1% e amerikanëve u bashkuan në një protestë? Kjo trupë e madhe amerikanësh duhet parë si aleate dhe trupë aktivistësh potencialë në lëvizjen për ndryshime shoqërore.

Pjesë e kritikës për stilin e jetesës dhe politikave prefigurative është se ajo është tepër e vogël, shumë e vonuar apo me ndikim tepër të vogël. Por lëvizjet punëtore dhe shoqërore në mënyrë të ngjashme, në rastin më të mirë, kanë ngecur duke hedhur hapa shumë të vegjël dhe korrur fitore të vogla; për të mos përmendur qerthullin e disfatave të plota. Si organizatorë ne e dimë se ndërtimi i marrëdhënieve është si mjet edhe qëllim, dhe se kjo ndodh po aq në projekte të vogla sa edhe në rrugën e organizimit sindikal apo të një lëvizjeje protestuese. Ne duhet të besojmë në gjëra të vogla sepse si amerikanë jemi tashmë të gjithë “gjëra të vogla”. Gjatë gjysmëshekullit të fundit, korporatat ia kanë dalë me sukses t’i reduktojnë 99% të njerëzve në qytetarë me status të dorës së dytë, së paku në nivel federal – arena ku shpesh ndodhin ndryshimet e mëdha. Mendimet dhe pikëpamjet tona kanë ndikim fare të pakët në politikën kombëtare. Veprimi lokal dhe në nivel bashkiak është një mënyrë për t’i marrë krahët armikut-korporatë.

 

Projektet prefigurative dhe revolucioni kulturor

Kapadainjtë e lëvizjeve punëtore dhe shoqërore jetojnë në iluzionin e “shërbëtorit”: U duket sikur kanë “akses”; se ulen në tavolinë si të barabartë; se punët nuk po shkojnë edhe aq keq; se ka zgjidhje graduale për problemet tona. U gënjen mendja.

Ne dëshpërimisht duhet t’i kthehemi punës në terren; aty na takon. Toka e betejave tona do të prodhojë më shumë kur të kryqëzojmë lëvizjet tona kundër perandorisë, pushtetit të korporatave dhe padrejtësive me vizionin universal dhe furnizimin me produkte të rritura në kopshtet e komunave aty pranë.

“Revolucionet kulturore zakonisht u paraprijnë revolucioneve politike, qyshse e para krijon kushtet shoqërore që një masë kritike njerëzish të përqafojnë vlera të reja shoqërore që i drejtojnë ata drejt mundësisë për një botë tjetër”. – Kali Akuno & Ajamu Nangwaya.

John Adams-i e pa Revolucion Amerikan në të njëjtën mënyrë.

“Revolucioni ndodhi përpara fillimit të luftës. Revolucioni ishte në mendjet dhe zemrat e njerëzve …. Ky ndryshim rrënjësor në parimet, mendimet, ndjenjat dhe dashurinë e njerëzve ishte Revolucioni Amerikan i vërtetë.”

Projektet prefigurative na tregojnë një mënyrë se si të ushtrojmë revolucionin kulturor. Ka shumë rrugë drejt revolucionit. Merrni atë që fillon te dera e shtëpisë! Çfarë po presim?!

 

Shënime

[1] Ndonëse praktikat komunare kanë një histori shumë të gjatë, termi “prefigurative” fillimisht hyri në fjalorin radikal në një ese të Carl Boggs-it, “Marxism, Prefigurative Communism, and the Problem of Workers’ Control.” Boggs-i mendonte se “brenda praktikave të një lëvizjeve politike në zhvillim e sipër […] format e marrëdhënieve shoqërore, vendimmarrjes, kulturës dhe përvojave njerëzore që përbëjnë qëllimin përfundimtar” duhet të jenë “brenda procesit të praktikës politike të lëvizjes”. Wini Breines-i vijoi ta përdorë këtë ide në:  Community and Organization in the New Left 1962-1968: The Great Refusal.   “[T]ermi politika prefigurative … mund të dallohet në institucionet alternative, manifestimin dhe përpjekjen për të mishëruar vlerat personale dhe kundërhierarkike në politikë … thelbi i politikave prefigurative vendos detyra thelbësore, ku më kryesorja është krijimi dhe mbajtja brenda praktikave të gjalla të marrëdhënieve të lëvizjes dhe formave politike që janë “të parafytyruara” dhe të mishëruara në shoqërinë e dëshiruar.”

[2] Cituar nga Rukia Lumumba, Forward: All Roads lead to Jackson, in Jackson Rising: The Struggle for Economic Democracy and Black Self-Determination in Jackson, Mississippi

[3] Grace Lee Boggs, The Next American Revolutionp. 47-48

[4] Shiko botimin e lirë të Alinsky-it Reveille for Radicals.  Është një tekst shumë më i dobishëm për aktivistët se më i famshmi Rules for Radicals.

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Counterpunch

Imazhi: Nga zaptimi i Universitetit Middlesex (The Commune) 

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.