Frika nga terrorizmi si prelud i terrorit të pushtetit

/Shkodran Ramadani/ Zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me “Luftën kundër terrorizmit”, respektivisht arrestimin e më shumë se 40 personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete terroriste, janë komentuar dhe diagnostikuar nga analistë dhe subjekte të ndryshme politike. Përjashto Lëvizjen Vetëvendosje! dhe disa zëra të margjinalizuar të shoqërisë, debatin publik e ka dominuar hegjemonia e retorikës së thatë “antiterroriste”. Ky shkrim përbën një përpjekje të shkurtër për të hedhur dritë mbi këto zhvillime, të cilat sipas mendimit tim nuk mund të shpjegohen pa u kthyer prapa në histori. Përveç lupës së historicitetit, ky shkrim konstituon edhe një trajtim psiko-sociologjik mbi fenomenin e terrorizmit përmes qëmtimit të pasojave psikologjike dhe shoqërore me të cilat është përballur shoqëria kosovare në këtë pesëmbëdhjetëvjeçar.   Neoliberalizmi dhe shthurrja e të gjitha formave të solidaritetit Pas përfundimit të luftës shoqëria kosovare u vërshua nga një ekstazë e optimizmit kolektiv. Optimizmi në progres dhe besimi në të ardhmen e ndritur ishin të palëkundshëm. Trumbetohej me zell ideja se të gjitha forcat e kobshme që mund ta cenonin shoqërinë kosovare do të flakeshin nga demokracia. Mundësitë për lindjen e ndonjë lufte të re që do të përfshinte Kosovën konsideroheshin si të venitura. Të paktë ishin ata që guxonin të turbullonin optimizmin e ëmbël të kësaj periudhe. Skeptikët e së ardhmes ishin të pakët, kurse zërat që vinin në dyshim zhvillimet të cilat shpaloseshin në Kosovë ishin nemitur nga ideologjia shurdhuese e sistemit të ri. Në këtë atmosferë feste filloi edhe procesi i privatizimit. Prona publike u shpall relikt i socializmit të Jugosllavisë, kurse gardianët e saj armiq të progresit. E cytur nga doktrina neoliberale, logjika e “tregut të lirë” do të pushtonte pothuajse të gjitha njësitë e shoqërisë. Orvatjet e sindikatave dhe unioneve të punëtorëve ishin sterile në rezultate, kryesisht për faktin se ato ishin të parat që u goditën. Unionet e punëtorëve ishin pykat që përpiqeshin të bllokonin rrotullimin e ingranazheve të rendit neoliberal, prandaj edhe duhej të zhdavariteshin të parat. Dhe kjo u bë përmes çindustrializimit të ekonomisë kosovare. Deri në ato ditë, sindikatat e punëtorëve ishin të grumbulluara kryesisht rreth fabrikave, që do të thotë se po i shndërrove  fabrikat në objekte tregtare, rreziku që vjen nga organizimi i rezistencës nga ana e punëtorëve, eliminohet. Dhe narrativa e procesit të privatizimit ka qenë e tillë: Kosova, nga një vend me ekonomi prodhuese, u konvertua në fuqi blerëse. Ideologjia neoliberale ezauroi pronën publike dhe atomizoi shoqërinë në njësi gjithnjë e më të imta. Materializimi i kësaj doktrine erdhi përmes tkurrjes së shtrirjes së shtetit dhe triumfit të pronës private mbi atë publike. Fragmentarizimi i shoqërisë në formacione gjithnjë e më të vogla ishte i pashmangshëm. Diktatura e kapitalit tani ishte realitet, kurse prona publike u dënua me vdekje. Neoliberalizmi është një dyzim kontradiktor që thirret në shprangosjen e individëve nga vargonjtë e shtetit, duke i dhënë atij mundësinë për iniciativa biznesore, por duke mos paraparë masa për ata që përjashtohen nga tregu. Kontradikta ngrihet mbi faktin se pakos së “lirisë”, neoliberalizmi i bashkëngjiti edhe ekspozimin e individit përballë vrazhdësisë së tregut të lirë. Planifikimi dhe kontrolli do të sulmohen si mohime të lirisë. Ndërmarrësia e lirë dhe prona private do të shpallen thelb i lirisë. Asnjë shoqëri e ndërtuar mbi tjera parime nuk meritonte të quhej e lirë. Liria që vjen si pasojë e rregullimit shtetëror do të denoncohet si joliri, kurse drejtësia, liria dhe mirëqenia që ajo ofron do të kamufloheshin si skllavëri. Kësodore ideja e lirisë degjeneron në thjesht një mbrojtje të ndërmarrësisë ekonomike, që do të thotë liri e plotë e atyre, të ardhurat dhe fitimet e të cilëve nuk kanë nevojë për ndihmën e shtetit, por që nuk duhet penguar me taksa, si dhe “liri” si lëmoshë për njerëzit të cilët bëjnë orvatje të kota që të shfrytëzojnë të drejtat e tyre që sigurojnë një pozitë të mirë në treg. Liritë e ardhura me vendosjen e projektit neoliberal në Kosovë ishin fitimprurëse vetëm për një lukuni ndërmarrësish të fuqishëm. Kjo kastë ishte rëndom grumbull i njerëzve të pushtetit, apo të afërt me ta, ose investitorë të jashtëm që u sollën nga trupa e UNMIKU-t. Edhe pse një numër jo i vogël ndërmarrjesh publike ishin të gatshme të rifillonin punën, ndërkohë që disa të tjera me pak investime mund të rivitalizoheshin, strukturat drejtuese të UNMIKU-t në bashkëpunim me udhëheqësit vendorë dhe me rekomandimet e FMN-së (Fondi Monetar Ndërkombëtar) dhe BB-së (Bankës Botërore), përdorën teknikën e “zhvlerësimit të ndërmarrjeve deri në privatizim të tyre” në mënyrë që privatizimi të paraqitej si i pashmangshëm. Të gjitha ndërmarrjet publike që u privatizuan, u shitën me çmime pothuajse të nullifikuara. Ajo çka pasoi më pas ishte gëlimi i korporatave dhe agjentëve tjerë të mëdhenj të tregut. Privatizimi i ndërmarrjeve publike në terren do të duhej të justifikohej përmes apologjetëve të tij në media, shkolla, salla të konferencave, universitete, institute e gjetiu. Dija dhe diskursi i përditshëm publik nuk mund të shkëputeshin dot nga interesat e pushtetit. Si mekanizma ideologjikë më të përdorur për atë që Noam Chomsky e quan “manufakturimin e miratimit”,  ishin sloganet e “integrimeve evropiane”, “standardet para statusit”, “domosdoshmëria e tregut të lirë”, frika nga komunizmi, islamizmi etj. Politika e përgjithshme qe dizajnuar asisoj që të çojë ujë në mullirin e arkitektëve të këtij rendi, të fuqishmëve. Pjesa më e madhe e popullatës do të dëmtohej nga këto politika. Politika dhe dija do të gjarpërojnë në atë mënyrë që shteti të bëhet instrument që u shërben vetëm të kamurve. Shumica e popullatës do të mbledhë thërrimet e asaj që mbetet pa u gllabëruar nga agjentët e mëdhenj të tregut. Të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur, të varfrit gjithnjë e më të varfër. Erich Fromm-i, në veprën e tij mbase më të rëndësishme “Arratisje nga liria”, shkruan se shenjtërimi i kapitalit, i qarkullimit të lirë të tij dhe pronës private lë të kuptohet se pas këtij riti ideologjik do të krijohet rendi ku janë forcat mbipersonale ato që do të përcaktojnë fatin ekonomik të njerëzve. Individi fillon të kërcënohet nga presioni i këtij triumvirati. Me këtë rast, mugullimi i korporatave meskine do të ishte i paevitueshëm dhe fataliteti ekonomik kërcënonte qytetarin e rëndomtë. Promovimi i konkurrencës do të zbonte solidaritetin si bosht të marrëdhënieve midis njerëzve. Marrëdhënia me njerëzit e tjerë, tani që të gjithë këta u bënë konkurrentë potencialë, do të bëhej një marrëdhënie armiqësore dhe e huaj: individi u bë i lirë, por edhe i izoluar dhe i kërcënuar nga të gjitha anët. Rendi i vjetër me elemente të fuqishme sociale po thërrmohej, kurse individi i shoqërisë së re do të humbiste sigurinë përballë forcave të reja ekonomike: kapitalistëve dhe monopoleve. Klasat e ulëta po e ndjenin gjithnjë e më shumë presionin e shfrytëzimit në rritje. Sistemi i ri do t’i pamundësonte individit zhvillimin e lirë ekonomik, autonominë dhe produktivitetin. Me shthurjen e të gjitha marrëdhënieve të solidaritetit, ky sistem do të prodhonte veç persona, izolimi dhe pasiguria e të cilëve do të ishte gjithnjë në rritje. Solidariteti mes njerëzve i la vendin një qëndrimi unik të shkëputjes. Individët filluan ta shohin njëri-tjetrin si objekte për tu përdorur dhe manipuluar. Filluan të përshkoheshin nga një dyshim gjithnjë e më i madh për rolin e tyre në shoqëri. Ata pushtoheshin nga një pafuqi gjithnjë e më e mprehtë. Thellimi i kapitalizmit do t’i jepte njeriut lirinë në duart e veta, por dinamikat e tij nuk do të kenë shpalosje harmonike. Kontradiktat e këtyre dinamikave, konkurrenca dhe lakmia e grabitqarëve të mëdhenj të tregut, do të cenojnë vazhdimisht lirinë e tij, me ç’rast pesha e lirisë për individët do të bëhej e padurueshme.   Lindja e neokonservatorizmit Këtu shfaqen tendencat e individit për tu larguar nga ky lloj i lirisë që ofron neoliberalizmi, si dhe përpjekjet për të gjetur strehë në lëvozhgën e ekstremizmit fetar apo nacionalizmit. Bashkimi me fenë apo nacionalizmin do t’i jepte sado pak njëfarë mbështetje. Të jesh pjesë e këtyre formacioneve, do të thotë të bëhesh pjesë e së “vërtetës së madhe” dhe e projekteve me impakt të madh në historinë e njerëzimit. Ekziston thënia se “Perënditë i krijoi frika”. Një figurë e shquar e së majtës thotë se në mesin e shumë frikërave, bën pjesë edhe ajo që individi ka përballë forcës së verbër të kapitalit, e cila është e verbër sepse nuk mund të parashikohet nga njerëzit, dhe e cila vazhdimisht i kërcënon me konfiskim “të papritur”, “të rastit”, të pasurisë, dhe me shkatërrim e shndërrim në lypës, në prostitutë dhe me vdekje nga uria. Fundamentalizmi fetar është edhe reflektim i një depolitizimi të skajshëm të qytetarëve, që do të thotë paralizim i tyre për të marrë pjesë në zhvillimet politike, gjë e cila pashmangshmërisht prodhon efekte negative psikike tek ta. Për shkak të pamundësisë për të dhënë kontribut konkret në zhvillimet politike e shoqërore, njerëzit priren që të orientohen drejt formave tjera të aktivitetit. Nëse ata nuk kanë mundësi që të shpalosin potencialin e vet në unione të punëtorëve dhe organizata politike, njerëzit do të krijojnë të tjera mundësi. Fundamentalizmi religjioz është një rrugë. Pasi tanimë është e qartë se midis popullit dhe partive politike është zgjeruar hendeku, tempujt fetarë kanë fituar në rëndësi. Numri i xhamive po çakërdiset pandërprerë. Xhamitë tani luajnë rolin kryesor në vendtakimin e qytetarëve të Kosovës. Pasi politika dhe ekonomia e përjashtuan, futja e individit në spiralen e religjionit ishte çështje kohe. Rrugëtimi drejt lirive të tregut dhe komodofikimi i gjithëgjësë këput lidhjet e kohezionit social. Shkatërrimi i forcave të solidaritetit dhe madje – siç thoshte epitoma e doktrinës neoliberale Margaret Thatcher – i vetë idesë së shoqërisë, krijon një vrimë të madhe në mes të shoqërisë. Kësisoj stabiliteti shoqëror do të gjendet në zgrip. David Harvey në librin e tij “Një histori e shkurtër e neoliberalizmit”, tregon se lufta kundër anomalive bëhet më e vështirë dhe kontrolli mbi sjelljet antisociale të njerëzve, si për shembull mbi kriminalitetin, rrëshqet nga dora e shtetit. Reduktimi i lirisë në thjesht “liri për ndërmarrësi” ndërsen të gjitha “liritë negative”, të cilat janë pazgjidhshmërisht të pleksura me “liritë pozitive”. Reaksion i pashmangshëm i këtij kaosi janë shpurthjet për rindërtimin e solidaritetit social, megjithëse tani në tjera linja, përmes religjionit, moralizmit, nacionalizmit, provincializmit dhe tribalizmit. Jo rrallë këto linja shkallojnë në fashizëm e racizëm. Dhe është në interes të neoliberalëve që faji për kaosin e shkaktuar t’i hidhet këtyre formacioneve shoqërore. Për pasojë, në të shumtën e herëve debati është zhvendosur në rrafshin kulturor. Debati mbi pronën publike dhe private u avullua. Do të mbizotëronte vetëm debati rreth dikotomisë – për mendimin tim, false – mes Lindjes dhe Perëndimit. Pra kemi të bëjmë me kulturorizim të problemeve politike. Filozofi i shquar marksist Antonio Gramsci tregon se kur problemet politike “vishen me rroba kulturore”, atëherë çështjet politike bëhen “të pazgjidhshme”. Alain Badiou-ja thotë se shteti është një industri shumë efikase për farkëtimin e inekzistentes përmes imponimit të një figure të një normaliteti identitar kombëtar, qytetërimor apo fetar. Përmes këtyre teknikave dhe listimit të një stive me kritere, shteti ka fabrikuar dhe ambalazhuar identitetin e një “patrioti shqiptar”, dhe kushdo që nuk përmbush këto kritere, duhet të zbythet nga rruga. Sot një patriot shqiptar është pakushtimishtproperëndimor, pro tregut të lirë, pro integrimeve evropiane, kritik i orientit, sekular dhe mundësisht sa më pak musliman. Për çdo zë kritik do të lëshohet nga një fletërrufe. Duket qartë se shteti posedon një gamë të gjerë të zgjidhjeve për transformimin e asaj që ekziston përballë syve tonë në diçka joekzistente. Dëshmi është fakti se para këtij sendërgjimi ideologjik gjunjëzohen edhe mendjet më të “përndritura” të intelektualëve. Lufta sterile kundër terrorizmit Kur nis të shpërthejë llava e ndrydhjes së instinkteve sociale, shteti neoliberal zë e shpalos muskujt. Duke luftuar kaosin e krijuar, shteti fillon e merr nuanca neokonservatore. Në këtë mënyrë, neokonservatorizmi bëhet thjesht heqje e vellos së autoritarizmit me të cilën ishte i mbështjellë neoliberalizmi. Bëhet fjalë për momentin që ekspozon forcën ushtarake dhe policore që qëndroi prapa politikave paraprake. Anarkia e tregut, e konkurrencës dhe e individualizmit të shfrenuar (shpresave, dëshirave, anktheve dhe frikërave personale; mënyrat e të vetëshprehurit dhe sjellja kundruall të tjerëve) gjeneron një situatë që vështirë mund të mbahet nën kontroll. Ajo çka do të pasojë do të jetë rrënimi i të gjitha lidhjeve të solidaritetit dhe shkarja në një anarki dhe nihilizëm shoqëror. Intelektuali dhe disidenti amerikan Noam Chomsky thotë se për të mbajtur nën kontroll masat, përdoren teknikat e frikësimit që ndërsehen përmes shpalljes së gjendjeve të jashtëzakonshme dhe panikut. Endemik për rendet neoliberale është sajimi i rreziqeve kulturore apo identitare. Përmes frikësimeve që bartin afishe kulturore dhe identitare ata i detyrojnë masat që të mblidhen kruspull e të frikësohen, dhe t’i yshtin të besojnë se pushteti do t’i shpëtojë nga ky rrezik. “Terroristët po vijnë. Kini kujdes, fshihuni nën rërë dhe ne do të vijmë të ju shpëtojmë!” Paskëtaj strukturat e pushtetit fillojnë e bëjnë arrestime, e njëkohësisht presin duartrokitje për këtë spektakël që në retorikë premton fund të lumtur, e në realitet mbjell frikë. Terrorizmi nuk luftohet duke i luftuar terroristët. Lufta kundër tij është pak a shumë e ngjashme me luftën kundër varfërisë. Varfëria nuk luftohet duke i luftuar të varfrit. Një grafit ironik i shkruar në muret e La Pazit, kryeqytetit të Bolivisë, thotë: “Luftoni varfërinë, vritni lypësit!” Vrasja, burgosja apo torturimi i terroristëve nuk e zgjidhin dot problemin e terrorizmit. Edhe burgjet nebuloze të Guantanamos dhe Abu Graibit po rezultojnë të jenë të paafta në ndërprerjen e metastazës së terrorizmit. Nga vëzhgimet e bëra në Pakistan po del të jetë se vrasja e një terroristi krijon dhjetë terroristë të tjerë. Kjo mënyrë e të luftuarit duket se është sterile në rezultate. Arrestimi i hoxhallarëve si dhe – siç propozojnë disa zëra – në një rast më të ashpër, mbyllja e xhamive, nuk do t’i ndërpriste mësimet që nga shumëkush po kualifikohen si hallka e parë e zinxhirit të terrorizmit. Vendimet e tilla do t’i shndërronin myslimanët në komunitet të përndjekur dhe do të rriste edhe më tepër pakënaqësinë tek ta. Sa më shumë shkolla që mbylleshin e sa më shumë mësues që arrestoheshin nga regjimi serb, aq më shumë shtohej dëshira e shqiptarëve për shkollim në gjuhën amtare. Ngjashëm me periudhën e viteve ’90, tani, po qe e vetmja strehë që ofron një lloj sigurie, fundamentalizmi do të përbirohet nëpër bodrume dhe prej tyre do të bëjë xhami (mungesa e minareve nuk prish punë) që të mund të predikohet ajo që po predikohet tani, dhe rreziku i terrorizmit do të shemërtohet nga nëntoka, kësaj radhe edhe më kërcënues. Analisti politik Shpend Kursani, në një analizë mbi zhvillimet e fundit rreth terrorizmit, ofroi një shpjegim shumë ilustrues për këtë shterpësi kur tha se “lufta kundër terrorizmit filloi më 2001 kundër Al Kaidës, organizatës terroriste më të rrezikshme të kohës, dhe përfundoi kundër ISIS-it, formacion shumë më i rrezikshëm se Al Kaida.” Kjo mënyrë e të luftuarit është e ngjashme me luftën mitologjike kundër kuçedrave. Kur asaj shpata i pret kokën, menjëherë i dalin tjerat. Pra rreziku në vend se të zhbëhet, ai rritet. Lufta e tillë duket të jetë një infuzion përmes të cilit ushqehet terrorizmi. Një tjetër gjë e qartë është fakti se neoliberalizmi me dinamikat e veta nuk po mund dot t’i shkatërrojë bishat që i krijon vetë. Në pamundësi për ta zhbërë rrezikun që përbën terrorizmi, pushteti e instrumentalizon atë për të ndjellë panik tek masat. Përmes trumbetimit të vazhdueshëm të këtij rreziku, aparati shtypës legjitimon vetveten si gardian të paqes dhe sigurisë. Kësodore legjitimohet shtypja dhe përmes artificave ideologjike, si alternativë e vetme e terrorizmit do të etablohet vet krijuesi i tij. Të krijohet përshtypja se terroristët janë njerëz që kanë hequr dorë nga jeta dhe kërcënimet nuk kryejnë punë. Ata janë njerëzit më të zhgënjyer dhe i përkasin kategorisë që mbi supet e veta bart peshën e dështimit të sistemit. Janë njerëzit e vërshuar nga llumi i ujërave të sistemit dhe ata që janë zënë përfundi gërmadhave të tij. Janë të vjellat të cilat sistemi digjestiv neoliberal nuk arriti t’i bluajë. Braktisja në xhunglën e krijuar bëhet barrë e padurueshme dhe fundamentalistët vijnë një pozicion ku janë të gatshëm që edhe jetën të japin për të lehtësuar dhimbjet. Ata nuk frigohen nga lufta sepse nuk kanë çka të humbasin. Është interesant të citohet një fjali e një gjenerali rus që mori pjesë në luftën me afganët: “E si mund ta frikësoj njeriun që në tytën e pushkës sime sheh dyert e parajsës?!” Terroristi është nisur për në botën tjetër, kurse lufta mund t’i duket si stacion që mundëson këtë ikje. Ideja e parajsës është ngushëllimi i vuajtjeve të tij. Vetëm një jetë e mirë dhe e dinjitetshme mund të bëjë botën tjetër të padëshirueshme.   Panoptiktoni shoqëror dhe “trupat e përkulur” Lufta kundër terrorizmit bëhet shumë e vështirë në një situatë të skëterrshme ekonomike si e jona. Varfëria më e thellë në Evropë dhe 40% e popullatës së papunë nuk garantojnë aleancë në këtë luftë. Për afër 300 mijë familjet e kredhura në 400 mijë kredi, sociologu francez Michel Foucault do të thoshte se janë të ngujuara në burgun e padukshëm ekonomik të borxhit. Borxhi është vetëm njëri nga “ishujt e shumtë të arkipelagut kompleks të burgjeve të padukshëm”. Grilat e këtij burgu janë të vendosura përreth shpenzimeve elementare për jetë. Ato nuk duken, por mostejkalueshmëria e tyre është evidente. Të paktë janë ata që kalojnë përtej shpenzimeve ushqimore dhe të veshmbathjes. Fjala është për ata që sigurojnë mbijetesën me punë në Kosovë. Rutina e shumicës dërrmuese së atyre që sigurojnë mbijetesën e familjeve të veta, e që punojnë në Kosovë, përshkohet nga trajektorja e dhimbshme gjumë-punë-ushqim-gjumë. Në këto kushte praktikisht është e pamundur të ndërtosh apo blesh shtëpi me vetëm një anëtar të punësuar. Të gjendur në pozitë të vështirë ata gjithashtu janë shndërruar në pre të lehtë për eksploatim. Në mungesë të alternativave më cilësore, ata detyrohen të pranojnë punë të çfarëdo lloji, me shefa të vrazhdë dhe në të shumtën e rasteve me kushte të mjerueshme për punë. Meqë jemi tek Foucault-ja, le të përdorim fjalorin e tij e të themi se masat e shtuara të sigurisë do të na fusin nën tutelën e panoptikonit shoqëror, prej ku do të vëzhgohen edhe lëvizjet më të zakonshme të qytetarëve. Meqenëse pushteti nuk është vetëm njësi shtypëse, por edhe prodhuese, përmes shpalosjes së muskulaturës së tij, ai mëton të na disiplinojë, dhe nga qytetarë të lirë mëton që të krijojë aradhet e atyre që Foucault-ja i quan “trupa të përkulur”. Panoptikoni i ri synon që të maksimizojë kontrollin mbi shoqërinë që ka filluar të shpurthë përball shtypjes sistematike. Ushtrimi i disiplinës nënkupton ekzistencën e një dispozitivi ku loja e shikimit ka forcë detyruese, të një aparati ku teknikat që mundësojnë shikimin janë njëkohësisht bartëse efektesh pushteti dhe ku, në kthim, mjetet e trysjes bëjnë qartësisht të dukshëm objektet mbi të cilët ato ushtrohen. Në kuptimin ekonomik të dobisë, disiplina rrit forcat e trupit dhe njëkohësisht, në kuptimin politik të bindjes, i zvogëlon ato. Pushteti disiplinor si funksion kryesor ka “shtrimin” e individëve dhe forcave. Pa futjen e individëve të disiplinuar dhe të dëgjueshëm në garniturën e makinerisë së prodhimit, thotë Foucault-ja, godina e kapitalizmit do të rrënohej qysh moti. Disiplina fabrikon individë; ajo është teknika specifike e një pushteti skuth, për të cilin individët janë njëkohësisht objekte dhe instrumente të ushtrimit të tij. Pra pasi që pushteti shpall veten “gardian të sigurisë”, në të njëjtën kohë ai mandaton veten për një mbikëqyrje më të rreptë e më të përimtuar. Ai ka të drejtë të përgjojë e të përcjellë. Ky mobilizim i pushtetit përshfaqet si nevojë për riorganizim që synon neutralizimin e çrregullimit dhe pështjellimit social, të cilët siç e thamë më herët, vijnë prej shthurjes së formave më të rëndësishme të solidaritetit social. Kështu edhe krijohet ajo që Foucault-ja e quan “shoqëri disiplinuese”. Në këtë mënyrë buçitja e frikës bëhet prelud i shtetit diktatorial dhe përdoret si vjegë për thellim të mëtutjeshëm të shtypjes. Sociologu Ardian Gola bëri një krahasim shumë të vyeshëm në mes të mënyrave të mbjelljes së frikës midis pushteteve bashkëkohore dhe sistemeve të tejkaluara historike. Sipas tij, “sistemet bashkëkohore të pushtetit, sado sekulare, humane e të civilizuara qofshin, në bërthamën e tyre me fanatizëm ruajnë logjikën religjioze të ushtrimit të pushtetit: mbjellu frikën njerëzve, e pastaj luaj qysh të duash me ta! Dikur Perëndimi operonte me termet ferri vs parajsa, pastaj komunizmi vs demokracia, sot operon me termetterrorizmi vs siguria kombëtare, e nesër kushedi se çfarë do t’pjellë! E përbashkëta e këtyre formave të diskurseve anatemuese është manipulimi me frikën.”   Përfundim Sot për sot t’i besosh propagandës së pushtetit do të thotë të pish ujë në pellgje imagjinare që helmatisin çdo përpjekje për të përmirësuar gjendjen në të cilën jemi zhytur. T’i bashkohesh korit të retorikës së ngjirur antiterroriste të pushtetit do të thotë të kërkosh mish në guaskë bosh. Të marrësh pjesë në këtë luftë të pakrye do të thotë të bëhesh pjesë e formacioneve somnambule, lufta e të cilave përfundon në gjueti të kotë shtrigash. Të bëhesh pjesë e “ritualeve të së vërtetave” të pushtetit, përmes së cilave ai prodhon “realitet”, do të thotë që aktiviteti yt në luftën kundër terrorizmit do të jetë i barabartë me rezultatet e “goditjes së djallit me gurë”. Një aktivitet i tillë është i predestinuar të shembet nën peshën e kotësisë së vet. Imperativ politik i secilit qytetar të Kosovës duhet të jetë shkopsimi i diskursit ideologjik të pushtetit. Synim i secilit duhet të jetë ekstraktimi i domethënieve politike/ekonomike prej cipës së tyre ideologjike/kulturore. Ndryshe, do të thotë të bëhesh pjesë e cikleve të procesit përmes të cilit sistemi autotrof shtypës riprodhon vetveten. Për fund, e ndoshta edhe më e rëndësishmja, vlen të përmendet edhe dështimi i së majtës në Kosovë, e cila është zhdavaritur në të katër anët dhe duket se ka humbur rrugën në oborr. Grupet ose personat me prirje të ngjashme kanë përfunduar në grumbuj të margjinalizuar që rrotullohen përbrenda qerthullit të vet. Këta organizma nuk po rrezikojnë dot rrotullimin konstant të dhëmbëzorëve të makinerisë së sistemit, e cila vazhdon të shqyejë shoqërinë pa mëshirë. Për të ravijëzuar lindjen e terrorizmit që, nëse kritikojmë majtas, del të jetë një forcë reaksionare, Walter Benjamin jep një shpjegim shumë intrigues, se: “Prapa çdo fashizmi, qëndron një revolucion i dështuar.” Ky formulim duhet të shërbejë si ngrehje e veshit për të majtën e cila bartë peshën e vet të përgjegjësisë për kaosin e krijuar. Sikundërse neoliberalët nuk kanë të drejtë të ankohen për lindjen e neokonservatorizmit, të majtët nuk kanë të drejtë të ankohen se stafetën e rezistencës kundër shtypjes së egër të sistemit e ka kapur ekipi i terroristëve.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.