Antonio Gramshi do të bënte kështu…

/Ascanio Celestini/

Të dashur shokë, të dashura shoqe!

E di që këto janë fjalë që ju nuk i përdorni më, por unë në njëfarë mënyre duhet t’ju thërras dhe më duhet të përdor fjalë të cilat, në mënyrë të qartë, ju dallojnë prej nesh; prej nesh që jemi pronarët. Ju na keni zhgënjyer të dashur shokë, të dashura shoqe. Po, ne ju kemi shfrytëzuar me shekuj, ju kemi lënë të punoni tokën duke ju thënë se ishte jona, athua se dikush mund të ishte pronar i tokës! Ju e besuat, punuat tokën; ju lamë të merrnit gjysmën e prodhimit, kur në të vërtetë ishim ne ata që ju vidhnim gjysmën e mundit. Ne zgjoheshim në mesditë, ndërsa ju zgjoheshit në agim; ju milnit lopët e ne pinim qumështin.

Të dashur shokë, të dashura shoqe! Pasi ju shfrytëzuam në toka, ju shfrytëzuam edhe në fabrika si punëtorë, e ju më në fund u ndërgjegjësuat! Kishte mbërritur momenti i duhur, të dashur shokë,të dashura shoqe; të gjithë do të kishim bërë të njëjtën gjë po të ishim në gjendjen tuaj. Madje, me shumë mundësi, kohë më parë. Do ishim ndërgjegjësuar, do kishim folur për gjëra të mrekullueshme si revolucioni, shoqëria pa klasa, zhdukja e pronës private; gjëra shumë të bukura të dashur shokë, të dashura shoqe, por ndoshta duhet thënë se objektivisht ishin të gjithë kundër nesh.

Kësisoj ne, pronarët, borgjezia, u mbrojtëm me të gjitha mënyrat. Ju lëshuam ushtritë, rojet, policët, të cilët ishin sigurisht proletarë si ju, por të vonuar. Ne u mbrojtëm me ligje të padrejta, u mbrojtëm duke hedhur bomba nëpër sheshe, në stacione, në banka. Të dashur shokë, të dashura shoqe, në fund ju u dorëzuat.

Të dashur shokë, të dashura shoqe ne kemi të drejtën që të mbrohemi, ndërkohë ju kishit të drejtën që t’na kundërsulmonit. Por nuk e bëtë, u dorëzuat dhe kaq. Të dashur shokë, të dashura shoqe, sikur vetëm ta kishim imagjinuar që ishit kaq të qullët, ne objektivisht nuk do ta kishim pasur dorën aq të rëndë .

Të dashur shokë, të dashura shoqe, unë sot ju shoh dhe shoh mbi të gjitha përfaqësuesit tuaj të cilët nuk ngjasojnë as nga larg me përfaqësuesit tuaj një herë e një kohë. Ju, ju që ishit internacionalistë, tanimë jeni shndërruar në nacionalistë: flamuri, himni, respektimi i kushtetutës, i institucioneve, gjykata… e broçkulla të tilla. Pikërisht ju, të dashur shokë, të dashura shoqe! E them ju, ju që ishit kundër pronës private, tashmë jeni ata që duan të privatizojnë dhe liberalizojnë gjithçka. Po u drejtohem juve të dashur shokë, të dashura shoqe, e mendoj edhe kushërinjve tuaj kinezë të cilët arritën të bënin bashkë ato çka ju urrenit më tepër: kapitalizmin dhe diktaturën.

Të dashur shokë, të dashura shoqe, liberalistët jemi ne, nuk jeni ju. Nuk është se për të zënë vendin tonë në pushtet ju duhet të silleni siç bëjmë ne prej shekujsh tashmë. Të dashur shokë, të dashura shoqe, unë mendoja: sikur ndër ju të gjendeshin asi përfaqësuesish si dikur! Po them, për shembull, Gramshi! Antonio Gramshi, po të ishte akoma mes nesh, a do të bënte të njëjtën gjë që po bëni ju?! Ndoshta një si Gramshi do të ishte kryeministër, por nuk do të ishte kështu. Ai nuk do të kishte qeverisur siç bëni ju sot. Gramshi nuk do të bënte kështu!

Gramshi do të thërriste një poet për të bërë Ministrin e Kulturës; jo një burokrat. Gramshi do të bënte kështu. Do të thërriste një punëtor të përkohshëm (me punë të pasigurt) për ta bërë Ministër Pune. Dikë për të cilin përkohshmëria nuk është një fjalë sa për t’u thënë me lot në sy, por një gjendje për të cilën jetohet përditëshmërisht e për të cilën tashmë nuk ka më lot për t’u derdhur.

Gramshi do të bënte kështu. Do të thërriste një fshatar,të poshtëruar në tokën e tij, të detyruar t’i shesë prodhimet me 1/10-ën e çmimit me të cilin i shet ndërmjetësi i tij. Do e thërriste për ta bërë Ministër Bujqësie.

Gramshi do të bënte kështu. Do të thërriste ndonjë nga familjarët e viktimave të Gërdecit apo të 21 Janarit, të cilët u ekzekutuan në mënyrë barbare nga pushteti. Do të thërriste të bëhej Ministër Drejtësie pikërisht një person i cili mund të flasë për drejtësi, sepse ka njohur padrejtësinë!

Gramshi do të bënte kështu. Do të thërriste një pacifist, një kardiokirurg, i cili në vend që të bëjë miliardat nëpër klinikat zvicerane, do të shkonte të operonte falas fëmijët në Afrikë, dhe do e bënte Ministër Mbrojtjeje. Jo një gjeneral me armët në xhep! Të vendosësh një gjeneral si Ministër të Mbrojtjes, është si të vendosësh një piroman në krye të zjarrfikësve!

Gramshi nuk do të bënte kështu. Do të thërriste një italian, një prej atyre që ka lindur në Itali dhe që ka bërë 18 muaj i mbyllur në një CIE (qendra të identifikimit dhe të përjashtimit) vetëm sepse është fëmijë emigrantësh. Do t’i kërkonte falje atij italiani dhe do t’i kërkonte të bëhej Ministër i Jashtëm.

Gramshi do të bënte kështu. Do të thërriste një të afërm të një viktime të masakrave shtetërore dhe do e bënte Ministër të Brendshëm. Po, Gramshi do të bënte kështu…!

Përkthyer nga Alfred Bushi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.