Fëmijët e pabindur të brezit të ri

/Redi Muçi/

Si ndodh që fëmijët të sulmojnë efektivët e policisë me gurë e ç’t’u dalë përpara? Me siguri për shkak të çrregullimeve psikike për të cilat nevojitet trajtim profesional. Si një drejtoreshë e rreptë dhe vigjilente nga filmat e Kinostudios, ministrja e Arsimit artikuloi sot kërcënimin e mikluar me shqetësim prindëror: “Do të interesohemi që të kemi emrat, t’i identifikojmë.” – tha ajo, për t’i futur në shërbimin ‘psiko-social’ që ofron shkolla. Kur bëjnë krime në moshë kaq të vogël, imagjinoni më vonë!” Mesazhi u përcoll në mënyrë të qartë: a) këta fëmijë kanë probleme psikike; b) ata janë keqpërdorur për qëllime politike; c) do të identifikohen dhe do të “trajtohen”.

Në librin e tij “Në mbrojtje të kauzave të humbura” filozofi Slavoj Žižek i referohet përdorimit të psikiatrisë gjatë regjimit stalinist si institucion ndëshkimor ndaj disidentëve politikë. Psikiatrit kishin shpikur kategorinë e çrregullimit mendor të njohur si “skizofreni e ngadaltë”. Pacienti që vuante nga kjo sëmundje mund të ngjante fare normal, por krejt papritur shfaqte simptomat e llojit “prishje nervash e shkaktuar nga kërkimi i drejtësisë”, apo “tendencë për t’u kacafytur”, apo “papërkulshmëri në bindje” etj. Trajtimi për këto raste bëhej me injektime intravenoze lëndësh psikotrope që shkaktonin humbjen e ndjenjave. Institucionet e shëndetit mendor ishin të bindura se një person duhet të ishte i çmendur për t’iu kundërvënë sistemit.

Ky është edhe argumenti i ministres. Përgjegjësinë për këtë reagim të të rinjve e kanë prindërit që duhet t’i shoqërojnë në protestë për dore. Nuk e kanë kushtet sociale në të cilat rriten. Nuk e ka qeveria. Është a pamundur që ta ketë qeveria përderisa policia është më profesionalja dhe shembullorja që kemi pasur ndonjëherë, sipas shefit të qeverisë së zonjës ministre. Nuk ka mjaftuar druri i policisë në dy ditët e fundit ndaj 33 të miturve të arrestuar e plasur nëpër qeli (sipas raportit të Avokatit të Popullit) për t’i gdhendur këta të rinj; tani nevojitet trajtim i veçantë nga i njëjti shërbim “psiko-social” që shkollat i ka katandisur në hapësira ku gardianët përdhunojnë të miturat dhe ku fëmijët i zgjidhin kontradiktat mes veti duke nxjerrë thikat e pistoletat.

Por retorika e çrregullimeve mendore, si justifikim për shumë prej traumave sociale, nuk u shpik nga zonja ministre (a nuk ishte vetë policia që aludoi të njëjtën gjë për Klodianin?!). Filozofi Mark Fisher, në librin “Realizmi kapitalist”, flet për atë që ai quan “privatizimi i stresit” në 30 vitet e fundit të regjimit neoliberal nëpër botë. Pra për tendencën për ta trajtuar shëndetin mendor të personave si sëmundje e shkëputur nga konteksti social në të cilin jetojnë: “si një fenomen natyror, si motin” – shprehet autori. Sipas tij, në vitet ’60 dhe ’70 autorë si Michel Foucault-ja iu qasën problemeve mendore – si skizofrenia – si një kategori politike, e lidhur ngushtë me ushtrimin e pushtetit. Ndërsa në ditët e sotme depresioni trajtohet vetëm si zhbalancim hormonal që kurohet me barna të ofruara masivisht nga korporatat farmaceutike disa-miliardë-dollarëshe. Edhe pse në vende si Britania e Madhe depresioni zë vendin e parë ndër sëmundjet që trajtohen nga sistemi shëndetësor, duket se bota perëndimore refuzon të shtrojë pyetjen: si ka mundësi që kaq shumë njerëz, sidomos të rinj, diagnostikohen si të sëmurë?

Në kontekstin social shqiptar, a lidhet apo nuk lidhet protesta në rrugët e qytetit me kushtet të cilat të rinjtë përballen përditë? Me rrënimin dhe privatizimin e sistemit arsimor; me pamundësinë e gjetjes së punës dhe ndryshimit të statusit social; me nevojën e prindërve të tyre që në kohë pandemie të ngjishen si bagëti nëpër miniera të privatizuara, fabrika të privatizuara, urbanë të privatizuar, që më pas të përplasen dyerve të sistemit shëndetësor të privatizuar? A nuk ndikon fakti që për këta të rinj sfida e jetës së tyre është mbijetesa përmes krimit dhe trafikut të drogës në metropolet e Evropës?

Si fëmijë që duhen “edukuar” nuk trajtohen vetëm të miturit, shumëfish më të ndërgjegjësuar për shoqërinë në të cilën jetojnë sesa ministrja; këtu si fëmijë po trajtohet mbarë shoqëria nga pushtetarë-pashallarë që për 30 vjet kanë kafshuar popullin shqiptar pa u hyrë kurrë asnjë gjemb në këmbë. Pikërisht kësaj ata i tremben më shumë se gjithçkaje: revoltës së brezit të ri, të rritur me përrallat e integrimit evropian, teksa vërejnë se si në politikë po integrohen kriminelët e në ekonomi po integrohen oligarkët. Kjo i shkakton makthe Edi Ramës, i mekur përballë protestës studentore të dhjetorit 2018. Ai të rinjtë nuk i mashtron dot pafundësisht, prandaj po sofistikon mekanizmin e dhunës në vend, me mbështetjen edhe të marionetave që i ka caktuar nëpër kolltukë ministrorë. 

Imazhi: LSA

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.