Leksione pjekurie e përgjegjshmërie nga adoleshentët

/Xhuliano Bregasi/

Protestat e ditëve të fundit, pas ekzekutimit nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha, nxorën edhe një herë në pah konservatorizmin e shoqërisë shqiptare për mënyrën e reagimit ndaj padrejtësive. Revolta dhe mllefi i shprehur në protesta për këtë vrasje makabre, kryesisht nga të rinjtë, u nxitua të etiketohej si vandalizëm, papjekuri politike dhe papërgjegjshmëri e moshës. T’i biesh kaq shkurt në analizimin e kësaj situatë, ja është cinizëm, ja ligësi perverse për të justifikuar mbajtjen e menderes mënjanë.

Në aspektin e moshës, moralizuesit dhe kryqëzuesit e adoleshentëve të protestave të sotme janë ose adoleshentë të viteve ’90, ose prindër të tyre. E në atë periudhë, për kë nuk e ka memorien e dobët, 14-15-vjeçarët morën rrugët e kurbetit për një jetë më të mirë.

Nëse nuk ngrinin e shndërroheshin në ushqim për egërsirat majë malit të Gramozit apo nëse nuk sakatoheshin prej ushtrisë a policisë kufitare, punonin sa t’i donte qejfi afendikoit. Nëse nuk hidheshin në Otranto e bëheshin ushqim për peshqit, punonin si skllevër për padronen. Punonin për të mbajtur veten, familjarët e rritur, shumë të pjekur e të përgjegjshëm, për të mbajtur edhe mëmëdheun me remitancat e tyre.

Kush e mban mend vitin ’97, e di shumë mirë që lodrat e adoleshentëve të kohës ishin kallashnikovët, granatat, kundratankët; pse jo edhe ndonjë tank tek-tuk. Edhe kjo për shkak të të rriturve shumë të pjekur e të përgjegjshëm, sidomos të partive politike.

Për të ardhur më vonë, adoleshentët i shohim gjithmonë e më pak në bankat e shkollës e gjithmonë e më shumë në punë të rëndomta dhe pa asnjë të ardhme. Në fasoneri, kamerierë, punëtorë ndërtimi, në bujqësi, me blegtori etj. për të mbajtur familjet e tyre të skamura. Edhe kjo prapë për shkak të moralistëve të rritur e të pjekur, veçanërisht të kastës partiake.

Por nuk përfundon me kaq. Adoleshentët sot bankat e shkollës i lënë edhe për të përfunduar në ndonjë kamp refugjatësh në Francë a Gjermani. Ose për të tentuar Anglinë përmes shasive të kamionëve apo frigoriferëve të pulave.

Në mos arritshin ta bëjnë asnjë nga këto, do të vërdallisen periferive, me 20-lekësha në xhep, të marra prej prindërve që me 10,000- lekësha fasonerish duhet të mbajnë familjet e të mbyllin 100 halle. Në i bëfshin 80 lekë, do të marrin urbanin e do të vijnë në qendër të Tiranës. Do të shohin rroba, këpucë e telefona të shtrenjtë, luks e jetë qejfi, por nuk do të arrijnë t’i prekin dot.

Do të kthehen në shtëpi dhe në emisionet e darkës do të shohin modelet e suksesit në këtë shoqëri: oligarkë, shoumenë, vipa, politikanë etj., që përmes spekulimeve, krimit, korrupsionit, broçkullave e kotësisë kanë arritur të bëjnë çudira. Shohin politikanë që i vjedhin, i tallin e i vrasin prej 30 vitesh. Shohin Samir Manen që bën 1.2 miliardë euro me “tregti lavatriçesh”, shohin djalin e Ardian Fullanit që fshin djersën me 500-çe euro, shohin Ermal Mamaqin që hap kurs “suksesi në jetë” 24 mijë euro. Aty adoleshentët e periferive kuptojnë që jo vetëm nuk e kanë minimumin e mundësisë për t’u bërë si të mësipërmit, por edhe janë pësues të bombardimit me etiketime, bullim, tallje, cinizëm, përqeshje.

Të lodhur e të sfilitur nga kjo situatë, pa asnjë shpresë për të ardhmen, me jetën e mjerë të prindërve që iu kalon çdo moment para syve, vendosën që të vërshonin rrugëve e të shprehnin gjithë revoltën e tyre. E me thënë të drejtën nuk është se bënë namin. Hodhën ca gurë, thyen ca xhama dhe dogjën një pemë në shenjë revolte ndaj vrasjes së Klodianit dhe vrasjes së të ardhmes së të gjithëve atyre. Të drejtën morale, dorën në zemër, e kanë për t’i vënë zjarrin çdo gjëje që i ka syrgjynosur periferisë dhe iu ka vrarë edhe thërrimen e fundit të shpresës.

Përballjen nuk e patën vetëm me gazin lotsjellës, prangat dhe dajakun e një pushteti represiv, por edhe me dënglat e atyre që nuk denjojnë të luajnë bythën nga vendi. Të atyre që nuk i zë gjumi për “pronën e përbashkët” – që në fakt është prona e një grushti oligarkësh e pushtetarësh. Pronën e përbashkët na i kanë grabitur me kohë bash prej “merakut të madh” të të përgjegjshmëve në fjalë.

Të biesh në batakun e ideologjisë sunduese dhe propagandës së pushtetit, të kryqëzosh ata që ngrenë krye ndaj kësaj mynxyre që na kanë shtyrë të zvarritemi, mund të të bëjë të djegur ose të rrjedhur, por kurrsesi të përgjegjshëm ose të pjekur. Të pjekur e të përgjegjshëm sot janë ata të rinj dhe adoleshentë që po përpiqen t’u hapin sytë indiferentëve, qofshin këta me mustaqe, kollare apo miliona euro në llogari bankare.

Adoleshentët sot janë “të birtë e shekullit të ri”. Të mëdhenj e të vegjël duhet të bëjmë çmos për t’i ndihmuar t’i lënë “pleqtë” në shejtninë e tyre, ndërsa këtij sistemi të kalbur t’i japin goditjen që meriton.

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.