Dy anët e lirisë

/David Harvey/

Çështja e lirisë ka lindur si temë gjatë disa konferencave që kam mbajtur në Peru. Një grup studentësh ishte shumë i interesuar rreth kësaj pyetjeje: “A kërkon socializmi heqjen dorë nga liria individuale?”

E djathta është orvatur gjithnjë ta përvetësojë konceptin e lirisë dhe ta përdorë si armë në luftën e klasave kundër socializmit. Ajo argumenton se nënshtrimi i individit ndaj kontrollit shtetëror i vendosur nga socializmi apo nga komunizmi është i pashmangshëm.

Përgjigjja ime është që ne nuk duhet ta braktisim idenë që liria individuale është pjesë përbërëse e një projekti socialist emancipues. Fitimi i lirive individuale, sikundër kam argumentuar në atë rast, është një prej qëllimeve kryesore të këtyre projekteve emancipuese. Mirëpo kjo fitore e ka të nevojshme ndërtimin kolektiv të një shoqërie në të cilën të gjithë individët të kenë mundësinë të realizojnë potencialin e tyre.

Marksi dhe liria

Marksi ka dhënë shumë mendime interesante rreth kësaj çështjeje. Njëri prej tyre është që “mbretëria e lirisë fillon vetëm aty ky mbaron puna e diktuar nga nevoja”. Liri nuk do të thotë asgjë për atë që nuk mund të ushqehet, që nuk mund të përfitojë shërbim adekuat shëndetësor, shtëpi, transport, arsim etj. Roli i socializmit është plotësimi i këtyre nevojave që njerëzit të jenë të lirë të bëjnë gjithçka që dëshirojnë.

Pikëmbërritja e një tranzicioni socialist është një botë në të cilën aftësitë dhe potencialet individuale janë tërësisht të lira nga kufizimet që u imponon nevoja dhe kufizimet e tjera sociale dhe politike. Ajo që nuk duhet të pranojmë është që e djathta të ketë monopolin e nocionit të lirisë individuale, dhe duhet të kërkojmë realizmin e idesë së lirisë për projektin tonë socialist.

Mirëpo Marksi ka theksuar që liria është një thikë me dy tehe, pasi ata që duhet të punojnë në një shoqëri kapitaliste janë të lirë në një kuptim të dyfishtë. Ata mund t’ia shesin lirisht fuqinë e tyre punëtore kujtdo në treg. Mund ta ofrojnë atë sipas një kontrate të negociuar lirisht.

Por në të njëjtën kohë ata janë “jo të lirë” pasi janë “të liruar” nga çdo kontroll apo akses në mjetet e prodhimit. Për rrjedhojë, për të jetuar janë të detyruar t’ia ofrojnë fuqinë  e tyre punëtore kapitalit.

Këto janë dy anët e lirisë së tyre. Për Marksin kjo përbën kontradiktën qendrore të lirisë në kapitalizëm. Në kapitullin e “Kapitalit” ku shtjellon ditën e punës ai e trajton çështjen në këto terma: kapitalisti është i lirë t’i thotë punëtorit apo punëtores: “Dua të të punësoj duke të dhënë pagën më të ulët të mundshme për numrin më të madh të mundshëm të orëve me qëllim që ti të bësh punën për të cilën unë kam nevojë. Kjo është ç’kërkoj nga kontrata jonë.” Dhe në shoqërinë e tregut kapitalisti është i lirë ta bëjë këtë sepse, siç e dimë, në shoqërinë e tregut thelbi është të ofrosh dhe të konkurrosh për këtë apo atë.

Nga ana tjetër, edhe ai që punon është i lirë të thotë: “Nuk ke të drejtë të më bësh të punoj 14 orë në ditë. Nuk ke të drejtë të bësh atë që dëshiron me fuqinë time punëtore, veçanërisht nëse kjo shkurton jetën time dhe vë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien time. Jam i gatshëm vetëm që të punoj gjatë një dite pune të arsyeshme në shkëmbim të një page të drejtë.”

Meqenëse jetojmë në një shoqëri tregu, si kapitalisti ashtu edhe punëtori kanë të drejtë për atë që kërkojnë. Sipas Marksit të dyja palët kanë të drejtë për sa i përket ligjit të shkëmbimit që sundon në treg. Ai pohon gjithashtu që mes të drejtave të barabarta ajo që vendos është vetëm forca. Është lufta e klasave mes kapitalit dhe punës ajo që e përcakton këtë çështje. Rezultati varet nga marrëdhënia e forcave mes kapitalit dhe punës e cila, në disa raste, mund të bëhet shtrënguese dhe e dhunshme.

Një armë me dy tehe

Ideja e lirisë si një armë me dy tehe është shumë e rëndësishme dhe duhet shqyrtuar më në detaje. Një nga shtjellimet më të mira të kësaj teme gjendet në një vepër të Karl Polanyi-t. Në librin e tij The Great Transformation, Polanyi pohon se ekzistojnë forma të mira dhe forma të këqija lirie.

Mes formave të këqija ai rendit lirinë për ta shfrytëzuar tjetrin në mënyrë të pakufishme; lirinë për të nxjerrë fitime tepër të larta dhe të pafundme nga shërbimi që i jepet në këmbim komunitetit; lirinë për të shmangur përdorimin e risive teknologjike në dobi të të gjithë popullsisë; lirinë për të nxjerrë fitim nga tragjeditë njerëzore apo natyrore, disa prej të cilave mendohen në mënyrë sekrete për t’u sjellë përfitime agjentëve privatë.

Përpos kësaj, vazhdon Polanyi, ekonomia e tregut ën të cilën lulëzojnë këto liri ka krijuar edhe liri për të cilat kemi një tjetër vlerësim: lirinë e ndërgjegjes, lirinë e shprehjes, lirinë për t’u mbledhur, lirinë për të krijuar shoqata dhe lirinë për të zgjedhur punën që dëshirojmë.

Pavarësisht se këto liri mund t’i vlerësojmë në vetvete, ato prapëseprapë nuk reshtin së qeni, në masë të madhe, një fryt i krijuar nga e njëjta ekonomi që është përgjegjëse për liritë e këqija. Duke konsideruar hegjemoninë e mendimit neoliberal dhe formën në të cilën na e paraqet lirinë pushteti politik ekzistues, përgjigjja e Polanyi-t ndaj këtij dualiteti disave u duket shumë e habitshme.

Shkruan Polanyi: “Falimentimi i ekonomisë së tregut” – si me thënë, mundësia për të shkuar përtej ekonomisë së tregut – “mund të supozojë fillimin e një epoke lirie të paprecedent”. Ky është një pohim mjaft tronditës. Liria reale fillon pas braktisjes së ekonomisë së tregut. Vijon Polanyi:

“Liria juridike dhe liria efektive mund të jenë më të mëdha dhe më të gjera nga ç’kanë qenë ndonjëherë. Rregullimi dhe drejtimi mund të shndërrohen në një formë për të mbërritur lirinë, jo vetëm për disa por për të gjithë. Jo lirinë e kuptuar si diçka që lidhet me privilegjin dhe e bastarduar që në rrënjë, por lirinë si e drejtë e përcaktuar që shtrihet përtej kufijve të ngushtë të sferës politike dhe shtrihet në organizimin e brendshëm të vetë shoqërisë. Në këtë mënyrë, lirive të vjetra dhe të drejtave qytetare do t’u shtohen liri të reja gjithëpërfshirëse dhe të lindura nga përtacia dhe siguria. Shoqëria industriale mund të jetë njëkohësisht e lirë dhe e drejtë.”

Liri pa drejtësi

Mendoj se ideja e një shoqërie të bazuar mbi drejtësinë dhe lirinë ishte një agjendë politike e lëvizjes studentore gjatë viteve gjashtëdhjetë, agjenda e të ashtuquajturës “gjenerata e ‘68”. Ekzistonte një kërkesë e gjithanshme si për liri ashtu edhe për drejtësi: liri nga shtrëngimi shtetëror, liri nga shtrëngimi i vendosur nga kapitali korporativ, liri nga shtrëngimi i tregut, dhe e gjithë kjo ishte e lidhur me kërkesën për drejtësi shoqërore.

Përgjigjja politike kapitaliste ndaj kësaj tendence gjatë viteve shtatëdhjetë qe interesante. Këtyre kërkesave iu përgjigjen duke thënë: “Lirinë do t’ua japim (me disa përjashtime), por drejtësinë harrojeni!”

Ky pohim donte të thoshte që liria ishte shumë e kufizuar. Në masë të madhe bëhej fjalë për lirinë e zgjedhjes në treg. Tregu i lirë dhe çlirimi nga çdolloj rregullimi shtetëror kanë qenë përgjigjet ndaj çështjes së lirisë, ndërkohë që duhej harruar çështja e drejtësisë. Kjo e fundit do të shpërndahej nga konkurrenca e tregut, efikasiteti i së cilës supozohej të ishte aq i lartë sa do t’i siguronte secilit të merrte atë që do të meritonte. Megjithëkëtë, për pasojë ka ardhur lehtësimi i shpërthimit të lirive të këqija (për shembull, liria për të shfrytëzuar të tjerët) në emër të lirive të virtytshme.

Kjo kthesë ka qenë diçka me sa duket e pranuar nga Polanyi. Ai ka vërejtur që kalimi drejt të ardhmes që imagjinonte ishte i bllokuar nga një pengesë morale, që ai e quante “utopizëm liberal”. Mendoj që ende po përballemi me problemet që shtron ky utopizëm liberal. Kemi të bëjmë me një ideologji e cila është përhapur në mjetet e komunikimit dhe në ligjërimet politike.

Utopizmi liberal i Partisë Demokratike, për të marrë një rast, është një nga pengesat e vendosura në rrugën drejt fitimit të lirisë reale. “Planifikimi dhe kontrolli”, ka shkruar Polanyi, “po sulmohen sikur të implikonin mohimin e lirisë. Nga ana tjetër, liria e sipërmarrjes dhe prona private përkufizohen si elementë thelbësorë të lirisë.” Kjo është çka propozojnë ideologët kryesorë të neoliberalizmit.

Përtej tregut

Mendoj se kjo është një prej temave kryesore të epokës tonë. A do të shkojmë përtej lirive të kufizuara të tregut dhe përtej rregullimit të jetëve tona nëpërmjet ligjeve të ofertës dhe kërkesës? Apo do të pranojmë, siç tha Margaret Thatcher-i, se nuk ka alternativë? Nuk ka asnjë alternativë ndaj kësaj dhe përtej kësaj nuk ka asnjë liri. Këto parime ndjek e djathta, dhe kjo është ajo që shumë njerëz kanë arritur të besojnë.

Paradoksi i situatës tonë aktuale është si vijon: në emër të lirisë kemi adoptuar ideologjinë e utopizmit liberal, e cila në të vërtetë është një pengesë për të arritur lirinë reale. Nuk mendoj se jetojmë në një botë të lirisë nëse dikush që dëshiron të arsimohet duhet të paguajë një shumë të madhe parash dhe të marrë përsipër një borxh të stërmadh për tërë jetën e tij.

Në Britaninë e Madhe, gjatë viteve gjashtëdhjetë, një pjesë e konsiderueshme e fondeve për banesa ishte në ngarkim të sektorit publik; bëhej fjalë për një banesë sociale. Kur isha i ri, kjo banesë sociale shërbente për të plotësuar nevojat bazike me një kosto të arsyeshme. Më pas erdhi Margaret Thatcher-i dhe privatizoi gjithçka, me argumentin që “do të jemi më të lirë kur të zotërojmë pronën tonë dhe të kthehemi në një pjesë të një demokracie pronarësh”.

Një situatë ku 60% e banesave ishte në ngarkim të sektorit publik është shndërruar shumë shpejt në një situatë në të cilën vetëm 20% – ose mbase më pak – ishte në ngarkim të sektorit publik. Shtëpia shndërrohet në mall dhe malli bën pjesë në veprimtarinë spekuluese. Deri kur shndërrohet në një përçues të spekulimit. Kur çmimi i pronës rritet, kostoja e shtëpisë rritet pa u rritur në mënyrë proporcionale mjetet e aksesit.

Po ndërtojmë qytete dhe shtëpi në të atillë mënyrë që klasave të larta u jep një liri të stërmadhe, ndërsa pjesës tjetër të popullit gjithnjë e më pak liri. Mendoj se Marksi i referohej kësaj kur shkroi komentin e tij të famshëm: mbretëria e nevojës duhet të tejkalohet për të mbërritur në mbretërinë e lirisë.

Mbretëria e lirisë

Kjo është forma në të cilën liritë e tregut i kufizojnë mundësitë dhe, nga ky këndvështrim, mendoj se një perspektivë socialiste implikon një përgjigje si ajo e Polanyi-t; si me thënë, është e nevojshme të shoqërizojmë aksesin në liri duke shoqërizuar, për shembull, aksesin në banesa. Le të bëjmë të mundur që kjo të reshtë së qeni diçka që thjesht është në treg duke e shndërruar në diçka që është në zotërim të përbashkët. Banesa publike është motoja jonë. Kjo është një prej ideve bazike të socializmit në sistemin bashkëkohor: t’i sjellë gjërat nën zotërimin e përbashkët.

Shumë herë thuhet se për të arritur socializmin duhet të heqim dorë nga individualiteti ynë dhe të bëjmë një sakrificë. Tani, kjo mund të jetë një e vërtetë deri në njëfarë mase; por ashtu siç ka thënë Polanyi, përtej realiteteve mizore që na imponojnë liritë e individualizuara të tregut shtrihet një liri e pafundme.

Mendoj se ajo që donte të thoshte Marksi është që ne duhet të maksimalizojmë mbretërinë e lirisë, por që kjo mund të ndodhë vetëm nëse u jepet përgjigje problemeve që lindin nga mbretëria e nevojës. Detyra e një shoqërie socialiste nuk është rregullimi në mënyrë absolute i gjithçkaje që ndodh në shoqëri. Detyra e një shoqërie socialiste është të garantojë plotësimin falas të të gjitha nevojave bazike në mënyrë që njerëzit të mund të bëjnë gjithçka që duan kur të dëshirojnë.

Nëse pikërisht tani do ta pyesnin ndonjërin “sa kohë të lirë ke në dispozicionin?”, përgjigja tipike do të ishte “nuk kam kohë për pothuajse asgjë. E gjithë koha ime është e zënë duke bërë këta apo atë.” Liria reale implikon një botë në të cilën kemi kohë të lirë për të bërë gjithçka që duam, dhe për një projekt emancipues socialist kjo është një prej misioneve kryesore. Prandaj kjo është një çështje për të cilën duhet të punojmë.

E përktheu Alfred Bushi

(Teksti i mësipërm është një fragment i shkëputur nga libri i ri i David Harvey-t, The Anti-Capitalist Chronicles, botuar nga Pluto Press.)

Imazhi: Wikipedia

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.