/Redi Muçi/
Në lajme dëgjova se sot është dita më e nxehtë e vitit. Nuk e di se sa prej jush mendojnë se është rastësi që jemi mbledhur pikërisht sot këtu për të kundërshtuar miratimin e ligjit mbi reformën në arsimin e lartë, por unë nuk besoj te rastësitë. Përkundrazi mendoj se ky ka qenë plani i “reformatorëve”. Këtij plani sot do t’i bëj një rezyme të shkurtër.
Por dua të hap një parantezë fillimisht. Dje më erdhi një mesazh nga një studente nga Durrësi e cila më pyeste – duke iu referuar numrit të vogël në pjesëmarrje të studentëve gjatë protestave të qershorit – “Pse lodheni kaq shumë kur studentët vetë nuk duan t’ia dinë? Cili është ideali që ju shtyn të vazhdoni?” Përgjigja që i dhashë ishte se është normale që të ketë rënie të pjesëmarrjes pasi studentët nuk ndodhen në Tiranë ose janë të angazhuar me provime, ndërkohë që pjesëmarrja gjatë muajit të majit ishte mbresëlënëse, ashtu siç shpresojmë të jetë pasi studentët t’i rikthehen jetës universitare. Por duke e risjellë në mendje këtë përgjigje ajo më la një ndjesi zbrazëtie, se thellë-thellë nuk është aritmetika e numrave ajo që na shtyn përpara në përpjekjen tonë. Përgjigjen që duhet t’i kisha dhënë studentes nga Durrësi dëshiroj që në fund të kësaj fjale ta ndaj me të gjithë ju.
Por po i rikthehem “planit”. Draft-reforma e parë që u hartua nga komisioni i ngritur mund të cilësohet përpikmërisht me termin “paçavure”. Një rrëmujë paragrafësh në të cilët takoheshin plot gabime drejtshkrimore. Hartuesit e saj u bazuan në bindjen se pakkush në mos askush s’do ta lexonte në detaje, siç ndodh rëndom me ligjet që miratohen në Shqipëri dhe madje organizuan një seri “debatesh publike” ku vetë anëtarët e komisionit uleshin përballë njëri-tjetrit nëpër emisione televizive në të cilat garonin për t’i marrë fjalën njëri-tjetrit në superlativat me të cilat e përshkruanin antipastën e tyre. Për fatin e tyre të keq ne, studentë e pedagogë, e lexuam draft-reformën dhe shkuam fakultet më fakultet ku ngritëm tryeza diskutimi me universitarë të tjerë. Përpjekja jonë u kurorëzua me një protestë para kryeministrisë.
Reagimi ynë bëri që komisioni të hartonte një draft të dytë, në të cilin me dorën në zemër duhet thënë se gabimet drejtshkrimore ishin korrigjuar, por përmbajtja ishte po e njëjta. Madje pedagogëve të fakulteteve publike na u kërkua që për një material mbi 70 faqe, në të cilin përcaktohej e ardhmja e zymtë arsimit publik në vend, të shprehnim komentet dhe sugjerimet tona brenda dy ditësh pranë zyrës së dekanit, që ai më pas t’i përçonte më lart këto sugjerime.
E megjithatë ne e lexuam edhe draftin e dytë dhe nuk u kufizuam vetëm në përdorimin e telefonit të prishur të zinxhirit hierarkik e burokratik të fakulteteve që supozohej se do ta kalonte mesazhin te veshi i shurdhët i zonjës ministre. Përgjigjen tonë ne e dhamë në mënyrën më demokratike të mundshme me të cilën një popull mund të shprehë vullnetin e vet – në sheshin para kryeministrisë. Aty artikuluam qëndrimin tonë, denoncuam krimin që po i ndodh arsimit dhe shoqërisë, në pranverën e majit e cila solli valë protestash të paprecedente (përjashto protestat kundër armëve kimike) për demokracinë në shoqërinë shqiptare.
Ministrja heshti për një kohë të gjatë, e kur vendosi të flasë u përgjigj duke na quajtur “studentë të painformuar”. Madje u bëri thirrje studentëve se rritja e tarifave nuk do t’i prekte drejtpërdrejt ata, por vetëm brezat që do vijnë pas tyre. Ministrja pati përulësinë që në letrën dërguar botës mistike të biznesit, t’u shtrijë dorën biznesmenëve që të hyjnë brenda universitetit, të investojnë dhe t’i kthejnë ato në çifligje për përfitimet e tyre, sepse kështu shkon përpara shkenca. (Nëse jeni kuriozë të dini se kush janë burokratët e Ministrisë së Arsimit që po e çojnë përpara shkencën duke na nxjerrë në shitje, dijeni se janë ata për të cilët Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria po përgatisin padi penale për korrupsion.)
Ligjërimi dhe protesta jonë nëpër sheshe e detyroi median të na ftonte në debat përballë të pafytyrëve anëtarë të komisionit të hartimit të reformës. Ky komision përbëhej përveçse nga funksionarë të diplomoreve private, edhe nga pedagogë të universitetit publik, të pazgjedhur si përfaqësues të vullnetit të askujt tjetër brenda universiteteve veç personit të tyre, të cilët këtë emërtim – pedagogë të universitetit publik – e përdornin si pëlhurë legjitimiteti të reformës që po hartohej.
Edhe unë jam pedagog i universitetit publik, veçse së bashku më shumë kolegë të mitë nga fakultete të ndryshme kam zgjedhur që ta kundërshtoj fuqimisht këtë reformë. Megjithatë në sytë e pushtetit ne jemi interesaxhinjtë e privilegjuar nga rrëmuja dhe abuzimet që ndodhin sot në universitetin publik, ndërsa studentët që protestojnë bashkë me ne janë ngelësit katranjosë që përfitojnë nga sistemi për ta marrë diplomën edhe pse s’e meritojnë.
Të vetmit pedagogë të fisëm me sa duket janë anëtarët e komisionit të reformës. Çuditërisht denoncimi ynë i vazhdueshëm bëri që edhe një anëtar i komisionit, përfaqësues i universitetit publik, madje-madje zv.rektor, të dalë kundër njërit prej kapitujve më famëkeq të reformës – të së njëjtës reformë që e kishte shkruar vetë zotëria në fjalë dhe për të cilën tentonte të na bindte nëpër debate televizive se nuk e kishim lexuar, e lere më pastaj kuptuar. Vallë ç’mrekullie mund t’i atribuohet ky ftillim apo moment qartësie?! Ndoshta faktit se kapitullin që kundërshtonte nuk e kishte shkruar dora e tij, por e dikujt tjetër brenda komisionit, dhe atij nuk i ishte krijuar mundësia për të lexuar të gjithë përmbajtjen e sapunit që po tentonte të na e shiste për djathë pak kohë më parë.
Pyetja kryeneçe gjithsesi ngelet se pse asnjë prej pedagogëve të tjerë të universitetit publik nuk ka dalë publikisht në mbrojtje të kësaj reforme. Ndoshta sepse brenda fakulteteve tona, me një mijë e një të meta, ekziston ende hapësira për të ruajtur një ndjenjë dinjiteti dhe autonomie ndaj vullnetit të eprorëve. Sigurisht reforma në fjalë i jep “zgjidhje” edhe këtij “problemi”.
Studentë dhe pedagogë, lufta jonë nuk kufizohet vetëm nga absurditeti që këta e quajnë reformë; por këtë luftë ne duam ta bëjmë brenda një universiteti publik të paprivatizuar, në të cilin të gjithë të rinjtë e të rejat – jo vetëm fëmijët e pasanikëve – do kenë mundësinë të dijësohen. Pyetjes se ç’na shtyn përpara të protestojmë mund t’i përgjigjemi fare thjeshtë: sepse nuk ka kthim mbrapa, sepse jemi këtu sepse s’mund të jemi askund tjetër, sepse tashmë jemi kthyer në subjekte besnike ndaj kauzës së universitetit dhe jo thjesht kundërshtues të reformës.
Këtë nuk arrijnë ta kuptojnë këta zotërinj të politikës së vjetër që sot janë mbledhur të votojnë në këtë teatër patetik të gjoja-demokracisë, ku qeveria luan rolin e mjekut që imponon reforma të dhimbshme ndaj pacientit, ndërsa opozita rolin e të indinjuarit që më në fund e kuptoi se kjo është reformë klienteliste (që favorizon klientët e tyre të dikurshëm). Ku ishin këta zotërinj të opozitës në dy vjet betejë që po jepnin universitarët, studentë e pedagogë? A po harrojnë ata se kur ishin në pushtet 4 vjet më parë propozuan një reformë edhe më qesharake se kjo e sotmja, bazuar në modelin kilian të diktatorit Pinoçet?!
Atë çka s’arrin të kuptojë politika e vjetër është se rinia është zgjuar, se ajo po organizohet, jo vetëm për të kundërshtuar reformën që kartonët e tyre do miratojnë sot, por për të luftuar dhe rezistuar pasojat që do sjellë nesër kjo reformë. Dhe të jeni të bindur se rezistencës sonë do t’i bashkohen shumë të tjerë: jo vetëm studentë e pedagogë, por edhe qytetarë të thjeshtë, rrogëtarë e pensionistë, punëtorë e të papunë, sepse arsimimi i popullit është e drejta dhe detyra e çdo shoqërie.
Lufta me padrejtësinë sapo ka nisur dhe ka për të qenë e gjatë. Ne kemi të drejtën me vete, prandaj kemi edhe detyrën të luftojmë. Kjo na shtyn përpara! Kjo është përgjigja që unë sot i jap studentes nga Durrësi.
*Fjalim i mbajtur në protestën e 21 korrikut të Lëvizjes Për Universitetin