Dialektika e 21 Janarit
/Arlind Qori/
A mund ta kuptojmë dialektikisht 21 Janarin? Në terma adornianë, si mund të trajtohet ngjarja e 21 Janarit si singularitet me efekte çtotalizuese, e prapëseprapë universale?
Pak teori. Për Adornon dialektika është trazimi i të afërmendshmes (common sense-it), ngulmimi kokëfortë në singularen e patotalizueshme organikisht, mbajtja në kurriz e peshës së marrëzisë përmes të cilës përshkruhen dhe përqeshen të mposhturit e historisë deri kur arsyeja zyrtare të shpërfaqë themelet e saj të marra. Dialektika është po ashtu nxjerrja në sipërfaqen e dukshmërisë të asaj që deri më atëherë ka qenë e shpërfillshme dhe e pavënshme re – perspektiva e të lënëve mënjanë rrugës së historisë zërat e të cilëve janë mbytur pa dalë prej buzëve. Edhe më, dialektika nuk do të ishte vetëm vënia në dukje e të padukshmeve, por edhe relativizmi deri në zhdukje i të dukshmeve që s’duan kallauzë, por që në të vërtetë janë fshatra Potemkinë.
E nisim me fshatrat Potemkinë që jemi shtrënguar t’i ndërtojmë me duart tona. Të zhuritur për shpresë, e kemi krijuar atë përpara çdo palë zgjedhjesh mu si të dënuarit që presin të kapin ndofarë shenje njerëzie në fytyrën e gardianëve. Kemi shpresuar dhe besuar për t’u zhgënjyer. Kësaj here nga qeveria Rama, ndër të tjera, për mënyrën se si e ka trajtuar ngjarjen e 21 Janarit ose, më saktë, e ka shpërfillur domethënien dhe rëndësinë e saj emancipuese. Pra zhgënjimi është i dukshëm. Mirëpo bash gjithëdukshmëria e tij fsheh të kundërtën, faktin se vetë zhgënjimi është produkt i një shprese dhe besimi të sajuar, paçka se të vetëprodhuar. Rishtrimi i pyetjeve nxjerr në pah marrëzinë e asaj çka merret për e vetëkuptueshme dhe e arsyeshme.
A nuk po i falim diçka të pamerituar kryeministrit dhe qeverisë kur themi se jemi të zhgënjyer prej tyre?! Si e lejuam veten, përveçse prej dëshpërimit, t’u zinim besë e të ushqeheshim me shpresë nga partia qeverisëse, në mos më keq nga Rama vetë?! Kishim Katallanin Berishë përpara – do t’ia behë ndonjëri -, kështu që s’kishim ç’bënim. Bukur fort! Po a nuk ishte Katallani pol i të njëjtit segment padrejtësish edhe më të rëndësishëm sesa pozicionet e asokohshme agjentëve politikë?! Pastaj tjetërçka është të revoltohesh ndaj Katallanit (vrasës 21 Janari – të mos e harrojmë), tjetërçka të besosh në dëshpërim e sipër se zëvendësuesit e tij do t’i merrnin më seriozisht vënien e drejtësisë shumëplanëshe në vend.
Më konkretisht, a mund të zhgënjehesh nga kryetari i një partie, sot kryeministër, që 21 Janarin e la në baltë që përpara se të niste kur refuzoi t’i dilte në ballë popullit, por fshihej pas metaforave të llojit: “ne nuk e përmbajmë dot mllefin popullor” apo “populli do na prijë, ne do t’i shkojmë pas”?! Jo se populli nuk i kapërceu atë ditë borgjezët e rehatuar të ish-opozitës, por se deri përpara nisjes ishte e mirënjohur se në ato kushte ajo masë popullore mund të mblidhej vetëm po të organizohej prej partisë më të madhe opozitare, përgjegjëses për ftimin dhe çdo gërvishtje a pikë gjaku që populli do të derdhte përpara pushkatarëve të qeverisë së kohës. A mund të zhgënjehesh sot me një parti e kryetar të saj që kur heronjtë xhepgrisur e “kokëpalarë” të 21 Janarit luftonin me gurë Intifadën e tyre, zotërinjtë kishin firuar për t’i ndjekur ngjarjet live nga kolltukët e rehatshëm dhe zyrat e ngrohta e të sigurta?! A mund të zhgënjehesh nga një parti dhe kryetar që fill pas therorit e ndali zemëratën popullore të derdhej rrugëve dhe e rreshtoi në mort si për t’i mbyllur fytin mllefit dhe marrjes së të drejtës me çdo kusht?! A mund të zhgënjehesh me ata që qarravitjet dhe fjalimet prekëse i përdornin për të thënë cinikisht: të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët?!
Më thellë akoma në histori, a mund të zhgënjehesh sot nga një parti që së paku prej 1995-1996 nuk ka më as minimumin e seriozitetit të social-demokracisë klasike, por është kopje edhe më e shëmtuar e kllounizmit new labour?! A mund të zhgënjehesh nga një parti që njëherë kërkonte socializëm demokratik, pastaj i binte fyellit të “iniciativës së lirë plus solidaritetit social” – burim batutash oruelliane?! A mund të zhgënjehesh nga një parti që qëkurse ka ardhur në pushtet më 1997 ka qenë apt pupil e FMN-së?! A mund të zhgënjehesh me një parti që krenohej e krenohet se ritmi i privatizimeve të saj ia kalon edhe fundamentalistëve neoliberalë të PD-së, e që këtë vit planifikon të çojë për dhjam privatësh 65 shërbime publike?! A mund të zhgënjehesh nga një parti, figurat kryesore të së cilës konsiderohen gjerësisht, dje dhe sot, si përfaqësuesit më të denjë të të privilegjuarve?! A mund të zhgënjehesh nga një parti që të varfërve ua ngre tarifat e energjisë dhe shkollimit universitar?! A mund të zhgënjehesh me një qeveri që jo vetëm nuk hedh asnjë hap drejt shtrirjes universale të shërbimit shëndetësor cilësor, por konkurrencën publik-privat me të cilën do të financojë arsimin e lartë do të orvatet ta shtrijë edhe në shëndetësi?!
E dukshmja, ndjenja më e pafajshme e zhgënjimit, është nderi i fundit që i bëjmë një qeverie dhe force politike që ka hyrë me kohë në koshin e historisë, paçka se kundërmimin nuk e ka pasur gjithmonë të tillë.
Nga ana tjetër dialektika e 21 Janarit na nxit ta mendojmë atë ngjarje në shumëdimensionalitetin e vet. Ai ishte kulmim, edhe spektakolar – kriminalisht spektakolar – i sa e sa 21 janarëve të padukshëm, të normalizueshëm nga dëshpërimi social dhe ideologjia sunduese. Nëse shteti vret me plumba, tragjizmi i aktit të paktën prodhon heronj. Jo se rrasa e varreve do t’u rëndojë më pak Ziverit, Aleksit, Hekuranit apo Faikut. Po të paktën ata e kanë një jetë simbolike, jetojnë në kujtesën e të shumtëve që ende vlojnë prej padrejtësive; të pafrymë arrijnë të frymëzojnë. A nuk është pak më e durueshme dhimbja kur ka se ku ta drejtosh revoltën, kur e njeh vrasësin, urdhërdhënësin dhe shpërdoruesit e saj?!
Po Ziverët e minierave që vdesin vit pas viti të shoqëruar me dy rreshta njoftim në gazetë?! Po Faikët që vdesin e gjymtohen në punë të tjera, pa asnjë kusht sigurie e pa asnjë pension a kujdes nga aksidentet?! Po Aleksët që herë me punë e herë pa punë po arrijnë moshën e pensionit dhe zotërinjtë pronarë nuk kanë denjuar as t’ua përmendin sigurimet shoqërore për të mos zhvirgjëruar normën e fitimit?! Apo qeveria po mendon për pension social që i bie më pak se 2 dollarë në ditë, prag i varfërisë?! Po Hekuranët e zhytur në mjerimin dhe dëshpërimin social të periferive për të cilët luajtja me jetën është e vetmja mënyrë jetese?!
Këta janë dëshmorë të pamundur, vdekja e të cilëve nuk mund të dëshmohet pasi tanimë është normalizuar; është kthyer në atë që Adorno-ja do ta quante të afërmendshme, të pritshmen, të pashmangshmen bash si lumi që rrjedh në të njëjtin drejtim. Ata nuk kanë as emra jashtë lagjes e farefisnisë. E ç’është më e rënda, nuk ka as shifra të vdekjeve dhe gjymtimeve të tyre. Statisticienët mund të shtrojnë pyetje e gjejnë përgjigje për shumëçka, por askujt nuk i ka shkuar ndër mend të hulumtojë se sa punëtorë vdesin në vit nga aksidentet e shmangshme në punë. Të vrarët e politikave qeveritare klasore janë si pikat e shiut: bien, por kurrkush nuk i numëron…ndoshta prej frikës se janë aq shumë saqë paskëtaj s’do të mund të jetonim në shpengimin mikroborgjez, por do të kërkonim drejtësi si nxjerrje në sipërfaqe të së nëndheshmes, të asaj shumëpërmasie vuajtjesh, shfrytëzimi e shkatërrimi që në heshtje mban në kurriz normalitetin e të mirëdukshmes.
Po, po drejtësi – atë që sërish abstraksioni i të afërmendshmes e kap vetëm në njëpërmasinë e vet penale. Sigurisht që 21 Janari i 2011 e pret edhe atë, por shpagimi i tij i mbramë nuk kërkon vetëm përplasje pas hekurave të pushkatarëve dhe urdhërdhënësve. Ai kërkon ndryshimin radikal të kushtit shoqëror hiperklasor që nis me shfaqjen e demosit (vegjëlisë) që artikulon mjerimin. Drejtësia lind kaherë si artikulim, edhe imponues, i padrejtësisë së pësuar, ku të goditurit e bëjnë veten të dukshëm e të zhurmshëm aq fort saqë asgjë të mos jetë si më parë, ku të mos mbetet kurrkush pa u bezdisur prej shfaqjes së llavave rrëfyese të poshtërimit permanent. Drejtësia lind aty ku gjithkush nis e sheh atë çka ishte paraprakisht, por që syzet ideologjike dhe rehatia mikroborgjeze e kishin mimetizuar. Vetëm ky artikulim mbinjerëzor i një gjendjeje përbindëshore mund t’i tronditë aq fort institucionet shoqërore dhe politike sa të prodhojë efekte edhe brenda kufijve të ngushtë të drejtësisë penale.
Dialektika është kusht i daljes në pah të drejtësisë, të pashpërbërjes së drejtësisë. Është mbramësisht gjesti metodologjik dhe politik i gjetjes së të bukurës brenda mjerimit. Jo se ky i fundit nuk “ngushëllohet me gotë pranë tryezës plot zdrale”, por se në kokëpalarjen e vet mbetet gjithnjë antipod i të bukurës së të privilegjuarve – asaj kryeshëmtie që prodhon, intensifikon e shpërfill shëmtitë e panumërta rretheqark.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.