Dhuna e shumanshme dhe fija e shpresës

/Organizata Politike/

Organizata Politike i ka ndjekur me vëmendje të madhe ngjarjet e fundit që po zhvillohen në Universitetin e Prishtinës, ku Studentët e Bashkuar janë ngritur në protesta kundër skandaleve të njëpasnjëshme në këtë universitet, të cilat kulmuan me zbulimin e titujve të rremë të rektorit. Protestave studentore, të mbështetura nga qytetarë të vetëmobilizuar dhe pjesë autonome të shoqërisë civile, pushteti oligarkik iu është përgjigjur me dhunë policore. Dhuna në Kosovë, e më gjerë, është më së pari strukturore, e ngërthyer në praktika përjashtimore e nëpërkëmbëse, që nisin prej bllokimit të territorit universitar për dijen kritike e deri te kushtet ekonomike studentore dhe mungesa e ardhmërisë së tyre shoqërore. Këto ditë, e sidomos sot, kësaj dhune strukturore iu bashkëngjit dhuna e hapur dhe e dukshme policore. Policë, në kundërshti me ligjin dhe distancën jetike pushtetore ndaj universitetit, kanë zaptuar territorin e Universitetit të Prishtinës duke qorruar përkohësisht me spraj, goditur me shkopinj e tërhequr zvarrë studentët që ende synojnë ta çlirojnë universitetin nga injoranca, hajnia, klientelizmi dhe pashpresa. Po këta robotë me uniformë, të denjë për skuadristët e një kohe të palavdishme, arritën deri aty sa të rrëmbejnë në fjalë e sipër njërin prej folësve studentorë. Shumë të tjerë, studentë dhe qytetarë, janë arrestuar, dhunuar dhe po mbahen qelive pa shpjegim e të drejtë.

Organizata Politike, e cila e sheh universitetin si vatrën më të madhe të dijes në shoqëri, shpreh solidaritetin, mbështetjen dhe mirënjohjen për studentët e Prishtinës, për rezistencën e organizuar kundër shkatërrimit të organizuar që po i bëhet Universitetit të Prishtinës.

E dimë që thirrja jonë nuk ka për të rënë në veshin e oligarkëve shtetërorë-universitarë të Prishtinës, të cilët nuk tuten as prej qytetarëve të tyre. Prandaj nuk u kërkojmë atyre të lirojnë studentët dhe qytetarët. Prapëseprapë i drejtohemi mbarë popullit të Kosovës, sidomos shtresave më të goditura dhe të nëpërkëmbura të saj, duke i nxitur të mobilizohen për të shpëtuar universitetin dhe nderin e qytetarisë. Fuqia dhe masiviteti juaj do t’i lirojë vajzat dhe djemtë protestues, dhe bashkë me ta do të çlirojë universitetin dhe mbarë shoqërinë nga frika, korruptimi dhe padrejtësitë.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.