Universiteti i ramë

/Jani Marka/

Siç dihet, prej më se një viti, Universiteti i Tiranës po përjeton një bllokim të rëndë të jetës së tij të brendshme. Ky bllokim ka të bëjë kryesisht me çështje të ekzekutimit të buxhetit, rekrutimit të stafit akademik, sistemit elektronik të notave, ciklit të doktoraturës, kualifikimit të stafit akademik dhe proceseve të tjera që lidhen me miratimin e dokumenteve të brendshme të universitetit, si statuti dhe rregulloret përkatëse. Këto probleme kanë dy elementë të përbashkët: në njërën anë, përplasjen e bajraktarëve dhe klaneve që e kanë administruar historikisht universitetin në këto 25 vite dhe, në anën tjetër, paaftësinë e qeverisë për të nxjerrë në kohë aktet nënligjore të një ligji famëkeq.

Me pretekstin e vonesës së kalimit të pagave të pedagogëve, çka u trumbetua fort në media, kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla organizuan një takim me Senatin e Universitetit të Tiranës. Në fakt ky është vërtet pretekst sepse – siç del qartë nga goja e z. Rama: “prej muajsh kemi marrë kërkesë nga 4 dekanë për të ushtruar përgjegjësinë për nenin 7” – qeveria ka qenë prej kohësh në dijeni të këtij bllokimi të UT. Më tej, ky reagim “i shpejtë” i kryeministrit Rama e nxjerr atë zbuluar se, edhe pse kanë kaluar plot tri javë, ende nuk ka reaguar ndaj kërkesave të studentëve, të cilët i kanë dorëzuar drejtpërdrejt Këshillit të Ministrave një peticion me disa mijëra firma e me kërkesa konkrete.

Nëse i referohemi këtij takimi dhe në veçanti qëndrimeve të z. Rama, nuk rezulton ndonjë gjë e re në retorikën e tij. Përsëriten të njëjtat togfjalësha si: as i nënës e as i njerkës, autonomi, konkurrencë, hyrje në treg, universiteti si subjekt tregtar që fiton para, e profesorët që në këtë mënyrë munden deri edhe të dhjetëfishojnë pagën e tyre.

Në njërën anë z. Rama shpërfill me qëllim kërkesat e drejta të studentëve, ndërsa në tjetrën josh profesorët – që në kurriz të tarifave – deri edhe të dhjetëfishojnë pagën e tyre. Përça e sundo! Në vend që qeveria të përgjysmojë tarifat, duke ulur tavanin, z. Rama premton se në të ardhmen do ta heqë fare tavanin e tarifave, pra një liberalizim total i tarifave. Kështu, dora e fshehtë e tregut do të rregullojë tarifat ose, më saktë, dora e interesave private për të bërë para me dijen. Kryeministri Rama premton se do të rrisë fondet buxhetore për arsimin e lartë, kur fakti është se prej pesë vitesh qeverisjeje të tij fondet zëre se nuk janë rritur.

Në të vërtetë, kryeministri Rama po e përdor universitetin për interesat e tij politike. Së pari, atij nuk i intereson që universiteti të jetë mjedis kritik, prej ku lind rezistenca ndaj ‘politikave’  të padrejta, privatizuese e arrogante të qeverisë. Në këtë kuptim, atij i vijnë shumë përshtat zullumet e klaneve, prandaj kërkon kompromisin e ndarjes së plaçkës pikërisht me to, pa e çarë kokën të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe pedagogëve të thjeshtë. Së dyti, jo vetëm që potenciali kritik i universiteteve dobësohet, por ky dobësim i universiteteve publike çon para më lehtësisht te klientela e diplomoreve private. Së treti, kryeministrit Rama i interesojnë këto “skandale” të menaxhueshme klanesh universitare edhe për të tërhequr vëmendjen nga probleme të tjera të nxehta të politikës, siç është korrupsioni, kanabizimi, emigrimi masiv, varfëria ekstreme etj.

Më tej, ky bllokim klanesh nuk mund të zgjidhet vetvetiu përderisa kemi një ligj që qeverisjen e universitetit e mbështet në rrethin vicioz të klaneve të stabilizuara të pedagogëve. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fjala e dekanit të fakultetit ekonomik në takim, i cili shprehet se rektori ka marrë 90% të votave në Fakultetin Ekonomik, pa shkelur asnjë ditë atje, vetëm falë mbështetjes së tij. E çfarë universiteti është ky kur pedagogët votojnë në rresht e pa debat e mendim kritik?!

Zgjidhja mund të vijë vetëm nga studentët ose, më konkretisht, nga fuqizimi i instrumenteve demokratikë si vota studentore. Sipas ligjit të arsimit të lartë, kjo votë peshon vetëm sa 10% e totalit. Kjo përqindje është e pamjaftueshme për të sjellë demokraci në jetën universitare. Natyrisht që ka vend edhe për kontributin e atyre pedagogëve që nuk e shohin universitetin si vend ku përfitohen para me thasë e privilegje titujsh e gradash të pamerituara, por si hapësirë lirie, emancipimi e vetërealizimi. Fatkeqësisht ky grup pedagogësh aktualisht është ende i vogël ose, në rastin më të mirë, i madh në potencialitet, por i heshtur dhe pa guxim reagimi.

Ka ardhur koha që studentë e pedagogë të bëhen bashkë e të luftojnë njëherësh në dy fronte: si ndaj qeverisë që kërkon të zbatojë një reformë privatizimi të universitetit publik, ashtu edhe ndaj burokracisë e klaneve brenda universiteteve që po mbajnë peng edhe aktivitetin rutinë e minimal të universitetit. Dihet që lufta në dy fronte është tepër e vështirë, por vetë e kemi fajin. Prandaj po vetë duhet të luftojmë, guxojmë e rrezikojmë. Tek e fundit, çfarë kemi për të humbur?! Asgjë! Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë e nuk duhet të shkojë.

Imazhi: YouTube

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.