Demokracia nis me një minator në parlament

/Gëzim Hilaj/

I gjithë diskursi politik ditët e fundit është përqendruar në “betejën” zgjedhore mes tre partive kryesore PD, LSI dhe PS. Po në këto zgjedhje nuk do të kemi më të njëjtat parti politike që kanë kandiduar për të marrë besimin e qytetarëve prej shumë vitesh. Shpallja e kandidaturës për deputet të sindikalistit dhe minatorit Elton Debreshi rikthen edhe njëherë në vëmendje çështjen e nëpërkëmbjes së klasës punëtore, në veçanti atë të minatorëve. Demokraci do të thotë sundim i popullit, ku pushteti ushtrohet drejtpërdrejt nga populli. Kësisoj një minator është tipari kryesor i demokracisë që e ndryshon realitetin politik dhe social: nga një vend me zgjedhje moniste dhe pastaj me të njëjtat parti të vjetra politike që sundojnë, në një vend ku populli mund të zgjedhë dhe mund të zgjidhet. Nëse deputetët që kanë përfaqësuar sovranin kanë pasuri të mëdha, Elton Debreshi është vetë populli që kërkon të përfaqësojë popullin. Kjo kandidaturë nuk lindi nga hiçi, por ka ardhur si rezultat i një procesi të gjatë përpjekjesh sindikaliste që kulmuan më se një vit më parë me grevën e minatorëve pas heqjes nga puna të Elton Debreshit dhe tre minatorëve të tjerë. Demokracia duhet të niste nga Bulqiza si një leksion për të gjithë ata që ndër vite i kanë harruar punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë.

Statusi i Minatorit – i mohuar prej shumë vitesh nga qeveritë dhe motivi kryesor i kandidimit të pavarur të Elton Debreshit – duket se është thembra e Akilit. Partia në pushtet, e cila vetëquhet si e majta në Shqipëri, në vend që primare në programin politik të ketë klasën punëtore, nuk njeh as Statusin e Minatorëve, as kujdeset për përmirësimin e kushteve të punës së tyre. Çka e bën kandidaturën të vetmen mënyrë që këto probleme të artikulohen në foltoren e Parlamentit. Kush më mirë se një minator, që pjesën dërrmuese të jetës e ka kaluar nën tokë duke rrezikuar jetën, mund të përfaqësojë elektoratin e Dibrës, të ligjërojë problemet dhe të ndërmarra iniciativa ligjore si përfaqësues i popullit për klasën punëtore në tërësi?! Nga përfaqësues i minatorëve në Kuvend mund të kemi përfaqësuesin e parë të gjithë klasës punëtore.

Nga ana tjetër ka shumë zëra opozitarë që kundërshtojnë kandidaturën për deputet të një punëtori. Në një vend ku është hera e parë që kandidon një punëtor, sigurisht që pikëpyetjet dhe paqartësitë janë të shumta. Mjafton të kujtojmë rastin e Leh Vaselës, elektricist në portin Gdanskut dhe udhëheqës i lëvizjes punëtore në Poloni, për të shuar pikëpyetjet e shumta. Ai u shndërrua në frymëzim për punëtorët anembanë Evropës Lindore dhe më vonë u zgjodh president i Polonisë. Kjo tregon se punëtor si përfaqësues i sovranit në parlament nuk është utopi. Aristoteli thoshte: “Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfrit dhe jo të pasurit”. Të mbështesësh kandidaturën e një minatori nuk do të thotë të jesh marksist apo me idetë revolucionare të socializmit, por të kuptosh se klasa punëtore është e shfrytëzuar në një kapitalizëm periferik që kërkon të shfrytëzojë në mënyrë të paskrupullt të varfrit, më të nëpërkëmburit, punëtorët.

Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse Kodi Zgjedhor përcakton qartë se 95% e fondit për fushata e marrin subjektet zgjedhore që kanë më shumë vota në zgjedhjet e kaluara. Nga ky këndvështrim, fitimi i zgjedhjeve nga një kandidat i pavarur, ku pjesën më të madhe të financimeve e marrin partitë më të mëdha, kthehet në një “malore” të vështirë, por jo të pamundur. Solidariteti i të gjithë qytetarëve të ndershëm – në Dibër e ngado nëpër Shqipëri – mund ta bëjë të mundur atë që duket e pamundur. Vetëm kështu 25 prilli do të jetë dita simbolike e triumfit të demokracisë.

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.