Reflektime nga poshtë mbi Partinë Komuniste në Francë

/Didier Eribon/

Fjala “e Majta” nënkuptonte përnjëmend diçka të rëndësishme. Njerëzit donin të mbronin interesat e tyre, t’i bënin zërat e tyre të dëgjoheshin; dhe mënyra për ta arritur këtë gjë – përveç grevave dhe protestave – ishte duke ua deleguar, duke ua lënë veten në dorë “përfaqësuesit të klasës punëtore” dhe drejtuesve politikë, vendimet e të cilëve pranoheshin si të mirëqena dhe fjalimet e të cilëve mësoheshin përmendësh dhe përsëriteshin. Ti ktheheshe në subjekt politik duke e vendosur veten në duart e zëdhënësve të partisë, përmes të cilëve punëtorët – “klasa punëtore” – krijohej si një grup i organizuar, si një klasë që ishte e ndërgjegjshme për veten si të tillë.

Mënyra e të menduarit për veten, vlerat të cilat përbrendësoje, sjelljet që manifestoje ishin të gjitha në një masë të madhe të formuara nga koncepti i botës që “Partia” ndihmonte të përtypej nga mendjet e njerëzve dhe të përhapej në të gjithë trupin shoqëror. Të votoje do të thoshte të ishe pjesëmarrës në një moment të rëndësishëm vetafirmimi, një moment që afirmonte edhe rëndësinë tënde politike. Kështu që mbrëmjeve kur dilnin rezultatet zgjedhore, njerëzit sa nuk plasnin nga inati që e djathta kishte fituar prapë dhe turfullonin kundër “batakçinjve” që kishin votuar për golistët (partinë e Sharl De Golit – shën. përkth.), e prandaj edhe kundër vetes së tyre. 

Sa e thjeshtë është bërë ditët e sotme të sulmohet influenca komuniste në ambientet e ndryshme populiste të viteve 1950-70. Ia vlen të kujtohet domethënia që kishte kjo influencë për ata njerëz që sot është e lehtë të kritikohen pasi është bërë e pamundur që të dëgjohen në ndonjë platformë publike. (A u jepet ndonjëherë mundësia për të folur? Çfarë mundësish personale kanë ata për ta bërë diçka të tillë?) Të ishe komunist nuk kishte të bënte aspak me dëshirën për të sjellë në pushtet një regjim të ngjashëm me atë në Bashkimin Sovjetik. Politika “e jashtme”, për çdo rast, ishte një shqetësim i largët, siç ndodh shpesh mes klasave popullore – dhe aq më pak për gratë në krahasim me burrat. Merrej për e mirëqenë se do të mbahej gjithmonë ana e sovjetikëve përballë imperializmit amerikan, por kjo si temë nuk lindte thuajse kurrë. Madje edhe kur ndërhyrjet ushtarake të Ushtrisë së Kuqe ndaj vendeve aleate ishin shqetësuese, ne preferonim të mos flisnim për to: më 1968, teksa radioja përshkruante ngjarjet tragjike që ndodhën në Pragë pas ndërhyrjes sovjetike, i pyeta prindërit: “Çfarë po ndodh?” Mamaja ime u hodh për të më treguar vendin: “E ç’të duhet ty?! S’është puna jote!” Kjo sigurisht ishte për shkak se ajo nuk kishte ç’përgjigje të më jepte dhe ishte po aq e çorientuar sa edhe unë, një 15-vjeçar. 

Arsyet përse njerëzit aderonin në vlerat komuniste në fakt lidheshin me shqetësime më konkrete dhe të atypëratyshme. Në librin e tij Abecedaire, Gilles Deleuze-i parashtron idenë se “të jesh i majtë” do të thotë “pikësëpari të jesh i ndërgjegjshëm për botën”, “të jesh i ndërgjegjshëm se çfarë shtrihet në horizont” (që do të thotë se problemet më urgjente janë ato të Botës së Tretë, që janë më pranë nesh sesa problemet që hasim në lagjen tonë), ndërsa “të mos ishe i majtë”, në të kundërt, do të thoshte të ishe i fiksuar vetëm me rrugën ku jetoje, vendin ku banoje, një përkufizim ky diametralisht i kundërt me atë që përfaqësonin prindërit e mi. Në ambientet e klasës punëtore politikë e majtë do të thoshte në radhë të parë një refuzim pragmatik i eksperiencës së jetës së përditshme. Ishte një formë proteste dhe jo një projekt politik i frymëzuar nga një perspektivë globale. Ti merrje në konsideratë atë që të rrethonte dhe jo atë që ishte larg, qoftë në kohë apo në hapësirë. Edhe pse njerëzit thoshin gjëra të tipit “ajo që na duhet është një goxha revolucion,” këto shprehje u referoheshin vështirësive të përditshmërisë dhe padrejtësive të patolerueshme që i rrethonin, më shumë sesa ndonjë perspektive për të ndërtuar një sistem politik të ndryshëm. Meqenëse gjithçka që u ndodhte dukej sikur ishte vendosur nga ndonjë fuqi e fshehtë (“kjo nuk ishte rastësi”), të përmendje “revolucionin” – pa pasur ndonjë ide se ku, apo kur, apo si mund të plaste – ishte si psalmi i fundit (ishte një mit kundër tjetrit) në luftën kundër fuqive të së keqes – të Djathtës, të pasurve, elitës – që u shkaktonin kaq shumë vuajtje jetëve të të varfërve, “njerëzve si ne”.

Familja ime e ndante botën në dy kampe, ata që ishin “me punëtorët” dhe ata që ishin “kundër punëtorëve,” ose me fjalë të tjera ata që “mbronin punëtorët” dhe ata që “s’bënin asgjë për punëtorët.” Sa e sa herë dëgjoja fjali që e përmblidhnin këtë qasje politike dhe zgjedhjet që rridhnin prej saj! Nga njëra anë ishim “ne” dhe ata që ishin “me ne”; nga ana tjetër ishin “ata”. Im atë lëshonte sharje ndaj gazetarëve që drejtonin emisione politike dhe mbushej me gëzim kur dikush që ai e konsideronte si zëdhënës për mendimet dhe ndjesitë e tij, do të thyente rregullat e programit televiziv në një mënyrë që askush s’do të guxonte ta bënte sot […]. Të thyeje rregullat do të thoshte të flisje për problemet e vërteta me të cilat përballeshin punëtorët, në vend se të përgjigjeshe ndaj pyetjeve tipike politike ndaj të cilave supozohej të kufizohej debati. Të thyeje rregullat do të thoshte të merrje hakun e atyre zërat e të cilëve nuk dëgjohen kurrë në të tilla kushte; atyre ekzistenca e të cilëve është sistematikisht e përjashtuar nga terreni i politikës legjitime.  

Po sot kush e luan rolin e “Partisë”? Te kush mund të drejtohen të shfrytëzuarit dhe të pafuqishmit në mënyrë që të ndjejnë se dikush i mbështet apo se pikëpamja e tyre artikulohet? Kujt mund t’i referohen, te kush të mbahen, në mënyrë që t’i mundësojnë vetes një ekzistencë politike dhe identitet politik? Apo në mënyrë që të ndjehen krenarë për veten sepse janë legjitimuar dhe ky legjitimitet ka ardhur nga një burim i fuqishëm? Një burim i cili në terma të thjeshtë merr në konsideratë se kush janë, si jetojnë, për çfarë mendojnë dhe çfarë duan.

E përktheu Redi Muçi

Pjesë nga libri i autorit “Rikthim në Reims”

Imazhi: Isolde Ohlbaum/LAIF/CAMERA PRESS

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.