Çudia që i paraprin shpresës

/Enriko Peçulaj, Frenklin Elini/

Të mërkurën e 20 janarit të këtij viti u njohëm në rrjetet sociale me lajmin se Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës do të mbështeste një minator si kandidat të pavarur në qarkun e Dibrës për zgjedhjet e 25 prillit. Elton Debreshi, minator,  bir minatori, baba i katër fëmijëve dhe kryetar i sindikatës së re të minatorëve të Bulqizës, u pushua nga puna përpara më shumë se një viti për shkak të organizimit sindikal, së bashku me tre shokë të tjerë, tek punonin në galerinë e marrë me koncesion nga AlbChrome-i i famëkeqit Samir Mane.

Eltoni ishte një prej më të rinjve nga minatorët në kohën që shokët e zgjodhën me unanimitet si kryetar sindikate. Në mendjet tona të vakëta kryetari i sindikatës apo minatori i shkonin për shtat përfytyrimit të murosur të një burri të madh në moshë e me autoritetin e babait mbi të tjerët e ngjashëm. Ky djalë doli jashtë çdo përfytyrimi që vjen prej nesh, njerëzve që minatorin e kishim aq afër, po nuk patëm guxuar deri vonë ta njihnim, përveçse në librat e verdhë të socializmit.

Ai ishte i ri jo prej moshës, po se kohë më parë dikush u përpoq t’ia merrte rininë nëpër vuajtje e sakrifica që për dikë tjetër mbase do të ishin të papërballueshme. Eltoni është i ri sepse ka refuzuar ta dorëzojë jetën në duar të shfrytëzuesve dhe oligarkëve, batakçinjve dhe burokratëve, cinikëve dhe pasunarëve të rëndomtë.

Ne shkruajmë duke pasur në mendje fjalën e një shokut tonë që thotë se zgjedhjet e 25 prillit janë tepër larg, kështu domethënia e kandidimit të Eltonit i tejkalon kornizat e logjikës elektorale dhe shtrihet thellë në çdo dimension të politikës nga poshtë, politikës si krijesë dhe vullnet e shumësisë të lënë në harresë.

Gjatë protestës studentore të dhjetorit 2018 u artikulua nevoja e një lëvizjeje shoqërore e cila do të duhej të përfshinte të gjitha formacionet shoqërore të nënrenditura e me potencial organizimi. Shkak i këtij artikulimi, përveç frymëzimit që krijonte ajo demonstratë masive, ishte nevoja imediate për një alternativë, parti, lëvizje a dreqi e di çfarë. Duhej diçka që e tejkalonte simbiozën 30-vjeçare të oligarkëve me tri partitë kryesore në kurriz të popullit. Pyetej aty: po punëtorët?

Nuk u desh shumë prej përfundimit të protestës që punëtorët t’i përgjigjeshin pyetjes. Në prill, tre muaj pas ndërprerjes së protestës, minatorët e Bulqizës, të lodhur nga sindikatat e vjetra të kapura nga pushteti, filluan të artikulonin nevojën e një sindikate të re dhe të pavarur prej pushtetit. Në datën 17 nëntor të po atij viti në qendër të qytetit të Bulqizës u shpall themelimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Fill pas kësaj ngjarjeje, Elton Debreshin së bashku me tre sindikalistë të tjerë i pushuan nga puna dhe punëtorët e minierës AlbChrome u hodhën në grevë duke kërkuar rritjen e pagës, ulje të normës së punës, njohje të vjetërsisë dhe vështirësisë në punë, dëmshpërblim për aksidentet, negocimin e kontratës kolektive me sindikatën e re, e cila kishte arritur mbi 600 anëtarë, dhe mbi të gjitha kthimin në punë të sindikalistëve të pushuar. Pas përfundimit të grevës, minatorët sindikalistë të shtyrë përpara nga forca që ta jep vetëm bindja te kauza dhe shoku që të gjendet në krah, ndërmorën nënshkrimin e peticionit për statusin e minatorit duke mbledhur më shumë se 11,000 mijë firma dhe solidaritetin e qytetarëve në çdo cep të vendit tonë.

Në këto vite të gjata tranzicioni në Shqipëri nuk ishte parë një luftë kaq e vendosur e punëtorëve kundër pronarit. Ky i fundit, Samir Mane, njeriu më i pasur dhe i fuqishëm në Shqipëri, bëri që asnjë lajm për grevën e minatorëve të mos dilte nga televizionet dhe portalet pranë pushtetit dhe opozitës. Samir Mane u mbylli gojën madje edhe partiçkave, mediave dhe individëve “të pavarur”. Sindikatat e kalbura të pronarit dhe pushtetit e luftuan po aq egër përpjekjen kolektive të punëtorëve të vendosur të nëntokës. E përsëri, sa më e fortë shtypja, akoma më e madhe rezistenca.

Nuk ekziston kurrfarë rastësie që i ngjiz të tilla ngjarje. Universi nuk i afroi në kohë dhe hapësirë me njëra-tjetrën protestën e studentëve dhe minatorët, naftëtarët dhe aktivizmin kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Kushtet dhe kontradiktat janë ato që krijuan ngjarjen. Qeveria e Ramës nuk e justifikon dot më veten, së paku që prej protestës studentore. As ithtarët më të zellshëm te neoliberalizmit nuk do e kishin materializuar dot këtë mënyrë të politikëbërjes. Aplikimi i politikave neoliberale – privatizimet e ndërmarrjeve publike, reforma klienteliste në arsimin e lartë, koncesionet e shërbimeve të dhëna me hatër tek oligarkët, dhuna sistemore ndaj biznesit të vogël e kamufluar si luftë ndaj informalitetit – gjeti përpara një shoqëri të paorganizuar e me sytë nga Perëndimi, ku qindra mijëra njerëz ikin, në rrugë legale ose jo. Bashkohet kështu te figura e këtij pushteti jo vetëm urrejtja kulturore për njeriun e thjeshtë, por edhe kamxhiku që zëvendëson fasadën justifikuese. Dhuna, prej këtej, është i vetmi mjet për të ruajtur pushtetin, kundrejt mungesës së opozitës dhe një alternative popullore që flet me gjuhën e njerëzve.

Të gjitha këto kushte, mandej, nxitojnë të kërkojnë një alternativë të besueshme dhe shpresëdhënëse. Elton Debreshi si kandidat është kësisoj çekiçi që thyen hegjemoninë e këtij pushteti dhe krijon shembullin e shpresës për të tjera grupe shoqërore të margjinalizuara. Nuk është ambicia politike e këtij të fundit që e sjell në foltoren e parlamentit, por kërkesa historike për vetë minatorët dhe të tjerë, për të përfaqësuar vetveten aty lart, pa qenë nevoja të jenë të kollarisur e të shkolluar në Sorbonë apo Gjenevë, të fortë me kobure dhe biznese, por njerëz të thjeshtë që punojnë e prodhojnë të mira publike. Nëse Elton Debreshi për vite me radhë ka qenë i aftë të punojë në prodhimin e pasurisë së oligarkëve, atëherë në emër të qytetit të Bulqizës i lind e drejta të kërkojë hakun, punën dhe djersën e këtyre njerëzve që jetojnë mbi pasuri dhe nuk e kanë parë një ditë të bardhë.

Nuk është rasti tani për të bërë thirrje qytetarëve të Dibrës për ta votuar Eltonin pasi, siç ramë dakord, zgjedhjet janë larg. Me bindjen se deri në zgjedhje Shqipëria do të përshkohet nga ngjarje të tjera, njerëzit e këtij vendi duhet ta kenë në sy se për ta ka një shembull për t’u ndjekur dhe ai është i prekshëm, i gjallë dhe shpresëdhënës. Nuk mund as të themi se Elton Debreshi është rast i izoluar shprese në veri të Shqipërisë. Shpresa nuk njeh kurrfarë kufiri dhe hapësire gjeografike. Shpresa është lëndë e gjallë nga e cila lind çudia, ajo që zgjat pak më shumë se tre ditë, që muroset në ndërgjegjen e të shtypurit dhe prej andej mësohet se organizime si të studentëve dhe të Bulqizës nuk e kanë një fund të prekshëm. Ndaj përpjekja e Elton Debreshit është artikulimi politik i pashmangshmërisë historike. I pashmangshëm në raport me historinë jo në trajtat e liderit suprem, të pagabueshëm dhe absolut, e madje as në projektime të qasjes pozitiviste mbi përfundimin e ngjarjes; por pashmangshmëri historike si momenti i shfaqjes së të shtypurve në sferën publike. Historia flet gjuhën e betejave të këtyre të fundit pavarësisht triumfit apo disfatës. Në këtë kuptim, Eltoni sot është zëri që i jep jehonë aspiratave të përbashkëta shoqërore për ndryshim radikal.

Në librin “Filozofia e rezistencës” autori Frederic Gros shkruan se i vetmi realitet është ai i imponuar nëpërmjet dhunës sistemore. Arsyeja pse nënshtrohemi vjen nga frika e çmimit që duhet paguar së bashku me mosbindjen: gjaku i derdhur, poshtërimi, disfata e pashmangshme. Vështirësia e mosbindjes qëndron pikërisht në të qenit të shumtë. Jemi të heshtur sepse është e vështirë të gjejmë një zë të vetëm. Sa i përket etikës, revolta dhe mosbindja e të mjerëve është e turpshme. Përgjatë historisë të privilegjuarit na kanë thënë që mosbindja duhet mbytur nga ndjenja e mirënjohjes. Megjithatë, kundër të gjitha gjasave, revolta ndodh. Pikërisht për këtë arsye shpresa lind nëpërmjet çudisë që askush nuk e priste. Iluministët e shprehnin më së miri këtë proces me të famshmen “Guxo të njohësh!”. Eltoni është çudia që paraprin shpresën. Detyra jonë është të guxojmë ta njohim si shprehi të mosbindjes pozitive dhe shpresës, si dhe ta mbështesim pa kompromis.

Imazhi: Sami Curri

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.