Intelektuali i Gramsci-it

/Alfred Bushi/

Antonio A. Santucci, një prej njohësve më të mirë të mendimit të Gramsci-t, shkruan se lajtmotivi që përshkon të gjithë veprën e mendimtarit sard është hetimi i përgjithshëm i funksionit të intelektualit dhe organizimi i kulturës. Një tendencë e tillë e reflektimit të tij vihet re si në Fletoret e burgut, ashtu edhe në fazën pararendëse të burgut, kur Gramsci ende riosh bëhet pjesë e të përjavshmes socialiste Il grido del popolo. Po përse e gjithë kjo vëmendje për intelektualët dhe kulturën? Sepse kultura për të është “organizim, disiplinë e brendisë tonë, është marrje në zotërim e personalitetit tonë; është fitim i një vetëdijeje më të lartë, me anë të së cilës arrijmë të rrokim vlerën tonë historike, funksionin tonë në jetë dhe të drejtat e detyrimet tona”( Socializmi dhe kultura). Si shpirt, pra si qenie që mendon – vijon ai në të njëjtën ese –  njeriu nuk vetëdijesohet nën nxitjen e nevojave fiziologjike, “por nga të menduarit mbi shkaqet e disa fakteve dhe mbi mjetet më të përshtatshme për t’i kthyer ato nga mjete nënshtrimi në arsye për rebelim e rindërtim shoqëror”. Një metodë të tillë të qasjes ndaj kulturës – rrëfen te Fletoret vetë Gramsci – është e huazuar nga një paragraf i Parathënies së librit ‘Rreth kritikës së ekonomisë politike’ të Marksit, i cili mbart sipas tij një vlerë të jashtëzakonshme gnoseologjike. Për Marksin, format ideologjike (politika, arti, filozofia, pra kultura në përgjithësi) janë hapësira në të cilat njerëzit kuptojnë dhe vetëdijesohen mbi konfliktin që lind në strukturën ekonomike dhe luftojnë për zgjidhjen e tij.

Pikërisht në këtë terren lufte ideologjike klasore, roli i intelektualit – në kuptimin e asaj kategorie që prodhon dhe administron këto forma ideologjike, të intelektualit organik dhe atij tradicional – është thelbësor për sa i përket kuptimit dhe artikulimit të këtij konflikti. Për Gramsci-n, terreni ideologjik ose, më gjerë, ai i hegjemonisë, drejtimit dhe sundimit, është vendi ku intelektualët e një klase të caktuar farkëtojnë homogjenitetin dhe vetëdijen e një klase apo të një blloku historik.

Mbi funksionin e intelektualit mund të na vijë në ndihmë një mendimtar për të cilin çështja e drejtimit dhe e sundimit të intelektualit ishte e një rëndësie thelbësore për fatin e Republikës së tij. Me mitin e shpellës Platoni me gjasë ka qenë i pari që e ka ngritur problemin e rolit të intelektualit, edukimit dhe njohjes. Te ky mit i famshëm, intelektuali i shprangosur nga prangat e mosnjohjes, me rikthimin e tij në shpellë merr rolin e ndriçuesit dhe emancipuesi të të ngjashmëve të skllavëruar nga padija. Për Platonin, ky proces ndriçimi apo vetëdijesimi mund të jetë i mundimshëm pasi intelektuali, në mungesë të një metode të përshtatshme të përcjelljes së njohjes, rrezikon të shihet me dyshim nga të ngjashmit e tij brenda shpellës. Ai duhet që në mënyrë sistematike dhe të përshkallëzuar, e jo të menjëhershme e në bllok, t’ua përçojë atyre dijen e tij apo t’i marrë për dore e t’u tregojë përditë nga pak se realiteti i vërtetë është jashtë shpellës. Intelektuali, me pak fjalë, duhet të jetë një edukator dhe organizator i mirë i dijes pasi vetëm në këtë mënyrë ajo mund të kthehet në një armë të fortë në mposhtjen e e hijeve tona. Intelektuali i shpellës nuk është prej atyre që me t’u shprangosur dhe me të arritur dritën e diellit apo dijen, e përdor këtë të fundit si privilegj dhe sundim ndaj të tjerëve. Përkundrazi ai i rikthehet klasës së tij dhe përpiqet ta emancipojë. Këtë proces emancipues dhe edukues ai orvatet ta bëjë sipas një metode të caktuar. Në këtë kuptim ai është i pari intelektual organik i klasës së tij, i cili i jep homogjenitet dhe vetëdije kësaj klase.

Uniteti i punës së mendjes dhe punës fizike

Siç e cekëm, lajtmotivi i veprës së Gramsci-t është funksioni i intelektualit në organizimin e kulturës, në vetëdijesimin dhe krijimin e hegjemonisë. Teza kryesore e tij është që në thelb intelektuali përbën unitetin e punës fizik dhe përpunimit mendor. Idenë e Marksit, sipas të cilës ndarja e shoqërisë në klasa ka sjellë dhe ndarjen e punës intelektuale nga ajo fizike dhe që në kapitalizëm kjo ndarje theksohet, Gramsci  e riformulon duke pohuar se: “Nuk ka veprimtari njerëzore nga e cila mund të përjashtohet çdo formë e ndërhyrjes intelektuale: homo faber-i nuk mund të veçohet nga homo sapiens-i. Çdo njeri, si përfundim, përveç profesionit të tij, ushtron edhe ndonjë veprimtari intelektuale, domethënë është “filozof”, artist, njeri me shije, është pjesë e një konceptimi të caktuar mbi botën, ka një linjë të vetëdijshme sjelljeje morale dhe, për rrjedhojë, ai kontribuon në mbrojtjen ose ndryshimin e një konceptimi të caktuar mbi botën, domethënë në formimin e mënyrave të reja të mendimit.” Intelektuali i ri nuk mund të konceptohet pa unitetin e mundit muskulor-nervor dhe përpunimit intelektual. Raporti mes këtyre dy anëve nuk është gjithnjë i njëjtë sipas Gramsci-t, çka sjell edhe nivele të ndryshme të veprimtarisë intelektuale. Mirëpo intelektuali profesionist duhet t’i zotërojë medoemos këto dy tipare në shkallën e nevojshme, sipas situatave të caktuara. Mundi muskulor-nervor që ushtron punëtori në krijimin e botës materiale, pra mundi prodhues-organizativ (ose koordinues) është baza e këtij intelektuali. Ndërkohë, kësaj dijeje organizative të fituar gjatë punës i duhet bashkëngjitur përpunimi intelektual-celebral, pra përpunimi racional, spekulativ universalizues. Nëse tipari i parë i intelektualit fitohet brenda punës industriale, i dyti fitohet brenda partisë, organizatës apo formave të tjera të organizimit të kulturës. Intelektuali i ri i klasës punëtore me pak fjalë duhet të jetë specialist e organizator, si dhe drejtues e politikan.

“Mënyra e të qenit të intelektualit të ri nuk mund të konsistojë te gojëtaria, e cila është një forcë e jashtme dhe e përkohshme lëvizëse e afekteve dhe pasioneve, por në pjesëmarrjen aktive në jetën praktike, si ndërtues, organizator, “bindës i përhershëm” dhe jo  orator i kulluar – e në të njëjtën kohë sipëror ndaj shpirtit matematikor abstrakt; nga teknika-si-punë ai arrin në teknikën-si-shkencë dhe në konceptimin humanist të historisë, pa të cilin ai mbetet “specialist” dhe nuk bëhet dot “drejtues” (specialist dhe politikan).” Kjo trini, ky uniteti i teknikës si punë, teknikës si shkencë dhe dijes humaniste arrihet nëpërmjet gërshetimit të punës prodhuese materiale dhe dijes organizative të fituar në fabrikë me punë intelektuale të fituar brenda terrenit ideologjik. Brenda procesit të punës materiale punëtori fiton dijen organizative, disiplinën, ndërsa në terrenin ideologjik (parti, organizatë, kulturë) ai fiton një vetëdije universale, duke u shndërruar kësisoj në intelektual të klasës punëtore.

Hegjemonia

Uniteti i punës muskulore-nervore me përpunimin intelektualo-celebral, pra intelektuali organik në momentin që arrin t’i asimilojë intelektualët tradicionalë në projektin e ri politik, mund të themi që ka arritur në një moment të rëndësishëm të ndërtimit të hegjemonisë. Struktura ideologjike, partia ose organizata në të cilën realizohet uniteti i parë, është e njëjta strukturë e cila farkëton edhe unitetin e dytë. Partia si bashkim intelektualësh (organizatorësh dhe drejtuesish) është subjekti përbashkues dhe universalizues i këtyre dy llojeve të intelektualëve. Partia e fuqizuar nga bashkëlidhja e këtyre dy formave të intelektualit krijon drejtues, organizatorë e bindës të përhershëm për të gjitha funksionet shoqërore. Pikërisht këta të fundit ushtrojnë funksionin e hegjemonisë mbi shoqërinë. Si fillim funksioni i tyre është ai i korrjes së konsensusit të masave që vjen si pasojë e prestigjit të funksionit të klasës së tyre në botën e prodhimit. Punëtori si prodhues i të mirave materiale ka patjetër një prestigj dhe respekt të lartë shoqëror. Të njëjtin prestigj dhe respekt ngjallin edhe intelektualët tradicionalë: mjekët, mësuesit, avokatët, inxhinierët. Kur Gramsci flet për intelektualët e llojit rural, të cilët janë në pjesën dërrmuese tradicionalë, thotë se ata kanë si funksion teknik ashtu edhe politik. Shkruan ai: “…në fshat intelektuali (prift, avokat, mësues, noter, mjek etj.) ka një mënyrë jetese mesatarisht më të lartë ose së paku të ndryshme nga ajo e fshatarit mesatar, e për këtë arsye ai përfaqëson për këtë të fundit një model shoqëror për aspiratën e tij për të dalë gjendja ku ndodhet dhe për ta përmirësuar atë. Fshatari mendon gjithmonë që së paku njëri nga fëmijët e tij do të mund të bëhet intelektual (në mënyrë të veçantë prift), domethënë të bëhet zotëri, duke e ngritur kësisoj nivelin shoqëror të familjes dhe e lehtësuar jetën e saj ekonomike me anë të lidhjeve, të cilat është e pamundur të mos i ketë, me zotërinjtë e tjerë.” Ai është njëkohësisht ndërmjetësues (funksioni teknik) mes fshatarit dhe shtetit (pushtetit qendror dhe lokal) dhe drejtues (funksioni politik). Intelektuali rural tradicional, i cili është i lidhur me masën fshatare dhe mikroborgjezinë e qytetit (qytetet e vogla), është një subjekt që korr lehtësisht konsensus duke u kthyer në model shoqëror dhe përfaqësues politik i interesave të masave të gjera. Çdo përpjekje për të vendosur hegjemoninë shoqërore duhet të kalojë nga këto dy lloje intelektualësh. Përfaqësimi i ri politik duhet të përqendrohet në intelektualin organik dhe atë tradicional, si e vetmja mënyrë për ta vënë në krizë modelin e sipërmarrësit si përfaqësues dhe drejtues politik. Vetëm kështu mund të përparojmë në krijimin e një hegjemonie të re dhe të një blloku të ri historik i cili bashkon punëtorët, fshatarët dhe mikroborgjezinë qytetase.

Në një moment të dytë, pas shtrirjes së hegjemonisë në shoqërinë, vjen marrja e pushtetit politik në të cilin hegjemonia shtrihet edhe në sundimi mbi klasat në të cilat shtrirja e konsensusit ka qenë i vagullt ose inekzistent si pasojë e interesave të kundërta me klasat ose bllokun historik sundues të ri. Në këtë pikë realizohet uniteti i hegjemonisë së bllokut të ri historik i cili – pikërisht nisur nga forcat e reja prodhuese të zhvilluara në gjirin e strukturës ekonomike, nga vetëdija e re e krijuar dhe i organizuar dhe udhëhequr nga intelektualët dhe nga vizioni i tyre përbashkues – arrin t’i japë jetë projektit të tij ekonomiko-politik.

Imazhi: Vicenzo Maddaloni

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.