Demaskim dhe maskim!

/Klodi Hoxha/ Demaskim do të thotë t’i heqësh maskën diçkaje apo dikujt, të nxjerrësh hapur para të gjithëve fytyrën e vërtetë të dikujt, qëllimet e planet e fshehta, pikëpamjet e mendimet e gabuara a armiqësore të tij; nxjerr në shesh (tamam në shesh) anët e dobëta të dikujt a të diçkaje. De-masko/pa maskë, prandaj ky akt mbetet shumë i vështirë dhe guximtar për t’u ndërmarrë seriozisht. Por, ndërkohë sot çuditërisht demaskimi është bërë një dukuri e përditshme dhe krejt e lehtë. Por pse po ndodh kështu? – lind pyetja nga dikush që ndjek kronikën e lajmeve rastësisht në një pasdite. Dhe një tjetër që e ndjek rregullisht televizorin, aq sa tashmë i duket ‘mjeti më rrenacak’ i përgjigjet: “Kjo, miku im, ndodh sepse çdo ditë na shfaqen nëpërmjet kësaj pajisjeje zëra që ngrenë ‘akuza’ ndaj një pale tjetër, që tregojnë me demek fakte ‘demaskuese’ për dikë, paraqesin ‘arritjet’ në arrestimin e ‘kriminelëve’, shpalosin me ego programet për ‘reformimin’ e X fushe dhe përparimin e vendit dhe flasin me ‘përkushtim’ për popullin dhe mjeranët. Por mos u gënje or mik sepse demaskimi në media (që nuk ndërmjetësojnë asgjë përpos se funksionojnë si tuba nxjerrës të tymit të aparateve pushtetore) është Maskimi më profesional i Demaskimit. Bëj një deshifrim të thjeshtë të fjalëve dhe do e kuptosh: akuzë-lajkë, demaskim-mbulo mjeshtërisht, arritje-fundosje, u arrestuan  kriminelë- kriminelët e vërtetë janë më të lirë se vetë liria, reformim-shtrembërim, përkushtim-cinizmi në kulm. Oh të lutem, hë pra bëji pak llogaritë e asaj që shikon në atë katrorin në qoshen e dhomës tënde; Parlamenti, që duhej të ishte vendi më serioz i vendimmarrjes së politikave për vendin, është vendi ideal për të provuar se rrugaçët e maskuar si deputetë dinë akoma të godasin grusht, është vendi ku interpelanca e radhës kthehet sa hap e mbyll sytë në interpelancë sharjesh dhe fyerjesh. Imagjino pak sikur secili kah partiak që vjen në pushtet t’i merrte seriozisht ato që i thotë në parlament dhe nëpër komunikata gjatë kohës kur është në opozitë?! Ose më mirë imagjino këtë utopinë tjetër: sikur qeveria t’i kishte me tërë mend ato që na shfaqen aty në qoshkun e dhomës! Hej, mos mendo si shumë se do kalosh vet pastaj në utopi. Por do thuash ti, pse ka vjedhje dhe vrasje çdo ditë?! Ka, sepse ky është kapitalizmi or mik, ngopet ai që ka, dhe ai që s’ka edhe nëse nuk do është i detyruar (ashtu siç është dielli që të perëndojë çdo pasdite) të vjedhë  për mbijetesë ose të vdesë ndershmërisht hero i urisë dhe dembel në sytë e borgjezit. TV të thotë që u hapën mijëra vende të reja pune, dhe do e besosh?? Pa provo të endesh nëpër qytet sa të papunë do takosh, do habitesh dhe do thuash me vete: ‘Kush po gënjen? Ky rreckaman apo ky me kostumin smoking??’ -Domosdo që më i besueshëm është ky i dyti që të shfaqet në ekran si i zgjedhuri i të parit, por fakti (i papuni në rrugë) është ilustrim i demaskimit ndaj maskimit pas ekranit. U bë festë e madhe kur morëm statusin kandidat për në BE, e ndoqe në TV apo jo? Por shiko, ata nuk humbën gjë e as ne nuk fituam diçka me këtë, ne kemi qenë dhe jemi pjesë e Evropës qëkur kontinenti ka marrë emrin, por kjo aleancë është maskimi i radhës i klanit klasor vendimmarrës të këtij bashkimi. Politika reformuese gjithandej?! Po, është e vërtetë që jemi keq dhe se fjala ‘reformë’ lind si pasojë e diçkaje që duhet rregulluar, por kjo fjalë në gojën e ‘dashamirësve’ është e maskuar dhe demaskimi i saj është rezultati real kur implementohen këto reforma. Premtimet dhe programet e stolisura në fushatat elektorale po ashtu janë maskim i dëshirës për pushtet. Sikur vetëm lekët që derdhen nëpër fushata, nëpër pritje ceremoniale të krerëve diplomatikë  të huaj (dhe këtu se mbaj dot të qeshurën nga farsa që shikojmë në k’to takime) nëpër festime ditëlindjesh apo nëpër makina të blinduara, atëherë në vend s’do kishte këmbë të zbathur dhe bark të uritur. Nuk e beson? Atëherë miku im ose je i verbuar ose realitetin e sheh me sy të maskuar!” Dhe dëgjuesi rastësor me një pamje sikur përpara syve i kaloi filmi i jetës përgjigjet i humbur nëpër  fjalë : ” E kuptova shumë mirë, thelbi është demaskimi, demaskim deri nën lëkurë për çdo fushë dhe po e bind veten me një citat-argument që ka shkruar në 1901-1902 udhëheqësi i Rusisë revolucionare, se; “Agjitatori do të marrë shembullin, që njihet më mirë nga të gjithë dëgjuesit e tij dhe që është më i qartë, -për shembull, vdekjen nga uria të një familje të papunësh, shtimin e varfërisë etj.- dhe do t’i përqendrojë të gjitha përpjekjet e veta në më mënyrë që, duke përdorur këtë fakt, që njihet nga të gjithë dhe nga secili, t’i japë ‘masës’ një ide: idenë e absurditetit të kontradiktës midis shtimit të pasurisë dhe shtimit të varfërisë, do të përpiqet të ngjallë në masën, ndjenjën e pakënaqësisë dhe të revoltimit kundër kësaj padrejtësie flagrante, duke ia lënë propagandistit që të japë një shpjegim të plotë të kësaj kontradikte. Një nga kushtet kryesore për ta zgjeruar si duhet agjitacionin politik është organizimi i demaskimeve politike të gjithanshme, me anën e fakteve dhe ngjarjeve politike konkrete medoemos aktuale. Demaskimet politike janë vetvetiu një nga mjetet e fuqishme për ta shkatërruar regjimin armiqësor”. Por jam njëkohësisht i habitur, se si ka mundësi që në media shfaqen me dhjetëra “agjitatorë dhe propagandues” , dhe prapë nuk demaskojnë asgjë veçse maskokan çdo gjë me fjalë që në dukje janë demaskuese?! Dhe fjalët e 1902-it që i përshtaten 2014-ës, pse nuk më dalin llogaritë, si ka mundësi, a mund të kemi revolucion sot vallë?! Shiko or mik, ky është dallimi: ata të sotshmit kanë vetëm fjalë, jo vepra demaskuese!  Eh, fjalët e mençura nuk kanë moshë, një sistem i kalbur që i vjen era çdo vit dhe më tepër aq sa bëhet i padurueshëm, ai po që mund të ketë vdekje! Ndoshta as unë, as ti nuk do bëjmë kurrë revolucion, por të tjerët pas nesh dikur do lodhen, nuk do durojnë më, maskat do bien dhe demaskimet do marrin jetë në trajtë të plotë, atëherë kur maskimi të jetë maskim dhe demaskimi demaskim, do ndodhë ngjarja e madhe, historitë e lavdishme që po lexon ti do përsëriten padyshim. E deri sa të kesh frymën, merr frymë revolucionarisht, shkruaj si demaskues dhe fol si agjitator!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.