Ç’të bëjmë me kapitalizmin? II

/Erik Olin Wright/

Vijim

Rezistenca ndaj kapitalizmit

Shprehja “rezistencë ndaj kapitalizmit” mund të përdoret si term gjithëpërfshirës për betejat antikapitaliste. Unë do ta përdor në një kuptim më të ngushtë për të evidentuar përpjekjet që i kundërvihen kapitalizmit nga jashtë sferës së shtetit, pa synuar marrjen e pushtetit shtetëror. Zbutja dhe çmontimi i kapitalizmit kërkojnë nivele të larta të veprimit kolektiv të qëndrueshëm prej organizatave koherente, sidomos partive politike, që orvaten të ushtrojnë pushtetin shtetëror. Zbutja e kapitalizmit shpreson në përdorimin e pushtetit shtetëror për të neutralizuar dëmet që sjell kapitalizmi; çmontimi i kapitalizmit imagjinon kthimin e pushtetit shtetëror kundër vetë kapitalizmit. Rezistenca ndaj kapitalizmit, siç do ta përdor këtu, mund të orvatet të ndikojë shtetin apo të bllokojë veprimet e shtetit, por jo të ushtrojë pushtetin shtetëror.

Rezistenca ndaj kapitalizmit kërkon të lehtësojë dëmet e sistemit, por jo të marrë pushtetin shtetëror. Në fakt kërkon të ndikojë sjelljen e kapitalistëve dhe elitave politike nëpërmjet protestës dhe formave të tjera të rezistencës jashtë sferës së shtetit. Mund të mos ia dalim të transformojmë kapitalizmin, por mund të mbrohemi nga dëmet e tij duke bërë trazira, protestuar dhe rritur kostot e veprimeve të elitave. Kjo është strategjia e aktivistëve të shumëllojshëm: mjedisorë që protestojnë kundër mbetjeve toksike dhe zhvillimit që shkatërron mjedisin; lëvizje të konsumatorëve që organizojnë bojkotimin e korporatave grabitqare; avokatë aktivistë që mbrojnë të drejtat e imigrantëve, të varfërve dhe pakicave seksuale. Kjo është edhe logjika strategjike e sindikatave që organizojnë greva për pagë dhe kushte pune më të mira.

Në njëfarë mënyre, rezistenca ndaj kapitalizmit është me gjasë përgjigjja më e kudogjendur ndaj dëmeve të këtij sistemi. Rrënjët e saj janë në shoqërinë civile dhe lidhen me solidaritetin që haset në vendin e punës dhe komunitet. Shpeshherë agjendën e rezistencës ndaj kapitalizmit e frymëzon një gamë e gjerë identitetesh përtej klasës shoqërore: etnia, feja, raca, gjinia. Në format e veta më të organizuara, rezistenca ndaj kapitalizmit bëhet kryesisht nga lëvizjet shoqërore dhe lëvizja punëtore. Po edhe kur sindikatat janë të dobëta dhe mjedisi politik armiqësor e vështirëson protestën shoqërore kolektive, punëtorët në fabrika mund t’i rezistojnë shtypjes dhe shfrytëzimit të proceseve të punës dhe marrëdhënieve klasore kapitaliste. Një tipar thelbësor i shfrytëzimit është se shfrytëzuesit varen nga përpjekja e të shfrytëzuarve. Dhe përderisa njerëzit nuk janë robotë, kjo do të thotë se në njëfarë mënyre ata kanë mundësi ta kufizojnë përpjekjen dhe zellin e tyre në punë. Kjo është forma më bazike e rezistencës ndaj kapitalizmit.

Arratisja nga kapitalizmi

 Një prej përgjigjeve më të vjetra ndaj shkretimeve që ka sjellë kapitalizmi ka qenë arratisja. Në përgjithësi arratisja nga kapitalizmi mund të mos jetë kristalizuar në ideologji antikapitaliste sistematike, por gjithsesi ka logjikë koherente:

Kapitalizmi është një sistem shumë i fuqishëm, prandaj nuk mund të shkatërrohet. Zbutja e vërtetë e kapitalizmit, lere më çmontimi i tij, do të kërkonte një nivel veprimi kolektiv të qëndrueshëm që nuk është realist dhe, tekefundit, sistemi në tërësi është aq i gjerë e kompleks sa nuk mund të kontrollohet efektivisht. Të pushtetshmit janë aq të fuqishëm, saqë nuk mund të rrëzohen; madje ata do ta kooptojnë ngaherë opozitën dhe mbrojnë privilegjet e tyre. Nuk mund t’i biesh murit me kokë. Le plus ça change, le plus c’est le même chose. Zgjidhja më e mirë është të përpiqemi të mbrojmë veten nga efektet e dëmshme të kapitalizmit dhe ndoshta t’u përvidhemi shkretimeve të kapitalizmit në ndonjë mjedis të izoluar. Ne mund të mos ia dalim të ndryshojmë botën e madhe, por mund ta heqim veten mënjanë sa të jetë e mundur nga rrjeta e mbisundimit dhe të krijojmë mikroalternativat tona për të jetuar e lulëzuar.  

Ky impuls arratie pasqyrohet në shumë prej përgjigjeve aktuale ndaj dëmeve të kapitalizmit. Lëvizja e fermerëve të varfër drejt kufirit perëndimor në SHBA e shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte për shumëkënd aspiratë për vetëmjaftueshmëri bujqësore në vend të prodhimit për tregun. Bashkësitë utopike të shekullit të nëntëmbëdhjetë u përpoqën të krijonin bashkësi thuajse të vetëmjaftueshme të cilat do të funksiononin bazuar në parimet e barazisë dhe reciprocitetit. Kooperativat punëtore përpiqen t’i organizojnë vendet e punës sipas parimeve të demokracisë, solidaritetit dhe barazisë, pa tëhuajësimin dhe shfrytëzimin që karakterizon firmat kapitaliste. Arratisja nga kapitalizmi gjendet edhe në moton e hipive të viteve 1960 “ndizu, akordohu, tërhiqu!”. Përpjekjet e disa grupeve fetare, si p.sh. amishët, për të ngritur barriera midis vetes dhe pjesës tjetër të shoqërisë kërkon largimin sa të jetë e mundur nga trysnia që ushtron tregu kapitalist. Karakterizimi i familjes si “strehë në një botë të pashpirt” shpreh idealin e familjes si një hapësirë shoqërore jokonkurruese të bazuar te reciprociteti dhe kujdesi, ku njeriu mund të mbrohet nga bota e egër konkurruese e kapitalizmit.

Arratisja nga kapitalizmi karakterizohet zakonisht nga shmangia e angazhimit politik, sidomos e përpjekjeve kolektive të organizuara, për të ndryshuar botën. Sidomos në ditët e sotme arratisja është shpesh një strategji e mënyrës individualiste të jetesës. Dhe nganjëherë është strategji individualiste që varet nga pasuria kapitaliste, si në stereotipin e bankierit të suksesshëm të Wall Street-it që vendos “ta braktisë garën e ethshme” dhe të zhvendoset në Vermont për të përqafuar një mënyrë të thjeshtë jetese, ndërsa vazhdon të jetojë me paratë e fituara nga investimet kapitaliste.

Për shkak të mungesës së politikës, është kollaj ta shpërfillësh antikapitalizmin e arratisjes nga kapitalizmi, sidomos kur pasqyron privilegjet e fituara brenda kapitalizmit. Është e vështirë ta marrësh udhëtarin nëpër zona të egra, i cili u bie kryq e tërthor rajoneve të largëta me pajime të shtrenjta për “t’u arratisur nga gjithë ky lëmsh”, si shprehje kuptimplote e kundërshtisë ndaj kapitalizmit. Prapëseprapë ka shumë shembuj të arratisjes nga kapitalizmi që mund të cilësohen antikapitaliste. Bashkësi të ndryshme mund të motivohen nga dëshira për t’iu arratisur trysnive të kapitalizmit, po nganjëherë mund të shërbejnë edhe si modele për mënyra jetese më kolektive, barazimtare e demokratike. Afërmendsh, kooperativat, të cilat shpesh motivohen kryesisht nga dëshira për t’iu arratisur vendeve autoritare të punës dhe shfrytëzimit të firmave kapitaliste, mund të shndërrohen edhe në elementë të një kundërshtie më të gjerë ndaj kapitalizmit dhe në blloqe ndërtimi të një forme alternative të ekonomisë. Lëvizja (DIY – do-it-yourself – bëje vetë!) mund të motivohet nga të ardhurat e pakta individuale në kohë krize, por mundet gjithashtu të na tregojë udhën drejt mënyrave të organizimit të veprimtarisë ekonomike që janë më pak të varura nga këmbimi në treg. Dhe më përgjithësisht, “mënyra e jetesës” e bazuar te thjeshtësia e vullnetshme mund të kontribuojë në refuzimin e gjerë të konsumizmit dhe shqetësimit për rritjen ekonomike në kapitalizëm.

Konfigurime strategjike

Pesë logjikat strategjike që kemi ekzaminuar lëvizin në dy dimensione. I pari është i thjeshtë: a ka strategjia për objektiv parësor neutralizimin e dëmeve apo tejkalimin e strukturave? Zbutja e kapitalizmit dhe rezistenca ndaj kapitalizmit kërkojnë të neutralizojnë dëmet. Shkatërrimi, çmontimi dhe arratisja nga kapitalizmi përpiqen të tejkalojnë strukturat e kapitalizmit.

Dimensioni i dytë është më kompleks. Ai ka të bëjë me mënyrën si orientohet një strategji drejt atij që mund të quhet “niveli” i një sistemi shoqëror. Po shpjegohem duke përdorur metaforën e një loje.

Lojërat përkufizohen nga bashkësia e rregullave, po disa rregulla mund të ndryshojnë në kohë pa e vënë në pikëpyetje lojën. Qartazi disa rregulla janë themelore në përkufizimin e natyrës së një loje; ato përkufizojnë se ç’lojë po luhet. Këto mund t’i quajmë rregulla themelore të lojës. Të tjera rregulla thjesht ndikojnë strategjitë e lojtarëve brenda lojës. Marrim shembullin e një sporti. Regbia dhe futbolli janë dy lojëra të ndryshme. Një prej rregullave themelore që i dallon këto lojëra ka të bëjë me faktin nëse lejohet ta prekësh topin me dorë dhe të vraposh me të. Në regbi të lejohet, por jo në futboll. Nëse trupa ndërkombëtare që rregullon futbollin do të vendoste se lejohet prekja e topit me dorë dhe vrapimi me të, atëherë kjo lojë nuk do të ishte më futboll. Nga ana tjetër, ndryshimet në rregullin e pozicionit jashtë loje nuk janë të të njëjtit karakter: rregulli i pozicionit jashtë loje u vendos më 1863 për t’u ndaluar sulmuesve të rrinin te porta kundërshtare në pritje të topit. Rregulli fillestar specifikonte se lojtari ishte në pozicion jashtë loje nëse nuk kishte tre lojtarë përpara vetes. Numri i lojtarëve kundërshtarë u ul në dy në vitin 1925 dhe, në fund, më 1990 mori trajtën aktuale: një lojtar është quhet brenda lojës kur është në të njëjtin nivel me lojtarin e fundit kundërshtar (përveç portierit). Këto ndryshime të rregullave patën ndikim në lëvizjet e mundshme të lojtarëve, por ato nuk ndryshuan natyrën bazike të lojës.

Tani mendojmë shoqërinë si lojë: konfliktet shoqërore mund të ndodhin në nivelin e lojës që do të luajmë, në atë të rregullave të ndryshueshme të lojës dhe në lëvizjet brenda një bashkësie specifike rregullash. Tabela 1 ilustron konfliktet brenda dhe mbi kapitalizmin. Konfliktet mbi lojën që do të luajmë janë politika revolucionare kundër politikës kundërrevolucionare. Pikësynimi është nëse do të luajmë lojën e kapitalizmit apo socializmit. Brenda lojës së kapitalizmit, politika reformiste kundër politikës reaksionare e zhvendos konfliktin drejt rregullave të ndryshueshme të lojës. Pikësynimi këtu ka të bëjë me llojin e kapitalizmit që duhet të mbisundojë sistemin ekonomik – për shembull, kapitalizmi socialdemokrat me rregulla që zvogëlojnë rreziqet dhe pësimet, si dhe mbrojnë organizimet kolektive të punëtorëve, apo kapitalizmi neoliberal me rregulla që mbrojnë pushtetin e korporatave, ndalojnë ndërhyrjet shtetërore rishpërndarëse në treg dhe reduktojnë prodhimin e të mirave publike. Në fund kemi konfliktin mbi lëvizjet brenda lojës, ku futet politika e zakonshme e grupeve të interesit, në të cilën individët dhe kolektivët përdorin strategji për të përmbushur interesat e tyre ekonomike, duke mos prekur rregullat e lojës.

Metafora e lojësForma e konfliktit politikPikësynimet e konfliktitLogjika e transformimit
Ç’lojë të luajmëRevolucionar vs kundërrevolucionarKapitalizëm vs socializëmThyerje
Rregullat e lojësReformist vs reaksionarLloje të kapitalizmitSimbiozë
Lëvizjet në lojëPolitikë e grupeve të interesitInteresa ekonomikë të drejtpërdrejtëMargjinë
Tabela 1. Metafora e lojës për konfliktet politike brenda dhe mbi kapitalizmin

Burimi: I përshtatur nga libri i Robert Alford-it dhe Roger Friedland-it, The Powers of Theory: Capitalism, the State, and Democracy (Cambridge University Press, 1985), f. 6–11.

Treshja lojëra/rregulla/lëvizje përkon me çka mund të quhen tri logjikat e transformimit shoqëror: transformime thyerëse, transformime simbiotike dhe transformime margjinale. Transformimet thyerëse shkaktojnë zhvazhdimësi në strukturat shoqërore, një goditje të rrufeshme në natyrën e lojës. Transformimet simbiotike janë më komplekse; ato sjellin ndryshime në rregullat e një sistemi shoqëror që njëkohësisht e bëjnë sistemin të funksionojë më mirë dhe zgjerojnë hapësirën e transformimeve të mëtejshme. Në fund, transformimet margjinale vijnë si pasojë e efektit kumulativ të lëvizjeve brenda rregullave ekzistuese të lojës.

Kthehemi tani te pesë logjikat strategjike të antikapitalizmit. Shkatërrimi i kapitalizmit është një strategji që përkufizohet në nivelin e zgjedhjes se cila lojë do të luhet; zbutja dhe çmontimi i kapitalizmit përkufizohen në termat e rregullave të lojës; dhe rezistenca e arratisja nga kapitalizmi operojnë në nivelin e lëvizjeve brenda lojës. Duke i bërë bashkë dy dimensionet, kemi tipologjinë e ilustruar në tabelën 2.

Tabela 2. Tipologjia e strategjive antikapitaliste

Sigurisht që lëvizjet politike e shoqërore historike nuk e kufizojnë veten në një qelizë të kësaj tipologjie. Në shekullin e njëzetë, komunistët revolucionarë mbronin në mënyrë eksplicite kombinimin e rezistencës ndaj kapitalizmit me shkatërrimin e kapitalizmit. Militantët komunistë inkurajoheshin të merrnin pjesë aktivisht brenda lëvizjes punëtore duke besuar se kjo ishte një pjesë thelbësore e ndërtimit të solidaritetit punëtor dhe e transformimit të ndërgjegjes punëtore. Strategjia drejtohej ende kah një thyerje sistemore e organizuar nëpërmjet kontrollit të pushtetit shtetëror, por një pjesë thelbësore e procesit përmes të cilit mendohej se diçka e tillë do të mundësohej “kur të piqeshin kushtet” ishte përfshirja energjike e Partisë Komuniste në rezistencën militante ndaj kapitalizmit brenda lëvizjes punëtore.

Socializmi demokratik e braktisi idenë e shkatërrimit të kapitalizmit, por ende ndiqte një strategji që mbarmësisht i tejkalonte strukturat e tij duke e çmontuar gradualisht kapitalizmin. Konfigurimi strategjik kombinoi reformat për të neutralizuar dëmet e kapitalizmit me përpjekjet për të ndërtuar një sektor shtetëror të fortë dhe mbështetur lëvizjen punëtore.

Edhe socialdemokracia i reziston kapitalizmit, por e kombinon atë me zbutjen e kapitalizmit duke i shmangur thuajse të gjitha përpjekjet për ta çmontuar sistemin ekzistues. Këtu lëvizja punëtore organizohej pranë partive socialdemokrate. Në të vërtetë disa herë kjo lidhje mori trajtën e partive socialdemokrate të cilat praktikisht ishin krahu politik i lëvizjes punëtore. Pjesa më e madhe e reformizmit progresist të socialdemokracisë buronte nga ndikimi i lëvizjes punëtore në politikën socialdemokrate, si dhe një prej arsyeve të rënies së antikapitalizmit brenda socialdemokracisë gjendet në degradimin e militantizmit punëtor në rezistencë ndaj kapitalizmit.

Ndonjëherë partitë socialdemokrate kanë pasur krahë të fuqishëm të majtë me aspirata politike që shkonin përtej zbutjes së kapitalizmit dhe kërkonin çmontimin e tij. Kështu ka ndodhur në Suedinë e fillimviteve 1970, kur socialdemokratët e majtë propozuan një politikë, të quajtur Plani Meidner (sipas ekonomistit suedez Rudolf Meidner), nëpërmjet të cilit sindikatat suedeze, me kalimin e kohës, do të bëheshin aksionaret shumicë të korporatave suedeze. Kjo ishte vërtet një strategji e çmontimit të një pjese të pushtetit të kapitalit. Plani, në formën e vet radikale, u mposht politikisht dhe socialdemokratët suedezë u tërhoqën në pozitat më të sigurta të zbutjes së kapitalizmit.

Lëvizjet shoqërore me prirje anarkiste që u përgjigjen dëmeve të kapitalizmit, shpesh i rezistojnë kapitalizmit vetëm si përgjigje mbrojtëse ndaj shkretimeve të tij, po ndonjëherë rezistenca kombinohet me praktika që kërkojnë të ndërtojnë alternativa ndaj marrëdhënieve kapitaliste. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë kooperativat dhe shoqëritë e ndihmës reciproke lindën shpesh në kontekstin e rezistencës ndaj kapitalizmit, ndërkohë që në bashkëkohësi lëvizjet shoqërore kanë nxitur shpesh forma solidare dhe shoqërore të ekonomisë. Në disa raste, si ai i lëvizjes së fshatarëve pa tokë në Brazil, mësymja e tokave të papërdorura dhe ndërtimi i strukturave ekonomike alternative bëhen mjete qendrore të vetë rezistencës.

Këto katër konfigurime kanë qenë përgjigjet strategjike kryesore ndaj padrejtësisë dhe shtypjes në shoqëritë kapitaliste të shekullit të njëzetë. Nga fundi i shekullit, dy të parat pothuajse u zhdukën nga peizazhi politik, së paku në vendet e zhvilluara kapitaliste. Komunizmit revolucionar i mungonte besueshmëria për shkak të kolapsit të regjimeve që përdorën strategji thyerjeje për të çmontuar kapitalizmin, ndërsa socializmi demokratik u margjinalizua për shkak të dështimeve të përsëritura për të ruajtur një strategji elektorale të ndërtimit të një sektori socialist shtetëror brenda ekonomive kapitaliste. Edhe socialdemokracia e vendeve të zhvilluara kapitaliste ka rënë, në mos është zhdukur fare, dhe e ka humbur thuajse krejt lidhjen me militantizmin punëtor. Forma më dinamike e kapitalizmit në dekadat e para të shekullit të njëzetenjë e ka hedhur spirancën në lëvizje shoqërore, shpesh me rryma të forta anarkiste, të cilat vazhdojnë të deklarojnë se “një botë tjetër është e mundshme”. Në të shumtën e rasteve kjo rezistencë ndaj kapitalizmit është e shkëputur nga një projekt politik gjithëpërfshirës që i drejtohet pushtetit politik, kësisoj edhe nga partitë politike. Sidoqoftë, së paku në disa nga lëvizjet antikapitaliste në Amerikën Latine dhe Evropën jugore mund të ngjizen fillesat e një ideje të re strategjike që kombinon iniciativat nga poshtë të shoqërisë civile që i reziston dhe arratiset nga kapitalizmi me strategjitë shtetërore nga lart të zbutjes dhe çmontimit të kapitalizmit. Ky konfigurim i ri strategjik, që mund të quhet gërryerje e kapitalizmit, ilustrohet në tabelën 3.

Tabela 3. Shpërbërja e kapitalizmit

Gërryerja e kapitalizmit

Ndonëse ideja strategjike e gërryerjes së kapitalizmit ndonjëherë nënkuptohet në luftërat shoqërore e politike, në përgjithësi nuk shihet si parim organizues qendror i një përgjigjeje ndaj padrejtësisë shoqërore. Arsyeja e kësaj shpjegohet si vijon:

Strategjia e gërryerjes bazohet në një kuptim të veçantë të konceptit të sistemeve ekonomike. Marrim rastin e kapitalizmit. Asnjë ekonomi nuk ka qenë – as mund të jetë – tërësisht kapitaliste. Kapitalizmi përkufizohet nga kombinimi i këmbimit tregtar me pronësinë private të mjeteve të prodhimit dhe punësimin e rrogëtarëve përmes tregut të punës. Sistemet ekonomike ekzistuese kombinojnë kapitalizmin me një sërë mënyrash të tjera të organizimit të prodhimit dhe shpërndarjes së të mirave e shërbimeve: drejtpërdrejt nga shteti; brenda marrëdhënieve intime familjare për të plotësuar nevojat e anëtarëve; përmes rrjeteve dhe organizatave komunitare në atë që quhet shpesh ekonomi shoqërore dhe solidare; përmes kooperativave në pronësi dhe të qeverisura nga demokratikisht nga anëtarët e tyre; përmes organizatave jofitimprurëse të orientuara nga tregu; përmes rrjeteve shoqërore (peer-to-peer) që angazhohen në procese prodhuese bashkëpunuese; e shumë mundësi të tjera. Disa prej këtyre mënyrave të organizimit të veprimtarive ekonomike mund të mendohen si hibride pasi kombinojnë elementë kapitalistë dhe jokapitalistë; disa janë tërësisht jokapitaliste; dhe disa janë antikapitaliste. Po t’i kthehemi metaforës së lojës, në sistemet ekonomike reale luhen njëkohësisht një larmi lojërash, secila me rregullat dhe lëvizjet e veta. Këtë sistem ekonomik kompleks e quajmë “kapitalist” në rastin kur kapitalizmi është mbisundues në përcaktimin e kushteve ekonomike të jetesës dhe të qasjes në të mirat jetësore për shumicën e njerëzve. Ky mbisundim është thellësisht shkatërrimtar. Një mënyrë e sfidimit të kapitalizmit është ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike më demokratike, barazimtare e pjesëmarrëse kurdo që është e mundur në hapësirat dhe të çarat brenda këtij sistemi kompleks. Ideja e gërryerjes së kapitalizmit imagjinon se këto alternativa kanë potencialin, në afatgjatë, për t’u fuqizuar mjaftueshëm në jetën e individëve e komuniteteve sa për ta zhvendosur kapitalizmin nga pozita mbisunduese në sistem.

Për të qartësuar këtë ide mund të na shërbente një analogji e përciptë me ekosistemin në natyrë. Mendoni një liqen. Liqeni përbëhet nga uji në një peizazh, me lloje të caktuara toke, terreni, burimesh ujore e klime. Në ujërat e tij jetojnë një sërë peshqish e krijesash të tjera, si dhe në të dhe rreth tij gjallojnë bimë të ndryshme. Së bashku të gjithë këta elementë përbëjnë ekosistemin natyror të liqenit. Ky është “sistem” për faktin se gjithçka ndikon gjithçka tjetër brenda tij, por nuk është si sistemi i një organizmi të vetëm në të cilin të gjitha pjesët lidhen funksionalisht në një të tërë koherente e të fortintegruar. Në përgjithësi sistemet shoqërore mendohen më mirë si ekosisteme të pjesëve ndërvepruese që nuk lidhen ngushtë dhe jo si organizma në të cilin të gjitha pjesën kanë një funksion. Në këtë ekosistem ekziston mundësia e futjes së llojeve të huaja të peshqve që nuk gjenden “natyrshëm” në liqen. Disa lloje të huaja do të zhdukeshin menjëherë. Të tjera mund të mbijetonin në xhepa të vegjël të liqenit, pa e ndryshuar shumë jetën e përditshme në ekosistem. Po herë pas here një lloj i huaj mund të lulëzonte dhe të zhvendoste llojin mbisundues. Vizioni strategjik i gërryerjes së kapitalizmit përfytyron futjen e larmive më energjike të llojeve emancipuese të veprimtarisë ekonomike jokapitaliste brenda ekosistemit të kapitalizmit, ushqimin e zhvillimit të tyre duke mbrojtur xhepat e tyre dhe gjetur mënyra të zgjerimit të këtyre habitateve. Shpresa e mbrame është se në fund këto lloje të huaja do të derdhen jashtë xhepave të tyre të vegjël dhe do të transformojnë karakterin e ekosistemit në tërësi.

Kjo mënyrë e të menduarit rreth procesit të tejkalimit të kapitalizmit i ngjan historisë të stilizuar që rrëfen kalimin nga shoqëritë feudale parakapitaliste të Evropës në kapitalizëm. Brenda ekonomive feudale të mesjetës së vonë lindën marrëdhëniet dhe praktikat parakapitaliste, sidomos në qytete. Fillimisht ato përfshinin tregtinë, prodhimin artizanal të rregulluar nga esnafet dhe bankat. Këto forma veprimtarie ekonomike zunë xhepa dhe shpeshherë u shërbenin elitave feudale. Brenda këtyre xhepave loja ekonomike zhvillohej me rregulla shumë të ndryshme nga feudalizmi mbisundues. Me zgjerimin e fushëveprimit të veprimtarive tregtare, ato u bënë gradualisht më kapitaliste në karakter dhe, në disa vende, e gërryen mbisundimin feudal  të ekonomisë në tërësi. Përmes një procesi të gjatë e gjarpërues disashekullor, strukturat feudale reshtën së mbisunduari jetën ekonomike në disa cepa të Evropës; feudalizmi ishte gërryer. Ky proces mund të jetë shoqëruar me kryengritje politike, madje edhe revolucione, por në vend që të përbënin ndonjë thyerje të strukturave ekonomike, këto ngjarje politike në përgjithësi kanë shërbyer më shumë për të ratifikuar dhe racionalizuar ndryshimet që kishin ndodhur tashmë brenda strukturës ekonomiko-shoqërore.

Vizioni strategjik i gërryerjes së kapitalizmit e sheh në mënyrë të ngjashme procesin e zhvendosjes së kapitalizmit nga pozita ekonomike mbisunduese. Veprimtari ekonomike alternative e jokapitaliste, që mishërojnë marrëdhënie demokratike e barazimtare, lindin në xhepat e mundshëm brenda një ekonomie të mbisunduar nga kapitalizmi. Këto aktivitete rriten me kalimin e kohës edhe spontanisht, edhe si rezultat i një strategjie të qëllimtë. Disa syresh lindin si adaptime dhe iniciativa nga poshtë brenda komuniteteve. Të tjera organizohen spontanisht ose sponsorizohen nga lart prej shtetit për të zgjidhur probleme praktike. Këto marrëdhënie ekonomike alternative përbëjnë blloqet e ndërtimit të një strukture ekonomike, marrëdhëniet e prodhimit të të cilës karakterizohen nga demokracia, barazia e solidariteti. Herë për të mbrojtur këto hapësira, herë për të ndihmuar mundësitë e reja zhvillohen beteja që përfshijnë shtetin. Herë pas here ata që luftojnë në këto beteja ndeshen me “kufijtë strukturorë të së mundshmes”; për t’i tejkaluar këto mund të kërkohet mobilizim politik më intensiv që synon ndryshimin e tipareve kyçe të “rregullave të lojës” brenda të cilave funksionon kapitalizmi. Ndodh shpesh që mobilizimet të dështojnë, por ka raste kur piqen kushtet për të tilla ndryshime dhe kufijtë e të mundshmes zgjerohen. Në fund, efekti kumulativ i këtij ndërveprimi midis ndryshimit nga lart dhe iniciativave nga poshtë mund të arrijë pikën ku marrëdhëniet socialiste të krijuara brenda ekosistemit ekonomik të bëhen mjaftueshëm të pranishme në jetën e individëve e komuniteteve, sa mund të thuhet se kapitalizmi nuk është më mbisundues.

Ky kompleks strategjik kombinon vizionin progresist socialdemokrat dhe atë të socializmit demokratik të ndryshimit nga lart të rregullave të lojës të kapitalizmit për të neutralizuar dëmet e tij më të mëdha dhe krijuar alternativa të ankoruara në shtet, me vizionet më anarkiste të krijimit nga poshtë të marrëdhënieve të reja ekonomike që mishërojnë aspirata emancipuese. Asnjë lëvizje politike nuk e përqafon haptazi këtë kompleks strategjik të rezistencës, zbutjes, çmontimit dhe arratisjes nga kapitalizmi për të gërryer, në afatgjatë, mbisundimin e tij. Po impulse në këtë drejtim mund të gjenden në parti politike që kanë lidhje të ngushta me lëvizjet shoqërore progresiste, si Syriza në Greqi dhe Podemosi në Spanjë. Gërryerja e kapitalizmit mund të rezonojë edhe me rrymat rinore brenda disa prej partive të qendrës së majtë – si për shembull mbështetësit e Bernie Sanders-it në Partinë Demokratike gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të 2016 apo forcat në mbështetje të Corbyn-it brenda Partisë Laburiste Britanike.

Si vizion strategjik, gërryerja e kapitalizmit është edhe joshëse, edhe e sforcuar. Joshëse sepse sugjeron se edhe kur shteti duket mjaft i papërshtatshëm për të pranuar ndryshimet në drejtim të drejtësisë dhe emancipimit shoqëror, prapëseprapë mund të bëhet shumëçka. Mund të vazhdojmë punën e ndërtimit të një bote të re jo prej hirit të së vjetrës, por brenda margjinave të së vjetrës. Mund të ndërtojmë çka unë i quaj “utopi reale”, copëza pikëmbërritjesh emancipuese përtej kapitalizmit brenda një shoqërie të mbisunduar ende nga kapitalizmi. E sforcuar sepse duke tejet e pamundur që akumulimi i hapësirave ekonomike emancipuese brenda një ekonomie të mbisunduar nga kapitalizmi do të mund ta gërryejë e zhvendosë vërtet kapitalizmin, nëse marrim në konsideratë pushtetin dhe pasurinë e jashtëzakonshme të korporatave të mëdha kapitaliste dhe varësinë e jetës së shumë njerëzve nga funksionimi i patrazuar i tregut kapitalist. Sigurisht, nëse format emancipuese jokapitaliste të veprimtarive dhe marrëdhënieve ekonomike do të fuqizoheshin në pikën që të kërcënonin mbisundimin e kapitalizmit, thjesht do të shtypeshin.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “How to be an Anticapitalist in the Twenty-First Century”, Verso 2019.

Imazhi: Open House Chicago

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.