Kuptimi i jetës për mua

/Jack London/

Linda në klasën punëtore. Që herët zbulova entuziazmin, ambicien dhe idealet; dhe përmbushja e tyre u kthye në problemin e jetës sime fëmijërore. Ambienti rreth meje ishte i vrazhdë, i rreptë dhe i ashpër. Nuk kisha perspektivë, por shihja gjithnjë lart. Vendi im në shoqëri ishte bataku. Aty jeta nuk ofronte asgjë më shumë sesa skamje dhe mjerim, të trupit ashtu si edhe të shpirtit; sepse aty trup e shpirt ishin të uritur e të vuajtur.

Sipër meje lartohej ngrehina gjigande e shoqërisë, e në mendjen time e vetmja rrugëdalje ishte për së larti. Nëpër këtë ngrehinë e ndava mendjen se do të ngjitesha. Aty lart burrat vishnin kostume të zeza e këmisha borë të bardha dhe gratë vishnin fustane të praruara. Kishte gjëra të mira për të ngrënë dhe kishte plot për të ngrënë. Kjo sa i takonte trupit. Pastaj ishin gjërat e shpirtit. Aty sipër meje, unë e dija, ekzistonte bujaria e shpirtit, mendimi i kulluar e i ndershëm, jeta e thukët intelektuale. I dija të gjitha këto sepse kisha lexuar romanet e “Librarisë Anës Detit”, tek e cila, me përjashtim të keqbërësve dhe aventurierëve, të gjithë burrat e gratë bluanin mendime të bukura, flisnin një gjuhë të bukur dhe kryenin vepra të lavdishme. Me pak fjalë, ashtu siç pranoja lindjen e diellit, pranoja edhe se aty sipër meje ishte gjithçka e përkorë dhe fisnike dhe e hijshme, gjithçka që i jepte moral dhe dinjitet jetës, gjithçka që i jepte kuptim të jetuarit dhe që shëlbente vuajtjet dhe mjerimin.

Por nuk është e thjeshtë për dikë nga klasa punëtore që të ngjitet lart – sidomos kur ai është i paaftësuar ngaqë mbart me vete ideale dhe iluzione. Jetoja në një fermë në Kaliforni dhe e kisha të vështirë të gjeja se ku të mbështesja shkallën për t’u ngjitur. Që herët zhbirilova normën e interesit të parave të investuara dhe e vrava trurin tim prej fëmije për të kuptuar virtytet dhe mjeshtëritë e asaj shpikjes mbresëlënëse të njeriut, interesit të përbërë. Për më tepër, shqyrtova normat e pagave të punëtorëve të të gjitha moshave dhe kostot e jetesës. Nga gjithë këto të dhëna dola në përfundimin se nëse do t’ia nisja menjëherë punës dhe do të kurseja para deri sa të shkoja 50 vjeç, atëherë mund ta lija punën dhe të merrja një pjesë të merituar të kënaqësive dhe të mirave që do të ishin të arritshme për mua në shoqërinë aty lart. Padyshim që vendosa të mos martohesha, teksa harrova fare të marr parasysh atë shkëmbin e madh ku përplaset e thërrmohet bota e klasës punëtore – sëmundjen.

Por jeta që gëlonte brenda meje kërkonte diçka më shumë sesa ekzistenca e kruajtjes dhe gërvishtjes. Prandaj në moshën 10-vjeçare fillova të shpërndaj gazeta në rrugët e qytetit dhe e gjeta veten me një perspektivë të ndryshme për lart. Gjithkund më rrethonte vuajtja dhe mjerimi, dhe sipër meje më priste ende e njëjta parajsë për t’u arrirë; por shkallarja e ngjitjes ishte një tjetër. Ishte tashmë shkallarja e biznesit. Përse të kurseja të ardhurat e mia dhe t’i investoja në bono qeveritare, kur duke blerë dy gazeta për pesë qindarka, me një të vërtitur të kyçit të dorës mund t’i shisja për dhjetë qindarka dhe të dyfishoja kështu kapitalin tim?! Shkallarja e biznesit ishte e duhura për mua dhe kisha një vizion për veten time, tek bëhesha një princ i suksesshëm tregtie me flokë të rëna.

I marrtë lumi vizionet! Në moshën 16 vjeç e kisha fituar nofkën “princi”. Por ky titull më ishte dhënë nga një bandë kriminelësh e hajdutësh, sipas së cilëve unë quhesha “Princi i Piratëve të Molusqeve”. Në atë kohë sapo kisha ngjitur shkallën e parë të biznesit. Isha bërë kapitalist. Kisha në pronësi një anije dhe një uniformë pirati molusqesh. Kisha filluar të shfrytëzoja krijesat si unë. Kisha ekuipazh prej një njeriu. Si kapiten dhe pronar merrja dy të tretat nga plaçkitjet dhe i jepja ekuipazhit një të tretën, edhe pse ekuipazhi punonte po aq sa unë dhe e rrezikonte po aq jetën dhe lirinë e tij.

Kjo ishte shkalla më e lartë që ngjita në rrugën e biznesit. Një natë shkova për të plaçkitur mes peshkatarëve kinezë. Litarët dhe rrjetat vlenin dollarë dhe qindarka. Ishte plaçkitje – e pranoj – por ishte në shpirtin e kapitalizmit. Kapitalisti përvetëson punën e krijesave si ai përmes zhvlerësimit, apo përmes mashtrimit, apo duke blerë senatorët dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë. Unë isha veçse paksa më brutal. Ky ishte dallimi i vetëm. Unë përdorja revolen.

Por ekuipazhi im atë natë ishte një nga ata të paaftët të cilëve kapitalisti do t’i hedhë ndonjë rrufe sepse, medet, të tillë të paaftë i rrisin kostot dhe i ulin dividendët. Ekuipazhi im i bëri të dyja këto. Me pakujdesinë e tij i vuri flakën velës qendrore të anijes dhe e shkatërroi atë tërësisht. Nuk kishte asnjë dividend atë natë dhe peshkatarët kinezë ngelën më të pasur nga litarët dhe rrjetat që ne nuk i vodhëm. Unë falimentova, në pamundësi për të shpenzuar 65 dollarë për një velë qendrore të re. Hodha spirancën dhe me një barkë piratësh u nisa për ndonjë plaçkitje në lumin Sacramento. Teksa isha i ikur në këtë udhëtim, një tjetër bandë piratësh ma plaçkiti anijen. Vodhën gjithçka, madje edhe spirancën; dhe më pas, pasi mblodha pjesët e drunjta që kishin ngelur, i shita për 20 dollarë. Sapo më kishte rrëshqitur këmba nga e vetmja shkallë që kisha ngjitur, dhe kurrë më nuk e provova shkallaren e biznesit.

Prej nga ai moment jam shfrytëzuar pa mëshirë nga kapitalistët e tjerë. Unë kisha muskuj dhe ata nxirrnin para prej tyre, teksa unë mezi nxirrja një jetesë tejet indiferente prej tyre. Unë bëja marinarin në direkun kryesor, dokerin, hamallin; punoja në punishte konservash dhe fabrika dhe lavanderi; kositja lëndina, laja tapete, laja dhe dritare. Dhe kurrë nuk mora të gjithë produktin e punës sime. E shihja të bijën e pronarit të punishtes së konservave, në karrocën e saj, dhe e dija se ishin muskujt e mi që kishin ndihmuar, pjesërisht, që të zhvendosej ajo karrocë mbi rrotat prej gome. E shihja të birin e pronarit të fabrikës tek shkonte në kolegj dhe e dija se ishin muskujt e mi që kishin ndihmuar, pjesërisht, për të paguar për verën dhe shoqërinë e zgjedhur që e rrethonte.  

Por nuk e urreja për këtë. Ishte gjithçka pjesë e lojës. Ata ishin të fortët. Shumë mirë, edhe unë isha i fortë. Do ta çaja i vetëm rrugën time mespërmes tyre dhe do bëja para përmes muskujve të të tjerëve. Unë nuk kisha frikë nga puna. Unë e dashuroja punën e rëndë. Do të kridhesha kokë e këmbë e do të punoja më shumë se kushdo dhe do të bëhesha eventualisht një kolonë mbështetëse  e shoqërisë.

E tamam në atë moment, siç e deshi fati, gjeta një punëdhënës që ishte në një mendje me mua. Unë isha i gatshëm të punoja dhe ai ishte më shumë se i gatshëm që unë të punoja. Mendova se po merrja zanat. Në realitet, kisha zëvendësuar dy burra. Mendova se ai po më bënte elektricist; në të vërtetë ai bënte 50 dollarë në muaj nga unë. Dy burrat që kisha zëvendësuar merrnin nga 40 dollarë secili çdo muaj; unë bëja punën e të dyve për 30 dollarë në muaj.

Ky punëdhënës më shtrydhte në punë thuajse për vdekje. Njeriu mund të dashurojë molusqet, por po hëngri shumë molusqe nuk do të priret më drejt asaj diete të caktuar. Njësoj edhe me mua. Puna e rëndë me erdhi në majë të hundës. Nuk më bëhej më të punoja. E lashë punën. U ktheva në një barbon duke lypur derë më derë, vërdallë lart e poshtë Shteteve të Bashkuara duke derdhur djersë të përgjakur nëpër lagje të varfra dhe burgje.

Kisha lindur në klasën punëtore dhe tashmë, në moshën 18 vjeç, ndodhesha në një pikë më të ulët nga isha nisur. Isha thellë në bodrumet e shoqërisë, në gjirizet e nëndheshme të mjerimit për të cilat nuk shihet e udhës që të flitet. Ndodhesha në fund të pusit, në humnerë, në gropën e fekaleve të njerëzimit, nën rrënojat dhe gërmadhat e civilizimit tonë. Kjo është ajo pjesë e ngrehinës sociale që shoqëria zgjedh të injorojë. Për shkak se nuk kam vend këtu, edhe unë do ta injoroj, por do të them vetëm se gjërat që unë pashë atje më frikësuan deri në palcë.

Kisha frikë të mendoja. Aty pashë thjeshtëzimet e zhveshura të një civilizimi të komplikuar në të cilin jetoja. Jeta ishte një çështje ushqimi dhe strehe. Në mënyrë që të gjenin ushqim dhe strehë njerëzit shisnin gjëra. Tregtari shiste këpucë, politikani shiste burrërinë dhe përfaqësuesi i popullit – me përjashtime, sigurisht – shiste besimin e tij; teksa thuajse të gjithë shisnin nderin e tyre. Gratë gjithashtu, si ato në rrugë ashtu edhe ato në lidhjen e shenjtë të martesës, prireshin të shisnin mishin e tyre. Çdo gjë ishte mall, çdokush blinte dhe shiste. I vetmi mall që mund të shiste punëtoria ishin muskujt. Nderi i punëtorisë nuk kishte çmim në treg. Punëtoria kishte muskuj – dhe vetëm muskuj – për të shitur.

Por kishte një dallim, madje një dallim thelbësor. Këpucët dhe besimi dhe nderi kishin mënyrat e tyre për t’u ripërtërirë. Ato ishin rezerva të pashtershme. Muskujt, nga ana tjetër, nuk ripërtëriheshin. Teksa tregtari i këpucëve shiste këpucë, ai vazhdonte të furnizohej vazhdimisht. Por nuk kishte mënyrë për të furnizuar rezervat e muskujve të punëtorit. Sa më shumë ai shiste muskujt e tij, aq më pak i ngelej. Ato ishin malli i tij i vetëm dhe me çdo ditë që kalonte, rezervat i pakësoheshin. Në fund, nëse nuk kishte vdekur më përpara, ai shteronte dhe mbyllte qepenat. Atij i kishin falimentuar muskujt dhe tashmë nuk i ngelej asgjë tjetër përveçse të zhytej nëpër katakombet e shoqërisë e të jepte shpirt në mjerim.

Më vonë mësova se edhe truri – në mënyrë të ngjashme – ishte mall. Edhe ai ndryshonte nga muskujt. Një shitës truri ishte në ditën e tij më të mirë rreth të pesëdhjetave apo të gjashtëdhjetave dhe xhinglat e tij në këtë moshë kapnin çmimin më të lartë. Por një punëtor ishte i tejpunuar apo i thyer në mes kur arrinte të dyzetat apo të pesëdhjetat. Kisha qenë në bodrumin e shoqërisë dhe ai vend nuk më pëlqente për të jetuar. Tubacionet dhe kanalet ishin të ndotura, ashtu si edhe ajri që thithej. Nëse nuk më lejohej të jetoja në dyshemenë e sallonit të shoqërisë, mund të provoja sidoqoftë të hidhesha në papafingo. Vërtet dieta ishte imcake, por ajri ishte i pastër. Kështu vendosa të mos shes më muskuj dhe të bëhem shitës i trurit.

Më pas nisi një rendje e shfrenuar drejt dijes. U ktheva në Kaliforni dhe hapa librat. Teksa kështu po e pajisja veten me mjetet për t’u bërë një tregtar truri, e kisha të pashmangshme zhytjen në sociologji. Në një seri librash, atje gjeta të formuluara në mënyrë shkencore ato koncepte të thjeshta sociologjike që i kisha bluar vetë në kokën time. Mendje të tjera më të ndritura, para se unë të lindja, kishin përpunuar të gjitha mendimet e mia e shumë më tepër se kaq. Zbulova se isha socialist.

Socialistët ishin revolucionarë, përderisa ata luftonin për përmbysjen e shoqërisë së tashme dhe nga ato materiale të ndërtonin shoqërinë e së ardhmes. Edhe unë isha socialist dhe revolucionar. Iu bashkova grupeve të klasës punëtore dhe të intelektualëve revolucionarë dhe për herë të parë linda intelektualisht. Këtu takova intelekte të mprehta dhe brilante sepse këtu gjeta pjesëtarë të klasës punëtore, me duar të vrazhda nga kallot, por me mendje të forta e të ndriçuara; predikues që kishin lënë mënjanë veladonët dhe e kishin çuar krishterimin e tyre shumë larg për t’i pëlqyer grigjave të besimtarëve; profesorë të shtypur nën rrotën e nënshtrimit universitar ndaj klasës sunduese e të flakur tej sepse ishin të aftë të vinin në zbatim njohuritë e tyre në të mirë të punëve të njerëzimit.

Këtu gjeta, gjithashtu, një besim të ngrohtë te njeriu, idealizëm të shndritshëm, dashuri dhe zemërgjerësi, sakrificë dhe martirizim – të gjitha gjërat e mrekullueshme dhe therëse të shpirtit. Këtu jeta ishte e pastër, e ndershme dhe e gjallë. Këtu jeta e rehabilitonte vetveten, bëhej e mrekullueshme dhe e lavdishme; dhe unë isha i lumtur që isha gjallë. Isha në kontakt me shpirtra të mëdhenj që lartësonin trupin dhe shpirtin para dollarit dhe qindarkës, për të cilët vajtimi i mekur i foshnjës së uritur të periferisë do të thoshte më shumë se gjithë pompoziteti dhe situata e ekspansionit tregtar e perandorisë botërore. Kudo më rrethonte ndershmëria e qëllimit dhe heroizmi i përpjekjes, dhe ditët e netët e mia kishin shkëlqimin e diellit e të yjeve, plot zjarr dhe vesë, që para syve të mi digjnin e flakëronin, Graali i Shenjtë, Graali i vetë Krishtit, njeriu i ngrohtë, i vuajtur e i keqtrajtuar, që më në fund do të çlirohej dhe do të shpëtohej.

Dhe unë, i ngrati unë, që kujtoja se e gjitha kjo do të ishte shija e kënaqësive e të jetuarit aty sipër meje në shoqëri. Kisha lënë pas shumë iluzione nga ditët kur lexoja romanet e “Librarisë Anës Detit” në fermën time në Kaliforni. Fati im do ta donte që të humbja edhe shumë prej iluzioneve që ende mbaja brenda meje.

Si tregtar i trurit isha i suksesshëm. Shoqëria hapi dyert e saj para meje. Unë hyra kështu drejt e në dyshemenë e sallonit, dhe zhgënjimi im vazhdoi me shpejtësi. U ula për të drekuar me padronët e shoqërisë dhe me gratë e vajzat e padronëve të shoqërisë. Gratë ishin të veshura në mënyrë të mrekullueshme, e pranoj; por për habinë time naive zbulova se ato përbëheshin nga e njëjta baltë si të gjitha gratë e tjera që kisha takuar aty poshtë në bodrum. “Dama e kolonelit dhe Judy O’Grady ishin motra nën lëkurë”[1] – dhe nën petka.

Megjithatë, më shumë sesa kjo gjë më tronditi materializmi i tyre. Është e vërtetë se këto gra të stolisura, gra të kolme, dërdëllisnin për ideale të vockla dhe për moral të çikërrimtë; por përtej dërdëllitjes, çelësi dominues i jetëve që jetonin ishte materialist. Dhe ishin po aq egoiste në ndjenja! Ato ndihmonin në lloj-soj bamirësish të vogla e të bukura, dhe nuk pushonin së treguari këtë fakt, teksa gjatë gjithë kohës ushqimi që hanin dhe fustanet e praruara që vishnin ishin blerë nga dividendët e njollosur nga gjaku i punës së fëmijëve dhe i punës rraskapitëse, madje i vetë prostitucionit. Kur i përmendja këto fakte, duke shpresuar në pafajësinë time se këto motra të Judy O’Grady-it do të shkulnin nga trupi mëndafshet e njollosura me gjak dhe bizhuteritë e tyre, ato xhindoseshin e inatoseshin dhe më lexonin predikime mbi mungesën e kursimtarisë, mbi pijen dhe mbi shthurjen e lindur që shkaktonte çdo mjerim në bodrumin e shoqërisë. Kur u përmendja se nuk arrija të dalloja mungesën e kursimtarisë dhe të vetëpërmbajtjes apo shthurjen te një fëmijë i uritur 6-vjeçar që detyrohet të punojë 12 orë çdo natë në një fabrikë pambuku të Jugut, këto motra të Judy O’Grady-it më sulmonin personalisht dhe më etiketonin si “agjitator” – a thua se kjo, pa një pa dy, e mbyllte argumentin.

Nuk më eci ndoca më mirë as me vetë padronët. Prisja të takoja njerëz të pastër, të ndershëm dhe të gjallë, idealet e të cilëve ishin të pastra, të ndershme e të gjalla. Eca mes njerëzve që uleshin në karriget qendrore – priftërinj, politikanë, biznesmenë, profesorë dhe redaktorë. Hëngra mish tok me ta, piva verë me ta, udhëtova me ta dhe i studiova. Është e vërtetë se mes tyre gjeta shumë që ishin të pastër e të ndershëm; por me përjashtime të veçanta, ata nuk ishin të gjallë. Besoj përnjëmend se mund t’i numëroj përjashtimet me gishtat e duarve të mia. Ata që nuk ishin të kalbur në palcë, me një jetë të fëlliqur, ishin veçse të vdekur të pakallur – të pastër e të ndershëm, si mumje të mirëmbajtura, por jo të gjallë. Në këtë rast mund të përmend veçanërisht profesorët që takova, njerëzit që përmbushin atë idealin dekadent të universitetit, “ndjekjen e shterpët të njohurisë së shterpët.”

Takova njerëz që mbartin nofkën Princi i Paqes për hir të kundërshtisë së shprehur ndaj luftës, të cilët u jepnin në dorë Pinkerton-ëve[2] pushkët me të cilat ata shtinin mbi punëtorët në grevë në fabrikat e tyre. Takova njerëz të tronditur nga indinjata ndaj brutalitetit të boksit pa doreza, të cilët njëkohësisht ishin të përfshirë në falsifikimin e produkteve ushqimore që vrisnin çdo vit më shumë foshnja se dora e përgjakur e Herodit.

Bisedova nëpër hotele e klube, shtëpi e vagonë trenash, nëpër shezlongët e drejtuesve të industrisë, dhe u mahnita se sa pak ata e kishin shkelur lëmin e intelektit. Nga ana tjetër zbulova se intelekti i tyre në pikëpamjen e biznesit ishte jashtëzakonisht shumë i zhvilluar. Gjithashtu zbulova se aty ku hynte biznesi, nuk hynte morali.

Takova zotërinë me tipare delikate prej aristokrati që ishte një drejtor-kukull dhe një vegël e korporatave, e që në fshehtësi vidhte gratë vejusha dhe jetimët. Zotërinë që koleksiononte botime të rralla dhe ishte bamirës i spikatur në lëmin e letrave, e që i paguante haraç për favore  bosit të bashkisë me gushë të madhe e vetulla të zeza. Redaktorin që botonte reklama ilaçesh të patentuara dhe që nuk guxonte të botonte të vërtetën në gazetën e tij për këto ilaçe nga frika se mos humbiste reklamat, e që më quajti një demagog të poshtër sepse i thashë se politika ekonomike e tij ishte e vjetruar dhe biologjia e tij ishte bashkëkohëse e Plinit[3].

Senatorin që ishte vegla dhe skllavi, qenushi i vogël i një bosi të pagdhendur e të pështirë hekurudhash; i tillë ishte edhe guvernatori dhe gjykatësi i lartë; dhe që të tre udhëtonin me abone trenash. Burrin që fliste plot zell për bukurinë e idealizmit dhe mirësinë e Zotit, që sapo kishte tradhtuar shokun e tij në një marrëveshje biznesi. Atë burrin që ishte kolonë mbështetës e kishës dhe kontribuues kryesor i misionarëve jashtë vendit, i cili i detyronte vajzat punëtore të punonin nga 10 orë në dyqanin e tij me një pagë urie, duke i shtyrë ato rrjedhimisht drejt prostitucionit. Atë burrin që ulej nëpër katedrat universitare, e që bëri dëshmi të rreme në gjykatë për çështje dollarësh e qindarkash. Ashtu si ai oligarku i hekurudhave që e theu fjalën e dhënë si zotëri dhe si i krishterë kur i bëri një ulje të fshehtë një prej dy drejtuesve të industrisë  në luftë me njëri-tjetrin.

Ishte njësoj kudo, krim dhe tradhti, tradhti dhe krim – njerëz që ishin të gjallë, por që nuk ishin as të pastër e as të ndershëm, njerëz që ishin të pastër e të ndershëm, por që nuk ishin të gjallë. Pastaj ekzistonte një masë e madhe, e pashpresë, e cila nuk ishte as e ndershme e as e gjallë, por vetëm e pastër. Nuk mëkatonte me vetëdije apo qëllimisht; por mëkatonte në mënyrë pasive dhe të pavetëdijshme duke u pajtuar me imoralitetin ekzistues dhe duke përfituar prej tij. Sikur të kish qenë e ndershme dhe e gjallë, nuk do kishte qenë injorante dhe do të kishte refuzuar të ndante thelat e përfitimeve të tradhtisë e të krimit.

Zbulova se nuk doja të jetoja në dyshemenë e sallonit të shoqërisë. Isha po aq i mërzitur intelektualisht. Moralisht dhe shpirtërisht ndjehesha i sëmurë. M’u kujtuan intelektualët dhe idealistët e mi, predikuesit pa veladonë, profesorët e shtypur dhe punëtorët me mendje të kthjellët e ndërgjegje klasore. M’u kujtuan ditët e netët me shkëlqimin e diellit e të yjeve, ku jeta ishte një pandehmë e egër dhe e ëmbël, një parajsë shpirtërore aventure bujare dhe romance etike. Dhe pashë përpara meje, të shndritshëm e të flakëruar, Graalin e Shenjtë.

E kështu u riktheva te klasa punëtore, aty ku kisha lindur e ku bëja pjesë. Nuk kërkoj më të ngjitem. Ngrehina imponuese e shoqërisë që lartësohet sipër kokës time nuk fsheh më kënaqësi për mua. Janë themelet e ngrehinës që më interesojnë tashmë. Atje jam i lumtur të punoj, me qysqi në dorë, krah për krah me intelektualë, idealistë dhe punëtorë me ndërgjegje klasore, që herë pas here i japin një të lëkundur të mirë të gjithë ngrehinës. Do të vijë dita kur në punë do të vihen ca më shumë duar e ca më shumë qysqi, e do ta përmbysim atë së bashku me gjithë jetët e kalbura dhe të vdekurit e pakallur, me egoizmin e përbindshëm dhe materializmin e pështirë. Më pas do të pastrojmë bodrumin dhe do të ndërtojmë një banesë të re për njerëzimin, në të cilën nuk do të ketë më dysheme salloni, në të cilën të gjitha dhomat do të jenë të ndriçuara e të ajrosura dhe ku ajri që thithet është i pastër, i ndershëm dhe i gjallë.

Ky është vizioni im. Po shoh tutje drejt një të ardhmeje kur njeriu do të avancojë drejt diçkaje më me vlerë dhe më të vyer se stomaku i vet, kur do të ketë shtysa më të çmuara – që i nxisin njerëzit të veprojnë – sesa shtysa e të sotmes, që është shtysa e stomakut. Unë e ruaj besimin tim në ndershmërinë dhe madhështinë e njeriut. Unë besoj se dashuria shpirtërore dhe bujaria do të mposhtin grykësinë vulgare të së sotmes. Dhe në fund fare, besimi im qëndron me klasën punëtore. Siç ka thënë një francez, “Shkallarja e kohës kumbon nga këpuca e drunjtë që po ngjitet, nga çizmja e lustruar që po zbret.”

Newton, Iowa. Nëntor1905.

E përktheu Redi Muçi

Imazhi: welt.de


[1] Varg nga poema e Rudyard Kipling, The Ladies

[2] Pinkerton-ët (shkurt për Agjencia Kombëtare e Detektivëve Pinkerton) ishte një njësi private policore e ngritur në Çikago më 1850. Ata u përfshinë gjerësisht në përplasje të armatosura me punëtorë grevistë për interes të pronarëve të industrive. Në Masakrën e Ludlow-s në vitin 1914 u vranë 66 punëtorë, mes të cilëve shumë gra dhe fëmijë.

[3] Plini – Gaius Plinius Secundus, ishte një autor, natyralist, filozof dhe komandant flote që jetoi në Perandorinë Romake të hershme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.