Ç’të bëjmë me kapitalizmin? I

/Erik Olin Wright/

Pesë strategji të ndryshme – të cilat do t’i quaj “logjika strategjike” – kanë pasur rëndësi të veçantë historike në përpjekjet antikapitaliste: shkatërrimi i kapitalizmit, çmontimi i kapitalizmit, zbutja e kapitalizmit, rezistenca ndaj kapitalizmit dhe arratisja nga kapitalizmi. Ndonëse këto strategji ndërthuren praktikisht, secila syresh përbën një mënyrë të veçantë për t’iu përgjigjur dëmeve që shkakton kapitalizmi. Do t’ia nisim nga ekzaminimi i secilës me radhë. Paskëtaj do të paraqes një hartë konceptuale të këtyre strategjive, çka do të na e lehtësojë kuptimin e mënyrës si kombinohen ato në mënyra specifike. Do të argumentoj se një mënyrë e kombinimit të tyre – që do ta quaj gërryerja e kapitalizmit – përbën vizionin strategjik më të mundshëm për tejkalimin e kapitalizmit në shekullin e njëzetë.  

Shkatërrimi i kapitalizmit

Kjo është logjika strategjike klasike e revolucionarëve. Baza e saj logjike është si vijon:

Sistemi është i kalbur. Të gjitha orvatjet për ta bërë të pranueshme jetën brenda kapitalizmit do të dështojnë. Hera-herës, kur forcat popullore janë të fuqishme, janë të mundshme reforma të vogla që përmirësojnë jetën e njerëzve, por këto përmirësime do të mbeten gjithnjë të brishta, të sulmueshme dhe të prapësueshme. Mbramësisht, është iluzore të besosh se kapitalizmi mund të shndërrohet në një sistem shoqëror të padëmshëm, ku njerëzit e zakonshëm mund të kenë jetë të begatë e kuptimplote. Në thelb, kapitalizmi është i pareformueshëm. E vetmja shpresë gjendet te shkatërrimi i tij, pastrimi i rrënojave dhe ndërtimi i një shoqërie alternative. Siç thonë fjalët përmbyllëse të këngës së fillimshekullit të njëzetë “Solidarity Forever”: “Do ta lindim botën e re nga hiri i së vjetrës.” Realizimi i plotë i alternativës emancipuese mund të jetë gradual, por kusht i domosdoshëm i këtij tranzicioni gradual është thyerja vendimtare e sistemit pushtetor ekzistues.

Si ta realizojmë këtë? Si mundet që forcat antikapitaliste të kenë pushtet të mjaftueshëm për ta shkatërruar kapitalizmin dhe për të ndërtuar në vend të tij një shoqëri më të mirë? Kjo është një detyrë vërtet e vështirë pasi pushteti i klasave sunduese, që i shndërron reformat në iluzion, bllokon edhe qëllimin revolucionar të thyerjes së sistemit. Teoria revolucionare antikapitaliste, e ndikuar nga shkrimet e Marksit dhe Leninit e Gramsci-it me shokë, ofronte një argument tërheqës mbi mënyrën si mund të ndodhte diçka e tillë:

Ndonëse është e vërtetë se në pjesën më të madhe të kohës kapitalizmi duket i pagoditshëm, ai është gjithashtu një sistem thellësisht kontradiktor, me ngulfatje e kriza. Nganjëherë këto kriza kapin një intensitet që e bën të brishtë e të goditshëm sistemin në tërësi. Sipas versionit më të fortë të kësaj teorie, ka edhe prirje të nëndheshme në “ligjet e lëvizjes” së kapitalizmit që çojnë kah rritja në kohë e intensitetit të krizave që dobësojnë sistemin. Kësisoj kapitalizmi bëhet i paqëndrueshëm në afatgjatë; ai shkatërron kushtet e ekzistencës së vet. Po edhe nëse nuk ka prirje sistematike kah përkeqësimi i krizave, çka mund të parashikohet është që hera-herës do të ketë kriza ekonomike kapitaliste intensive, gjatë të cilave sistemi bëhet i goditshëm, mundësohen thyerje dhe klasa sunduese mund të përmbyset. Prandaj problemi i një partie revolucionare është si të jetë në pozitën e përfitimit nga mundësia e krijuar prej krizave sistemore për të udhëhequr mobilizimin masiv drejt marrjes së pushtetit ose përmes zgjedhjeve, ose përmes përmbysjes kryengritëse të regjimit ekzistues. Me të marrë kontrollin e shtetit, detyra e saj e parë është rimodelimi i shpejtë i shtetit, duke e shndërruar atë në armë të përshtatshme për transformime radikale, si dhe përdorimi i pushtetit për të shtypur kundërshtinë e klasave sunduese dhe aleatëve të tyre, për të shkatërruar strukturat pushtetore bazë të kapitalizmit dhe ndërtuar institucionet e domosdoshme të zhvillimit afatgjatë të një sistemi ekonomik alternativ.

Në shekullin e njëzetë versione të ndryshme të kësaj linje arsyetimi frymëzuan imagjinatën e revolucionarëve anekënd botës. Marksizmi revolucionar i mbushi përpjekjet me shpresë e optimizëm pasi jo vetëm që ngriti një akuzë të fuqishme kundër botës ekzistuese, por edhe paraqiti një skenar të mundshëm të mënyrës si mund të realizohej një alternativë emancipuese. Kjo u dha njerëzve kurajë, duke ushqyer besimin se historia ishte në anën e tyre dhe përkushtimi e sakrificat e jashtëzakonshme që priteshin prej tyre në luftën kundër kapitalizmit kishin vërtet mundësi të ngadhënjenin. Ngandonjëherë, ndonëse rrallë, këto luftëra kulmuan me marrjen revolucionare të pushtetit.

Sidoqoftë rezultatet e marrjeve revolucionare të pushtetit nuk kanë qenë në asnjë rast krijimi i një alternative demokratike, barazimtare e emancipuese ndaj kapitalizmit. Ndërsa revolucionet në emër të socializmit dhe komunizmit provuan se ishte e mundshme “të ndërtoje një botë të re nga hiri i të vjetrës” dhe në mënyra të caktuara ato mund t’i kenë përmirësuar kushtet materiale të jetesës së shumicës së njerëzve për njëfarë kohe, rezultatet faktike të përpjekjeve heroike për të thyer kapitalizmin në shekullin e njëzetë tregojnë se ato nuk prodhuan botën e re të ideologjisë revolucionare. Djegia dhe shkatërrimi i institucioneve dhe strukturave shoqërore të vjetra nuk sjell ndërtimin nga hiri të institucioneve të reja emancipuese.

Arsyeja pse revolucionet e shekullit të njëzetë nuk rezultuan asnjëherë në emancipim njerëzor të qëndrueshëm është, sigurisht, një çështje e fortdebatuar. Disa argumentojnë se kjo ndodhi për shkak të rrethanave historike specifike të pafavorshme ku u tentuan thyerjet sistemore. Revolucionet ndodhën në shoqëri të prapambetura ekonomikisht, të rrethuara nga armiq të fuqishëm. Disa të tjerë e gjejnë shkakun te gabimet strategjike të udhëheqësve gjatë revolucioneve. Të tjerë fajësojnë motivet e udhëheqësve, duke thënë se ata që triumfuan përgjatë këtyre revolucioneve dëshironin status e pushtet dhe jo fuqizimin dhe mirëqenien e masave. Ka të tjerë që argumentojnë se dështimi është rezultati i domosdoshëm i çdo përpjekjeje për thyerje radikale në një sistem shoqëror. Ka shumë pjesë lëvizëse, kompleksitet të madh dhe shumë pasoja të pasynuara. Për pasojë përpjekjet për thyerje të sistemit do të priren pashmangshmërisht kah degjenerimi në të tillë kaos ku elitat revolucionare, pavarësisht motiveve të tyre, do të shtrëngohen të përdorin dhunë dhe shtypje të gjithanshme për të mbajtur rendin shoqëror. Kjo dhunë, nga ana e saj, zhbën mundësinë e një procesi demokratik e pjesëmarrës në ndërtimin e një shoqërie të re.

Pavarësisht se cila (nëse ndonjëra) prej këtyre shpjegimeve është e saktë, rezultati faktik i tragjedive revolucionare të shekullit të njëzetë është se thyerja sistemore nuk funksionon si strategji për emancipim shoqëror. Kjo nuk nënkupton refuzimin e idesë së një alternative emancipuese ndaj kapitalizmit, të organizuar me të tjera parime, si qëllim themelor i transformimit shoqëror; çka vë në dyshim janë gjasat e një strategjie që përpiqet të shkatërrojë përmes thyerjes mbisundimin e kapitalizmit.

Sidoqoftë ideja e një thyerjeje revolucionare të kapitalizmit nuk është zhdukur tërësisht. Ndonëse thyerja nuk është më strategji koherente e ndonjë force politike domethënëse, ajo tregon frustrimin dhe mllefin ndaj të jetuarit në një botë me pabarazi të theksuara dhe potenciale të parealizuara për lulëzimin njerëzor dhe në një sistem politik që duket gjithnjë e më jodemokratik dhe i papërgjegjshëm. Megjithatë, nëse duam ta transformojmë vërtet kapitalizmin në një kah emancipues, nuk mjaftojnë vizionet që rrezatojnë mllef; nevojitet një logjikë strategjike që ka gjasa të funksionojë në praktikë.

Çmontimi i kapitalizmit

Qysh prej fillimit të lëvizjeve antikapitaliste ka pasur njerëz që binin dakord me kritikën ndaj kapitalizmit dhe qëllimet themelore të revolucionarëve, por nuk besonin se ishte e mundur thyerja e kapitalizmit. Sidoqoftë ky skepticizëm mbi mundësinë e përmbysjes revolucionare të kapitalizmit nuk nënkuptonte braktisjen e idesë së socializmit.

Ndërsa përmbysja e rrufeshme e kapitalizmit nuk do të krijonte, së paku në vendet e pjekura kapitaliste, kushtet që do të jetësonin një alternativë demokratike e barazimtare, tranzicioni në socializmin demokratik do të të arrihej përmes reformave të udhëhequra nga shteti, të cilat do të shtinin nga lart dalëngadalë elementë të një alternative socialiste. Diçka e tillë nënkupton një periudhë të gjatë në të cilën marrëdhëniet kapitaliste e socialiste do të bashkekzistonin në një ekonomi të përzier: do të kishte banka kapitaliste private krahas bankave shtetërore; firma kapitaliste private krahas sipërmarrjeve shtetërore, sidomos në sektorët e transportit, punëve publike, shëndetësisë dhe disa degëve të industrisë së rëndë; do të kishte tregje kapitaliste pune krahas punësimit shtetëror; planifikim shtetëror për shpërndarjen e investimeve krahas investimeve private fitimprurëse. Sipas këtij skenari, nuk do të kishte një moment të thjeshtë thyerjeje kur një sistem do të zëvendësonte tjetrin. Do të kishim një çmontim gradual të kapitalizmit dhe ndërtimin e një alternative përmes veprimeve të mbështetura nga shteti.

Parakushtet kritike të funksionimit të kësaj strategjie janë, së pari, një demokraci zgjedhore e qëndrueshme dhe, së dyti, një parti socialiste e gjerë e masive që mund të fitojë zgjedhjet dhe të qëndrojë në pushtet për një kohë mjaftueshëm të gjatë që këto struktura ekonomike shtetërore të mund të institucionalizohen siç duhet. Sigurisht që do të kishte kundërshti dhe rezistencë, por besohej se këto institucione ekonomike socialiste të organizuara nga shteti do ta tregonin vlerën e tyre dhe kësisoj do të korrnin mbështetje popullore.

Ideja e shtënies gradualisht të socializmit nga lart përmes reformave shtetërore ka korrur mbështetje të konsiderueshme mes antikapitalistëve të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Fill pas Luftës së Dytë Botërore, kjo strategji dukej se po fitonte terren në disa vende me shtetëzimin e hekurudhave në Britani, krijimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor të shoqërizuar në një sërë vendesh, zgjerimin e sektorëve të punëve publike në shumë vende, madje edhe me pronësinë shtetërore të disa industrive në ca vende të zhvilluara kapitaliste. Asokohe debatohej shumë mbi potencialet e “ekonomisë së përzier” dhe disa antikapitalistë besonin se kjo do të përbënte bërthamën mbi të cilën mund të ndërtohej një sektor socialist dinamik.

Po nuk ndodhi kështu. Dinamizmi i kapitalizmit në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, krahas ofensivës ideologjike kundër idesë së socializmit në shumë vende, sidomos në SHBA, e nxori nga agjenda shtrirjen e shtetëzimeve në ekonomitë e përziera. Përmbysja ushtarake e qeverisë socialiste të zgjedhur demokratikisht në Kilin e 1973, krahas të tjera prapakthimeve në përpjekjet për socializëm demokratik, e shuan tërësisht besimin se zgjedhjet demokratike mund të ofronin një shteg reformist drejt çmontimit të kapitalizmit. Në çerekun e fundit të shekullit të njëzetë, sektorët shtetërore të ekonomisë socialiste jo vetëm që nuk u bënë pararoja e një ekonomie të re, por u goditën edhe më fort. Nën flamurin e neoliberalizmit, në qendër të agjendës politike u vu privatizimi dhe jo shtetëzimi, edhe nga disa parti politike të rëndësishme që ishin identifikuar tradicionalisht me të majtën.  

Zbutja e kapitalizmit

Si shkatërrimi, ashtu edhe çmontimi i kapitalizmit përfytyrojnë mundësinë e mbrame të zëvendësimit të kapitalizmit me një strukturë ekonomike rrënjësisht të ndryshme, socializmin. Në këtë kuptim, të dyja këto strategji kanë aspirata revolucionare, pavarësisht se dallojnë në mënyrën se si i kuptojnë mjetet e domosdoshme për arritjen e qëllimeve.

Sidoqoftë kapitalizmin mund ta konsiderojmë burim dëmesh sistematike në shoqëri pa u përpjekur për ta zëvendësuar atë. Qëllim mund të jetë neutralizimi i këtyre dëmeve. Kjo u bë ideja strategjike mbisunduese e partive socialdemokrate në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Ja argumenti i tyre bazik:

Kur nuk trazohet, kapitalizmi krijon dëme të mëdha. Sjell nivele të larta pabarazish që janë shkatërrimtare për kohezionin shoqëror; zhduk vende pune tradicionale dhe i lë njerëzit pa asnjë përkrahje; krijon pasiguri dhe rrezik në jetën e individëve dhe bashkësive; dëmton mjedisin. Të gjitha këto janë pasoja të dinamikës së brendshme të një ekonomie kapitaliste. Sidoqoftë është e mundshme të ndërtohen institucione kundërpeshuese që mund t’i neutralizojnë në mënyrë domethënëse këto dëme. Kapitalizmi nuk ka pse lihet i patrazuar; ai mund të zbutet nga politika të mirëmenduara shtetërore. Afërmendsh që diçka e tillë mund të kërkojë beteja të forta përderisa synon të reduktojë autonominë dhe pushtetin e klasës kapitaliste, si dhe nuk ka garanci për sukses. Klasa kapitaliste dhe aleatët e saj do të pretendojnë se rregullimet dhe rishpërndarja që kanë për synim neutralizimin e këtyre “të ashtuquajturave” dëme të kapitalizmit, do të shkatërrojnë dinamikën e tij, gjymtojnë konkurrueshmërinë dhe zhbëjnë nxitjet ekonomike. Sidoqoftë këto argumente janë thjesht racionalizime vetëshërbyese në mbrojtje të privilegjit dhe pushtetit. Kapitalizmi mund t’u nënshtrohet rregullimit dhe rishpërndarjes domethënëse që synojnë kundërpeshimin e dëmeve të tij dhe prapëseprapë të sigurojë fitime të përshtatshme për funksionimin e vet. Arritja e këtij rezultati kërkon mobilizim popullor dhe vullnet politik; nuk mund të mbështetemi asnjëherë në dashamirësinë e ndriçuar të elitave. Po në rrethanat e duhura, ekziston mundësia e fitores në këto beteja dhe imponimit të kufizimeve të duhura për një formë më beninje kapitalizmi. Për pasojë do të kishim një kapitalizëm me rregulla loje të modifikuara seriozisht.

Ideja e zbutjes së kapitalizmit nuk e eliminon prirjen e domosdoshme të kapitalizmit për të sjellë dëme; thjesht u kundërvihet pasojave – ngjashëm me një ilaç që kuron efektivisht simptomat në vend të shkaqeve rrënjësore të një problemi shëndetësor. Ndonjëherë diçka e tillë është e mjaftueshme. Prindërit e fëmijëve të porsalindur vuajnë shpesh nga pagjumësia dhe dhimbjet e kokës. Një zgjidhje do të ishte aspirina; një tjetër heqja qafe e fëmijës. Nganjëherë neutralizimi i simptomës është më i përshtatshëm se heqja qafe e shkakut rrënjësor.

Sigurisht, jo çdo reformim i rregullave të kapitalizmit, edhe i atyre që kanë për synim të neutralizojnë disa prej dëmeve të tij, mund të përfytyrohet si antikapitalist. Rregullimi bankar që synon parandalimin e rreziqeve spekulative që prishin sistemin dhe rregullimi i tregut të aksioneve për të shmangur tregtinë ilegale mund të përfytyrohen thjesht si ndihmëse në stabilizimin e kapitalizmit, çka e mbron kapitalizmin nga prirjet e veta vetëshkatërruese. Rregullimi i peshkimit me synim parandalimin e shterjes së peshqve thjesht zgjidh një problem të veprimit kolektiv që lind prej peshkimit kapitalist në shkallë të gjerë. Reformat antikapitaliste shquhen për faktin se në një mënyrë apo një tjetër fusin vlera dhe parime barazimtare, demokratike e solidare në logjikën kapitaliste të veprimit. Këto reforma mund edhe të ndihmojnë në stabilizimin e kapitalizmit – në të vërtetë ky faktor ndikon pjesërisht në realizimin e tyre – por specifika e tyre është se e bëjnë sistemin kapitalist të veprojë në mënyrë më pak kapitaliste.

Në të ashtuquajturën “periudhë e artë e kapitalizmit” – pak a shumë tri dekadat pas Luftës së Dytë Botërore – politikat socialdemokrate kryen punë të paqme – sidomos në vendet ku u zbatuan më tërësisht – në drejtim të një sistemi ekonomik më human. Më saktësisht, tri grupe politikash shtetërore përftuan rregulla të reja që kundërpeshuan disa prej dëmeve të kapitalizmit dhe mishëruan në shkallë të ndryshme vlera barazimtare, demokratike e solidare:

  1. Disa prej rreziqeve më serioze në jetën e njerëzve – sidomos ato që kanë të bëjnë me shëndetin, punësimin dhe të ardhurat – u reduktuan nëpërmjet një sistemi pak a shumë gjithëpërfshirës të sigurimeve shoqërore të financuara dhe mbështetura nga shteti.
  2. Shtetet morën përgjegjësinë e sigurimit të një grupi në rritje të mirash publike që financoheshin përmes një sistemi të fortë taksash relativisht të larta. Këto të mira publike përfshinin arsimin bazik dhe të lartë, formimin profesional, transportin publik, veprimtaritë kulturore, qendrat e argëtimit, kërkimin dhe zhvillimin shkencor. Nga disa prej tyre përfituan më shumë kapitalistët, por shumë syresh shkuan në të mirë të publikut të gjerë.
  3. Shtetet krijuan edhe regjime rregullatore që kishin për synim përballimin e eksternaliteteve më negative të sjelljes së investitorëve dhe firmave në tregjet kapitaliste: ndotja, rreziqet në produkte dhe vendin e punës, sjellja grabitqare në treg, luhatja e aseteve të tregut e kështu me radhë. Edhe në këtë rast disa prej këtyre rregullimeve u shërbenin vetëm interesave të kapitalistëve, por disa syresh mbrojtën edhe mirëqenien e punëtorëve dhe të popullsisë së gjerë.

Domethënia e këtyre politikave nuk është se ekonomia reshti së qeni kapitaliste: kapitalistët vazhdonin të kishin lirinë për ta orientuar kapitalin mbi bazën e mundësive fitimprurëse në treg dhe, hiq taksat, ata përvetësonin fitimet e ardhura prej këtyre investimeve për t’i përdorur sipas qejfit. Ndryshimi kishte të bënte me faktin që shteti mori përgjegjësinë e korrektimit të pjesshëm të tri dështimeve kryesore të tregjeve kapitaliste: ekspozimi individual ndaj rreziqeve, nënsigurimi i të mirave publike dhe eksternalitetet negative të veprimtarisë ekonomike private fitimprurëse. Për pasojë erdhi një formë pak a shumë mirëfunksionuese kapitalizmi, ku pabarazitë dhe konfliktet zbuteshin. Kapitalistëve mund të mos u ketë ardhur për mbarë, por ky sistem funksiononte boll mirë. Kapitalizmi u zbut në dimensione të rëndësishme. Vazhdonte të ekzistonte, por në formë më pak grabitqare.

Kjo ishte periudha e artë. Bota e dekadave të para të shekullit të njëzetenjë duket shumë e ndryshme. Gjithkund, edhe në fortesat socialdemokrate të Evropës veriore, janë bërë thirrje për prapësimin e “tagrave” që lidhen me sigurimin shoqëror, reduktimin e taksave dhe sigurimin e të mirave publike, çrregullimin e shumë aspekteve të prodhimit e tregjeve kapitaliste, si dhe privatizimin e shumë shërbimeve shtetërore. Në tërësi këto transformime lidhen me ermin e “neoliberalizmit”.

Në vullnetin dhe kapacitetin e dukshëm të shtetit për të neutralizuar dëmet e kapitalizmit kanë ndikuar një sërë forcash. Globalizimi i kapitalizmit ua ka lehtësuar shumë punën firmave kapitaliste për t’i zhvendosur investimet në ato vende të botës që kanë më pak rregullime dhe fuqi punëtore më të lirë. Kërcënimi i zhvendosjes së kapitalit, krahas një sërë ndryshimesh teknologjike e demografike, e ka fragmentuar dhe dobësuar lëvizjen punëtore, duke e bërë më pak të aftë për të rezistuar dhe mobilizuar politikisht. I kombinuar me globalizmin, financiarizimi i kapitalit ka sjellë rritje masive të pabarazisë në pasuri e të ardhura, të cilat nga ana e tyre kanë forcuar pushtetin politik të kundërshtarëve të shtetit socialdemokrat. Në vend se të zbutej, kapitalizmi ka dalë nga binarët.

Ndoshta tre dekada e ca të periudhës së artë kanë qenë thjesht anomali historike, një periudhë e shkurtër në të cilën kushtet strukturore të favorshme dhe pushteti popullor i qenësishëm çelën mundësinë e modelit socialdemokratik relativisht barazimtar. Më parë kapitalizmi ishte një sistem grabitqar dhe në neoliberalizëm është ribërë i tillë, duke rikthyer situatën normale për sistemet kapitaliste. Ndoshta në afatgjatë kapitalizmi është i pazbutshëm. Mbrojtësit e idesë së thyerjeve revolucionare të kapitalizmit kanë mëtuar gjithnjë se zbutja e kapitalizmit ishte iluzion, një lloj shpërqendrimi nga detyra e ndërtimit të një lëvizjeje politike që do ta përmbyste atë.

Po ndoshta punët nuk janë kaq keq. Pretendimi se globalizmi u vë kufij të fortë shteteve për të rritur taksat, rregulluar kapitalizmin dhe rishpërndarë të ardhurat është efektiv politikisht pjesërisht sepse njerëzit besojnë në të, jo për shkak se kufizimet janë vërtet kaq të forta. Në fund të fundit, një pjesë e rëndësishme e kapacitetit të shtetit për të taksuar buron nga gatishmëria e njerëzve për të pranuar taksimin e të ardhurave të tyre – jo nga vullneti i kapitalistëve për ta zhvendosur kapitalin që të shmangin taksimin – dhe vullneti i njerëzve për të pranuar taksimin varet në masë të madhe nga niveli i solidaritetit të tyre kolektiv. Në politikë kufijtë e mundësisë krijohen gjithnjë nga besimi në këta kufij. Neoliberalizmi është ideologji, e cila mbështetet nga forca politike të pushtetshme dhe jo ndonjë farë shpjegimi i saktë shkencor i kufijve të vërtetë me të cilët përballemi kur orvatemi ta përmirësojmë botën. Ndonëse mund të jetë e vërtetë që politika të caktuara që përbënin menynë e socialdemokracisë në epokën e artë mund të jenë bërë më pak efektive dhe kanë nevojë të rimendohen, zbutja e kapitalizmit përmes rregullave që neutralizojnë ca prej dëmeve më të këqija të tij mbetet një shprehje praktike e antikapitalizmit. Pengesat politike ndaj rivitalizimit të socialdemokracisë përparimtare mund të jenë të mëdha, por kjo nuk do të thotë se natyra e kapitalizmit nuk mundëson më ndreqjen e këtyre dëmeve përmes veprimit shtetëror.

Vijon

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “How to be an Anticapitalist in the Twenty-First Century”, Verso 2019.

Imazhi: Thomas Peck

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.