Agjitacion global (iii)

/David Harvey/

Vijon nga pjesa e parë dhe e dytë

Kur paraja botërore ishte e kushtëzuar nga ari, ajo nuk mund të akumulohej në pafundësi. Ekziston një sasi e fundme ari dhe pjesa më e madhe e tij është nxjerrë tanimë. Mirëpo standardi arit është braktisur që më 1971 dhe disponueshmëria e parasë është shkëputur nga baza e saj e arit. Që atëherë kemi pasur një rritje eksponenciale të disponueshmërisë së parasë. Bankat qendrore të botës vendosin se ç’duhet bërë, së bashku me Federal Reserve-in, meqenëse dollari amerikan është valutë e rezervës globale dhe pjesa më e madhe e transaksioneve ndërkombëtare ndodh me anë të kontratave në dollarë. Kur hasen vështirësi ekonomike, Federal Reserve-i thjesht nxjerr në qarkullim valutë të re, e cila i shtohet sasisë së parasë që është tashmë në qarkullim. Por pastaj lind pyetja: ç’destinacion do të kenë ato para dhe si do të mund të investohen në mënyrë fitimprurëse? Kemi qenë dëshmitarë të përshtatjeve të llojllojshme të ekonomisë globale në mënyrë që t’i bëhej ballë këtij problemi. Ekziston, për shembull, ajo që Marksi e quante një problem realizimi: si do të jetë vallë e mundur të riinvestohen të gjitha këto para në mënyrë që të gjendet një treg dhe të përftohen fitime të mëtejshme? Nga do të vijnë ato fitime? Si kjo do t’u bëjë ballë problemeve shoqërore dhe mjedisore? Dështimi i modelit politiko-ekonomik sundues është i dukshëm dhe protestat politike po shtohen, por në këtë moment kjo ndikon shumë pak mbi mënyrën se si mund t’u bëhet ballë problemeve themelore, si brenda ashtu dhe jashtë sistemit ekzistues të referimit të menaxhimin ekonomik të ekonomisë kapitaliste botërore. Çekuilibrat e stërmëdhenj që krijohen në ekonominë globale kërkojnë fuqishëm rregullime të rëndësishme. Ndërsa ana tjetër e monedhës është kjo: kapitali është shumë i madh, shumë i përbindshëm, shumë i stërmadh për të mbijetuar. Ai nuk mund të mbijetojë në formën e tij aktuale dhe në trajektoren aktuale të rritjes. Nga një anë, nuk mund të bëjmë pa të; nga tjetra, ai është futur në një rrugë vetëvrasëse. Kjo është dilema qendrore.

Kontradiktat në sistemin kapitalist janë të shumta dhe disa prej tyre janë më të rëndësishme se të tjerat. Pabarazitë e pashembullta klasore e shoqërore dhe shkatërrimi i mjedisit janë afërmendsh prioritete, mirëpo më pas paraqitet edhe kontradikta e “shumë i madh për të falimentuar, shumë i përbindshëm për të mbijetuar”. As pabarazitë shoqërore dhe as degradimi i mjedisit nuk mund të trajtohen pa marrë në konsideratë këtë kontradiktë themelore. Një program socialist dhe antikapitalist do duhet të negociojë një zgjidhje që qëndron në teh të briskut mes ruajtjes së asaj që është në shërbim të popullsisë botërore dhe asaj që duket shumë e madhe dhe e rëndësishme për të falimentuar, pa u përballur me faktin që ai po bëhet aq i përbindshëm, sa mund të mbijetojë vetëm duke nxitur konflikte gjeopolitike të cilat do të shkaktojnë luftëra të vogla dhe luftëra të brendshme të panumërta në të gjithë globin.

Ky është thelbi i problemit. Në epokën e Marksit, po të kishte ndodhur një rënie e papritur e kapitalizmit, pjesa dërrmuese e njerëzve në botë do të kishte qenë ende në gjendje të gjente një mënyrë për të jetuar dhe për t’u riprodhuar. Njerëzit do të kishin qenë në gjendje të hanin diçka për drekë pavarësisht nga ajo që ndodhte në ekonominë botërore dhe në tregjet botërore. Sot kjo është e pamundur në shumë pjesë të botës. Pjesa më e madhe e njerëzve në SHBA, pothuajse në të gjithë Evropën, në Japoni e tashmë gjithnjë e më shumë edhe në Kinë, Indi, Indonezi dhe në Amerikën Latine e ka jetën e varur në masë gjithnjë e më të madhe nga furnizimi me ushqim që realizohet me anë të qarkullimit të kapitalit. Në epokën e Marksit, mbase 10% e popullsisë botërore do të kishte qenë e kërcënuar nga tronditjet e qarkullimit të kapitalit, shumë më tepër  do të kishin qenë të përfshirë nga zia e bukës, thatësirat, epidemitë dhe fatkeqësi të tjera natyrore. Kriza e kapitalizmit evropian më 1848 qe pjesërisht pasojë e dhjetimit të të korrave, pjesërisht produkt i rënies spekulative të përqendruar në financën e hekurudhave. Që asokohe kapitali që operon në tregun botëror e ka eliminuar në pjesën më të madhe perspektivën e vdekjes nga uria për shkaqe natyrore. Shkaqet kryesore të zisë së bukës mund të lidhen me dështimin e sistemit shoqëror dhe politik të qeverisjes dhe shpërndarjes në sistemin kapitalist. Pjesa më e madhe e popullsisë botërore sot varet nga qarkullimi i kapitalit për sa i përket gjetjes dhe garantimit të ushqimit, aksesit në lëndët djegëse dhe energjinë e nevojshme për mbajtjen e strukturave komplekse dhe instrumenteve të komunikimit që lehtësojnë koordinimin e elementëve bazë të prodhimit.

Në këtë periudhë kapitali është i përfshirë rrënjësisht në riprodhimin e jetës së përditshme. Pasojat ekonomike, impakti shoqëror dhe kostot e një falimentimi masiv dhe të tejzgjatur në qarkullimin e kapitalit do të ishin katastrofike dhe potencialisht vdekjeprurëse për një pjesë domethënëse të popullsisë botërore. Sigurisht, popullsitë indigjene dhe fshatare të Andeve mund të jetojnë mjaft mirë, por nëse fluksi i kapitalit do të ndërpritej për një periudhë të gjatë, mbase dy të tretat e popullsisë botërore në harkun kohorë të pak javëve do të rrezikonin vdekjen nga mungesa e bukës, pa lëndë djegëse dhe pa ndriçim, në pamundësi për të lëvizur dhe të privuar nga pothuajse krejt aftësia për të riprodhuar në mënyrë efikase kushtet e tyre të ekzistencës. Sot ne nuk mund t’ia lejojmë vetes asnjë lloj sulmi të vazhdueshëm dhe të zgjatur kundër qarkullimit të kapitalit apo një përmbysje të tij, edhe nëse format më të egra të akumulimit janë të kufizuara. Fantazia që mund të ushqenin revolucionarët e dikurshëm – domethënë që kapitalizmi mund të shkatërrohej dhe të rrëzohej brenda natës dhe që diçka krejtësisht e re mund të ndërtohej sakaq mbi hirin e tij – sot do të ishte krejtësisht e pamundur, gjithmonë nëse ka ekzistuar ndonjëherë një epokë në të cilën ka qenë e mundur të verifikohej një përmbysje e tillë revolucionare. Disa forma të qarkullimit të të mirave e, për rrjedhojë, të kapitalit para duhen mbajtur në lëvizje për një periudhë shumë të gjatë, nëse nuk duam të dënojmë me uri pjesën dërrmuese të popullsisë. Në këtë kuptim, mund të themi që tani kapitali duket shumë i madh për të falimentuar. Mund të aspirojmë të krijojmë historinë tonë, vëren Marksi, por nuk është e mundur të zgjedhim kushtet në të cilat mund ta realizojmë. Këto kushte na imponojnë një politikë që ruan shumë prej zinxhirëve dhe flukseve të mallrave që ekzistojnë sot, ndërsa i shoqërizon dhe mbase i modifikon gradualisht për t’i përshtatur me nevojat njerëzore. Siç vërente Marksi në komentin e tij mbi Komunën e Parisit:

“[Punëtorët] e dinin që për të realizuar emancipimin e tyre dhe për të arritur kështu atë formë sipërore drejt së cilës synon shoqëria moderne me të gjitha forcat e saj ekonomike, ata do duhej të zhvillonin luftëra të gjata dhe të kalonin nëpër një sërë fazash historike që do të transformonin rrethanat dhe njerëzit. Ata nuk duhej të realizonin një ideal, por të zhvillonin elementët e një bote të re të cilën e kishte në gjirin e saj shoqëria e vjetër që po zhbëhej.”

Detyra jonë është të identifikojmë atë që është latente në shoqëri në mënyrë që të gjejmë një tranzicion paqësor drejt një alternative më socialiste. Revolucioni është një proces i gjatë, jo një ngjarje.

E përktheu Alfred Bushi

Imazhi: Logmore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.