A i meritojnë të pasurit paratë?

/Michael A. Mccarthy/

Manjatët e teknologjisë, zbavitësit babaxhanë dhe sportistët shumë të zotë gati gjithnjë hyjnë në debate të nxehta kur vjen puna te taksat. Nuk të pëlqen iPod-i? Po Herri Poteri? Ekonomistët neoliberalë na tregojnë se figura si Steve Jobs-i, J. K. Rowling-u dhe LeBron James-i duhet të marrin më shumë para se ne të tjerët. Tekefundit, ne — konsumuesit — jemi blerësit e produkteve të tyre. Pagesa e tyre e lartë krijon nxitjen e nevojshme për punën e vështirë dhe novacionin ku edhe më dembeli nga ne përfiton në fund.

Pavarësisht se ç’na tregon intuita, kjo pikëpamje nuk qëndron. Mbrojtësit e taksave të ulëta ndaj të pasurve zgjedhin enkas shembuj nga fusha e teknologjisë dhe spektaklit, duke dhënë idenë se elitat janë novatore të mëdha prej tjetër stofi. Por një vështrim i shpejtë mbi listën e CEO-ve më të paguar në SHBA tregon të kundërtën. Drejtori ekzekutiv më i paguar është David Zaslav i firmës Discovery Communications, i cili bëri mbi 150 milionë USD më 2014. Kontributi i tij i madh në përpjekjen njerëzore? Ndihmoi në instalimin e pajisjeve ajrosëse të një reality show(!)

Shumica e njerëzve e kuptojnë këtë dhe mendojnë se të pasurit duhet të paguajnë më shumë taksa. Sipas një sondazhi të Gallup-it të vitit 2015, 62% mendojnë se përfituesit e të ardhurave të larta taksohen “shumë pak”, ndërsa vetëm 25% mendojnë se ata paguajnë “atë që u takon”. 69% mendojnë se korporatat nuk taksohen mjaftueshëm, ndërsa vetëm 16% ishin të kënaqur me tarifat aktuale. Por justifikimi socialist për taksat është i bazuar në një këndvështrim tjetër — që s’para kapet nga sondazhet e opinioneve: në mënyrën si është krijuar pasuria kapitaliste. Për ta shqyrtuar, fillimisht duhet të kuptojmë se ç’janë taksat dhe ç’kuptojnë josocialistët me to.

Në shoqërinë kapitaliste politika e taksave ka dy tipare. Së pari, përcakton se cila pjesë e sektorit të ekonomisë në tërësi do të menaxhohet nga publiku, në formën e të ardhurave vjetore të qeverisë, dhe sa do të mbetet në përdorim të aktorëve privatë, në trajtën e individëve apo korporatave. Së dyti, vendos se si ndahet kjo pjesë publike mes nevojave dhe dëshirave konkurruese të individëve, organizatave dhe korporatave. E para ka të bëjë me kontrollin e burimeve, ndërsa e dyta është çështjen e shpërndarjes.

Edhe kur një qeveri mbledh të ardhura tatimore të larta, ajo nuk i përdor medoemos ato për qëllime progresiste. Mjafton të shihni përfitimet e mëdha që u shkojnë korporatave përmes subvencioneve ose kërkimit dhe zhvillimit shkencor, të financuara nga shteti, dhe kuptohet kollaj se si qeveritë mund të rishpërndajnë nga lart, nga poshtë ose horizontalisht.

Në një ekonomi kapitaliste, ku burimet prodhuese mbeten në pronësi private, socialistët kërkojnë që një pjesë e rëndësishme e produktit social të kontrollohet publikisht dhe të rishpërndahet në mënyrë demokratike drejt shtresave të ulëta të shoqërisë. Sidoqoftë, sot në SHBA pikëpamja libertariane se “taksimi është vjedhje” ka depërtuar aq thellë në përfytyrimin e përditshëm të pronës, saqë edhe ata që e përkrahin taksimin progresiv shpesh e pranojnë premisën se ka të ardhura para tatimit të cilat duhet të zotërohen plotësisht nga njerëzit. Madje edhe kredoja liberale se secili duhet të “shlyejë detyrimin që i takon” bazohet në idenë e mirëqenë se punëtorët dhe kapitali i paguajnë taksat për shkak të detyrimit qytetar të heqjes dorë nga ajo që është e tyre për hir të shoqërisë.

Në të njëjtën kohë, libertarianët argumentojnë se nëse fitimet para tatimit janë produkt i përpjekjes vetjake të një personi apo korporate, u takon atyre të vendosin se si do t’i përdorin ato. Sipas kësaj pikëpamjeje,edhe nëse qeveria ka vendosur demokratikisht të taksojë të pasurit në një shkallë të drejtë, taksimi mbetet tërësisht i padrejtë. Një formulimin ekstrem nga filozofi politik libertarian Robert Nozick: tatimi i të ardhurave nga puna është i barazvlefshëm me punën e detyruar.

Ky këndvështrim është kritikuar në mënyrë të drejtë nga progresistët. Por socialistët nuk duhet të bien në përdorimin e kriterit të rëndomtë liberal se mundësia e një personi apo korporate për të paguar përcakton shumën që duhet të paguajë. Justifikimi i njohur qarkullon edhe midis të majtëve, të cilëve u vjen ndër mend parimi: “secili sipas aftësive të tij, secilit sipas nevojave të tij”.

Ky këndvështrim bazohet mbi njërën nga këto dy premisa, ku asnjëra prej tyre nuk është e saktë. E para, taksat janë një e keqe e domosdoshme për ata që taksohen. Çka do të thotë se edhe pse të ardhurat e një personi apo korporate para tatimit janë rezultat i punës së tyre, është më praktike që shoqëria të tatojë një pjesë të këtyre të ardhurave për qëllime publike sesa t’i ato lërë në kontrollin privat [të atyre që i zotërojnë]. Dhe alternativa e dytë, të taksosh të pasurit më shumë është thjesht çështje drejtësie.

Të dyja këto premisa na çojnë drejt qorrsokakut libertarian: A nuk ka përbën prapëseprapë kjo politikë tatimore një cenim të të drejtave të individit?! A nuk duhet atëherë që drejtësia [si paanësi] të trumpetojë të drejtat e individit?! Dhe a nuk i dhunon të drejtat e individit në të njëjtën mënyrë argumentimi i socialistëve për taksim të fortë progresist?! Zaten, përse socialistët e urrejnë kaq shumë lirinë?(!)

Pikëpamja e socialistëve për rishpërndarje brenda shoqërisë kapitaliste duhet të distancohet me patjetër nga një premisë e rëndësishme e cila luan rol thuajse në të gjitha debatet mbi politikat e taksimit: se fitimi para tatimit është diçka e fituar vetëm në saje të përpjekjeve vetjake dhe zotërohet privatisht deri në momentit e ndërhyrjes së shtetit. Sapo të ndahemi nga kjo fantazi libertariane, do të jetë më e lehtë të shohim se të ardhurat individuale dhe të korporatave mundësohen vetëm përmes veprimeve shtetërore të financuara nga tatimet.

Ekonomia kapitaliste nuk është vetërregulluese. Parakushti primar që kompanitë të vjelin fitimet është e drejta e pronësisë, që imponohet nga shteti, e cila u jep disave pronësinë dhe kontrollin mbi mjetet e prodhimit, duke përjashtuar pjesën tjetër.

Së dyti, qeveritë duhet të menaxhojnë tregjet e punës për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të kompanive për fuqi punëtore me aftësi të caktuara. Shtetet e bëjnë këtë nëpërmjet politikave të arsimit dhe emigracionit. Po ashtu, të gjitha shtetet kapitaliste përpiqen të zvogëlojnë rreziqet e tregut të punës, qoftë ky rreziku i pamjaftueshmërisë së fuqisë punëtore për firmat apo ai papunësisë për punëtorët.

Së treti, shumica e kapitalistëve duan që shtetet të zbatojnë ligjet antitrust, ligjet e kontratave, ligjet kundër krimeve, ligjet mbi pronësinë dhe kundërvajtjen, duke bërë që ndërveprimet e tregut të jenë më të parashikueshme dhe të besueshme. Dhe së fundmi, ekonomia kapitaliste ka nevojë për një infrastrukturë funksionale. Edhe shumica e libertarianëve argumentojnë se kontrolli shtetëror mbi ofertën e parasë dhe normat e interesit është i nevojshëm për të nxitur ose ngadalësuar rritjen kur ekonomia ka nevojë për të.

Të gjitha këto realizohen nëpërmjet taksave. Me pak fjalë, vetë nocioni i të ardhurave ose fitimeve para tatimit është hile në llogari. Të ardhurat e një personi ose fitimet e një korporate vijnë pjesërisht si rezultat i qeverive që mbledhin taksa dhe krijojnë në mënyrë aktive kushtet ku ata mund të fitojnë para. Në këtë kuadër, “tatimi i të pasurve” nuk është thjesht qurravitje apo kërkesë për drejtësi.

Argumentimi socialist për taksat dhe rishpërndarjen progresive është ndërtuar mbi tre faktorë themelorë të mënyrës se si funksionon kapitalizmi. Së pari, siç është shtjelluar më sipër, të ardhurat personale dhe fitimet e korporatave nuk vijnë thjesht si rezultat i punës individuale dhe konkurrencës së biznesit, por janë pjesë e një produkti më të gjerë shoqëror. Të ardhurat tërësore të gjeneruara në një shoqëri kapitaliste vijnë si rezultat i një përpjekjeje kolektive të shoqërisë, që mundësohet nga një arkitekturë e posaçme shoqërore dhe ligjore dhe kanalizohet përmes institucioneve financiare të financuara nga fonde publike dhe të kontrolluara nga subjekte private.

Së dyti, pabarazia klasore që rezulton nga bërja e këtij produkti shoqëror është relacionale. Kapitalistët janë në gjendje të grumbullojnë sasi të mëdha pasurie vetëm për shkak se punëtorët nuk ia dalin. Në kushte eksperimentale, firmat mund t’i rrisin fitimet e tyre në përpjesëtim të zhdrejtë me kostot e punës që përdorin.

Kushti për këtë marrëdhënie është, edhe një herë, politik dhe mirëmbahet përmes të ardhurave tatimore. Kompanitë mbështeten te shtetet për të zbatuar të drejtat pronësore dhe kontratat të cilat garantojnë se pronësia e burimeve prodhuese të shoqërisë — mjetet e saj të prodhimit — do të mbetet në duart e një pakice shumë të vogël. Për rrjedhojë, në kapitalizëm shumica e njerëzve punojnë për të tjerët; ata nuk punësojnë të tjerë për të punuar për ta. Kapitalistët punësojnë punëtorë vetëm kur mendojnë se përpjekjet e këtyre punëtorëve do të sjellin më shumë para nga ç’do të marrin në trajtë page — po të vepronin ndryshe në kushtet e tregut, do të ishte vetëvrasje.

Natyrisht, puna e pareshtur, dredhia dhe fati u japin disa punëtorëve mundësinë për t’u bërë kapitalistë. Por struktura themelore e kapitalizmit, në të cilën një numër i vogël ka në pronësi shumicën e aseteve prodhuese, garanton se shumica dërrmuese e njerëzve (në rastin më të mirë) e kalon jetën duke marrë pagë, por asnjëherë fitime. Tatimet sigurojnë një kurë të pjesshme për këtë pabarazi thelbësore strukturore të shoqërisë kapitaliste.

Së treti, rishpërndarja nëpërmjet taksave është një mjet për të zgjeruar lirinë individuale — duke mos e kufizuar atë, siç pretendojnë libertarianët. Liria, sipas teoricienit liberal Isaiah Berlin, ka një përbërje të dyfishtë. Nga njëra anë, ekziston liria negative, mungesa e shtrëngimit ose “liria nga”, që është shenjë dalluese e koncepteve më të përgjithshme të lirisë në SHBA e sotme.

Sa për shtrëngimin, taksat financojnë një sërë të mirash publike që u mundësojnë qytetarëve një farë lirie nga tirania private e firmave. Ato formojnë krejt bazën e aparatit shtetëror, i cili në një sistem kapitalist është forca e vetme pushteti i të cilës e tejkalon atë të klasës kapitaliste në tërësi.

Pa ligje që ndalojnë skllavërinë, të hartuara nga legjislaturat dhe të zbatuara nga gjykatat, të mbështetura nga arkëtimet publike, kërcënimi i dhunës ose urisë do t’i shtrëngonte njerëzit të punonin pa para. Pa rregulla, si ato që kërkojnë të paktën sigurinë minimale në vendet e punës ose ato që e detyrojnë menaxhmentin të hyjë në negociata kolektive, punëtorët do të humbnin edhe atë që pak fuqi që kanë në mënyrën se si organizohet puna e tyre.

Megjithatë, në kontekstin e politikës tatimore ka rëndësi edhe liria pozitive. Liria pozitive është “aftësia për të” — zotësia për të bërë gjëra dhe mundësia e zgjedhjes së qëllimeve dhe e përpjekjeve për t’i realizuar ato. Një liri e tillë kërkon burime.

Në shoqëritë kapitaliste me nivele të ulëta rishpërndarjeje, liria pozitive është një lojë pa qare në të cilën disa shijojnë paktin e shkëlqyer shoqëror e të pasurit shumë aftësi të tilla në kurriz të shumë të tjerëve. Nuk mund të thuhet se politika tatimore që ndan produktin shoqëror në një mënyrë të tillë që lejon disa njerëz të kenë jetë të pasur, ndërsa të tjerët të rropaten, promovon lirinë. Për shembull, sistemi i arsimit publik[1], i cili u ofron qytetarëve mundësinë për të zhvilluar njohuritë dhe aftësitë në ndjekjen e ambicieve kolektive dhe individuale, është një prej shtyllave të lirisë pozitive dhe mund të mbështetet vetëm përmes taksave.

Në një shoqëri të vërtetë socialiste, kombinimi i barazisë politike dhe ekonomike do t’u ofronte të gjithëve një shkallë shumë më të madhe lirie negative dhe pozitive nga ç’gëzojnë në kapitalizëm. Derisa ta ndërtojmë atë botë, rishpërndarja progresive përmes taksave është njëkohësisht një mjet për të korrigjuar pabarazitë strukturore dhe instrumenti parësor i zgjerimit dhe shtrirjes së lirisë për sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Por po ecim në drejtimin e gabuar. Gjatë dekadave të fundit, përfitimet financiare nga produktiviteti në rritje i punës kanë shkuar kryesisht drejt klasave të larta, ndërkohë që niveli i taksave për përfituesit e mëdhenj është ulur në mënyrë drastike dhe tani po u afrohen niveleve para New Deal-it.

Edhe një rritje modeste e barrës tatimore të të ardhurave të 1-përqindëshit [1] në krye deri në nivelin e 45%, shumë më e ulët se nivelet e pasluftës, do të sillte një shtesë të ardhurash prej 275 miliardë dollarësh. Kjo është shumë më tepër sesa vetëm 47 miliardë dollarët që nevojiten për të bërë falas të gjitha shkollat publike dhe universitetet. Rritje të tilla janë gjithashtu të suksesshme në gjenerimin e të ardhurave të nevojshme për të financuar një sistem universal të kujdesit shëndetësor, për të rritur përfitimet e sigurimeve shoqërore dhe për të rindërtuar infrastrukturën tonë të shkatërruar.

Shumica bien dakord se të gjithë ne meritojmë të jetojmë në një shoqëri ku na jepet çka meritojmë, jemi të lirë dhe kemi aftësinë për të qenë krijues dhe për të përmbushur potencialin tonë. Pavarësisht se mund të duket jotërheqëse, taksimi rishpërndarës është një hap në këtë drejtim. Të pasurit nuk e kanë merituar pasurinë e tyre, — thjesht i kanë ngulur thonjtë për të na privuar ne të tjerëve.

E përktheu: Kristi Çunga
Marrë nga Jacobin.
Shënim: [1] shënimet në hyperlink është i përkthyesit.
Imazhi: Christian Dubovan / Unsplash

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.