Socializmi demokratik nuk është socialdemokraci

/Michael A. McCarthy/

Socialdemokracitë në vende si Norvegjia dëshmojnë se shoqëri më njerëzore, më të drejta dhe më demokratike janë të mundshme. Por socialistët demokratë duan të shkojnë përtej tyre.

Koncepti i “socializmit demokratik1,*” është i diskutueshëm, dhe kur më mirë se sa tani mund të shtrohen idetë për të hedhur dritë mbi qëllimet tona afatgjata dhe strategjitë në afatshkurtër. Siç argumentuam* Mathieu Desan-i dhe unë, në një artikull të fundit në Jacobin, pasja e një vizioni afatgjatë që e kapërcen kapitalizmin dhe thellon demokracinë do të ndihmojë në realizimin e barazive të mundësive dhe solidaritetit shoqëror – parime qendrore këto e që duhet të udhëheqin një shoqëri të mirë.

Në cilën pjesë socialdemokracitë nordike puqen me vizionin e socializmit demokratik? Kjo është një pyetje e rëndësishme, e shtruar nga Matt Bruenig-u në një reagim të tij ndaj shkrimit tonë. Ai bie dakord se Bashkimi Sovjetik nuk ishte demokraci, pasi shteti nuk ishte llogaridhënës karshi njerëzve. Por vijon duke thënë se kritika nuk mund t’i vishet edhe vendeve nordike, të cilat janë demokraci parlamentare. E në këtë kuptim, ndarja me thikë e vizionit tonë të socializmit demokratik nga socialdemokracitë ekzistuese si Norvegjia është e gabuar.

Çështja mund të shtrohet më thjesht me anë të pyetjes: Ajanë vendet si Norvegjia kufiri i asaj që ne mendojmë se si do dukej një shoqëri dhe ekonomi e drejtuar në mënyrë demokratike? Nëse po, a është, në fund të fundit, socialdemokracia njëlloj si socializmi demokratik?

Argumenti im nuk është se Vendet Nordike janë jodemokratike sikundër Bashkimi Sovjetik, por se edhe në Vendet Nordike – ku ekziston demokracia politike – socializmi demokratik* do të nënkuptonte tekefundit demokratizim dhe pronësi publike të mëtejshme të ekonomisë.

 

Socializmi demokratik nuk është socialdemokraci

Vendet Nordike – Finlanda, Norvegjia dhe Suedia – janë socialdemokraci. Ato kanë demokraci përfaqësuese të bazuara në kushtetutë, mirëqenie shoqërore të gjerë, diskutime kolektive midis punës dhe kapitalit të drejtuara nga shteti dhe një pjesë të ekonomisë në pronësi të shtetit. Këto institucione do të ishin më se të mirëpritura krahasuar me ato që ne kemi në djerrinën neoliberale.

Megjithatë, edhe pse punëtorët kanë më tepër zë në vendet e punës dhe menaxhimin e ekonomisë, kontrolli kapitalist mbizotëron në shumicën e vendeve të punës.

Në socialdemokraci, zotërimi publik i aseteve kryesore të prodhimit është i kufizuar në raport me atë që duhej të ishte. Le të marrim rastin më të mirë, atë të Norvegjisë. Bruenig-u thekson pronësinë e saj publike duke nxjerrë në pah se shteti zotëron shtatëdhjetë e katër kompani. E kjo nuk është për të mos u marrë në konsideratë: ndërmarrjet në pronësi të shtetit në Norvegji prodhojnë përafërsisht 60% të PBB-së. Shumica e saj vjen prej Equinor-it, kompanisë shtetërore të hidrokarbureve, që zë rreth 60% të volumit të pronësisë shtetërore (shteti zotëron 67% të aksioneve të kësaj kompanie). Në tërësi, kompanitë në pronësi të shtetit, duke përfshirë edhe kompaninë e hidrokarbureve, punësojnë rreth 280,000 punëtorë.

Por, të vendosura jashtë kontekstit, shifrat në vlera absolute të gënjejnë. Në total ka rreth 2.8 milion punëtorë në Norvegji. Dhe vetëm 10% e të punësuarve punojnë në kompanitë me pronësi shtetërore. Sektori publik në përgjithësi punëson rreth 30% të punonjësve, përqindja më e lartë në botën kapitaliste.

Ndonëse kjo është padiskutim arritje e madhe në krahasim me demokracitë e tjera kapitaliste, sërish shteti norvegjez lë një pjesë të konsiderueshme punëtorësh të punojnë në firmat kapitaliste për të nxjerrë jetesën e tyre. Ndodh edhe më keq në vendet e tjera socialdemokrate.

Socializmi demokratik, në anën tjetër, duhet të përfshijë pronësinë publike për pjesën më të madhe të aseteve prodhuese të shoqërisë, zhdukjen e faktit se punëtorët detyrohen të hyjnë në tregun e punës e të punojnë për ata që i zotërojnë privatisht këto mjete prodhimi, si dhe institucione demokratike më të forta jo vetëm brenda administratës, por edhe në vendet e punës dhe komunitete. Mënyra se si e përkufizojmë socializmin demokratik nënkupton thellim drastik të demokracisë në ekonomi.

Ky dallim është thelbësor, por me sa duket Bruenig-u e shpërfill. Duke vepruar kështu, ai harron se ku rreh problemi: përse mendon ai se pronësia publike relativisht e kufizuar dhe demokracia ekonomike në vendet socialdemokrate janë më të preferueshme apo më të realizueshme se alternativa me shtrirje më të gjerë.

Kjo nuk është çështje qëllimesh politike afatshkurtra; shumë prej institucioneve të socialdemokracisë duhet të jenë në qendër të kërkesave të socialistëve sot.

 

Kufizimet e socialdemokracisë

Në zemër të kufizimeve të socialdemokracisë qëndron një problem që haset në të gjitha shoqëritë që mbështeten gjerësisht në firmat kapitaliste për punësim: cilat janë format më të rëndësishme të pushtetit?  Edhe me një demokraci politike të fortë, pushteti në shoqëritë me ekonomi kapitaliste nuk ushtrohet edhe aq përmes ligjvënësve. Firmat, me lehtësinë për të zhvendosur biznesin dhe burimet, marrin vendime private me ndikime të mëdha publike. Dhe ky pushtet minon institucionet e përfaqësimit demokratik.

Madje edhe në demokracitë formale më të mira – me zgjedhje tërësisht të lira e të ndershme – firmat private sërish do të kenë ndikim të madh mbi zyrtarët e zgjedhur të cilët gjenden nën presionin e mbështetjes së politikave që mbrojnë nxjerrjen e fitimeve. Po si mund të ndodhë një gjë e tillë nëse ata janë të zgjedhur e llogaridhënës? Përse edhe te socialdemokracitë, ku pronarët e firmave kapitaliste janë një grusht i vogël i elektoratit, burokratët e shtetit mbrojnë nxjerrjen e fitimeve?

Kjo ndodh sepse jetesa e shumë njerëzve varet, në masë të madhe, nga firmat dhe të dyja palët, si votuesit ashtu edhe politikanët, priren të miratojnë politika në interes të biznesit. Por në rast se ndodh të vihet në zbatim një program socialist, biznesi ka fuqinë të çinvestojë.

Ngadalësimi i ekonomisë zvogëlon të ardhurat e shtetit që vilen përmes taksave, zhduk vende pune dhe, në mënyrë tipike, përfundon me politikanët socialistë që nuk votohen më, që ndërrojnë kurs drejt shtrëngimeve, apo dëbohen me forcë me grushte shteti. Ekonomia kapitaliste vepron si zmbrapsëse ndëshkuese automatike mbi qeveritarët e zgjedhur në mënyrë demokratike të cilët synojnë të instalojnë institucione socialiste gjatë mandatit të tyre.

Kjo është arsyeja se përse projekti i Meidner-it mbi fondin e pagëmarrësve në Suedi – projekt që do ta transferonte pronësinë e firmave nga kapitali drejt publikut – diçka rreth së cilës Bruenig-u dhe unë jemi shumë të dhënë pas dhe do të donim ta shihnim të realizuar njëfarësoj – tekefundit nuk arriti të zbatohej tërësisht. Megjithëse i mbështetur në mënyrë demokratike, projekti vinte në rrezik ekzistencën e vetë kapitalistëve dhe, në këtë mënyrë, u minua nga pushteti kapitalist. Edhe në socialdemokracitë më të përparuara, marrëdhëniet miqësore midis kapitalizmit dhe demokracisë janë të paqëndrueshme.

A përmban Norvegjia institucione që mund t’i kundërvihen grevës kapitaliste? Nëse do të udhëhiqej nga parimet socialiste të investimeve, duket se fondi norvegjez i sovranitetit mund të ofronte një linjë mbrojtjeje kundër fuqisë së biznesit për grevë kapitali. I themeluar në vitin 1990 si mjet për të investuar tepricën e fitimeve prej kompanisë shtetërore të hidrokarbureve, deri në vitin 2017 fondi është rritur në vlerën 8,488 miliardë krone (përkth.: 880 miliardë Euro). Në një grevë kapitali, asetet mund të zhvendosen për t’iu kundërvënë humbjes së vendeve të punës apo çinvestimeve të kompanive që përdorin pushtetin e tyre privat për të kundërshtuar politikat publike socialiste.

Por ky fond nuk është përdorur kurrë në këtë mënyrë dhe nevojiten ndryshime të mëdha që ai të përdoret për të dobësuar fuqinë e biznesit të brendshëm. Krejt ndryshe nga fondi shumë i vogël folketrygdfondet i Norvegjisë, fondi i sovranitetit kryesisht nuk investohet brenda shtetit. Ai investohet jashtë shtetit për të mënjanuar riskun nga krizat e brendshme ekonomike, duke zotëruar mesatarisht 1.4% të çdo kompanie publike të listuar në bursë në botë.

Këtij fondi i duhet njohur merita e të pasurit një rol aktiv në çinvestimin prej disa prej produkteve më të rrezikshme (duhani, armët bërthamore e armët e shkatërrimit në masë dhe qymyri) dhe shpesh përdor zërin e aksionarëve të tij në përpjekje për të ndryshuar praktikat e kompanive më të mëdha në botë. Por në fund të fundit ky fond udhëhiqet nga shtysa për fitime dhe është i kushtëzuar nga konkurrenca e kapitalit global. Kostot financiare e ndërmarrjes së këtyre qëndrimeve parimore kanë qenë tepër të vogla. Nëse do të shfrytëzohej si mburojë ndaj çinvestimit të kapitalit, do të kishte marrë përsipër një risk shumë më të madh dhe me gjasë do të investonte në projekte me humbje.

Ky fond sjell përfitime reale për norvegjezët dhe ofron mundësi reale për të kundërshtuar logjikën kapitaliste të investimit. Por fakti që diçka e tillë mund ta bëjë më të realizueshme zhvendosjen drejt socializmit demokratik nuk tregon që tashmë Norvegjia ka arritur në fazën e socializmit demokratik.

 

Më shumë demokraci, më shumë pronësi publike

Socialdemokracia kufizohet nga një lloj paradoksi. Krijimi i saj varet nga grevat masive dhe rritja e organizimit sindikal të cilat u japin jetë si organizatave politike të shëndetshme dhe reformave të mirëqenies sociale, ashtu edhe institucioneve bashkëvendosëse në ekonomi. Këto janë qëllimet tona.

Por historikisht, me konsolidimin e socialdemokracive, përfaqësuesit kryesorë të forcave të ndryshme që i kanë kërkuar këto reforma – zyrtarët shtetërore dhe përfaqësuesit e sindikatave – duhet të mbajnë në fre agjitacionin dhe solidaritetin e klasës punëtore, që e bënë të mundur arritjen e këtij sistemi, në mënyrë që të qetësojnë kapitalin.

Kur krizat kapitaliste minojnë rritjen ekonomike, këto aleanca të vështira priren të çahen dhe shpesh socialdemokracitë i fillojnë vetë shkurtimet në shtigjet e liberalizmit të djathtë, një tipar i shumë llojeve të ekonomive kapitaliste, si Danimarka, Gjermania, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara. Fati i dukshëm i zbulimit të rezervave të naftës në Norvegji në fillim të viteve 1970, arsyeja kryesore se përse shteti zotëron kaq shumë pjesë në PBB dhe arsyeja kryesore e pasjes së një fondi sovraniteti kaq të konsiderueshëm, nuk mjafton për t’i shpërfillur këto kufizime të thella ndaj demokracisë dhe pronësisë publike më të plotë.

Nëse socializmi demokratik është udhërrëfyesi ideal për një shoqëri demokratike, atëherë ç’kuptim ka të ngulim këmbë që socialdemokracitë nordike janë të fakt socializëm demokratik? Një përgjigje është se duke vepruar kështu mund kundërshtojmë argumentet e konservatorëve dashakeqës të cilët e barazojnë çdo ndërhyrje të shtuar të shoqërisë në ekonomi me sistemet e dështuara autoritare. Por në këtë rast, përse të mos zgjedhim rrugën më të lehtë dhe ta mbrojmë këtë ndërhyrje në themele tërësisht socialdemokrate?! Pse lodhemi kot dhe quhemi socialistë?!

Po të mos keqkuptohemi: sistemi nordik i shtetit të mirëqenies sociale do të ishte gjerësisht i preferuar karshi alternativës tonë neoliberale, dhe ne duhet të punojmë drejt ndërtimit të disa prej këtyre institucioneve të rëndësishme edhe këtu në SHBA. Por duke e quajtur veten socialistë demokratë, ne shpalosim aspiratat tona për një demokratizim më të thellë të shoqërisë nga ç’mund të lejojë socialdemokracia.

Lidhjet me simbolin * janë të përkthyera edhe në gjuhën shqipe, të tjerat janë në gjuhën angleze.

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Sceptical Scot

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.