/Arlind Qori/
Një prej kuptimeve të termit koncesion, më i sakti politikisht, është ai i dorëzimit të një pale ndaj tjetrës. A i koncensionohet B kur i njeh epërsi të pakapërcyeshme. Prej këtej mund të nisë argumentimi se pse revani koncesionar i qeverive shqiptare, sidomos i aktuales, është një proces i papërmbajtshëm dorëzimi ndaj fuqive biznesore. Si përfaqësuese e pushtetit të popullit, qeveria kësisoj nuk po dorëzon veç veten, por të gjithë ne. Madje po dorëzohet e po na dorëzon pa “shtënë një pushkë”.
Më specifikisht qeveria po dorëzohet duke pranuar paaftësinë e saj për të administruar të mirën publike. Prej menaxhimit të shërbimeve spitalore te transporti urban, qeveria (në nivel qendror dhe lokal) ka pranuar se nuk ka kapacitete administrative dhe morale (nëpunës të aftë dhe të pakorruptuar/korruptueshëm) për të kryer detyrat administrative bazike. Mirëpo nëpunësit në Shqipëri nuk përbëjnë ndonjë kastë të paprekshme, s’janë mbeturina të ndofarë aristokracie të moteve të shkuara, as zotërues të ndonjë monopoli dijesh teknike të pazëvendësueshme. Nëpunësia shqiptare gjatë një çerekshekulli përbëhet nga burokratë të lëvizshëm me ndryshimin e partive qeverisëse, njerëz zotësia kryesore e të cilëve është bindja ndaj autoritetit partiak dhe shkathtësia në shpërndarjen vertikale të plaçkës korruptive. Rrjedhimisht, batakçillëku i poshtëm nuk është rezistencë e pakapërcyeshme e nëpunësve ndaj drejtuesve të përkorë politikë, por bindje e të parëve ndaj mekanizmit korruptiv kapilar të nisur nga të dytët në bashkëpunim me oligarkët ekonomikë. As paaftësia administrative nuk është aksident historik, por produkt permanent dhe kusht i ekzistencës së çdo elite qeverisëse.
Edhe në e marrshim qeverinë si të përkorë moralisht dhe e konsiderojmë me seriozitet programin e saj, dorëzimi del i pakuptimtë. Çdo forcë politike, përpara se të marrë pushtetin, kritikon palën tjetër për ndërtimin e një nëpunësie të korruptuar dhe të paaftë, çka ka sjellë si efekt koncesionet e vjetra: efekt edhe i pazareve korruptive të qeverisë me oligarkët, edhe i paaftësisë për të administruar shërbimet publike. Mendja ta do se çdo qeveri e ardhshme, që mëton të ndikojë në ndërtimin e një administrate më të aftë dhe të ndershme, do të pakësonte arsyet e mbajtjes së të njëjtave koncesione, madje do të mundësonte që disa syresh të prapësoheshin dhe të administroheshin me çmim më të lirë nga vetë administrata shtetërore. Jo vetëm që diçka e tillë nuk ndodh, por e njëjta qeveri që krenohet se po ndërton një administratë më të arrirë zgjeron shërbimet e dorëzuara tek oligarkia ekonomike. Nëse kjo do të përligjej disi si akti i fundit i një qeverie në ikje, pa pretendime politike të çfarëdoshme, asgjë nuk e justifikon si akt të një qeverie që jo vetëm nuk ka ndërmend të ikë, por as që është e gatshme të pranojë ndonjë dështim.
Marrim si shembull rastin e rritjes së çmimit të biletës së transportit urban nga Bashkia e Tiranës. Pavarësisht se gjatë dhjetorit të vitit të shkuar kryetari dhe zyrtarët e tij thanë se çmimi nuk do të rritet, shumë shpejt ndërruan mendje, siç deklaruan vetë, për shkak të presionit të këtyre kompanive për të bllokuar transportin urban përmes grevës. Nga ana tjetër zyrtarët e bashkisë pretenduan se e kishin të pamundur t’ia jepnin të njëjtin koncesion kompanive të tjera me çmimin aktual, pa treguar gjëkundi se ç’proces konsultimi publik kishin kryer me këto kompani hipotetike.
Ajo çka mungon në diskutimin publik është si publikimi i kontratës koncesionare, ashtu edhe përllogaritja e kostove dhe të ardhurave të kompanive që pretendojnë humbje. Sa i përket të parës, ajo që duhet të kuptojmë është nëse një kontratë e tillë – e dhënies së të drejtës ekskluzive të një linje urbane një kompanie dhe bashkisë së të drejtës së përcaktimit të çmimit – i njeh kompanisë të drejtën për të bërë grevë. Afërmendsh jo. Kontrata mes dy palëve nuk mund të prishet nga njëra pa sanksione të cilat mund të përfshijnë edhe ngrirjen e llogarive bankare ose sekuestrimin e mjeteve të transportit. Ndoshta është kjo arsyeja që edhe përpara dy vjetësh kur kërcënuan me grevë, pronarët e linjave nuk dolën vetë publikisht, por nxorën sindikatën e punëtorëve të tyre që të kërcënojë me grevë bashkinë e kohës dhe qeverinë për shkak të mosmarrjes së pagave që u detyroheshin pronarët. Është e rrallë që punëtorët të mos i kundërvihen pronarit, por atyre me të cilët pronari ka konflikt për shkak të mosrealizimit të të ardhurave të synuara, pa e vënë asnjëherë në dyshim pretendimin e pronarit se aktiviteti po rezulton pa fitim. Meqenëse mendja ta do që punëtorë të tillë ndihen të kërcënuar nga pronarët që t’u bëjnë presion autoriteteve shtetërore me grevë, zgjidhja nuk kishte pse të ishte përkulja ndaj grevës farsë, por çlirimi i tyre nga një presion i tillë edhe nëpërmjet hetimit të kërcënimit të tyre për të dalë në grevë për interes të pronarit. Që t’u jepnin siguri punëtorëve në denoncimin e të vërtetës, autoritetet shtetërore mund t’u premtonin shoferëve dhe faturinove se do të punësoheshin në kompaninë (publike ose private) që do të zëvendësonte aktualet pas thyerjes së kontratës apo paligjshmërisë së kërcënimit.
Nga ana tjetër, pronarët e kompanive janë prej vitesh të zhurmshëm se me biletën 30-lekëshe nuk kanë mundësi të nxjerrin fitim. Mirëpo në gjithë këta vjet nuk kanë publikuar një copë letër ku të llogarisnin, sipas tyre, kostot dhe të ardhurat. Edhe një bilanc i manipuluar do të ishte problematik për to, pasi do t’u mundësonte kritikëve t’i sitnin të dhënat e tyre duke nxjerrë në pah, kushedi, fitimin e padeklaruar të tyre. As bashkia, nga ana tjetër, nuk e ka bërë një bilanc të tillë për të justifikuar përpara publikut se pse është e pashmangshme rritja e çmimit. I vetmi argument që kanë dhënë është ai i indeksimit, duke marrë për të mirëqenë rritjen e disa kostove si nafta apo shtrenjtimin e jetës ekonomike në përgjithësi (a thua se rritja e çmimit të vezëve i ka varfëruar pronarët aq sa të ketë rënë konsumi familjar i tyre). Mirëpo kjo mund të tregojë uljen e masës apo normës së fitimit, por jo zhdukjen apo papërshtatshmërinë e tij. Në mungesë të dhënash, mund të hamendësohet edhe se masa ose norma e fitimit të kompanive ka qenë aq e madhe sa të mos përbëjë dramë ulja e tyre. Madje po t’i marrim seriozisht akuzat e opozitës së djeshme (qeveritarëve të sotëm qendrorë dhe lokalë) për abuzimet në dhënie koncesionesh nga qeveria e PD-së, mund të dalim në përfundimin se edhe koncesioni i transportit urban ka qenë i tillë duke u garantuar firmave një masë dhe normë mbinormale fitimi. Që fitimi i tyre ekziston, pavarësisht pretendimit të humbjeve, rezulton edhe nga fakti që prej vitit 2014 e tëhu kompanitë kanë vazhduar aktivitetin e tyre, me gjithë pretendimin e atëbotshëm se dilnin me humbje. Po ashtu, mostransferimi i kapitaleve gjetiu, ku masa dhe norma e fitimit shprehet në raporte konkurruese, të lë të kuptosh se ato vazhdojnë të jenë të konsiderueshme, madje me perspektivë më të lakmueshme si rezultat i pozitës monopoliste dhe raportit klientelist me shtetin.
Lidhja e këtij procesi me pasojat mbi klasat e nënrenditura të shoqërisë e bën të tërën edhe më ulëritëse në padrejtësinë shoqërore që prodhon. E drejta për të lëvizur në qytet, për punë e aktivitete të tjera, nuk mund të konsiderohet dytësore. Për njerëz që e përdorin transportin urban për të ardhur prej zgëqeve të periferive në qendër, aty ku ka shpresë për punë, për të përfituar 15000 lekëshin e pagës minimale reale, nuk është goditëse vetëm rritja 10-lekëshe, por edhe çmimi i mëparshëm 30-lekësh. Disa syresh, më të rinjtë e më të fuqishmit, e bëjnë prej vitesh rrugën më këmbë. Për ta çdo monedhë është një bukë më shumë për familjen, një fletore për fëmijët apo një cigare helm/melhem për veten. Me rritjen e çmimit numri i udhëtarëve të këmbëve do të rritet dhe, kushedi, së afërmi do të shquajmë në qytet turma spontane proletarësh që ngarendin drejt vendit të punës/shfrytëzimit apo sheshit të kërkimit të “privilegjit” të të qenit të shfrytëzuar dhe pasditeve tërheqin këmbët kokulur drejt shtëpive të mjera të lagjeve të harruara. Ashtu, të shumtë e të pavëmendshëm ndaj njëri-tjetrit, mund të vetëdijesohen se nuk kanë ç’humbin veç prangave të shfrytëzimit, lodhjes dhe dëshpërimit social. Fshihuni atëherë zotërinj!
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).