Si ta shpëtojmë Kadarenë nga Kadareja?

/Shkodran Ramadani/

I

Sa herë që afrohet dita kur përfaqësues të komisionit të Akademisë Suedeze dalin përballë shtypit botëror dhe nga zarfi nxjerrin emrin e autorit laureat të çmimit Nobel për letërsi, në mesin e opinionit publik shqiptar dhe më gjerë plas debati përreth mundësive të Ismail Kadaresë për të fituar çmimin me gjasë më prestigjioz në letërsi. Në të shumtën e kohës ky debat nuk është fare debat, por shkëmbim fyerjesh mes palëve të përfshira në përplasje. Palët e kyçura në këto piskama në të shumtën e kohës shpalosin pseudoargumente nga pozicione fundekrye dogmatike. Kadareja, i cili pa më të voglin dyshim është nga shkrimtarët më të mëdhenj (dhe mbase më i madhi) që ka dalë nga mesi i shqiptarëve (dhe ky nuk është aspak ekzagjerim), është gjithashtu një personazh kontravers që në vete bart një mori potencash politike. Janë pikërisht këto potenca ato rreth të cilave gravitojnë përplasjet mes palëve të përfshira në atë që vetëm debat letrar nuk mund të quhet.

Përveç faktit se ai ishte shkrimtar i regjimit të diktaturës komuniste në Shqipërinë e Enver Hoxhës, disa nga qëndrimet më të përfolura politike të Kadaresë janë eurocentrizmi, katolikocentrizmi, antiislamizmi, orientalizmi etj. Janë mu këto elemente politike ato të cilat çajnë si sëpatë spektrin e opinionit publik rreth figurës së tij. Kjo çarje më pas edhe krijon shtegun për lindjen e debatit rreth Kadaresë. Dy është numri i palëve kryesore që kundërpozicionohen në këtë betejë: eurocentrikët, katolikocentrikët, orientalistët dhe ata që kundërshtojnë këto paradigma mbi të arsyetuarit mbi botën. Njëri tabor sulmon ashpër Kadarenë, kurse tjetri luan avokatin e tij. Meqenëse vlerësimi për validitetin botëkuptimor të këtyre sistemeve të dijes kërkon hapësirë të veçantë për ta shtruar si çështje, ky shkrim synon që të argumentojë se debati politik rreth figurës së Kadaresë është irelevant në raport me veprën e tij letrare.

Siç edhe thamë më lart, dy janë palët që përfshihen në këtë përplasje. Që të jemi më korrektë, kemi për obligim të përmendim faktin se në mesin e atyre që flasin për Kadarenë ka edhe nëngrupe dhe individë që i ikin kësaj dikotomie të dhunshme: “Për” apo “kundër” Kadaresë. Para së gjithash duhet ta kemi të qartë se nënshtrati në të cilin ngrihen këto dy pozicionime ka natyrë politike. Kjo dikotomi ka karakter imponues për shkak se synon të na detyrojë të marrim pozicion strikt në këtë ndarje, dhe karakter rrënues për shkak se synon të rrëzojë muret midis Kadaresë si shkrimtar dhe Kadaresë si intelektual dhe aktivist politik. Kjo çarje arbitrare priret të vret impulset që mëtojnë të kalojnë kufijtë e vendosur dhunshëm nga sëpata e dikotomisë dhe, përmes logjikës së saj homogjenizuese, ajo mundohet të asimilojë me llavën e saj të gjitha elementet heterogjene që vibrojnë në mesin e diskutuesve dhe atyre që flasin rreth Ismail Kadaresë, por që refuzojnë të përfshihen në arenën e dyluftimeve.

Kjo ofensivë orvatet që të mbytë qasjen pluraliste dhe të zbojë nga horizonti publik të gjithë ato argumente që refuzojnë t’i përshtaten skeletit dikotomik. Struktura dikotomike gjithmonë ka qenë e natyrës autoritare dhe totalizuese. Vetë origjina e kësaj fjale ka kuptimin e çarjes, ndarjes të së Tërës. Mirëpo, edhe pse e Tëra pëson frakturë, gjurmët e logjikës totalizuese transferohen, deponohen dhe ruhen në dy degët e krijuara nga kjo thyerje dhe ato mbetje më pas kryengriten sikur instinkti i ndrydhur tek aparati psikologjik i skicuar nga Sigmund Freud-i. Domethënë, spektri i totales ende ndjek si fantazmë dy degët e lindura nga ndarja e së Tërës. Fantazma e së Tërës është në kërkim të gjetjes së mbetjeve mortore të së Tërës në degët e krijuara nga vdekja e saj, ngjashëm me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” që kërkon eshtrat e ushtarëve të tij të vdekur. Kështu, disi prirja totalitare ia del që të rigjenerohet dhe të shfaqet përsëri përmes trysnisë dhe imponimit që na shtyn të marrim pozicion strikt.

Kjo logjikë neve na situon në një mjedis totalitar. Debatuesit e përfshirë në luftën pro dhe kundër kështu bien në grackën të cilës ata mundohen t’i ikin: diktaturës. Tabori apologjet i Kadaresë mundohet që kinse nga prizmi liberal ta shpëtojë Kadarenë duke thënë se ky i fundit nuk ishte shërbëtor i sistemit komunist në Shqipëri, por disident, në rastin më të mirë, ose jokonformist i heshtur në rastin më të keq. Gjithsesi, kjo palë mundohet që ta shpëtojë Kadarenë përmes thirrjes në vlerat liberale dhe identifikimit të tij me idealin e lirisë dhe refuzimit të tij përballë regjimit të hekurt enverist. Tabori tjetër, ai sulmues ndaj Kadaresë, sakaq, përpiqet ta paraqesë Kadarenë si shërbëtor të regjimit dhe në pako me këtë supozim kërkon nga ne që ta braktisim dhe bojkotojmë “Kadarenë shkrimtar”, gjegjësisht veprat e tij letrare. Ai që gjithë kohën pëson nga ky pluhur i ngritur nga vrapi i atyre që, në njërën anë, sulmojnë Kadarenë dhe nga këmbëngulja e atyre që, në anën tjetër, përpiqen ta mbrojnë nga këto sulme është “shkrimtari Kadare.”

Tabori apologjet i Kadaresë është gjithmonë në përpjekje për t’ia fshehur dhe minimizuar Kadaresë veprimtarinë e tij dhe privilegjet në regjimin e Enver Hoxhës, kurse pala tjetër mundohet t’i nxjerrë në pah dhe madje t’i ekzagjerojë ato. Pikëtakimi i këtyre kampeve ndodh brenda idesë se “shkrimtari Kadare” nuk mund të jetojë me “Kadarenë politik”. Ata që ia mbulojnë të kaluarën politike e bëjnë me qëllimin që ta shpëtojnë Kadarenë si shkrimtar. Kjo përpjekje në fakt kryen atë të cilën kjo përpjekje synon të pengojë në parim: atentatin mbi veprën letrare të Kadaresë. Kjo sepse, sipas kësaj logjike, Kadare është asgjë, një hiç i madh nëse historia e nxjerr atë si shërbëtor të regjimit enverist. Pra, për ta, vepra letrare e Kadaresë nuk është e vetëmjaftueshme , por e varur nga veprimtaria e tij politike. Nëse ai ka qenë në anën e padrejtësisë historiko-politike, vepra e tij mbetet lakuriq dhe madje shembet e tëra në kotësinë e saj, prandaj – thonë ata në heshtje – ne duhet të kamuflojmë të vërtetën e tij politike në mënyrë që të shpëtojmë nga rënia kështjellën e tij të letërsisë.

Tabori tjetër, ndërkohë, mundohet që, duke identifikuar Kadarenë me pushtetin e Enver Hoxhës, të zhvleftësojë gjithë veprën e tij letrare. Kjo palë, figurativisht, përmes pushtetit që Kadareja gëzonte në regjimin e Enver Hoxhës, vendos që ta vendosë “shkrimtarin Kadare” para çetave të pushkatimit dhe t’u vërë flakën të gjitha letrave, poezive, rrëfimeve dhe librave të shkruar, që është vendim hiç më pak se totalitar dhe diktatorial. Edhe për palën sulmuese, ashtu si për palën mbrojtëse, “shkrimtari Kadare” nuk mund të mbijetojë pa “Kadarenë politik”. Kësisoj tabori sulmues dhe mbrojtës na dalin si dy anë të së njëjtës monedhë. Në botën e kësaj pale, Kadareja u ngjan të rinjve që dështojnë të braktisin shtetin shqiptar në librin “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”. “Shkrimtari Kadare”, ashtu sikur shumë të rinj të vrarë nga rojet kufitare, dështon të arratiset nga “Kadareja politik”. “Shkrimtari Kadare” futet në qerthullin e “Kadaresë politik” dhe jeton si një i burgosur në qeli pa pasur mundësi të lulëzojë si shkrimtar. Nganjëherë kur dikush provon ta shpërblejë “shkrimtarin Kadare”, ky tabor u dërgojnë letra dhënësve të çmimit që të mos bëjnë diçka të tillë.

“Sekretariati i Përgjithshëm” i kësaj pale kështu mundëson ndërtimin e një mjedisi totalitar në të cilin “politikani Kadare” kontrollon, mbikëqyr dhe dekurajon të gjitha ëndrrat që fshihen në tekstet e “Shkrimtarit Kadare” dhe përmes kësaj ata rishkruajnë “Pallatin e Ëndërrave” të Kadaresë, në të cilin regjimi totalitar përpiqet të kontrollojë çdo ëndërr. Kjo godinë totalitare e “Kadaresë politik” synon të disiplinojë dhe shpërbëjë çdo impuls ëndërrimtar që skutohet nëpër librat e Kadaresë, në mes të rreshtave të tyre. “Shkrimtarit Kadare” i ndodh ajo që i ngjan Marias te “Nata me hënë”, ku punëtorët e një fabrike, të cilët janë të gjithë në shërbim të strukturave politike të shtetit, komplotojnë kundër saj dhe i shkatërrojnë asaj gjithë jetën personale. Kjo palë, gjithashtu, sikur pala e parë, rezonon prej prizmit liberal, por kësaj radhe për ta kritikuar Kadarenë. Mirëpo, përkundër dëshirës së tyre për të qenë liberalë, ata në diskursin e tyre inxhinierojnë një burokraci kafkiane që gëlltit “shkrimtarin Kadare”, e cila i djeg librat e tij dhe personazhet e Kadaresë, me të gjitha ëndrrat dhe dëshirat e tyre, i dërgon në gulagët e ndërtuara enkas për ta. Kjo palë kështu ia rrëmih varrin vetes dhe bëhet një me objektin e saj të kritikës, me diktaturën.

Kafka dikur kërkonte prej mikut të tij të dashur Max Brod që të digjte çdo dorëshkrim, letër, dokument, fletore që mbante gjurmë nga dora e tij. Kafka ishte dëshpëruar aq shumë me jetën, sakaq kërkonte me ngulm që të vriste çdo gëzim, gjallëri dhe puls lumturie që buronte në veprat e tij madhështore. Ai kishte djegur një pjesë të opusit të tij letrar dhe me këtë rast Kafka kreu një tentimvrasje mbi karakterin e tij si shkrimtar. Ai mund ta kishte vrarë veten si shkrimtar edhe sa ishte gjallë dhe ky fakt përbën argument që vë në dukje se ekziston një shkëputje në mes të shkrimtarit dhe personit politik, ose së paku na tregon se shkrimtari nuk mund të kufizohet brenda kornizës së personit politik, se lidhja mes këtyre dyve nuk është qenësore. Shkrimtari arrin t’i mbijetojë politikanit edhe në qoftë se krijohet iluzioni se ky i dyti ka kontroll të plotë mbi të parin. Kjo për shkak që shkrimtari është vetë gjuha e cila me fluiditetin e saj arrin t’i shpëtojë shtrëngesave të kontekstit edhe përkundër faktit se gjuha është shpesh peng i trurit të rrjetit të pushteteve.

Jacques Derrida-ja shkruante se mungesa e autorit është kusht i domosdoshëm për mbijetesën e gjuhës. Ai madje thotë se kjo ndodh krejt natyrshëm sepse “të shkruash do të thotë të tërhiqesh prapa, të mos banosh brenda tekstit, por ta braktisësh atë. Autori arratiset nga teksti dhe ik sa më larg tij. Të jesh poet do të thotë të dish si të braktisësh tekstin, ta lësh tekstin të flasë vetë dhe ta lësh tekstin që të arratiset. Të braktisësh të shkruarit do të thotë të jesh aty vetëm në mënyrë që të bësh rrugën përmes të cilës teksti ikën nga autori, ose anasjelltas”. Dhe kjo ndodh me apo pa dëshirën e autorit sepse gjuha refuzon të mbetet rob i autorit. Kështu ndodh edhe me veprat e Kadaresë. Ato refuzojnë të mbeten peng i autorit fizik, historik e politik të Kadaresë. Gjuha dhe tekstet e tij refuzojnë të limitohen në kontekstin në të cilin ato lindën. Ato transhendojnë kufijtë që përpiqen t’ia ngulfasin pulsimin e zemrës. Prandaj vepra e tij, larg nga konteksti ku lindi, çmohet dhe vlerësohet deri në superlativ. Një numër i madh institucionesh dhe institutesh kanë ndarë çmime për veprën e tij. Gazeta Le Monde në listën e saj për 100 librat më të mirë të shekullit XX, librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e renditi në vendin e 73-të. Janë me dhjetëra çmime tjera prestigjioze të ndara për të. Kadareja vazhdon edhe sot të shkruajë me një elan rinor dhe talenti i tij prej letrari nuk do të resht së shpërblyeri me çmime të tilla prestigjioze.

II
Kadaresë i duhet një prift për t’u rrëfyer

Ismail Kadareja, siç e thamë edhe në pjesën e parë të këtij shkrimi, është një figurë kontraverse e cila bart një mori problemesh politike dhe e cila ka ngjallur debate të shumta në mesin e kritikëve dhe apologjetëve të tij. Përderisa në pjesën e parë të shkrimit u munduam që t’i mëshojmë sëpatë iluzionit se “shkrimtari Kadare” është peng i pashpresë i “Kadaresë politik”, në pjesën e dytë do të shkruajmë për mungesën e guximit të Kadaresë për t’u rrëfyer për të bëmat, flirtimet, romancat, bashkëpunimet e tij me regjimin e Enver Hoxhës. Nga kush apo nga çfarë ka frikë ai?

Ismail Kadareja para disa ditëve pranoi se kritikat dhe ofendimet që ai i kishte lëshuar në drejtim të Gjergj Fishtës ishin të gabuara. Në njërin nga shumë shkrimet e Kadaresë në shërbim të Partisë së Punës dhe regjimit komunist më 13 janar, 1974: (‘Realizimi socialist – arti i madh i revolucionit’ në gazetën: ‘Zëri i Popullit’) ai e kishte quajtur “filoitalian të papërmbajtshëm, emisar të pushtimit fashist, partizan të çkombëtarizimit” dhe për fat të keq të atyre që Kadarenë mundohen ta nxjerrin si liberal, Kadareja nuk nguroi t’ia afishojë Fishtës edhe një etiketë që nga Kadare përdoret në konotacion negativ: “kryeliberal dhe kozmopolit i tërbuar”. Kjo fjali ka saktësi deri në një masë sepse dihet se Fishta ka qenë bashkëpunëtor i pushtuesve fashistë italianë, por ai nuk ishte liberal e as kozmopolit.

Ditë më parë ai pra tha gjykimet e tij mbi Fishtën ishin të gabuara, por nuk e di se për cilat gjykime ai mendon se ishin të gabuara.  Në të njëjtin shkrim Kadareja sulmon ashpër edhe Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën duke i shpallur si antishqiptarë dhe për ta nuk dëgjuam që të ketë kërkuar falje. Ai nuk u kërkon falje as Fatos Lubonjës dhe as të gjallëve të tjerë ndaj të cilëve ai kreu shumë mëkate. Ai nuk u kërkon falje as shumicës dërrmuese të shqiptarëve myslimanë nga të cilët paturpësisht ka kërkuar që të ndërrojnë fenë. Ai nuk kërkon falje as nga refugjatët e krizës së vitit 1997 të cilët i ofendoi rëndë dhe këtë e bëri nga kolltuku i tij në Francë. Të mos harrojmë, ai iku në Francë si një refugjat ose edhe si një azilant politik të cilit nuk i kishte mbetur vend pas rrëzimit të regjimit tek i cili Kadare gjeti prehje, pushtet dhe privilegje. Ai duhet të kërkojë falje edhe nga ata që mbesin të përjashtuar nga paradigma e tij e eurocentrizmit dhe nga orientalët të cilët ai i dehumanizon. Nëse ka vendosur që të ndjekë shembullin e Ivo Andriqit, atëherë i dëshirojmë çdo të mirë!

Ta kemi të qartë, Kadareja politik është dikush që nuk meriton të merret shumë seriozisht. Ai është person që ka turp nga e kaluara e tij, të cilin e bren ndërgjegjja dhe që asnjëherë nuk pati guximin intelektual e moral të rrëfehet për të kaluarën e tij, që ta pranojë se ishte shërbëtor i regjimit enverist. Ai, po ashtu si kritikët e tij, ka frikë se mëkatet e tij politike e vrasin si shkrimtar. Ai, edhe pse kërkon nga ne që të konvertohemi në krishterim, refuzon që të praktikojë krishterimin, të rrëfehet për mëkatet e tij. Michel Foucault-ja thotë se krishterimi është religjioni i rrëfimit dhe Kadareja deri tash ka refuzuar që të futet në kabinën e rrëfimit. Kadareja refuzon ta praktikojë parrhezian, koncept i lashtë grek dhe të cilin Michel Foucault-ja e përmbledh kështu:

“Pra e shihni, parrhezian është dikush që rrezikon. Sigurisht, rreziku nuk është gjithmonë rrezik për jetën. Në jetën publike parrhezian është ai që rrezikon popullaritetin e tij për shkak se thotë diçka që mund të tërbojë njerëzit. Kështu, parrhezia është e lidhur me guximin përballë rrezikut: kërkohet guxim për t’u thënë e vërteta në një mjedis kërcënues. Dhe në formën e saj ekstreme, parrhezia mund të vërë në lojë jetën dhe vdekjen.Parrhezia është praktika përmes të cilës folësi shpalos me çiltërsi relacionin e tij me të vërtetën, edhe nëse i duhet të kalojë nëpër rrezikun për jetën, edhe nëse i duhet të përballet me kritikë të shumtë. Parrhezia është një aktivitet verbal ku folësi tregon për relacionin e tij me moralin publik.”

Parrhezia është versioni sekular i rrëfimit të krishterë ose anasjelltas, dhe Kadareja, para se të kërkojë nga ne që të konvertohemi kolektivisht në krishterim, më saktësisht në katolicizëm, bën mirë që së pari ai vetë të jetë i krishterë, të bëhet një i tillë dhe të rrëfehet për mëkatet e tij. Soren Kierkegaard-i thoshte se mëkatet janë ato që na bëjnë njerëz unikë dhe na vendosin në kontakt me autenticitetin. Ai gjithashtu duhet të pranojë një varg mëkatesh tjera: eurocentrizmin, orientalizmin, provincializmin etj. Vetëm atëherë ai mund të llogaritë në faljen e të tjerëve. Ndoshta Kadareja po kërkon të konvertohemi në krishterim në mënyrë që ta falim atë pa na kërkuar falje sepse krishterimi është fe e mëshirës. Rrëfimi i krishterë në fillim bëhej në pjesët publike të kishave, por më pas ai mori trajtën e rrëfimit në hapësirat private dhe sekrete të kishave. Kadareja duhet që të praktikojë modusin e parë të rrëfimit, atë publik, të rrëfehet para nesh. Më keq se e kaluara e tij është vetëm heshtja përballë kësaj të kaluare. Rrëfimi bën mirë. Rrëfimi hap një shteg përmes të cilit mund të mbërrijmë tek shëlbimi. Por Kadareja ka zgjedhur rrugë qorre, rrugë e cila nuk e dërgon askund.

Megjithatë, për ta përmbyllur, Kadareja nuk është i vetmi shkrimtar, figurë, regjisor a filozof i cili ka qenë bashkëpunëtor apo përkrahës i regjimeve të ndryshme gjatë historisë. Shkrimtarë të ndryshëm gjatë historisë kanë qenë oborrtarë të mbretërive të ndryshme, brutale e më pak brutale. Martin Heidegger-i ka qenë anëtar me letra i Partisë Nacional-Socialiste të Hitlerit dhe personi i tij publik do të mbetet gjithmonë i njollosur, por në të njëjtën kohë mbetet njëri prej filozofëve më të mëdhenj në histori dhe mbase më i madhi i shekullit XX edhe pse vdiq pa kërkuar falje. Gabriel Garcia Marquez ishte mik i ngushtë me Fidel Castro-n, ndërkohë që regjisorë të shumtë rusë në kohën e Bashkimit Sovjetik si Tarkovski, Eseinstein, Mikhalkov (ky i fundit kishte lidhje të fuqishme me regjimin komunist sovjet) gëzonin privilegje të shumta.

Veprat e tyre filozofike, artistike, librat e filmat mbeten imunë përballë kontaminimit politik të autorëve. William Faulkner-i dhe, në veçanti Charles Dickens-i, kishin elemente raciste në librat e tyre, por ata mbeten ndër shkrimtarët më të mëdhenj që njeh bota. John Locke-u kërkonte që skllavëria të rregullohej me ligj dhe vetë zotëronte skllevër, por filozofia e tij tejkalon aktivitetin e tij politik dhe ai mbetet njëri ndër kampionët e liberalizmit. Etërit themelues të SHBA-ve, të gjithë, zotëronin skllevër, por praktika e tyre nuk arriti të vrasë frymën e lirisë që kishte filluar të mbushte mushkëritë amerikane përmes shpalljes së pavarësisë nga ana e tyre. Nietzsche-ja ishte mizogjin, por është e pamundur që jehona e tij të kufizohet aty.

Jo se dua ta fus Kadarenë në mesin e këtyre emrave gjigandë, por vetëm po dua të nxjerr në pah faktin se megjithatë ekzistojnë dallime në mes të filozofisë, artit, letërsisë, filmit dhe konteksteve në të cilat lindin ato. Kadareja ka qenë shërbëtor i regjimit enverist dhe për këtë ne duhet ta gjykojmë politikisht atë, por atentati mbi veprën e tij letrare për shkak të aktivitetit të tij politik jo që është i padrejtë, por edhe i pamundur. Letërsia u shpëton gjithmonë këtyre atentateve. Nuk mund të digjen letrat, poezitë, tregimet, rrëfimet e romanet që veç digjen në flakët e dashurive, përjetimeve dhe emocioneve në fjalët e shkrimtarëve mjeshtra.

 

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.