/Redi Muçi/
Mos shko i heshtur në gjirin e natës,
Revoltohu, revoltohu kundër vdekjes së dritës.
– Dylan Thomas
Cila është situata aktuale: zhgënjimi perceptohet në gjithçka; në fytyra, në biseda, në pyetje, në komente. Janë të zhgënjyer qytetarët e thjeshtë; ndoshta sepse te parulla “rilindje” kishin lidhur një lloj shprese absurde se gjërat do të ndryshonin për më mirë. Ndoshta sepse këmbëngulnin që të ruanin të vagullt në memorie Lanën e pastruar nga tezgat, jo Tiranën e ‘xhunglës së betonit’ – siç do ta quante Bob Marley po t’i binte rruga nga anët tona. Në bisedat e përditshme disa ia vënë fajin mungesës së sindikatave, të tjerë shkallës së ulët të ndërgjegjësimit qytetar, të tjerë rinisë së kafeneve. Fjalë këto që në vetvete justifikojnë mospërfshirjen e atyre që i artikulojnë. Janë zhgënjyer analistët – ata pak që ende e kanë respektin e publikut. Lubonja e quan hemorragji të vazhdueshme emigrimin e shqiptarëve. Shumica prej tyre janë të papunë – thotë ai – pjesa tjetër s’e dinë për sa kohë ende do të jenë të punësuar. Cila është zgjidhja? Një lëvizje kulturore që të ndryshojë institucionet. Ose një tjetër, mbarëpopullore… Bushati denoncon mënyrën e re të vjedhjes së qeveritarëve: koncesione afatgjata për klasën e re të biznesmenëve-klientë të partisë në pushtet. Ç’kuptim ka votimi i njërës apo tjetrës palë – pyet Bushati – kur të gjitha shërbimet në vend të jenë privatizuar për më shumë se 10 vjet dhe të gjithë ne të paguajmë për të siguruar fitimet e pronarëve të kompanive private?! Vallë a mund të gjendet një shembull i vetëm në këta 25 vjet i një privatizimi apo koncesioni të suksesshëm për vendin dhe shoqërinë?! Çmontimi dhe shitja për skrap e fabrikave, uzinave, hekurudhave? Privatizimi i shpërndarësit energjetik? Minierat e Bulqizës e të Kukësit? Nafta a gazi i Marinzës? Atëherë çfarë?
Kush largohet: të gjithë ata që mllefin e kthejnë në dëshpërim impotent. Nuk ekziston më për ta “ëndrra amerikane” si dikur para shumë vitesh; tanimë e dinë të gjithë se përtej kufirit emigranti ngelet gjithmonë emigrant, e më mirë se kushdo këtë e dinë të kthyerit nga vendet fqinje që po i futen edhe një herë aventurës, kësaj here drejt vendeve veriore. E megjithatë iket duke mallkuar nëpër dhëmbë politikën, farën shqiptare, dreqin, të birin… Ikin të gjithë ata që kanë mundësinë ekonomike dhe ligjore për të ikur. Ata që s’e kanë, e trillojnë një arsye gjatë rrugës. Po largohen që t’i shpëtojnë ndonjë përndjekjeje a diskriminimi, ndonjë rrëmbimi apo hakmarrjeje. Largohen edhe ata që e kanë një profesion. Në vendin ku të jesh specialist i një fushe vlen më pak se të jesh anëtar partie, të gjithë janë kthyer në militantë e specialistë të gjithçkaje. Këtu ka gazetarë-militantë, opinionistë-militantë, inxhinierë-militantë, doktorë-militantë, pedagogë-militantë, artistë-militantë, policë-militantë, madje edhe pastrues e shoferë-militantë. Militantizmi dhe besnikëria ndaj partisë është kthyer në licencë për punë. Prandaj emigrimi për ata që e kanë një profesion apo diplomë është kthyer në mënyrën e vetme për të punuar me një minimum dinjiteti.
Ç’të bëjmë: ka plot nga ata që sytë i drejtojnë nga Perëndimi, me shpresën foshnjore se Evropa apo Amerika do të ndëshkojnë zhvatësit e vendit tonë të vogël në emër të ndonjë parimi metafizik drejtësie hyjnore a demokracie të kulluar. Harrojnë se përtej interesave gjeostrategjike dhe ekonomike, askush nuk interesohet për asgjë. Harrojnë se dy partnerët kryesorë të Amerikës në Lindjen e Mesme janë shteti i diktaturës mesjetare të Arabisë Saudite dhe shteti protofashist i Izraelit. Shpresa dhe rruga e vetme është organizimi popullor i rezistencës ndaj hajdutërisë së ngritur në ligj. Ndërgjegjësimi vjen në rrugë e sipër përmes organizimit. Jemi i vetmi vend në rajon që nuk ka organizime sindikale punëtorësh. I vetmi vend ku punëtorët shfaqen nëpër edicionet e lajmeve veçse si dritëhije në sfondin dekorativ ku pronarët buzagaz shtrëngojnë duart me mysafirët politikanë. I vetmi vend ku mungon kultura subversive, rrymat underground, artistët e rrugës që i flasin publikut jo nëpërmjet galerive mondane, por duke transformuar muret e qytetit në tablo artistike. Jemi vendi më i mjerë, por që çuditërisht nuk i këndon mjerimit që prej kohës së Migjenit. Kënga sot nuk është ligjërim publik, është produkt që shitet në tregun e të mjerëve. Jemi i vetmi vend që krizën ku ndodhemi e konsiderojmë si një murtajë të dërguar nga Zoti – e për pasojë vrapojmë të shpëtojmë diku larg – jo si padrejtësi kundër së cilës duhet të luftohet në rrugë, në vendin e punës, në shkollë, në autobus. Të paorganizuar, kemi ngelur veçse qenie vegjetative, mediokre në dëshirat tona, të ndrydhura në përditshmërinë e zbrazët të teatrit mediatik, nënnjerëzore – sepse veçoria që e dallon specien e njeriut është aftësia për të transformuar realitetin ku jeton. Asgjë nuk lind nga hiçi. Asgjë nuk arrihet nëse vullnetet nuk bëhen bashkë për të ndryshuar të vjetrën e kalbur që kundërmon nga koka.
Ç’është Lëvizja Për Universitetin: një përpjekje për organizim që synon transformimin e hapësirës universitare nga ata që e banojnë universitetin, studentët dhe pedagogët. Ne organizohemi që të rezistojmë kundër degjenerimit që i ka sjellë universitetit vargani i drejtuesve-militantë, po aq të korruptuar sa edhe udhëheqësit e tyre në parlament e ministri. Për të kundërshtuar një reformë të hartuar për interesat e oligarkëve të diplomoreve private, të cilët e kanë kapur nëpërmjet interesave ekonomike kryeministrin e vendit ashtu siç bënë me paraardhësin e tij. Për të kundërshtuar një reformë e cila i shumëfishon problemet aktuale të universitetit si partiakëzimi i drejtuesve të universitetit, rritja e tarifave studimore të cilat ende pa hyrë në fuqi ligji i ri janë të papërballueshme, për pasojë përjashtimi i studentëve me të ardhura familjare modeste, tregtarizimi i dijes dhe i marrëdhënieve pedagog-student, përjashtimi i studentëve nga vendimmarrja në universitet megjithëse përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të çdo fakulteti. Për më tepër, reforma synon t’i ngarkojë me borxhe studentore supet e të diplomuarve – borxhe që do duhet t’i shlyejnë duke komunikuar në kufjet e call-centre-it me përtejdetin. Lëvizja Për Universitetin synon që përmes organizimit dhe angazhimit të përditshëm brenda universitetit të farkëtojë një subjekt të ri studenti dhe pedagogu. Të hedhë tutje prototipin e pedagogut-patriark që dijen e ngurtëson brenda një teksti të padeshifrueshëm me të cilin shantazhon studentët. Të hedhë tutje prototipin e studentit të heshtur e të mekur brenda universitetit që raportin me dijen e përcakton vetëm nëpërmjet shtënies në dorë të një kartoni diplome. Të kundërshtojë me të gjitha forcat raportin tregtar-klient që synon të ngrejë ligji i ri për arsimin, për të rithemeluar një raport barazimtar bashkëpunimi student-pedagog të ngritur mbi qëllimin e përbashkët: dijësimin e dyanshëm. Përpjekja universitare sot është përpjekja e punëtorëve dhe të papunëve nesër për t’i bërë ballë viktimizimit sistemor. Rezistenca e studentëve dhe pedagogëve sot është alternativa ndaj rrugës së emigracionit nesër.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).