Athinë 17 nëntor 1973, revolta studentore që rrëzoi një diktaturë

/Eneida Qesari, Flori Qyqja/

Kalendari tregon ditën e shtunë, 17.11.1973. Në Athinë, lajmi udhëton si rrufe në të gjithë shoqerinë greke, zaptimi treditor i Politeknikumit ka përfunduar me një pamje tronditëse: një tank sapo ka çarë përmes hyrjen e godinës në rrugën qëndrore të Athinës duke marrë zvarrë dhe shtypur studentët e paarmatosur. Ky moment përbën një pikë ndarëse jo vetëm për lëvizjen studentore dhe më pas shoqërore, por edhe për historinë moderne greke në përgjithësi.

Që të kuptojmë arsyet e revoltës së nëntorit është e nevojshme të kthehemi në prillin e viti 1967, vit në të cilin u shpall diktatura ushtarake, dhe të analizojmë situatën shoqërore dhe politike gjatë asaj periudhe. Diktatura greke erdhi si një zgjidhje ndaj krizës politike të nisur që prej vitit 1965. Skena politike e Greqise mbas luftës civile ishte mjaft e turbulluar dhe arriti kulmin e destabilitetit në vitet 1965-67. Kjo situatë buronte nga kontradiktat mes dy palëve kryesore që dominonin jetën politike të vendit, Pallati mbretëror dhe pala e djathtë që mbështeteshin nga forcat amerikane dhe CIA nga një anë, si dhe Partia e Qendrës e cila synonte integrimin në bllokun evropian në anën tjetër. E majta nuk arriti të formonte një rrymë politike të fuqishme. Sapo kishte humbur luftën civile dhe përfundoi duke u dominuar nga blloku i qendrës, i  cili u shfaq si garantues i kërkesave demokratike. Mbas tre zgjedhjeve kombëtare që nuk arritën të jepnin rrugëzgjidhje, një degë e së djathtës ekstreme në radhët e ushtrisë mori iniciativën për të marrë pushtetin duke përdorur forcat ushtarake me anë të një grushti shteti. Data 21.4.1967. Në Greqi sapo kishte filluar era e diktaturës shtatëvjeçare.

Vitet e diktaturës qenë vite shtypjeje, gjëmimi dhe burgosjeje për kundërshtarët e regjimit. Të drejtat njerëzore dhe demokratike u kufizuan, sidomos në qytetet ku gjendeshin punëtorët dhe zonat industriale. Diktatura ishte një epokë e artë për kapitalin grek. Sindikatat ishin zhdukur ose kontrolloheshin nga shteti. Të majtët gjendeshin në ekzil ose në burgje. Si çdo regjim diktatorial që respekton veten ashtu edhe junta greke përdorte censurën në të gjitha format për të kontrolluar të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Veçanërisht në sektorin e artit, censurimi u kthye në batutë. Diktatura e tejkaloi veten në idiotizëm. Disa vepra arti që qenë vërtet revolucionare censuroheshin vetëm për faktin se oficerët e saj nuk i kuptonin mesazhet e përcjella. Të tjerat, që nuk i përkisnin situatës politike dhe shoqërore, censuroheshin. Nga kthetrat e kontrollit të regjimit nuk shpëtoi as veshja, moda e qethja, ku rezultatet ishin vërtet qesharake. Sakaq ishte më se e qartë që përgjimet, rrahjet, torturat qenë të përditshme, sidomos ndaj atyre që regjimi i njihte si armiq.

Megjithatë, gjatë viteve të diktaturës do shfaqeshin vepra rezistence, individuale ose të organizuara. Organizatat antidiktatoriale ishin të shumta, disa efektive, të tjera jo edhe aq. Universitetet mblidhnin pjesën më liberale dhe demokratike të inteligjencës. Në ambientet universitare, (në të cilat përgjithësisht vihet në pikëpyetje çdo lloj autoriteti), e majta arriti të rrisë forcat dhe të kryesojë në veprimet e saj dhe në lëvizjet antidiktatoriale. Nuk duhet të harrojmë që jemi në një kontekst global që përshkohet nga lëvizjet rinore, që nga Maji francez i ’68-ës (ku bërthama qenë studentët) deri në SHBA ku shfaqen protesta masive pro paqes.

Në këtë rast duhet të sqarohet fakti që politika e regjimit brenda universiteteve kishte dy degë. Dega e parë kishte të bënte me trajtimin ndaj atyre që qenë “armiq të kombit”. Ata u  përballën me përgjime, me komisarët e shtetit dhe rajonet e policisë. Dega e dytë kishte të bënte me shumicën e studentëve. Tek ata diktatura shiste përrallën e zhdukjes mbiklasore, e cila do të arrihej ndërmjet përsosmërisë, duke u ofruar studentëve zhdukjen klasore dhe kushte jetese të larta.

Regjimi i juntës u mundua që në fillim që të kontrollonte ambientet universitare, fillimisht duke u caktuar komisarë në çdo fakultet, më pas duke formuar një Union Kombëtar të Studentëve (EFEE) që i bindej politikës pushtetore. Në këto kushte një numër studentësh, më nismëtarët, rinia e Partisë Komuniste (KNE), e cila qe e paligjshme në atë kohë, formoi antiEFEE-an dhe organizata të tjera të majta brenda universiteteve. Νë fundin e vitit 1972 studentët kishin filluar të organizoheshin dhe lëvizjet kundra diktaturës shtuan radhët e tyre. Aktet e para të rezistencës u shfaqën për shkak të nxjerrjes së një ligji të ri nga regjimi diktatorial sipas të cilit shteti kishte të drejtën të detyronte studentët të shkonin ushtarë, duke u ndërprerë studimet e, në këtë mënyrë, duke i larguar forcërisht nga universiteti për dy vjet të gjithë ata që besohej se kishin lidhje me rezistencën studentore. Studentët u përgjigjën ndaj arbitraritetit dhe kërkuan zgjedhje të lira. U thirrën asamble nëpër fakultete me qëllim riaktivizimin e këshillave studentore. Përgjigjja e regjimit ndaj këtyre përpjekjeve qe dhuna. Një paralajmërim për atë që do ndodhte tetë muaj më pas në Politeknikum ishte zaptimi i tarracës së Fakultetit Juridik. Në marsin e 1973-shit qindra studentë zaptuan tarracën dhe hapën banderola që bënin thirrje për liri. Zaptimi përfundoi me ndërhyrjen e forcave të policisë, rrahjen dhe arrestimin e gati njëqind studentëve. Lëvizje të tilla vazhduan në fakultete të ndryshme deri në përfundim të vitit akademik.

Kulmi i luftës antidiktatoriale filloi nga një keqkuptim. Në paraditen e 14 nëntorit 1973 qarkullonte lajmi se policia kishte sulmuar studentët e Politeknikumit. Në këtë çast, një demonstratë e vogël u nis nga Fakulteti Juridik e, kur arritën te Politeknikumi, kuptuan se aty nuk po ndodhte gjë. Rastësisht, një batalion policor kaloi dhe situata u acarua shumë shpejt. Pa e kuptuar mirë, zaptimi i Politeknikumit sapo kishte filluar  dhe një revoltë sapo kishte shpërthyer. Brenda 24-orëshit të parë në qendrën e Politeknikumit u mblodhën qindra studentë, shumica prej të cilëve anëtarë te organizatave të majta. Veprimet e para  synuan organizimin e çështjes brenda godinës së zaptuar (u formua komisioni i zaptimit, u thirr asambleja dhe u krijua Radiostacioni, mjeti kryesor për të përhapur kërkesat e studentëve) dhe u bë thirrje për solidaritet,  sidomos nga unionet e punëtorëve dhe nxënësve. Reagimi i popullit ishte vërtet tronditës. Ditën e dytë dhjetëramijëra studentë, punëtorë, nxënës dhe popull i thjeshtë u mblodhën rreth Politeknikumit duke treguar mbështetjen e tyre ndaj studentëve dhe në të njëjtën kohë kundërshtimin e tyre ndaj regjimit të juntës. Megjithëse fillimisht regjimi e kishte nënvlerësuar situatën, shpejt kuptoi rrezikun që një revoltë e tillë mund të krijonte për ekzistencën e diktaturës. Në të njëjtën kohë brenda Politeknikumit u thirr një asamble studentore, punëtore, bujqësore dhe e nxënësve për të marrë vendime rreth vazhdimit dhe përhapjes së lëvizjes antidiktaroriale. Rinia e Partisë Komuniste, e cila fillimisht nuk pranoi të marrë pjesë në zaptim, duke parë masivitetin e revoltës, vendosi të hyjë në godinën e zaptuar.

Në 16 nëntor situata u bë vërtet e rrezikshme. Godina ishte mbushur plotësisht nga populli që erdhi nga çdo cep i Greqisë. U mor vendimi që të nisnin protestat me pikëmbërritje qendrën e policisë dhe parlamentin si dhe të thyhej rrethimi i policisë. Demonstratat u kthyen në përplasje dhe populli i revoltuar shtoi vendosmërinë e tij. Regjimi u përgjigj me krisma. Tanimë Politeknikumi ishte jo vetëm qendra e rezistencës, por edhe e ndihmës së parë ndaj të plagosurve që ishin të shumtë, madje disa syresh vdiqën nga plumbat policisë. Mbrëmjen e 16 nëntorit Politeknikumi ishte plotësisht i rrethuar nga trupat e policisë që nuk hezitonin të shkrepin ndaj popullit të paarmatosur që ende qëndronte tek oborri i godinës duke treguar guxim shembullor. Regjimi mori vendim që një situatë e tillë nuk mund të lejohej të vazhdonte dhe vendosi të përgjigjet drejtpërdrejt. Në të gdhirë të 17 nëntorit, një grup tankesh mori urdhër të zbresë në Athinë. Ushtria u dha ultimatum studentëve për të boshatisur godinën, i cili nuk u pranua. Ora tregon 03:03 dhe në hyrjen qendrore të Politeknikumit një tank hedh poshtë derën prej hekuri. Në orën 04:00 forcat ushtarake kanë zbrazur Politeknikumin. Kur Athina u zgjua dhe u shpërnda lajmi, filluan protestat spontane, sindikatat e ndërtuesve u përplasën me policinë. Në orën 11:00 u vu në funksion ligji ushtarak. Revolta ishte shtypur, por numërimi mbrapsht për juntën sapo kishte filluar. Diktatura ra në korrikun e 1974-ës, mbas tradhtisë së Qipros.

Cila është arsyeja që e bën revoltën e Politeknikumit një moment jo thjesht të rëndësishëm dhe përcaktues për historinë moderne greke, por edhe një pikë ndarëse e cila mbetet ende gjallë, brez pas brezi? Në qoftë se kërkojmë të gjejmë thjesht kush fitoi e kush humbi, atëherë do të dalim në përfundimin se revolta dështoi dhe dhjetëra protestues vdiqën. Jo vetëm kaq, por edhe një vit më pas rënies së diktaturës, me zgjedhje erdhi në pushtet një qeveri e djathtë që vazhdoi të mbështesë një mekanizëm shtetëror që vetëm në sipërfaqe kishte ndryshuar. Por revolta e Politeknikumit është ende gjallë sepse kërkesat e saj mbetën të paplotësuara. Besimi i thellë antiimperialist, besimi që një popull duhet të ketë të drejtën të vendosë për fatin e vet, besimi për emancipim e drejtësi shoqërore dhe te sovraniteti popullor vazhdojnë të jenë synime dhe kërkesa që presin plotësimin dhe nxisin popujt kudoqofshin.

Revolta e Politeknikumit mbetet ende një trashëgimi  për brezat e ardhshëm. Për sa kohë shtypja dhe padrejtësia janë realitet, Politeknikumët do të jenë të nevojshëm.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.