/Jani Marka/
Idealisht universiteti duhej të ishte vendi i fundit i strehimit të burokracisë, pasi ideja themeltare e universitetit është liria e kërkimit të së vërtetës e udhëhequr nga liria e mendimit dhe kërkimit dhe jo zvarritja prej procedurave formale. Në të vërtetë realiteti është krejt ndryshe dhe tashmë universitetet kudo në botë janë burokratizuar skajshëm. Mirëpo me bindje të plotë mund të themi se tonat janë të tejburokratizuara në raport me universitetet perëndimore. Universitetet tona publike jo vetëm që janë thellësisht burokratike, por, ç’është më e keqja, burokracia është e pleksur me centralizëm dhe autoritarizëm nga shefat e saj, gjë që ka prodhuar një universitet ku vetëm për liri akademike nuk mund të flitet. Dhe realisht është e vështirë të ndash veprimet burokratike në universitet sipas përkufizimit të saj gjuhësor (në fjalorin e Gjuhës Shqipe shkruhet: Burokraci – 1. Sistem qeverisje e drejtimi me shumë nëpunës, që mbi vlerësojnë shkresat dhe metodat formale jo të shkathëta; 2. Veprime të zgjatura zyrtare, që zvarritin punët a pengojnë zgjidhjen e çështjeve) nga veprimtari të tjera jodemokratike, si për shembull autoritarizmi i shefave. Ndryshe pyetja shtrohet nëse burokracia që haset në universitet rrjedh thjesht nga tepria e nëpunësve, çka sjell zvarritjen e punëve, apo mos burokracia është thjesht një vegël e shefave për të kontrolluar universitetin për qëllimet personale apo të klanit që përfaqësojnë. Në të vërtetë, po të shikojmë me vëmendje, universiteti mund të quhet një “makinë perfekte burokratike” pasiqë e realizon burokracinë, ndryshe nga administrata shtetërore, me numër minimal nëpunësish. Për shembull, lehtësisht vihet re se shërbimi i sekretarive mësimore nuk i përmbush në nivelin e duhur kërkesat e studentëve, ku përveç vonesave, orarit të kufizuar të shërbimit, shpeshherë vihet re edhe sjellje arrogante… dhe ndoshta një pjesë e këtyre problematikave rrjedhin prej faktit se sekretaritë janë të mbingarkuara me punë, pra ka mungesë punonjësish.
Në universitetet publike mund të sillen me dhjetëra shembuj veprimesh administrative, që në thelbin e tyre janë burokratike dhe pengojnë zhvillimin normal të jetës akademike. Këta shembuj vinë si nga perspektiva pedagogjike, ashtu edhe ajo studentore, apo të dyja së bashku. Kultivimi i kësaj klime të ashpër burokracie vjen së pari duke abuzuar mbi lirinë akademike dhe respektin ndaj institucionit të profesorit. Bie fjala, a ka kuptim që një profesori për të udhëtuar në një konferencë shkencore, dhe për më tepër me shpenzimet e tij, t’i duhet t’i nënshtrohet një procedure burokratike të marrjes së lejes, shpeshherë deri në nivelin e rektoratit? Kujtojmë këtu edhe rastet ku burokracia ka shërbyer, për shembull duke përdorur sistemin TIMS , për të pushuar nga puna pedagogë që ishin larguar pa leje formale në drejtim të konferencave, pra pa leje në drejtim të dijes. Po a duhet marrë leje për të fituar dije!?Madje, kemi edhe raste ku procese burokratike janë nxitur nga vetë ligji i arsimit të lartë, siç ishte rasti me Këshillin e Profesorëve, ku funksionimi i tij burokratik më tepër i ngjante një komisioni numërimi votash sesa auditori mendimesh të urta shkencore.
Dihet që profesori është i futur në kafaz prej burokracisë universitare, i dënuar të japë vetëm mësim, madje edhe mësimin duhet ta kryejë sa më formalisht. Profesorit nuk i është dhënë liria e nevojshme (ose nuk e ka fituar atë!), lehtësia apo, pse jo, edhe mbështetja për të realizuar projekte kërkimore. Kështu, a është pengesë burokracia e “imagjinuar” për mungesën e aplikimeve për projekte në programe të rëndësishme të Bashkimit Evropian, si ato FP (angl. Framework Programme for Research and Technological Development), Horizon 2020 etj? Apo, për të mos pretenduar shumë nga aplikimet e vështira në projekte të BE-së, si shpjegohet që edhe ato fonde të pakta që qeveria akordon për shkencën nuk shfrytëzohen në një përqindje të konsiderueshme? Për të mos folur për vështirësitë burokratike të hasura në projektet e brendshme të vetë fakulteteve, gjithashtu me fonde shumë të pakta në njërën anë, por edhe me vonesa në realizimin e tyre (burokracia i shpall datat për aplikime në këto projekte në muajt prill-maj), dhe me shtrirje vetëm disa mujore, pasi duke marrë parasysh edhe periudhën e pushimeve verore, realizimi i projekteve duhet të ketë përfunduar deri në dhjetor. Në këtë mënyrë burokracia dekurajon kërkuesit për të aplikuar në këto lloj projektesh. Pa përmendur këtu që edhe për ata të duruar që fitojnë projekte, llogaridhënia burokratike është me të njëjtat rregulla si për nëpunësit e administratës shtetërore. Për shembull një profesori i kërkohet fletë hoteli (edhe kur udhëton në majë të malit!), tenderimi i makinës për transport, etj., duke e trajtuar njëlloj si nëpunës i thjeshtë sepse vlerat morale të profesorit tashmë nuk përbëjnë shtyllën kurrizore të formimit të tij. Profesori, tashmë, dyshohet njëlloj si gjithë të tjerët! Po studentët a janë përfshirë në fondet e kërkimit shkencor? A e lejon burokracia një gjë të tillë? A e lejon burokracia që një profesor që ka në udhëheqje diplome një student masteri ta përfshijë studentin formalisht në projektin shkencor me fondet shtetërore dhe, bie fjala, t’i kompensojë shpenzimet e diplomës? Po në programet Erasmus, apo të ngjashëm me ‘të, a e thjeshton burokracia universitare lëvizjen e studentëve? Po zhvillimin e praktikave mësimore, që zhvillohen në shumë degë, a e lehtëson burokracia? Ndërkohë njihen plot raste ku burokracia veçse pengon zhvillimin e këtyre praktikave.
Tjetër, shpeshherë marrja e titujve dhe gradave i nënshtrohet burokracive, dhe shkenca, e vërteta nuk ka më vlerë cilësore, por ka vlerën e numrave të raportimeve, artikujve, konferencave… Në njërën anë qëndrojnë numrat dhe prej numrave burokracia e shefave e klaneve e ka më të lehtë të përfitojë, kurse në tjetrën qëndron cilësia, pra e vërteta shkencore. Prapëseprapë të gjithë kandidatët e përjetojnë si çlirim momentin kur i mbyllin hesapet me burokracinë dhe gëzimi i kualifikimit del në plan të dytë.
Po nëse shtjellojmë hollësi të tjera, për shembull kur një profesor kërkon riparimin e iks objekti fizik, rastet mund të jenë të larmishme dhe marrin edhe trajtën e anekdotës. Për shembull, duhet ngritur çështja herën e parë, pas herës së parë që kalon në heshtje nga burokratët, ngrihet çështja për herë të dytë. Kësaj here burokratët vihen në lëvizje dhe kthehen me një përgjigje: duhet bërë tenderi në rektorat. Prit e prit, e tender nuk ka. Ngrihet çështja për herë të tretë dhe burokracia të kthen përgjigje se tenderi nuk do mund të zhvillohet për çështje burokratike të burokracisë së një niveli më të lartë ( edhe burokracia universitare ka hierarkinë e vet). Atëherë, ngrihet çështja për herë të katërt dhe burokratët e nivelit të poshtëm marrin një vendim kurajoz, që problemi mund të zgjidhet duke përdorur kapacitetet e brendshme të institucionit. Vërtet, problemi zgjidhet me kapacitetet e brendshme për shumë pak kohë. Bukur, sa bukur! Urra, çfarë çlirimi nga shkresat që të shtrira në dy vite nuk zgjidhën asgjë!
Lista e pengesave burokratike është vërtet e gjatë dhe nuk po e lodhim më tej lexuesin, por ajo që duhet theksuar është se burokracia përbën vërtet një shqetësim shumë të madh për jetën dhe zhvillimin universitar. Se si do dilet nga kjo gjendje burokracie, që i merr frymën lirisë akademike, është vështirë të parashikohet, sidomos tashmë që kemi edhe një ligj të ri për arsimin e lartë, i cili në njërën anë kritikohet se e tregtarizon jetën universitare, ndërsa në anën tjetër pikërisht për shtim të strukturave burokratike, nga shtimi në numër i nëpunësve, si për shembull administratorët, e deri te bordet e administrimit. Ndoshta përpara se të luftohet mirëfilli burokracia lypet të luftohet kundër mediokritetit, centralizimit dhe autoritarizmit. E që të bëhet kjo, lypet të luftohet për profesorë dhe studentë të çliruar, të gatshëm të rezistojnë dhe luftojnë për vlerat emancipuese të universitetit.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).