Çnatyrimi burokratik i universiteteve

Kur universiteti e humbet karakterin e tij krijuese si hapësirë formimi e lirie akademike apo shkëndije emancipimi individual e shoqëror, kjo është shenjë se ka nisur çnatyrimi i tij. Burokracia universitare prej kohësh ka mbizotëruar mbi çdo aspekt tjetër të jetës universitare. E pavetëdijshme mbi rolin e saj, ruajtja e status quo-së së çrregullsisë strukturore është kthyer në qëllimin kryesor të kësaj burokracie. Nga hapësirë nxënieje, formimi, kritike, progresi shkencor e krijimtarie, universiteti është shndërruar në zyrë banale pune apo administrimi të qendërzuar të ekonomisë se dijes, të trupës studentore e pedagogjike, apo në një sekretariat të thjeshtë të renditjes kaotike të dokumenteve.

Nuk bëhet fjalë për burokraci moderne, sado mbytëse qoftë, por për një rrjet patronalo-feudal që orvatet të mbysë çdo shenjë vitaliteti universitar. Në njërën anë tmerri çoroditës i burokracisë së ulët, sekretarive. Nuk ka ditë që studenti të mos vuajë në heshtje nga moskompetenca, përtacëria, moskokëçarja e sekretareve, e më së shumti nga gabimet e tyre të zakonshme në shpeshti e të jashtëzakonshme në dëme. Sekretaria në këto raste është e pagabueshme, si papët në mesjetë. Në anën tjetër burokracia e lartë, prej së cilës çdo pedagog serioz pëson shpërfilljen, arrogancën dhe kërcënimet e dekanit e rektorit. Në këto kushte çdo përpjekje për ndërhyrje brenda në universitet lejohet vetëm nëse bëhet për të forcuar më tepër paprekshmërinë e situatës aktuale dhe kurrsesi për ta ndryshuar në shërbim të funksionimit të jetës universitare.

Sikur të mos mjaftonte ky proces vetëkalbëzimi i brendshëm i universitetit, qeveria, në anën tjetër, nëpërmjet arbitraritetit të ligjit të arsimit të lartë po e përshpejton mëtejshëm këtë çnatyrim. Në vend që të rimëkëmbë jetën universitare, ligji do ta thellojë kënetëzimin universitar duke fryrë edhe më burokracinë në kurriz të universitarëve, tregtarizuar dijen, instrumentalizuar dhe kompromentuar edhe më figurën e pedagogut dhe mjerosur kushtet e studimit dhe të jetesës së studentit.

Situata aktuale vendos përballë dy forca të papajtueshme. Në njërën anë është deti i madh i studentëve dhe një pjese të pedagogëve të përgjegjshëm të margjinalizuar, në tjetrën burokracia që mban mbi supe kredenciale të dyshimta titujsh akademikë dhe që është e kompromentuar me sa e sa abuzime, prej korruptimit, nepotizmit, tarafeve deri te nderimet qesharake.

Në këto kushte lind nevoja e një thyerjeje radikale, e cila mund të realizohet vetëm përmes organizimit dhe rezistencës krijuese të universitarëve. Prandaj është në përgjegjësinë tonë ta kthejmë universitetin në hapësirë kushtetuese të krijimit intelektual, të padënueshme nga burokracia universitare, kontrolli qeveritar dhe kolonizimi i interesave private.

 

Editoriali i numrit të dhjetë të gazetës “Universitari”

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.