Kalvari i të fundmëve

/Deni Sanxhaku/

“Unë krenohem me skuadrën e Bashkisë së Tiranës, e cila punoi me profesionalitet dhe në mënyrë të palodhur me çdo anëtar të komunitetit, dhe jam i lumtur t’ju informoj se u gjetën alternativa të arsyeshme dhe paqësore – zona e zaptuar i është kthyer për përdorim publikut dhe momentalisht është duke u rehabilituar”. Kjo është fjalia hapëse e komunikatës më të fundit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës drejtuar trupit diplomatik, organizatave dhe delegacioneve ndërkombëtare në Tiranë në lidhje me shpërnguljen e 48 familjeve rome dhe egjiptiane vendosur pranë Liqenit Artificial. Pa harruar t’u japë shuplakën e radhës gjithë atyre të tjerëve që guxuan dhe reaguan kundër iniciativës së shpejtuar dhe “planit” pa plan të bashkisë; atyre që u shqetësuan për gjuhën e urrejtjes shprehur në deklaratë apo në mbulimet mediatike të të pakta mediave të interesuara; atyre qe vunë në pah presionin e madh  ushtruar ndaj kryefamiljareve të komunitetit me polici apo me ryshfete të majme për xhepat e tyre të varfër; gjithë atyre që treguan një të vërtetë që nuk përkon me të vërtetën e shërbyer prej bashkisë vetë.

Historia që njohim për familjet e vendosura pranë Liqenit të Thatë nis me incidentin mes disa të rinjve të komunitetit dhe një qytetari gjerman, i cili ishte përpjekur dhunshëm të shuante zjarrin e ndezur nga familjarët për të djegur mbetjet e reciklueshme. Për një pjesë të konsiderueshme të komunitetit rom dhe egjiptian,  kjo është përditshmëria e tyre dhe mënyra e vetme për të siguruar jetesën: grumbullimi dhe djegia e plehrave. Për këdo që mendon se gërmimi në kazanët e plehrave dhe jetesa mes baltës dhe zhulit është zgjedhje prej përtacisë, natyrës së pistë prej jevgu apo stili i jetesës (çështje gjaku dëgjova njëherë), duhet të njihet fillimisht me kalvarin e gjatë të dëbimeve, me dyer institucionesh apo kompanish të mbyllura apo përplasura në fytyrë, me diskriminimin dhe përbuzjen e vazhdueshme që secili rom apo egjiptian mban në kurriz, përpos varfërisë së trashëguar ndër breza. Varfëri që prodhon varfëri, injorancë që prodhon dhunë. Për familjarët vetë historia nis 15 e kusur vjet më parë teksa ata u detyruan të braktisin banesat apo barakat e tyre në qytetet e origjinës drejt metropolit për më shumë mirëqenie. Po metropoli, përpos mbetjeve, u ofroi vetëm përçmim, shkelma pronarësh dhe uniforma policie. Diku ua dogjën barakat, diku tjetër i dëbuan me kamionë ushtrie pasi buldozerët ua shkatërruan kampin. Në 2013 qeveria aktuale, e cila sapo kishte marrë pushtetin në atë kohë, vendosi të shndërronte disa prej ish-kazermave të ushtrisë në Tufinë në banesa të përkohshme për disa prej këtyre familjeve rome dhe egjiptiane. Sot “Qendra Tranzitore e Emergjencave” ofron disa kushte bazike për familjet e vendosura aty, por përveçse vazhdon të jetë e vetmja alternativë strehimi për shumë prej tyre, po ndihmon në segregimin dhe izolimin e këtyre familjeve.

Kjo qendër e “përkohshme” ishte edhe për 48 familjet e Liqenit të Thatë një nga tre alternativat e ofruara nga bashkia pas vendimit të marrë për shpërnguljen e tyre dhe rehabilitimin e zonës. Alternativa tjetër ishte ofrimi i transportit falas drejt qyteteve të origjinës për gjithë ata që nuk zotëronin pashaportizim në qytetin e Tiranës. Varianti i tretë ishte bonusi i strehimit, shumë tundues për familjarët, por jo aq reale si mundësi duke njohur përvojën e hidhur të familjeve të shumta rome apo egjiptiane të cilave u është mohuar e drejta për banesë me qira (rasti konkret është ai i familjeve në Elbasan të shpërngulura para një viti nga shtëpitë e tyre për shkak të rikonstruksionit të stadiumit të qytetit). Për të mos të folur për procedurat dhe dokumentacionin e komplikuar që nevojitet për t’u bërë pjesë e programit, përfshirë këtu edhe të ardhura të qëndrueshme, të cilat mungojnë gjithmonë për këto familje. Deklarata[i] e bërë nga bashkia i trajtonte familjet në fjalë si zaptues abuzivë, ndotës të ambientit dhe shfrytëzues të fëmijëve të tyre. Të njëjtën retorikë përcollën edhe disa televizione private. Këto deklarata nuk kaluan pa tërhequr vëmendjen disa aktivistëve të të drejtave të njeriut, të cilët akuzonuan bashkinë dhe median në fjalë në një deklaratë të përbashkët me Avokatin e Popullit për gjuhën e urrejtjes, përforcimin e stereotipave dhe qëndrime diskriminuese ndaj këtyre komuniteteve.  Përfaqësues të bashkisë u dukën të nesërmen në komunitet, pa një vendim gjykate (i cili do u siguronte familjeve të drejtën për ta apeluar vendimin për dëbimin), pa një studim paraprak të nevojave të tyre apo planifikim të mirëfilltë të situatës dhe pa shpjegime mbi ngutjen e shpërnguljes së një kampi që qe aty prej vitit 2011. Alternativat e ofruara jo vetëm nuk jepnin siguri për një strehim të përshtatshëm dhe afatgjatë, por nuk reflektonin asgjëkundi kontekstin social-ekonomik të këtyre familjeve. A janë ende të banueshme banesat e braktisura 15 vite më parë? Si do e sigurojnë jetesën kur të kthehen në vendlindje? A ka ndonjë vendim konkret për përfshirjen e tyre në skemat e ndihmës ekonomike? Çfarë do të ndodhë me edukimin e fëmijëve? Këto janë pyetje që u ngritën rëndom nga persona të interesuar për fatin e familjeve në prag të dëbimit të tyre, persona që këmbëngulën për pezullimin e procesit deri në hartimin e një plani të mirëfilltë dhe të konsultuar me të gjithë banorët e kampit. Me tone shumë të ashpra u shpreh edhe organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut Amnesty International për çështjen në fjalë[ii], duke u bërë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore të respektonin ligjin vendas dhe standardet ndërkombëtare, si dhe të ndalonin dëbimin me forcë deri në gjetjen e një alternative të qëndrueshme jetese për 48 familjet e prekura.

Por në zallamahinë e deklaratave, raportimeve, vizitave të vazhdueshme të aktivistëve dhe organizatave të të drejtave të njeriut në terren, bisedave dhe takimeve me përfaqësues të bashkisë, bashkia vetë nuk vonoi t’i shpërngulë familjet e para drejt qytetit të Elbasanit në një të shtunë me shi. Disa të tjerë u larguan prej frikës për t’u vendosur tjetërkund deri në vendimin e radhës të bashkisë. Të tjerëve që rezistuan iu ofruan shuma parash në dorë apo premtime boshe për meremetimin e banesave të tyre të mëparshme. Dhe shumë shpejt të gjitha barakat u zëvendësuan me punëtorë të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit Tiranë. Ndërkohë që familjet e shpërngulura presin që përfaqësuesit e bashkisë të mbajnë premtimet e dhëna dhe të tjerë mallkojnë shtetin që i ka harruar dhe gati kërcënueshëm deklarojnë se do rikthehen, ne prapë nuk gjejmë asnjë përgjigje: Sa familje përfituan nga bonusi i strehimit? Sa familje prej atyre që përfituan bonus strehimi (nëse ka të tilla) arritën të gjejnë shtëpi me qira? A u ofrua vërtet një alternativë më e mirë jetese, ashtu siç pretendon bashkia? Deri kur të qenit pak më mirë është mjaftueshëm mirë?  Kush u revoltua dhe doli protestoi për dhunimin e disatë të të drejtave të këtij komuniteti?

E gjitha kjo nisi me një deklaratë për një vendim të rëndësishëm për çlirimin dhe rikthimin në dinjitet të një hapësirë publike nga zaptuesit dhe ndotësit (e dreqit!!). U përshëndet në kor nga ca qytetarë me prirje të veçantë për sportin dhe estetikën, jo me pak akuza e ofendime për bëmat ndotëse të këtyre të fundit. Pastaj erdhi deklarata e fundit nga këta të parët, ideatorët dhe zbatuesit e masterplanit, të cilët përgëzojnë veten për aksionin e kryer me sukses në luftën kundër zhulit dhe përshëndesin qytetarët përshëndetës për mbështetjen e treguar ne zbatimin paqësor të aksionit në fjalë. Fundja, kujt i intereson përse zaptuesit bëhen zaptues?! Qarku i shkurtër funksionon mirë sa kohë ka njerëz që duartrokasin spektaklin në vend që të ngrenë pyetje apo të shtrëngojnë grushtet. Por nesër kur të përjashtuarit, të dëbuarit, të përbuzurit, ndotësit të mos duan më të largohen e të kthehen të kërkojnë vendin që u takon të barabartëve në shoqëri, ne duhet të japim llogari për atë ditën kur vendosëm që parku është më i shtrenjtë se jeta e tyre.

[i] http://www.tirana.gov.al/sq/Lajmet-Aktuale/Bashkia-e-Tiran%C3%ABs-plan-veprimi-p%C3%ABr-zhvendosjen-e-familjeve-rome-te-Parku-i-Liqenit-Artificial-6338

[ii] https://www.amnesty.org/en/documents/eur11/2644/2015/en/

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.