Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.
Shënime rreth situatës aktuale
/Klodi Leka/
Taksidarë dhe xhandarë, rrahin një popull mbarë
Por mileti po gatitet dhe tirani lebetitet
Aksioni i formalizimit të ekonomisë, thirrur nga kryeministri Rama pas humbjeve të pësuara në tatime e dogana, vazhdon të dhunojë i pashqetësuar masat e mëdha të tregtarëve të vegjël. Sot një shitës ambulant kishte tentuar t’u vinte zjarrin atyre pak mallrave me të cilat modestisht nxirrte kafshatën vetëm e vetëm për të mos rënë pre e sekuestrimit të tatimorëve. Dje tregtarët e mallrave të përdorura – kryesisht prej komunitetit rom – bllokuan rrugën përballë bashkisë kundër konfiskimit të dhunshëm të mallrave. Po ky historizim bastard i aksionit formalizues me sekuestrime, gjoba e reprezalje ndaj tregtarëve të vegjël ka mbushur dhe mbush përditë gazetat, televizionet, rrjetet sociale etj.
Përkundër pretendimeve të pushtetit se ky aksion ka për qëllim goditjen e evazionit fiskal për bizneset e mëdha dhe kalimin e butë të bizneseve të vogla, të goditurit e mëdhenj janë të vegjlit. Prej thuajse dy muajsh terrori xhandarësh e taksidarësh nuk kemi dëgjuar për gjobitjen, sekuestron apo arrestimin e asnjë oligarku, kontrabandisti dhe të korruptuari të madh, por vetëm britma dhe rënkime tregtarësh e tezgaxhinjsh.
Ky aksion në thelb e ka gjakosur rëndë paqen e brishtë sociale të dy dekadave të fundit, ndërsa në formë është i neveritshëm. Me dhjetëra mijëra biznese të vogla ku qindra mijëra familjarë mbanin veten me bukë tashmë janë kyçur përfundimisht, duke hedhur një pjesë jo të vogël të shoqërisë në radhët e varfërimit dhe papunësisë. Ata që arritën ta përballonin kasën dhe taksën janë të pakët dhe kanë zëvendësuar të rrëzuarit. Sot shoqëria shqiptare po shkon drejt një ndarjeje të thikët klasore, ku oligarkët dhe të korruptuarit kanë përforcuar pozitat e tyre privilegjuese, ndërsa klasa e të varfërve, të papunëve dhe të pakënaqurve zien më e madhe se çdoherë tjetër, në pritje të një alternative kritike e radikale.
Hall me punë, hall pa punë, hall të mos punësohesh kurrë
Dy ditë më parë një nga korporatat më të mëdha të huaja në tregun tonë, KURUM-i turk, përzuri me forcë nga puna 200 punëtorë shqiptarë, në mes tyre punëtorë të gjysmëparalizuar nga puna e rëndë aty. Arsyetimi? I zakonshmi: Korporata ndodhet në vështirësi financiare dhe i duhet të përzërë edhe 100 të tjerë përveç punëtorëve aktualë, pavarësisht kontratave të rregullta të punës. Treqind të tjerë u përzunë ditës tjetër nga kompania konçensionare e ngarkim-shkarkimit në portin e Durrësit. Me gjasë edhe këta hamej e punëtorë fizikë duhet të kenë ato kontratat e tyre mizerje, por kjo s’i ndalon kapot t’i hedhin në mes të katër rrugëve. Pastaj të mos harrojmë të gjymtuarit në punë, viktimat e shembjes së minierave, të rënët nga skela dhe deri te të vetëvrarët për “motive misterioze”.
Aksioni për formalizimin kapitalist të ekonomisë, sipas kryeministrit Rama, është nja zotimet më të mëdha të qeverisë për t’i dhënë fund skllavërimit në punë, të drejta punëtorëve dhe punë të papunëve. Por ironikisht, po atyre ditëve u propozua një projektligj për tatimin më të lartë të pagave më të ulëta, i cili shkaktoi polemika të ashpra publike, çka mundësoi tërheqjen momentale të tij. Sakaq për sa i përket punësimit, spektakli ministror me Zyrat e Punës mori fund me ikjen e dirigjentit piarist drejt bashkisë dhe hapja e 300 mijë punëve të reja është kthyer në lojë fjalësh, në eufemizëm, ku formalizimi i kamerierëve konsiderohet rritje e suksesshme e punësimit. Formalizim ky që ka shpunësuar me mijëra të tjerë.
Pavarësisht premtimeve e pretendimeve, nuk ka punë të reja dhe as ndryshim në raportet aktuale të punës midis punëtorit dhe pronarit. Ato mbeten nënshtruese, keqpaguese dhe mbishfrytëzuese. Sidomos në bizneset e mëdha, ku edhe nëse ka kontrata, paga është e padrejtë, marrëveshja individuale dhe shporrja e padiskutueshme. Dhe shtetarët tanë reformatorë këtej llastojnë me lehtësira fiskale e ligjore korporatat dhe andej valëvitin flamurin e të drejtave në punë, heshtin dhe mobilizojnë njësi të tëra policore për të shpërndarë dhunshëm protestat e punëtorëve të pushuar. Fjala e madhe e bukur dhe e rremë, me ç’duket, është streha e fundit e feudalëve.
CEZ, ku ta kesh!
Që prej dy javësh, skena publike është trazuar ndjeshëm nga konkluzionet e një investigimi të pavarur gazetaresk ku kryeparlamentari Meta akuzohej për ryshfete prej disamiliona eurosh me korporatën energjetike CEZ. Përmes kompanive ndërmjetësuese fantazmë të klientelës oborrtare, pra të një biznesmeni dhe miku të ngushtë, kryeparlamentari dyshohet të ketë zhvatur llokma të mëdha parash publike. Fill një zhurmë dhe rrëmujë e madhe, me akuza e skandale, kaploi skenën politike. Dhe jo pa qëllim. Sepse CEZ-i është një mut ku e gjithë klasa politike bashkë me oborrtarët kanë shtënë duart dhe aroma është e padurueshme. Për rrjedhojë historiza e tregime nga më të ndryshmet mjegulluan qartësinë e çështjes skandaloze CEZ.
Kjo mjegull nuk është e rastësishme, por qëllimkeqe. Sepse është mjegulla ku lëvizin çakejtë e politikës shqiptare dhe përhapet prej kalemxhinjve të rëndomë paguar prej tyre. Qartësia që në nuk duhet të humbasin konsiston në tri arsyetime të thjeshta: Së pari, privatizimi i rrjetit të shpërndarjes së rrymës elektrike për llogari të CEZ-it dhe dyshes Berisha-Meta është një nga skandalet dhe dëmet më të mëdha të bëra vendit gjatë dy dekadave të fundit. Kjo korporatë e rëndësishme shtetërore u privatizua për 104 milion euro, sa çereku i xhiros së saj vjetore. Së dyti, u mor nga dyshja qeverisëse Rama-Meta kundrejt një zhdëmtimi goxha të rëndë e të panevojshëm. Pra u shit nga Berisha-Meta, u fal nga Rama-Meta dhe u zhvat nga Berisha-Rama-Meta. Së treti, shpagimin e këtyre dëmeve dhe skandaleve korruptive po e paguan populli shqiptar me të famshmen reformë energjetike, e cila, si çdo reformë tjetër këtejpari, shoqërohet me gjobë dhe burg.
Socializëm për të pasurit, kapitalizëm për të tjerët
CEZ-i është pikë nevralgjike ku klasa politike, si e tërë, rezulton e delegjitimuar moralisht e politikisht. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për korruptim material, por edhe ideor. CEZ-i nuk është rast i izoluar, por shprehje e pastër e tendencave – pra praktikës dhe konceptit – krizëndjellëse nëpër të cilën vozit biznesi dhe pushtetarët shqiptarë. Tendenca e shpërdorimit barbaresk deri në kolaps të sektorëve ekonomikë dhe zhdëmtimi i tyre me para publike dhe para të marra dhunshëm në xhepat e qytetarëve të zakonshëm.
CEZ-at e tjerë – pra sektorët ku abuzimi ka çuar në krizë të rëndë – është edhe ai i rrugëve, ndërtimit, bankave, infrastrukturës etj. Sektorë këta të qirë për së keqi prej kapitalistëve pa vizion social në bashkëpunim me politikanë të korruptuar dhe struktura kriminale. Kujtoni borxhet e mëdha të rrugëve të lëna prej ish-kryeministrit Berisha, të cilësuara si një prej ngërçeve më të mëdha të ekonomisë nga kryeministri Rama në prag të ardhjes në pushtet dhe të zhdëmtuar prej tij po prapë me paratë publike – tonat domethënë, se nganjëherë publiku duket nocion abstrakt. Kujtoni rreth 75 mijë apartamente të pashitura vetëm në Tiranë dhe akoma ndërtohet pa kriter duke fryrë një flluskë katastrofike për ekonominë! Një miliard euro kredi të këqija nga bizneset e mëdha dhe një kryeministër që u bën thirrje bankave e gjykatave të likuidohen me nxjerrjen e njerëzve nga shtëpitë e tyre. Një industri hidrocentralesh të ndërtuara në çdo çezmë e përrua, “flluskë në pritje të shpërthimit” sipas investigimit të “The Guardian”. Me dhjetëra miliona euro për burokracira ligjore e administrative për lëvizjen e lirë të kapitalit të huaj. Kriza këto në prag të shpërthimit, që me gjasë – mbase me siguri nëse gjërat nuk do të ndryshojnë – do të paguhen me paratë tona në emër të stabilitetit.
Burg pushtetarëve, jo qytetarëve!
Ne duhet të lëvizim, të bashkohemi, rreth një grushti të vetëm. Populli zien. Kudo ka revolta, por ato, në mungesë të një lëvizjeje konsistente e konsekuente mbeten spontane, të zhurmëta dhe pa vazhdimësi. Ndaj kundërvënia dhe bashkimi rreth një fronti të gjerë është e vetmja mundësi. Një nismë e tillë po ndërmerret me organizimin dhe ngritjen e një aksioni kritik kundër skandalit politik me CEZ-in. Disa organizata, përfshirë këtu edhe Organizatën Politike, i janë bashkuar kësaj nisme të drejtë. Një protestë është bërë. Të tjera do të bëhen. Nga simboliket deri te përplasjet e hapëta e të ashpra. Kjo tollovi është e padurueshme. Ne mundemi dhe do të ngrihemi. Pikë!