Cila Europë?

/Klodi Leka/ Prej dy dekadash, në ligjërimin publik të pushteteve dominon ideja e “Europës”, “europianizmit” dhe “europianit” – koncepte këto të konsumuara banalisht dhe me domethënie reaksionare. Banalisht sepse artikuluesit e tyre nuk janë rrekur asnjëherë t’u japin përkufizime përmbajtësore e konkrete, por cinike dhe dogmatike. Reaksionare pasi zbatimi në realitet i këtyre “koncepteve” bëhet dhunshëm dhe ato bëjnë dhunë.  Por ne do të përpiqemi të thellohemi modestisht në historinë dhe aktualitetin e tri koncepteve të sipërthëna. Europa? Po më falni, a nuk jemi pjesë e Europës ne? Po, jemi! Por për politikanët dhe historianët tanë “Europa” është qytetari, qytetërim, ndërsa ne, populli i thjeshtë, jemi barbarë të pakulturuar. Kjo qasje e të konceptuarit të shoqërisë dhe njeriut tonë si të prapambetur, kafshë për t’u zbutur me haraç e kërbaç – të cilën nuk e ndesh vetëm te pushteti politik por edhe ndër intelektualë e artistë – është burim i barbarisë. Sepse “Europa” nuk ekziston. Ka disa “Europa”. Kemi Europën e Revolucionit të madh Francez, të Komunës së Parisit, të lëvizjeve emancipuese për ndërgjegjësim kombëtar, të rezistencës nacionalçlirimtare dhe deri tek Europa e lëvizjeve studentore e punëtore të Majit ’68 e tutje. Kjo është njëra Europë. Europa tjetër, ajo e pushtetarëve dhe ideve sunduese në shoqëri, është Europa e konkuistadorëve, e kolonizatorëve të bardhë, të cilët në emër të qytetërimit perëndimor vranë dhe detyruan të nënshtrohen me popuj të tërë të konsideruar indigjenë. Ata i përkasin Europës së ideve të mykëta: të shtetit dhunues e rrjepës, të popullit pa të drejta dhe të pushtetit të zaptuar për shumë kohë prej një grushti të vogël njerëzish. Kjo është Europa e xhandarit dhe taksidarit, e racistit dhe agait. Kësaj Europe i përkasin historikisht pushtetarët tanë. Europa, po ashtu, në kuptimin e tanishëm të fjalës, pra konkret e politik, është në krizë. Kjo për shkak të “europianizmit” dhe “europianit”. Në tregun tonë politik “europianizmi” reklamohet si vlera më e lartë e republikës së harmonisë, tolerancës e bla bla bla. Ndërsa “europiani” është qytetari gjasme i ndërgjegjshëm që nënshtrohet pa zë ndaj reformave të dhimbshme dhe sureve të pushtetit. Në teatro këto fjalë ngjajnë mjaft të bukura, por në pasoja jo dhe aq. Po të hapim e të lexojmë këshillat e raportet e famshme të miqve ndërkombëtarë, europianë e euro-atlantikë për Shqipërinë do të zbulojmë kërkesat e kushtëzimet e tyre për privatizime, shpensionime dhe reforma të dhimbshme. Privatizimet e fabrikave, minierave dhe pasurisë publike – pra një shpronësim tragjik të qytetarëve – dhe faljen e tyre për dylekësha në duart e privatëve abuzivë. Shpensionime për njerëzit në nevojë dhe shpunësim për të tjerët. Reforma të dhimbshme për të paguar me paratë tona biznesmenët e rënë në krizë… fitimesh marramendëse. Ndërsa “europiani” është njeriu i qetë, taksapagues, që beson te zotërit dhe gjykatat, i cili nuk rebelohet kurrë dhe është votues i rregullt i partive pa vizion. Kush paguan faturat e kripura të rrymës, kush merr kuponin e kotë tatimor, kush paguan tarifat absurde të universitetit është “qytetar europian”, ndërsa ai që nuk ka dhe nuk mundet është shqiptar i pandershëm, barbar dhe, për rrjedhojë, meriton gjobë ose të shkojë në burg. Në djall edukata, vetëm dajaku i zbut shqiptarët! Gjobë me pshurr në qytetin pa banja publike, gjobë nëse hedh mbeturina në rrugën pa kosha, gjobë për këdo që nuk është europian. Ky është banaliteti i njeriut europian të klasës politike. Mirëpo siç nuk ekziston Europa, por Europat, ashtu nuk ekziston as “europianizmi” dhe “europiani”. Ekzistojnë “europianizmat” dhe “europianët”. Për shembull, simboli i europianizmit, Bashkimi Europian, ka rënë në krizë të brendshme. Këtej kemi “europianizmin” e shteteve të mëdha që imponojnë gjer në kolonizim politikat e brendshme ekonomike dhe socialë mbi shtetet periferike. Andej kemi “europianizmin” e lëvizjeve masive kundër rrjepjes së mëtejshme të xhepave dhe papunësisë, si referendumi grek kundër borxhit, të indinjuarit spanjollë, punëtorët dhe studentët belgë, të cilat kërkojnë një Europë më sociale dhe Arsim Publik FALAS! Këtej “europianin” paragjykues ndaj të huajve, mbështetës të shtetit dhunues dhe të pandërgjegjshëm në rehatinë e tij për çështje të mëdha publike. Andej “europianin” e varfëruar, pa sigurime sociale, që angazhohet në kauza të mëdha kritike e sociale. Po ne, shqiptarët, a jemi europianë? Dhe cilës Europë i përkasim? Po, ne jemi europianë, madje më të tillë se shumë europianë të tjerë. Po, i përkasim jo vetëm Europës, por të dyja Europave, të cilat ndizen e ndeshen pareshtur ndër ne. Historikisht kemi pasur Europën e pushtetit: të elitave të nënshtruara ndaj çdo perandorie, çdo okupimi dhe pretendente për pushtet të përhershëm jodemokratik; dhe Europën e intelektualëve dhe lëvizjeve të popullit në përpjekjen për iluminim dhe çlirim. Shqiptarët, si popull, gjithnjë kanë ditur të rreshtohen në anën e drejtë të historisë, ndërsa si pushtet jo. Kjo përplasje, ky dallim vazhdon edhe sot, anipse jo në kuptimin e madh të fjalës. Dy raste konkrete: Që prej dy vitesh, ne, studentët dhe pedagogët e mbledhur rreth Lëvizjes Për Universitetin, kundërshtojmë me këmbëngulje reformën tregtarizuese në universitet. Në saj të reformave të dhimbshme qeveritare. Në thelb kjo reformë e bën universitetin, pra dijen dhe edukimin, privilegj të t’pasurve dhe pushtetarëve. Konceptim kaq regresist ky, saqë Europës iu desh një përmbysje e madhe radikale (kujto: Revolucionin Frëng) që ta bënte të drejtë demokratike për masat e mëdha të popullit të lënë në errësirë. Së dyti, prej disa vitesh, Organizata Politike është i vetmi grupim politik që ngre diskurs dhe veprim në mbrojtje të disa prej vlerave më të vyera evropiane, të atij europianizmit tjetër e emancipues, si mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, shpërndarje më të drejtë të pasurisë dhe demokratizim radikal të jetës shoqërore – përkundër lartësimit të kapitalizmit rrënues ndër ne. Pra çështja nuk është Europa ose jo, por cila Europë dhe drejt cilës shkojmë.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.