/Jean-Paul Sartre/
I dëbuar nga klasat e privilegjuara, i dyshimtë për klasat e shtypura (për shkak të vetë kulturës së tij të cilën e vë në shërbim të tyre), intelektuali mund ta fillojë punën e vet. E çfarë është fundja, kjo punë? Mendoj se ajo do të përshkruhet kështu:
- Të luftojë kundër rilindjes së vazhdueshme të ideologjisë brenda klasave popullore. Kjo do të thotë ta rrënojë nga jashtë sikurse edhe nga brenda çdo përfytyrim ideologjik mbi veten dhe mbi fuqinë e tyre (“heroi pozitiv”, “kulti i personalitetit”, madhërimi i proletariatit”, bie fjala) të cilat duken prodhime të klasës punëtore, por në fakt janë huazime nga ideologjia borgjeze: si të tilla ato duhet të rrënohen.
- Ta përdorë kapitalin-dije të caktuar nga klasa sunduese për të ngritur kulturën popullore – që do të thotë, të hedhë bazat e një kulture universale.
- Në rast se paraqitet nevoja në koniunkturën e tashme të formojë teknikë të dijes praktike nga radhët e klasave të shtypura – të cilat nuk mund t’i prodhojnë ata vetë – dhe t’i bëjë ata intelektualë organikë të klasës punëtore apo, së paku, teknikë të cilët më së shumti u afrohen këtyre intelektualëve – të cilët, në të vërtetë, nuk mund të krijohen.
- Të përvetësojë qëllimin e vet (universalitetin e dijes, lirinë e të menduarit, të vërtetën) duke parë në të njëjtin qëllim real që duhet arritur për të gjithë përmes luftës, do të thotë ardhmërinë e njeriut.
- Të radikalizojë aksionin në rrjedhë e sipër, duke vënë në pah përtej objektivave të atypëratyshme objektivat e largët, do të thotë universalizimin si qëllim historik të klasave punonjëse.
- Të bëhet kundër çfarëdo fuqie – duke përfshirë këtu edhe pushtetin politik i cili shfaqet në partinë e masave edhe në aparatin e klasës punëtore – roje e qëllimeve historike që i ndjekin masat; me që qëllimi përkufizohet, në të vërtetë, si unitet i mjeteve, ai duhet t’i shqyrtojë këto sipas parimit se të gjitha mjetet janë të mira kur janë efikase përveç që e shtrembërojnë qëllimin e ndjekur.
Marrë nga libri “Situatat” i intelektualit revolucionar francez Jean-Paul Sartre, kapitulli “Intelektuali dhe masat”, përkth. Muhamedin Kullashi, bot. Rilindja, Prishtinë, 1986, faqe 139