Pasuritë popullit! Në bankën e të akuzuarve pushtetarët dhe oligarkët!
/Organizata Politike/
Ngjarjet e ndodhura në fshatin naftëmbajtës Marinzë na tregojnë edhe njëherë për natyrën e modelit që na qeveris tashmë prej 23 vitesh. Bisha neoliberale forcohet vit pas viti duke thithur çdo të mirë publike dhe shkatërruar gjithçka që i pret rrugën e fitimit të paskrupullt. Populli shqiptar tashmë e ka të qartë se të gjitha premtimet për jetë të begatë prej privatizimit të gjithçkaje veçse po e bëjnë më të pajetueshëm këtë vend.
Shpërthimet e disa puseve të naftës dhe gazit në Marinzë kanë sjellë dëme në kufijtë e të parikuperueshmes. Banesa të dëmtuara, orendi të shkatërruara, mjedis i tejndotur dhe banorë në mëshirë të fatit sepse qeveritë e interesave private i kanë harruar prej kohësh. Rreziku për jetën mbetet aty ku, të rrethuar prej naftës e gazit, askush nuk e di çfarë e pret çast pas çasti.
Kush janë përgjegjësit e kësaj shkatërrimtarie jo vetëm mjedisore, por edhe me pasoja të rënda sociale dhe ekonomike? Dy janë kompanitë që operojnë në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri, “Bankers Petrolium” dhe “Stream Oil”, por buxheti i shtetit nuk fiton asnjë qindarkë prej tyre sepse deklarojnë fitim zero, pavarësisht se vetëm “Bankers Petrolium” prodhon mesatarisht 3 mijë tonë naftë në ditë që shiten në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, kompanitë kanë deklaruar mbi 1.5 miliardë dollarë shpenzime/investime në nëntë vitet e fundit, por për këtë nuk ka asnjë fakt apo faturë që ta vërtetojë. Nga këto të dhëna, vjedhja e pasurive natyrore është e paprecedent! Për këtë vjedhje çmeritëse duhet të mbajnë përgjegjësi të shumanshme të gjithë aktorët, qeveritarë e privatë, të këtyre 10 viteve!
Për rastin konkret, “Bankers Petrolium” është kompania që po bënte shpime për një pus nafte kur ndodhi shpërthimi. Kjo kompani operon prej vitesh në tregun shqiptar të naftës, por prej më se një muaj Ministria e Mjedisit kishte urdhëruar që punimet e saj të pezulloheshin për shkak të ndotjes së madhe. Përkundër kësaj, Ministria e Energjetikës dhe institucione të tjera nuk kishin marrë asnjë masë parandaluese, prandaj veprimtaria shkatërruese e kompanisë në fjalë solli katastrofën e sotme. Për t’i shpëtuar përgjegjësisë, Ministri i Energjetikës justifikohet me një aforizmë prej idioti neoliberal: “Pavarësisht urdhrit të Ministrisë së Mjedisit, nuk ka kuptim të ndalohen punimet për puse nafte sepse janë si kapilarët e zemrës për ekonominë”. E kur zemra e banorëve të Marinzës plas, çfarë përgjegjësie duhet të mbajë ky farë ministri?!
Asgjë nuk mund të pritet nga qeveritarët e korruptuar dhe të inkriminuar, shërbyes të rëndomtë oligarkësh ekonomikë dhe të çdo shfrytëzuesi tjetër! Populli shqiptar e ka kuptuar që, pavarësisht begatisë së falur nga natyra, jeton në mjerim prej shtypësve dhe shfrytëzuesve që ndërkëmbehen në pushtet! Sot, pavarësisht se mund të kesh lindur në Marinzë apo Bulqizë, në vend që të jetoje në begati, je i detyruar të luftosh për mbijetesë! Vetëm një model ekonomik barbar e kthen pasurinë natyrore në mallkim për popullin.
Sot zgjidhja nuk është privatizimi i pasurive publike dhe keqshfrytëzimi i tyre prej maskarenjve të gjithfarëllojshëm vendas e të huaj, por shtetëzimi i pasurive publike dhe administrimi demokratik prej përfaqësuesve të popullit, punëtorëve dhe komuniteteve lokale të qytetarëve. Pa harruar: Në bankën e të akuzuarve pushtetarët dhe oligarkët!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.