Partia pararojë e proletariatit

/Georg Lukács/

Rreziku vjen gjithashtu kur këto grupe (të caktuara të klasës punëtore – vërejtje e përkthyesit) janë në pozita për të ushtruar një ndikim reaksionar mbi tërë klasën, qasja e të cilëve te një standard mikroborgjez i jetesës dhe kapja e pozicioneve në burokracinë e partisë apo sindikatës, e ndonjëherë edhe në zyrat e komunës etj., u jep atyre – përkundër apo mu për shkak të pikëpamjes së tyre gjithnjë e më borgjeze dhe mungesës së ndërgjegjes së pjekur klasore proletare – një superioritet në aspektin e arsimimit formal dhe përvojës në administratë mbi pjesën tjetër të proletariatit. Me fjalë të tjera, ndikimi i tyre në organizatën proletare kësisoj zë ta turbullojë ndërgjegjen klasore të të gjithë punëtorëve dhe i shpie kah një aleancë e nënkuptuar me borgjezinë.

Qartësia teorike, agjitacioni përkatës dhe propaganda e grupeve të vetëdijshme revolucionare nuk mjaftojnë në vetvete për t’i bërë ballë këtij rreziku. Prandaj konfliktet e interesave shprehen në mënyra që mbesin të fshehura prej punëtorëve për një kohë të gjatë. Aq shumë saqë edhe zëdhënësit e tyre ideologjikë nganjëherë nuk ia kanë idenë se vetë ata i kanë braktisur interesat e klasës si të tërë. Kësisoj, këto dallime lehtësisht mund të fshihen prej punëtorëve nën alibinë e “dallimeve teorike të opinionit” apo thjesht “dallimeve taktike”…

Afrimi i një periudhe revolucionare njashtu përshëndetet prej të gjitha elementeve të pakënaqura të shoqërisë së vjetër që rendin t’i bashkohen apo së paku të bien në kontakt me proletariatin. Por pikërisht kjo mund të sjellë me vete rreziqe të fshehta. Në qoftë se partia proletare nuk është e organizuar asisoj sa të jetë e siguruar politika e drejtë dhe e duhur klasore, këta aleatë – që gjithherë shumohen përgjatë situatave revolucionare – mund të sjellin huti në vend të përkrahjes. Pjesët e tjera të shtypura të shoqërisë (fshatarët, mikroborgjezia dhe intelektualët) natyrisht që nuk orvaten për të njëjtin përfundim sikurse proletariati. Klasa punëtore, e cila e di se çfarë do dhe se ç’i diktojnë interesat e veta klasore, mund ta çlirojë edhe veten, edhe këto grupe të tjera prej skllavërisë. Por nëse partia, përfaqësuesja militante e ndërgjegjes klasore proletare, është ngurruese në drejtimin që duhet të marrë klasa, nëse karakteri i saj proletar nuk është as institucionalisht i siguruar, atëherë këto grupe të tjera do të derdhen përbrenda saj dhe do ta shmangin nga rruga e saj. Aleanca e tyre, e cila do të mund t’i sillte të mira revolucionit nëse partia proletare do ishte e sigurt për organizimin e vet klasor, anaprapthi mund të kthehet në rrezikun më të madh për të…

Ideja e Leninit mbi organizatën e partisë kësisoj përmban pole fikse: përzgjedhja më e kujdesshme e anëtarëve të partisë mbi bazën e ndërgjegjes së tyre klasore proletare dhe solidariteti total e përkrahja për të gjithë të shtypurit e të shfrytëzuarit e shoqërisë kapitaliste. Kësisoj, ai në mënyrë dialektike unifikoi veçantinë e synimit dhe universalitetin – udhëheqjen e revolucionit në terma kryekëput proletarë dhe karakterin e tij të përgjithshëm kombëtar (dhe ndërkombëtar). Koncepti menshevik i organizatës së partisë i dobësonte këto pole, i pështjellonte, i reduktonte në kompromise dhe i bashkonte ato përbrenda vetë partisë. Menshevikët u shkëputën prej shtresës së gjerë të masave të shfrytëzuara (për shembull, prej fshatarëve), por bashkuan në parti grupe të interesave nga më të ndryshmet duke pamundësuar kështu çfarëdolloj mendimi a aksioni. Gjatë përplasjes kaotike të luftës së klasave – që të gjitha periudhat revolucionare karakterizohen nga gjendja thellësisht e trazuar dhe kaotike e shoqërisë si e tërë – në vend se të ndihmojë në të themeluarit e unitetit proletar kundër borgjezisë, gjë që është aq e nevojshme për fitore, dhe në vend se të grumbullojë grupe të tjera të shtypura, por në dy mendje, përreth proletariatit, një parti e organizuar asisoj bëhet një lëmsh i hutuar i grupeve të interesave të ndryshme. Vetëm përmes kompromisit të brendshëm do t’ia dalë në ndërmarrjen e ndonjë aksioni dhe, edhe atëherë, ose do ta përcjellë zgjimin e grupeve më mendjekthjellëta a më instiktive përbrenda saj, ose do të detyrohet të shikojë fatalisht gjersa ngjarjet ndodhin para hundëve të saj.

Përzgjedhja dhe përkthimi: Fitim Salihu

Shkëputur nga: Georg Lukács – Lenin: A Study on the Unity of his Thought

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.