Pranverë studentore

/Liri Kuçi/

Përgjatë një  periudhe intensive  në media e kudotjetër ku ka vëmendje masive, lajtmotivi ishte sëmundja e sistemit arsimor. Vazhdimisht dëgjohej të thuhej prej kryeministrit, ministres  e zv. ministrit të Arsimit se sistemi arsimor në Shqipëri na qenkësh sëmurë. Unë si studente e Shkencave Sociale jam e prirë ta vë në dyshim dhe të pyes: ‘‘Përse?’’. Mirëpo, lajmi për diagnozën e sistemit arsimor duke u shërbyer sa herë jepet rasti, bllokon çdo hapësirë e lirë mendimi deri në atë pikë saqë në mos fillon ta gëlltitë vërtet atë që i jepet, të paktën fillon të shtrojë pyetjen: ‘‘Çfarë mund të bëhet për ta shëruar sëmundjen sistemike  të arsimit?’’

Në fakt, asgjë nuk po bëhet në të vërtetë. Në një tentativë të dështuar për të ofruar zgjidhje, është propozuar një reformë e infektuar që në themel. Në këtë rast ‘mjekët’ e supozuar nuk ishin veçse  komisionerë interesash privatë, e si ilaçe rekomanduakan tarifa të rritshme vit pas viti për universitetet publike, duke  varfëruar e sëmurur për vdekje  edhe këto që kemi.

Mirëpo, universiteti nuk është ngrehinë e shkretë dhe e pajetë, që nuk shihet tjetër veçse si fabrikë që taksohet hatashëm për të prodhuar fletushka notash. Universiteti është banesë e dijes që jo vetëm jetohet e banohet nga studentë e pedagogë, por ndikon në çdo proces të tanishëm e të mëtejshëm shoqëror. Universiteti nuk është qelizë e vdekur mor’ jo! Universiteti jam unë! Unë jam frymor e unë jap nga koha, energjitë dhe jeta ime përditë në universitet! Unë jam studente, e studentë sot  vendi ynë ka me qindra-mijëra. Universiteti jemi ne! Ndaj ne vendosim dhe e  kundërshtojmë krejtësisht reformën-paçavure që pritet të votohet si projektligj në parlament!

Universiteti është i yni! I çdokujt që e sheh veten pjesë të projeksionit të dijes në Universitet, i çdokujt që do ta përfitojë këtë dije të pakushtëzuar nga faktorë të jashtëm e jokonkretë të jetës universitare!

Universiteti nuk është i një grushti agjentësh që kërkojnë ta transformojnë sipas shijeve e premisave ngushtësisht vetjake, duke e kthyer kësisoj në një makineri të ftohtë, të pashpirt ku në varësi të shumës së majme të parave që jep, mund të marrësh çfarëdolloj diplome të dëshirosh. Madje jo vetëm kaq, por mund të zgjedhësh edhe se në cilin universitet dëshiron ta marrësh këtë të fundit. Ama me zgjedhjen e diplomës dhe universitetit i jepet fund edhe të drejtës për të zgjedhur sepse këtu supozohet se fillon dhe mbaron universiteti, në një sipërmarrje të rëndomtë me qëllime thjesht dhe vetëm ekonomike.

Sakaq studenti, pra ky lloj studenti që prodhohet në reformën në fjalë, sikur zhvatja e palogjikshme të mos mjaftonte, nuk do të ketë asnjë të drejtë të vendosë për organizimin e jetës universitare.  Në këtë mënyrë, studenti nuk do të përbëjë asgjë më shumë sesa një marionetë të rëndomtë sistemike. Studentët do të detyrohen të bëhen memecë përballë shushunjave burokratike të fryra anekënd ambienteve aksionere-universitare. Andaj, përpara se të shfuqizohemi nga çdo e drejtë vendimmarrjeje, duhet të jemi qëndrestarë! T’i qëndrojmë fort idesë se universiteti nuk mund të shndërrohet në një godinë që promovon eksluzivitetin dhe fuqinë pushtetare e biznesore. Nuk duhet të lejojmë që universiteti të kthehet në një ndërtesë institucionale të llangosur tej e tej nga fasada shumëngjyrëshe  pasunore, ndërkohë që në thelb do të jetë i përbërë nga skamja pasojë e mjerimit sistemor.

Universiteti nuk duhet të jetë ai i reformës që vjen me mbikëqyrje nga lart, por ai që del si produkt i kuvendimit nga poshtë, nga ata që e konstituojnë në themeli atë, studentët e pedagogët. Ne nuk duam universitet gjysmak, apo më keq, universitet që blihet nga kushdo që investon më tepër se tjetri, për ta kthyer në fasoneri diplomash! Dija nuk bën kompromis me pushtetin e parasë, ndaj universiteti duhet të jetë vetëm publik, si e mirë e garantuar shoqërisht pa kushte, i pashitshëm kundrejt asnjë vlere të pavlerë!

Për qeveritë që shkojnë e vijnë, rëndësi përbën vetëm dukja në numër e sasi. E nëse është kështu, atëherë le të bëhemi rrezikshmërisht të rëndësishëm me praninë tonë, duke u bërë shumë! Le të shtojmë e të forcojmë radhët tona duke u bashkuar njëzëri në thirrje se NE JEMI STUDENTË, NE JEMI UNIVERSITTETI!

Ne jemi universiteti dhe nuk pranojmë të lakuriqësohemi e të jashtësohemi godinës duke na u hequr çdo e drejtë vendimmarrjeje e organizative së brendshmi! Universitetin nuk pranojmë ta ndajmë paturpësisht mes aksionerësh privatë, sipërmarrësish a ç’gjëkafshe tjetër të përbindshme që kërkon të përpijë thelbin dijesor përkundër thatësirës së tufave me kartëmonedha.

Shiu i marsit paralajmëron pranverë e nuk na tremb, por na jep forcë për të qëndruar e kundërshtuar fuqishëm ngricën e ligjit reformator që do të paralizojë qenësinë e konceptit të publikes në arsim. Pasi të rrëzojmë projektligjin gjysmak, vetëm atëherë do të mund t’ia nisim një reformim prej vërteti, nga universitarët!  Pranvera do  të vijë shpejt sivjet, do të çelë më e bukur dhe më e ngrohtë midis kryengritjes studentore!

*Fjalë e mbajtur gjatë protestës universitare të 25 marsit. Botuar në numrin e tretë të gazetës “Universitari”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.