Universitarët, fronti i rezistencës së përbashkët
/Klodi Hoxha/
Jam studente dhe ky është një fakt i rëndësishëm, jo aq për mua sesa për shoqërinë, familjen, Ministrinë e Arsimit, qeverinë apo shtetin. Fakti që je student nuk duhet trajtuar vetëm në terma numrash apo shifrash, duhet parë si subjekt breznor i cili me arsimimin e tij do bëjë ç’është e mundur për të mirën e përbashkët duke e çuar vendin përpara. Arsimimi është e drejtë e çdo individi në shoqëri e përcaktuar në kushtetutën, por mesa duket ky është veç një nen më tepër sa për të mbushur faqet. Zakonisht kjo është prirja e shtetarëve tanë, të ketë sasi se për cilësi s’e vë kush ujin në zjarr.
Reformë?! Ku?! Kush foli?! …Këto janë pyetjet që jo vetëm mua, por çdo studenti i kanë ardhur në mendje k’tu e para një viti, kur kryetari i qeverisë doli dhe tha që do ketë reformim në sistemin e arsimit të lartë. Mirë deri këtu se të gjithë (studentë dhe pedagogë) jemi të vetëdijshëm që universitetet tona kanë shumë probleme dhe duhet reformim, se reformimi këtë nënkupton “të ndreqësh diçka që ka probleme”. Por nga kush duhet të nisë reformimi në universitet? Nga subjekte që vijnë nga jashtë dyerve të universitetit apo më keq akoma nga jashtë realitetit shqiptar? Jo, nuk bëhet kështu dhe këtë mund ta themi me bindje pas leximit të projektligjit për reformimin e IAL-ve sepse aty nuk preken problemet aktuale që ne i hasim çdo ditë në universitetet, shoqërinë dhe vendqëndrimin tonë studentor. Nëse kërkon një reformim rezultativ të diçkaje, në këtë rast të arsimit të lartë, atëherë duhen pyetur vetë banuesit e universiteteve, universitarët.
Kush më mirë se një student e di se ku çalon procesi i mësimdhënies dhe nxënies, se sa pak ndihet i përfaqësuar në vendimmarrjen e fushës universitare, sa na kushton arsimimi, se si ndihemi alienë në universitet sepse askush nuk të sqaron asgjë?! Sekretariatet e fakultetit janë të mbushura me njerëz që nuk denjojnë të japin as informacionet më elementare, problemet teknike të cilat krijojnë një listë të pafundme etj. Studenti është i atomizuar në universitet dhe nuk ka asnjë lloj kontakti me godinën, përveç raportit hierarkik ndaj administratës, e cila është e para që bie në kontakt me të dhe ndaj pedagogut që shpeshherë bën rolin e prindit karshi nesh.
Kush më pyeti mua apo pedagogun tim se si e duam universitetin?! Prandaj këmbëngul që reformimi duhet të fillojë nga poshtë, të merren mendimet e aktorëve të brendshëm të universiteteve sepse në momentin që aktorët janë të jashtëm, atëherë reformimi është thjesht shkatërrim. Formësimi i universitetit nga aktorë jashtë tij si partitë, bizneset dhe politikat vendimmarrëse e kanë kthyer universitetin nga një institucion kritik për kultivimin e njohurive dhe në vendin ku ngjizet ideja në agjenci tregtare ku biznesi po lulëzon në kurriz të studentit.
Del në media një nga komisionerët e reformës dhe shprehet që komisioni ka punuar 15-16 orë në ditë për të hartuar projektligjin për reformimin e universiteteve. Kjo është absurde sepse të shkatërrosh nuk duhet kaq shumë kohë mik i dashur! Hidhe në erë më mirë, vija bombën të gjitha universiteteve! Fundja është edhetrendy. Por kjo mendoj se vjen pasi shkatërrimin duan ta maskojnë si diçka me pasoja pozitive në arsimin vendas. Është indinjues fakti që për çështjen e arsimit më shpesh flet kryeministri dhe ministri i Mirëqenies sesa vetë ministrja e Arsimit. Mos e shfrytëzoni postin për të kryer re(sh)formime që kanë veç pasoja shkatërruese në arsim dhe jo vetëm!
Universiteti është shumideor, por nuk është asgjë nëse nuk është publik, i besueshëm për shoqërinë dhe vatër ku kultivohet studenti si luftëtar për drejtësi duke menduar kritikisht. Që universiteti të jetë i tillë, duhet të ketë liri akademike, të jetë autonom nga shteti dhe i pavarur nga tregu. Vetëm kështu mund të shërbejë si emancipues i shoqërisë. Këtë argument kam arritur ta ndërtoj pasi dëgjova dhe mora pjesë në organizimet e aktiviteteve të lëvizjes studentore të quajtur Për Universitetin. Disa prej jush mund të kenë dëgjuar për veprimtaritë e saj të shumta si në ligjërimet e hapura nëpër fakultete të ndryshme, ashtu edhe në aksionet në terren, por edhe pasi është e para lëvizje studentore në Shqipëri që është ndërtuar në mënyrë vullnetare, pa u nxitur nga faktorë të jashtëm politikë a OJF-istë, pa u drejtuar nga ndonjë “lider” dhe që e merr universitetin më seriozisht sesa (pothuajse) krejt akademikët.
Nevoja për një lëvizje të tillë studentore, e cila nxjerr në pah kontradiktat e thella në situatën aktuale të arsimit dhe që ngre zërin studentor, ka qenë shumë e madhe. Shtysë fillestare për krijimin e lëvizjes ishte nevoja që si grup studentësh pamë për të ndryshuar ambientin e fakultetit tonë (atë të Shkencave Sociale). Ama rrugës vumë re se problemet teknike ishin shumë, por jo të vetmet, as më jetiket sado të rëndësishme. Studentët kishin shumë për të thënë… Problemet e shumta në godinat tona universitare ishin “pikë kyçe” në suksesin dhe rritjen e lëvizjes Për Universitetin. Gjatë organizimeve dhe gjatë intervistave që kemi dhënë si aktivistë të lëvizjes, pyetjet që na janë drejtuar më shpesh kanë qenë: “Si jeni krijuar?”, “kush ju ka shtyrë deri këtu?”, “kush është lideri i Lëvizjes?”, “Ç’do bëni në vazhdim?” etj… dhe gjithnjë habiteshin kur merrnin si përgjigje fjalinë e mësipërme, pas gjase sepse janë mësuar që në Shqipëri çdo organizim të ketë një dorë oportuniste që e shtyn nga mbrapa, që secili të jetë vegla e dikujt, që s’mund të kesh sukses po nuk pate lider dhe se s’ka mundësi që ditët e sotme studentët të merren me universitetin me vullnetin e tyre të lirë. Dhe ndoshta nuk kanë faj kur bëhet fjalë për studentët sepse ligjërimet e sotme me temë këtë të fundit e nxjerrin si jostudent. Këtë madje ta thotë edhe pedagogu/ja në mes të leksionit: “Ju nuk jeni studentë! Ju e keni mendjen te kafja, te smartfonët dhe të merrni një copë 5 në fund sa për të kalu vitin!” Dëgjohet lart e poshtë që sot studenti është pasiv, nuk i prek librat fare, lë orët e leksioneve për kafe me shoqërinë, nuk bën punë kërkimore, janë brez dembelësh dhe kushedi sa e sa të zeza të tjera. Pa pritni pak more! A ka punuar ndonjë brez studentësh më shumë se brezi i sotëm vetëm për të qëndruar në universitet?! A na shpjegon kush ndonjëherë ne studentëve në leksione se çfarë është universiteti?! Kush na pyet sot se çfarë kuptojmë me fjalën student ose kush na e shpjegon se ç’do të thotë të quhesh i tillë?! A ka pasur ndonjëherë kaq shumë kafe vërdallë sa të të eklipsojnë çdo hapësirë librarie dhe qendre kulturore?! A e dini ju se në ç’kushte jetojmë sot ne studentët, sa e paguajmë tarifën e banimit, të studimit dhe sa na kushtojnë librat?! A ka parë kush sot një këshill studentor që të merret me çështje serioze pa qenë të varur?! A ka qenë kush në organizime dinjitoze kulturore (se për punë shkencore s’po pyes më mirë) së fundmi nëpër universitetet tona (përjashto organizimet nga partitë)?! A e dini ju se sa të papunë nxjerrin universitetet sot dhe përse ndodh kjo?! E shumë të tjera, por më e rëndësishmja: A e pyet kush veten, para se të gjykojë studentin, se çfarë është universiteti dhe në çfarë është shndërruar sot?!
Lëvizja “Për Universitetin” nuk identifikohet vetëm si lëvizje momentale kundër një projektreforme që parashikohet të aplikohet mbi universitetet tona, por si lëvizje që ka për qëllim të fshijë pluhurin e propagandës mbi studentët dhe universitetet duke i rikthyer këto dy koncepte në domethënien e vetme të tyre dhe kjo arrihet duke u dhënë përgjigje pyetjeve si ato të mësipërmet. Kur ne studentët ta njohim veten dhe universitetin nga brenda, atëherë nuk do t’i marrim si të mirëqena gojëdhënat që vijnë nga jashtë për ne të dy (kupto student/universitet), por do t’i kritikojmë dhe do t’i bindim që e kanë gabim.
Komisionerët dhe pishtarëmbajtësit e kësaj reforme deklarojnë që draft-reforma ka vajtur në diskutim në 35 fakultete, duke ua prezantuar studentëve dhe duke i njohur me të. Madje krenohen me k’të veprim (që është gënjeshtër) athua se kanë bërë diçka jashtë asaj të cilën e kanë për detyrë. Them se është gënjeshtër sepse në momentet kur kemi shkuar nëpër konvikte, mensa, fakultete dhe qendra studimi për të informuar studentët mbi aktivitetet e Lëvizjes dhe i kemi pyetur se sa ishin janë në dijeni të reformës dhe efekteve të saj, shumë pak për t’mos thënë asnjë nuk e dinte për të. Çmenduri! Për kë po e bën reformimin?! Ah sigurisht ky reformim nuk është në interesin tonë, por të disa oligarkëve, të cilëve s’po ju futem me shpjegime të tjera se duhet ca si shumë hapësirë dhe nuk do zë faqet e gazetës kot. Komisioni hartues është shfaqur vetëm nëpër show televizivë dhe nëse ka vajtur në ndonjë fakultet, atëherë ka bërë dezinformim sepse studentët ishin/janë tabula rasa në këtë pikë dhe paradoksi qëndron se e gjitha kjo shitet sikur po bëhet për ne. Me përpjekjen tonë modeste kemi informuar shumë studentë se çfarë do sjellë kjo reformë për universitetet tona publike, çka është arritur nëpërmjet asambleve diskutuese, agjitacionit, protestave dhe zaptimeve.
Zaptimi është një formë e re rezistence për shoqërinë tonë. Zaptimi i parë ndodhi vetëm katër ditë pasi kishte filluar viti akademik aktual. Filloi në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit i nxitur nga një VKM e dalë vetëm pak ditë përpara se të fillonte mësimi në master. Bëhej fjalë për një vendim diskriminues për studentët që sapo kishin mbaruar bachelor-in sepse ju vendoste kritere hyrëse (note mesatare) për të cilat studentët duhet të ishin në dijeni që në fillim të universitetit. Pas FIN-it, zaptimi kaloi tek Korpusi Qendror Universitar dhe te Fakulteti i Gjeologji-Minierave. Ky i fundit u gjend edhe përballë një VKM-je tjetër që propozonte transformimin e këtij fakulteti me 60 vjet histori në institucion gjykate. Me atë rast ishin dy kauza që bashkoheshin në rezistencë në një fakultet. Rezistencë e cila u mbështet edhe nga trupa pedagogjike duke e cilësuar këtë vendim si ilegjitim pasi vinte nga jashtë, si shkatërrues të historisë dhe i fakultetit vetë, sepse nëse objektet laboratorike, siç synonte VKM-ja, do të lëvizeshin, atëherë do copëtoheshin dhe nuk do i hynin kujt në punë. Në FGJM u protestua në formën e zaptimin për thuajse një javë dhe kulmoi me protestë para kryeministrisë, ku qindra studentë dhe pedagogë u vendosën në shesh duke mos kërkuar asgjë më shumë përpos të drejtave si universitarë. Suksesi i arritur nga zaptimet e sipërpërmendura ishte kthimi i vendimit për mesataren e studentëve të masterit. Pas këtyre, zaptimi i radhës ndodhi në Fakultetin e Shkencave Sociale më 20 nëntor, me kërkesë kryesore, shpronësimin e universiteteve publike. Kërkesë e cila artikulohej më së miri nga ligjërimet e mbajtura dhe nga thirrje studentore si kjo:
Jam student i revoltuar
nga reform’ e propozuar.
Komisioni në shtëpi
për pazare, padrejtësi.
S’jemi mall, s’duam kamatë
s’durojm’ shefa burokratë.
Reformimin e bëjmë vetë
vetëvendosje n’universitet.
Jam student i përjashtuar
prej sistemit varfëruar.
Refuzoj të jem e ardhmja
që nga sot do jem e tashmja.
Kur ndihesh i papërfaqësuar dhe i cenuar, atëherë forma më e mirë është të vetëvendosesh në atë godinë, ta zaptosh atë dhe t’i tregosh çdokujt se Ti ekziston aty. Kur vjen fjala te përfaqësimi më duhet të përmend edhe reformën e parashikuar e cila ja heq të drejtën e votës studentit, çka na e pamundëson fuqinë vendimmarrëse për gjithçka ndodh në universitet.
Është e vështirë të mendosh utopikisht brenda situatës konkrete dhe lëvizja Për Universitetin e ka bërë këtë, duke kërkuar arsim publik falas, në një kohë kur çdo gjë po privatizohet e tarifat po rriten. Por utopia do bëhet realitet sikur shteti të japë për çdo student vetëm 17 lekë në ditë, që ministres sonë të Arsimit, tani që i paguajmë vet, i duken hiçgjë. Arsimi publik është i vetmi sektor që i ka shpëtuar deri tani kësaj vale privatizimesh dhe i vetmi sektor të cilit ia kanë ngulur sytë të gjitha “hienat”. Qeveria ka shpresë se nëpërmjet kthimit të universiteteve publike në ndërmarrje dhe kompani biznesi, siç propozon reforma, të shpëtojë ekonominë e vendit. Përveçse një pretendim i tillë është i pabazuar, a nuk ka thënë edhe kryeministri vetë se dija nuk është mall?! Kushedi ç’ka pasur parasysh!
Nga gjithë ç’u tha, më e rëndësishmja është që të mos humbasë besimi te forca e rezistencës studentore. Projektligji i reformës për arsimin e lartë është rrugës për diskutim në parlament dhe ajo që na nevojitet më së shumti është informimi i gjithkujt për efektet e saj dhe gatishmëria jonë për të mos lejuar shkatërrimin e arsimit publik dhe dhënia e alternativave se si e duam ne reformimin e tij. Nuk ka sens togfjalëshi “arsim privat”, kjo është kundërthënëse sepse dija është publike. Arsimimi i gjithkujt, pa diskriminim ekonomik e social, është e drejtë e jo privilegj.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.