Kundër aparteidit në universitet!

/Klodi Leka/ Në nisje të ditës së sotme rreth pesëdhjetë oficerë policie ndërhynë dhunshëm në mjediset e Fakultetit të Mjekësisë Teknike ku për disa ditë me radhë një kolektiv studentësh të transferuar (nga privati drejt publikut) shprehnin mospajtimin e tyre me reformën për arsimin e lartë dhe trajtimin e diferencuar brenda universitetit publik.  Sipas pamjeve të dhëna filmike, njësiti policor i ndërhyrjes së shpejtë ka thyer me potere dyert e xhamta të fakultetit duke rrahur dhe zvarritur përçudnueshëm studentët e atyshëm. Disa i kanë çuar në komisariate, ndërsa të tjerë në spitalet publike prej plagëve të marra. Mirëpo më e tmerrshmja e kësaj ndodhie është përgatitja e aksionit policor në mesnatë në kushtet e territ informativ dhe drobitjes shëndetësore të studentëve grevistë. Ky nuk është rasti i vetëm që policia ndërhyn dhunshëm në universitet për të shtypur reagimet studentore. Pak muaj më parë diçka e tillë ndodhi edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku disa studentë që protestonin kundër rritjes së tarifave, kushteve laboratorike dhe dekanit kriminal Koni u rrahën paq mu në mes të ditës për t’u dërguar më pas në stacionin policor. Ky raport i policisë me institucionet autonome si universiteti është i paligjshëm, fashist dhe shprehje e pastër e politikave qeveritare në arsimin e lartë publik: eliminimi i autonomisë universitare dhe thellimi i mëtejshëm i represionit ekonomiko-institucional ndaj masave studentore. Ky akt, si reagim policor dhe si policim institucional, është më çmeritësi në historinë dydekadëshe të pluralizmit demokratik shqiptar. As në regjimet më të pazemërta autoritariste shqiptare pushteti nuk ka guxuar të ndërhyjë dhunshëm brenda mjediseve universitare, por ka pritur vërshimin e studentëve rrugëve për t’i rrahur. Por për t’i gjakosur brenda universitetit, kurrë! Po kush janë këta studentë dhe çfarë kërkojnë nga pushteti qendror? Kyçja e shumë universiteteve private vitit që shkoi në saj të reformimit të arsimit të lartë hodhi në mes të katër rrugëve me mijëra studentë. Shumica dërmuese e tyre kaloi në universitetet e mbetura private, ndërsa pjesa tjetër në universitetet publike. Fundja ky ishte qëllimi i kyçjes së kazermave privatuniversitare: të spastronte tregun nga konkurrenca, pra t’i zbrazte këto universitete të vogla nga qindra mijëra studentët dhe t’i dërgonte këta të fundit tek  “universitetet elitare të listës së bardhë” tashmë monopolizuese të arsimit të lartë privat. Qartësisht tregu i universiteteve private në vend, pavarësisht politikave favorizuese qeveritare tetë viteve të fundit, falimentoi dhe vetëm ndërhyrja e vazhdueshme e shtetit me para publike dhe policim shtetëror mundi t’i mëkëmbte skemat e mbetura piramidale. Sakaq pjesa e studentëve të kaluar në universitetet publike u kushtëzua jo nga ndonjë provim i detyrueshëm meritokratik, por nga pagimi i tarifave marramendëse. Kjo është arsyeja përse kundërshtojnë studentët. Por jo vetëm kaq. Pas diferencimit banal në tarifa, ku studentët akoma trajtohen si klientë të rëndomtë të privatit (brenda publikes), diferencimi ka marrë përmasat e një aparteidi të vogëlth në të gjitha domenet publike. Kjo kategori studentësh rreshtohet veçmas në auditorët e leksioneve dhe provimeve; përbuzen nga pjesa tjetër e studenteve si të huaj dhe të pamerituar; përçmohen nga kukulla-debile-ministre-arsimi Nikolla si refugjatë të paligjshëm që po tolerohen në llastimin e tyre; akuzohen nga rinia partiake në pushtet si mosmirënjohës të kompromentuar; përqeshen nga media; rihen me lehtësi të papërballueshme policore dhe shpërfillen nga shoqëria si lopçarë që u ka hipur në mëndje të bëhen kuadro. Përbaltje këto sa të neveritshme aq dhe iluzive, përkujtuese të aparteidit. Studentët e universitetit publik si përfaqësues të logjikës emancipuese duhet ta denoncojnë pa ngurrimin më të vogël dhunën skizofrene policore ndaj bashkëstudentëve, të distancohen nga karakteri i turpshëm persekutiv i institucioneve të arsimit të lartë dhe të solidarizohen me këtë kategori studentësh jo vetëm kundër padrejtësive partikulare, por edhe rrezikut të përgjithshëm që i kanoset universitetit me kundërreforma privatizuese. Kauza e ish-studentëve të privatit nuk është e ndarë, por rrjedhojë direkte e asaj çka po ndodh në arsimin e lartë publik. Të gjithë jemi të shtetit, por shteti nuk është i yni. Shteti është i privatëve. Jo i studentëve të ardhur nga privati, por i interesave biznesore të padronëve të “universiteteve të bardha” private. Është ky shtet, pra qeveria e djeshme që përmes rregullimit të rendit ligjor, përjashtimit nga taksat dhe qerasjeve me para publike; dhe qeveria e sotme përmes ndërhyrjes klienteliste (monopolizuese) që mundësoi rënie-ngritjen katastrofike të  skemave piramidale universitare, jo studentët. Demonizimi i studentëve të ardhur nga privati te publikja nuk është i rastësishëm. Ai është keqadresim i mllefit masiv të popullatës ndaj revanshit të privates mbi publiken. Sepse ideologjia, pra rrjeta e gënjeshtrave të shtetit privat për nënshtrimin e shoqërisë, nuk konsiston vetëm te gënjeshtra, por edhe te riprodhimi gënjeshtar i vetes në raport me realitetin, te jetësimi dhe riprodhimi i çdoditshëm i rrenës. Ne jetojmë brenda një gënjeshtre të madhe. Ky pohim është hapi i parë drejt ndërgjegjësimit. Ndaj, kur pushteti të na thotë: “Ja, po ju hanë mundësitë dhe meritat”, ne duhet t’i themi: “A nuk po e bën të njëjtën gjë gjendja e tanishme e universitetit te bashkëpunëtorëve tuaj burokratë?”. Më tej. Kur pushteti dhe rinia partiake e pushtetit të na thotë: “Ata janë mbetje të privatit dhe marioneta të kësaj apo asaj partie”, ne duhet t’iu themi: “Po ju, nuk jeni të tillë?! Shërbëtorë të bindur të interesave partiake të pushtetit dhe të pushtetit të interesave private?! Si dhe opozita e sotme?!” Kur ata të na thonë: “Përbuzini se janë të pamerituar, të pandershëm dhe të padrejtë në raport me ju”, ne duhet t’u themi: “Ju jeni të pamerituarit, të komprometuarit dhe problemi ynë i vetëm, jo bashkëmoshatarët tanë, që si ne pësojnë tash sa kohë dhunimet e politikave tuaja çnjerëzore”. Në ka akt më komprometues, privatizues dhe antistudentor, ky është projektligji për reformimin e arsimit të lartë që po diskutohet dhe pritet të kalojë parlamentarisht javëve në vazhdim. Komprometues sepse është gatuar nga një komision jolegjitim klientelist i përbërë nga eksponentë të universiteteve  private dhe burokratë ilegjitimë të universitetit publik. Ky komision përveçse nuk referon kurrfarë shqyrtimi shkencor të premisave reformuese, nuk merr parasysh  gjendjen e universitetit dhe kushtet e rënda studentore. Ky komision ka për synim thjesht përvetësimin e parave publike. Privatizues sepse reforma parashikon ndarjen e parave publike për arsimin e lartë midis universitetit publik dhe privat, sikur të mos mjaftonin privilegjet e gjertanishme. Antistudentor sepse reforma kërkon rritjen e përshkallëzuar të tarifave të studimit nga viti në vit dhe zhveshjen e studentëve nga vendimmarrja në universitetin publik (vota dhe përfaqësimi në strukturat universitare). Ky projektligj ekonomikisht na bën të gjithëve klientë brenda publikes dhe formalisht universitetin një kamp të madh përqendrimi për studentë të zhveshur nga çdo dimension universitar e të kthyer në thjesht gjallesa pa zë e pa dukje. Sot, ne duhet të solidarizohemi me studentët e dhunuar dhe kurrsesi të bëhemi apologjetë të arsyes zyrtare të pushtetit. N.q.s. një student apo qytetar i çfarëdoshëm mbështet ekspansionin policor, ai nuk është cinik, por bashkëpunëtor dhe tregues se edukimi publik ka dështuar. Ne nuk duhet të sillemi si privatë brenda publikes sepse kështu legjitimojmë aparteidin dhe represionin në universitet. Ne duhet të veprojmë si bartës të arsyes publike dhe t’i hedhim aty ku e kanë vendin, në koshin e mbeturinave gjithë ideologjinë servile të pushtetit, servilët e vegjël partiakë, kukullën barby të ministrisë dhe gjithë toçat e tjerë të kukullës në emër të barazisë, solidaritetit dhe universitetit publik… falas!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.