/Aleksandra Kollontaj/
Aleksandra Mihajllovna Kollontaj (1872-1952) mbetet një prej figurave kryesore të Revolucionit Socialist të Tetorit në Rusi. Pos që ishte e angazhuar në luftën revolucionare për ndryshime politike e shoqërore, ajo paralelisht bëri një punë të madhe në çështjet e emancipimit të gruas, lirisë seksuale dhe përgjithësisht përparimit kulturor të klasës punëtore.
E shkruar më 1918, kjo është një prej veprave të saj kyçe, ku shtjellohet nga prizmi marksist familja ndër epoka shoqërore dhe formacione ekonomike të ndryshme, veçanërisht duke u marrë me epokën e kapitalizmit dhe me perspektivën e saj në shoqërinë komuniste dhe shtetin e punëtorëve.
E inkuadruar si e re fillimisht në qarqet e inteligjencies radikale të klasës së mesme, më pas edhe në Partinë Socialdemokrate Ruse, Kollontaj u shqua gjithnjë për shpirtin e saj novator e revolucionar. Fillimisht pjesëtare e krahut menshevik, pas vitit 1914 kalon në krahun bolshevik të partisë. Në vitin 1908 u detyrua ta lëshojë Rusinë, pasi ndiqej prej regjimit carist.
Pas Revolucionit të Tetorit, asaj iu dha pozita e Komisares së Popullit për Mirëqenie Sociale, kurse më 1919 themeloi dhe drejtoi për kohë të gjatë “Zhenotdel”-in, Departamentin e Gruas në kuadër të KQ të PKBS-së, ku emri i saj mori dhenë falë fushatave për emancipimin e gruas, kundër analfabetizmit anekënd vendit, për edukimin e gruas mbi martesën etj.
Edhe brenda partisë ajo ishte një kritike e madhe, duke u bërë pjesë e asaj që njihej si krahu majtist apo Opozita Punëtore brendabolshevike e pakënaqur me burokratizimin e partisë. Më 1923 u dërgua ambasadore në Norvegji, më 1926 në Meksikë dhe në vitet 1930-1945 shërbeu në Suedi. Kollontaj vdiq më 1952, por emri e vepra e saj vazhdon të lartësohet si një prej feministeve radikale më të zëshme që ka njohur historia. Interesimi mbi veprën e saj u rrit sidomos pas viteve ’60 me rritjen e radikalizmit majtist dhe përpjekjeve kundër tradicionalizmit konservator te të rinjtë e të rejat në Evropë e SHBA.
Idetë feministe të Kollontajt lidhen medoemos me luftën për çlirim klasor të proletariatit dhe me kritikën ndaj vetë marrëdhënieve në prodhim. Ajo mbronte idenë e dashurisë së lirë, barazisë së plotë mes gjinive, besonte se socializmi nuk do të triumfonte kurrë pa ndryshime radikale të marrëdhënieve seksuale e seksualitetit. Ajo besonte se në fazën e dytë të komunizmit, sikurse shteti, edhe familja do ta humbiste rëndësinë e saj. Atëherë – sipas saj – gruaja e burri do të punonin për shoqërinë, jo për familjen, dhe mbështetjen do ta gjenin tek shoqëria e jo tek familja. Kështu që ajo u bënte thirrje të rinjve e të rejave revolucionare ta harronin nostalgjinë për familjen tradicionale në një shoqëri e cila do të përkujdesej edhe për fëmijët, sikurse për të rriturit, pa i mohuar askujt lidhjet prindërore.
Këto dhe ide tjera tejet radikale të Kollontajt – që për më tepër mund t’i lexoni edhe në këtë libërth të saj të shqipëruar, sikurse edhe tek “Marrëdhëniet seksuale dhe lufta e klasave“ – kanë shërbyer dhe shërbejnë si një armë e fuqishme në luftën emancipuese në shoqëri. – Fitim Salihu
***
A do të ruhet familja në shtetin komunist? A do të jetë mu ashtu siç është sot? Kjo është pyetja që po i mundon gratë e klasës punëtore dhe që njëlloj po merr vëmendje prej shokëve të tyre, burrave. Kohëve të fundit, ky problem ka munduar veçanërisht mendjet e të gjitha grave të klasës punëtore, dhe diçka e tillë nuk do duhej të na habiste hiç: jeta po ndryshon mu para syve tanë; shprehitë e mëparme dhe zakonet janë duke u zhdukur gradualisht dhe krejt ekzistenca e familjes së proletariatit tani organizohet në një mënyrë që është krejt e re, aq a pazakonshme, aq e ‘çuditshme’ sa që do të kishte qenë e pamundur madje edhe të parashikohej.
Ajo çka e bën gruan e ditëve të sotme më të hutuar është fakti që divorci po jepet më lehtë në Rusinë Sovjetike. Në fakt, me dekretin e Komisarëve të Popullit (Qeveria sovjetike e pasrevolucionit – vërejtje e përkthyeses) të 18 dhjetorit 1917, divorci pushoi së qeni luks me qasje vetëm prej klasës së pasur; pastaj gratë punëtore nuk duhej të bënin kërkesë për muaj, madje edhe vjet, për një ndarje në formë kredenciale që do ta lejonte atë që ta bëjë veten të pavarur nga një burrë pijanec e brutal, i mësuar që ta rrahë kur të dojë. Kështu, divorci mund të merret në mënyrë miqësore përbrenda periudhës njëjavore ose dy më së shumti.
Por është pikërisht ky lehtësim për divorcin që përbën shpresë për gratë që nuk janë të lumtura në jetën e tyre martesore, që njëherit frikëson gratë e tjera, posaçërisht ato që ishin mësuar ta shohin burrin e tyre si ‘ofruesin’, ‘pronarin’ e si mbështetjen e vetme në jetë dhe të cilat ende nuk e kuptonin që gratë do duhej të mësoheshin të kërkonin e të gjenin mbështetje diku tjetër e jo më në figurën e një burri, por në figurën e shoqërisë, të shtetit.
Nga familja gjenetike gjer në ditët e sotme
Nuk ka arsye t’i fshehim vetes të vërtetën: familja normale e ditëve të mëparshme, në të cilën burri është gjithçka e gruaja asgjë – pasi ajo nuk ka asgjë mbi veten e saj, nuk kishte kohë për veten e saj – po modifikohet ditë pas dite dhe është gati një gjë e së kaluarës. Por ne nuk do duhej të frikësoheshim nga kjo gjendje. Për më tepër, përmes gabimit ose injorancës ne jemi gati të besojmë që gjithçka për ne mbetet e pandryshueshme, përderisa gjithçka është duke ndryshuar. Gjithnjë ka qenë kështu dhe gjithmonë do të mbetet kështu. Nuk ka asgjë më të gabuar sesa ky proverb! Ne vetëm duhet të lexojmë se si kanë jetuar njerëzit në të kaluarën dhe menjëherë do duhej të mësonim se gjithçka i nënshtrohet ndryshimit dhe se nuk ka zakone, organizime politike apo moral që mbesin fikse dhe të pathyeshme.
Edhe familja në epoka të ndryshme gjatë njerëzimit ka ndryshuar herë pas here në formë; ishte mjaft ndryshe prej asaj që jemi mësuar ta shohim sot. Ka qenë një kohë kur vetëm një formë familjeje konsiderohej normale, e ashtuquajtura familje gjinore që mund të përshkruhet si një familje me një nënë të vjetër në krye, përreth së cilës ishin të grupuar të tjerët, një jetë dhe punë e zakonshme, fëmijë, nipër e stërnipër. Familja patriarkale ishte po ashtu normë në vete një kohë; ruhej nga një baba vullneti i të cilit ishte gjithnjë ligj për pjesëtarët e tjerë të familjes; madje edhe në ditët tona, një familje e tillë fshatare mund të gjendet ende në fshatrat ruse. Në fakt, në ato familje morali dhe rregullat e familjes nuk janë të njëjta me ato të punëtorit të qytetëruar; në fshatra ende ekziston një numër zakonesh që nuk gjinden në familjet e një qyteti proletar.
Forma e familjes dhe zakonet e saj ndryshojnë edhe në varësi të racës. Te disa popuj, si për shembull turqit, arabët, persianët, etj., është e lejuar me ligj që një burrë mund të ketë disa gra. Kanë ekzistuar dhe ende ekzistojnë sot fise të cilat lejojnë një zakon të kundërt, atë që një grua mund të ketë disa burra. Moraliteti i zakonshëm i burrit të ditëve të sotme e lejon atë të kërkojë një vajzë të re e cila mbetet e virgjër deri në legjitimimin e martesës; por ka pasur fise mes të cilave gruaja, në të kundërtën, e kishte çështje krenarie pasjen e shumë dashnorëve, duke i dekoruar duart e saj me unaza të cilat tregonin numrin e tyre.
Praktika të këtij lloji, që s’mund tjetër pos të na habisin – të cilat madje mund t’i quajmë të pamoralshme -, mes popujve të tjerë duket të kenë lejimin e shenjtërisë, të cilët në anën tjetër i konsiderojnë ligjet dhe zakonet tona si mëkatare. Kështu që nuk ka asnjë arsye për t’u tmerruar me faktin që familja po pëson një modifikim, që gradualisht gjurmët e së kaluarës janë fshirë dhe që lidhjet e reja janë duke u futur mes burrave e grave.
Ne vetëm duhet të shtrojmë pyetjen: ‘Çfarë është bërë e prapambetur në sistemin tonë familjar dhe cilat janë – në lidhjet mes punëtorit e punëtores dhe fshatarit e fshatares – të drejtat dhe detyrat përkatëse të cilat do të ishin në harmoni me kushtet e jetës në Rusinë e re, në Rusinë e punëtorëve, siç është tani Rusia Sovjetike? Gjithçka e përshtatshme me gjendjen e re do duhej të ruhej; gjithçka tjetër, të gjitha mbeturinat e vjetruara që na janë lënë trashëgimi nga epoka e mallkuar skllavëruese e dominuese që ka qenë karakteristikë e pronarëve të tokave dhe kapitalistëve, e gjithë kjo do duhej lihej mënjanë bashkë me shfrytëzimin e klasës, me këta armiq të proletariatit dhe të të varfërve.
Kapitalizmi e shkatërroi jetën e vjetër familjare
Familja në formën e tanishme është thjesht trashëgimi e së kaluarës. Dikur solide, kompakte në vetvete, e qëndrueshme – i tillë konsiderohej karakteri i martesës së shenjtëruar nga vetë prifti – familja ishte njëlloj nevoje për gjithë anëtarët e saj. Në mos familja, që do t’i ushqente, veshmbathte dhe mësonte fëmijët, kush tjetër do t’i udhëzonte për jetën? Fati i jetimëve asokohe ishte gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte ndokujt. Në familje të tilla, që ne jemi familjarizuar, është burri ai që e fiton dhe mban gruan dhe fëmijët. Sa i përket gruas, ajo është e ngarkuar me mirëmbajtjen e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve, siç e kupton ajo.
Por tani e një shekull kjo formë tradicionale familjeje ka shkuar kah një shkatërrim progresiv në të gjitha vendet ku dominon kapitalizmi, në të cilat numri i fabrikave rritet shumë shpejt, njëlloj me ndërmarrjet kapitaliste që punësojnë njerëzit punues. Zakonet e moralet e familjes formohen krejt spontanisht përreth jetës që jetojnë ata. Ajo që ndikoi më së shumti, pa asnjë dyshim, në ndryshimin radikal të zakoneve familjare është përhapja universale e punës me pagë te gratë. Më parë ishte vetëm burri ai që konsiderohej mbajtës i familjes. Por në pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vitet e fundit jemi dëshmitarë se në Rusi (në disa vende madje edhe më herët) rendi kapitalist e ka detyruar gruan të kërkojë punë fitimprurëse jashtë familjes, jashtë shtëpisë.
30 milionë gra duke bartur barrë të dyfishtë
Meqenëse pagat e burrave ‘mbajtës’ ishin të pamjaftueshme për nevojat e familjes, gruaja në anën e saj ishte e detyruar të kërkonte punë me pagë; nëna ishte e detyruar të trokiste në dyert e zyrave të fabrikave. Dhe vit pas viti, numri i grave të klasës punëtore që linin shtëpitë e tyre në mënyrë që të djersiteshin në radhët e fabrikave, të gjenin punë të përditshme, gratë shitëse, ndihmëse në zyrë, gra që pastronin dysheme, shërbëtore, u rrit ditë pas dite.
Sipas numërimeve të bëra para fillimit të Luftës Botërore (fjala është për Luftën e Parë Botërore – vërejtje e përkthyeses), në vendet e Evropës dhe Amerikës llogaritej të ishin rreth gjashtëdhjetë milionë gra që fitonin jetesën me punën e tyre. Përgjatë luftës numri u rrit në mënyrë të konsiderueshme. Gati gjysma e këtyre grave janë të martuara, por është e lehtë të shohësh se çfarë jete familjare do të kishin pasur – një jetë familjare ku gruaja dhe nëna shkon të punojë jashtë shtëpisë, për tetë orë në ditë, d.m.th. dhjetë nëse llogaritim udhëtimin në të dy rrugët. Shtëpia e tyre mbetet padyshim pas dore, fëmijët rriten pa asnjë kujdes amnor, të lënë vetëm dhe në rreziqet e rrugës ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës.
Gruaja, nëna, e cila është punëtore, djersitet në gjak të kryejë tri detyra në të njëjtën kohë: të bëjë orët e njëjta të punës që i bën edhe burri i saj në ndonjë ndërmarrje industriale apo tregtare, pastaj të jetë e devotshme edhe në mirëmbajtjen e shtëpisë dhe po ashtu edhe të kujdeset për fëmijët. Kapitalizmi ka vënë mbi krahët e gruas një barrë e cila e shtyp: e ka bërë një punëtore me pagë pa e lehtësuar prej përkujdesjes për shtëpinë dhe amësinë. Ne, kësisoj, e shohim gruan të shtypur ndër tri punët, tri barrat e saj të padurueshmee, duke e shtyrë të qajë e mbuluar prej dhimbjes. Kujdesi ka qenë gjithmonë fat i gruas, por asnjëherë fati i gruas nuk ka qenë më i pafat, më shumë dëshpërues sesa ai i miliona grave punëtore sot nën zgjedhën kapitaliste, ndërkohë që industria është në epokën e zgjerimit të saj më të madh.
Punëtorët mësojnë të ekzistojnë pa jetën familjare
Sa më shumë që zgjerohet puna me pagë e grave, aq më shumë përparon dekompozimi. Çfarë jete familjare kemi kur burri dhe gruaja punojnë në reparte të ndryshme të një fabrike, në të cilën gruaja nuk ka kohë as të përgatitë një shujtë si duhet për fëmijët e saj?! Çfarë jete familjare kemi kur babai dhe nëna janë jashtë shtëpisë për njëzetekatër orë në ditë, shumica prej të cilave kalohen në punë të rëndë e që nuk mund të kalojnë as disa minuta me fëmijët e tyre?!
Ishte goxha ndryshe më herët; nëna, zonja e shtëpisë, qëndronte në shtëpi, e zënë me punët e saj për mirëmbajtjen e shtëpisë dhe fëmijët, të cilët nuk pushonte së shikuari me syrin e saj të kujdesshëm . Sot, që nga mëngjesi i hershëm deri në fishkëllimën e fundit të fabrikës, gruaja punëtore nxiton për në punë, dhe kur bie mbrëmja, prapë, në tingullin e fishkëllimës, ajo nxiton për në shtëpi që të përgatisë supë për familjen dhe të bëjë në nguti punët shtëpiake; e pas një gjumi fort të shkurtër, e fillon ditën e ardhshme në shtypjen e saj të rregullt. Kjo jetë e gruas së martuar punëtore është me të vërtetë si në shtëpi korrektimi. Nuk ka asgjë befasuese, kësisoj, në faktin që në këto kushte shthuren lidhjet në familje dhe ajo zë të shpërbëhet gjithnjë e më shumë. Pak nga pak, e gjithë ajo që e bënte familjen një tërësi po zhduket, përfshirë bazën e saj stabile. Familja nuk është më nevojë për të gjithë anëtarët e saj, sikurse edhe për shtetin. Format parake të familjes po bëhen thjesht pengesë.
Çfarë e bënte dikur familjen aq të fortë? Në rend të parë, fakti që ishte burri dhe babai ai që mbante familjen. Në rend të dytë, fakti që shtëpia ishte nevojë për të gjithë anëtarët e familjes. Dhe në rend të tretë dhe të fundit, që fëmijët rriteshin nga prindërit. Ç’ka mbetur nga tërë kjo sot? Burri, siç sapo e pamë, ka mbajtur rolin e mbajtësit të familjes. Gruaja, që shkon në punë, është bërë e barabartë me burrin e saj në këtë aspekt. Ajo ka mësuar ta fitojë jetesën e saj dhe gjithashtu atë të fëmijëve të saj dhe të burrit. Kjo ende na lë në funksionin e familjes si rritëse dhe mbajtëse fëmijësh sa janë të vegjël. Të shohim tani nëse familja është gati të lirohet edhe nga kjo detyrë që sapo përmendëm.
Puna shtëpiake pushon së qeni domosdoshmëri
Ka qenë një kohë kur e gjithë jeta e gruas së klasës së varfër, si në qytet dhe në fshat, kalohej në gjirin e familjes. Pas pragut të shtëpisë së saj, gruaja nuk dinte asgjë dhe padyshim që dëshironte të dinte ndonjë gjë. Për ta kompensuar këtë, ajo gjente brenda shtëpisë së saj lloje të ndryshme punësh, të mënyrës më të dobishme e të përdorshme jo vetëm për familjen, por edhe për krejt shtetin. Gruaja bënte çdo gjë që tani bëhet prej çfarëdo gruaje punëtore ose gruaje fshati. Gatuante, lante, pastronte shtëpinë, qepte e arnonte rrobat për familjen e saj etj.
Ajo duhej të bënte gjithashtu edhe plot detyra të tjera që sot më nuk bëhen nga gruaja: ajo tirrte pambuk e lesh, qepte veshje, thurte çorape, bënte dantella; dhe bënte aq sa e lejonin mundësitë e burimeve të saj ruajtjen e ushqimit, përgatiste pije, mbaronte qirinj. Sa të shumëllojshme ishin detyrat e gruas së kohërave të mëhershme! Ajo është jeta që e kanë jetuar nënat e gjyshet tona. Madje edhe në ditët tona, në fshatra të largëta, larg prej hekurudhave e lumenjve të mëdhenj, ende mund të kaloni nëpër vende ku ky model jetese është ruajtur i paprekur, në të cilin zonja e shtëpisë është e mbingarkuar me punët që gruaja punëtore e qytetit dhe rajoneve industriale i ka harruar prej shumë kohësh.
Puna industriale e gruas në shtëpi
Në kohën e gjysheve tona kjo punë shtëpiake ishte diçka absolutisht e nevojshme dhe me vlerë, nga e cila varej mirëqenia e familjes; dhe sa më shumë që e zonja e shtëpisë u dedikohej këtyre detyrave, aq më e mirë ishte jeta në shtëpi dhe kishte më shumë rregull e begati. Madje edhe shteti ishte në gjendje të nxirrte fitim nga ky aktivitet i gruas si mbajtëse e shtëpisë. Sepse në fakt, gratë e kohërave të tjera nuk e kufizonin veten në përgatitjen e supës së patateve; duart e saj krijuan gjithashtu produkte konsumi, si pëlhura, kostume, gjalpë etj. – të gjitha këto që ishin gjëra që shërbenin si artikuj të përdorimit të gjerë në tregje dhe që mund të konsideroheshin si mallra, si gjëra me vlerë.
Është e vërtetë se në kohën e gjysheve e stërgjysheve tona puna e tyre nuk vlerësohej në terma paraje. Por secili burrë, qoftë fshatar apo punëtor, kërkonte për grua dikë me ‘duar të arta’, siç thotë ende fjala e urtë popullore mes njerëzve. Vetëm burimet e një burri të ‘pa punën shtëpiake të gruas’ do të ishin të pamjaftueshme për mbajtjen e mirëqenies së shtëpisë. Por në këtë pikë, interesat e shtetit, interesat e kombit, përkonin me ato të burrit: sa më aktive që ishte gruaja në gjirin familjar, aq më shumë krijonte produkte të tilla si: kostume, pëlhura, pambuk, tepricat e së cilave shiteshin në tregun e lagjes dhe kështu prosperiteti ekonomik i vendit si i tërë rritej.
Por kapitalizmi e ka ndryshuar atë formë parake të të jetuarit. Gjithçka që më parë prodhohej në gjirin familjar tani punohet në punishte dhe fabrika, makinat zëvendësuan gishtërinjtë punues të gruas; dhe cila grua shtëpiake tani do ta angazhojë veten me formësimin e qirinjve, tjerrjen e leshit e qepjen e rrobave?! Të gjitha këto produkte mund të blihen në dyqanin e lagjes. Më herët, çdo vajzë e re mësohej të thurte çorape. A e shihni më ndonjë vajzë të re punëtore që qep çorapet e saj? Në rend të parë, ajo nuk do të ketë kohë. Koha është para dhe askush nuk do që të shpenzojë para në mënyrë joproduktive, duke mos nxjerrë asnjë fitim nga një punë e tillë. Tani çdo amvisë, e cila është po ashtu grua punëtore, është më e interesuar të blejë çorape të gatshme sesa ta harxhojë kohën duke i bërë për veten. Pak dhe të rralla janë gratë punëtore të cilat do të merrnin kohë të copëtonin trangujt ose të bënin rezerva ushqimore kur kujtojnë që dyqani i lagjes ka tranguj dhe rezerva të gatshme për t’i shitur. Edhe nëse produkti i shitur në dyqan ka kualitet më të dobët, edhe nëse rezervat ushqimore nuk janë aq të mira sa ato të bëra nga duart amvise, gruaja punëtore sido që të jetë nuk ka as kohën e as fuqinë që do duhej për punë të këtilla të tejzgjatura për mirëmbajtjen e shtëpisë së saj.
Sidoqoftë është fakt që familja bashkëkohore është duke u bërë gjithnjë e më shumë e lirë nga këto punë shtëpiake, detyra pa të cilat gjyshet tona vështirë se do të mund ta imagjinonin një familje. Çka prodhohej më herët në gjirin familjar tani prodhohet nga burrat e gratë e zakonshme punëtore ndër fabrika dhe dyqane.
Mirëmbajta individuale e shtëpisë
Individi konsumon, por nuk prodhon më. Punët esenciale të mirëmbajtjes së shtëpisë janë tani katër në numër: punët e pastrimit (pastrimi i dyshemesë, marrja e pluhurave, ngrohja, kujdesi për llambadarët, etj.), gatimi (përgatitja e darkave), larja dhe kujdesi për veshmbathjen e familjes (palosja dhe arnimi).
Këto janë punë sfilitëse dhe tejet të lodhshme; ato ia marrin gjithë kohën dhe energjinë një gruaje punëtore, e cila fillimisht duhet të kryejë orët e punës në fabrikë. Por është gjithmonë më se e sigurt se detyrat e gjysheve tona përfshinin një numër shumë më të madh punësh. Dhe, për më tepër, ato kishin një cilësi që mungon në punët e shtëpisë te gratë punëtore të ditëve tona: këtyre të fundit iu ka humbur e gjithë cilësia e të qenit të dobishme për shtetin nga pikëpamja e ekonomisë kombëtare, për këto punë që nuk krijojnë asnjë vlerë; ato nuk i kontribuojnë prosperitetit të vendit.
Gruaja punëtore do të harxhonte kot të gjithë ditën nga mëngjesi gjer në mbrëmje duke pastruar shtëpinë, duke larë e hekurosur rrobat, duke e munduar vetveten që të mbajë rrobat e palosura në rend, ndoshta do ta mbyste veten duke bërë pak ushqim me ato gjësende të pakta që i qëllonin, dhe në fund të ditës, kur bie nata, asnjë rezultat material i orëve të punës së saj ditore dhe ajo nuk do të ketë prodhuar me duart e saj asnjë mall sipas standardeve të tregut komercial. Dhe nëse një grua punëtore do të duhej të jetonte qindra vjet, asnjë ndryshim nuk do të kishte për të. Gjithmonë do të kishte një shtresë të re pluhuri që do të duhej të hiqej nga mbulojat e saj dhe burri i saj gjithmonë do të vijë i uritur në mbrëmje dhe kalamajtë gjithmonë do të sillnin baltë në këpucët e tyre. Puna e gruas në mirëmbajtjen e shtëpisë po bëhet gjithnjë e më e pavlerë ditë pas dite, joproduktive.
Agimi i mirëmbajtjes kolektive të shtëpisë
Mirëmbajtja individuale e shtëpisë e ka kaluar zenitin e saj. Çdo ditë e më shumë po zëvendësohet nga mirëmbajtja kolektive. Gruaja punëtore herët ose vonë nuk do të ketë nevojë të kujdeset fare për banesën e saj; në shoqërinë komuniste të së nesërmes kjo punë do të bartet në një kategori të veçantë grash punëtore që nuk do të bëjnë asgjë tjetër. Gratë e të pasurve tashmë një kohë të gjatë janë liruar nga këto detyra të mërzitshme dhe të lodhshme. Pse do duhej që gruaja punëtore të vazhdonte t’i barte këto detyra të dhimbshme?! Në Rusinë sovjetike, jeta e gruas punëtore do duhej të ishte e rrethuar me të njëjtat lehtësime, me të njëjtën ndriçueshmëri, me të njëjtën higjienë, me të njëjtën bukuri të cilat për kohë të gjatë kanë rrethuar vetëm gratë e klasave të pasura. Në një shoqëri komuniste gratë punëtore nuk do të kenë më nevojë që ta kalojnë atë pak kohë të lirë në gatim sepse në shoqërinë komuniste do të ketë restorante publike dhe kuzhina qendrore në të cilat çdokush mund të vijë e ta hajë shujtën e vet.
Këto ndërmarrje tashmë janë në rritje në të gjitha vendet, madje edhe në sistemin kapitalist. Në fakt, për një gjysmë shekulli numri i restoranteve dhe kafeve në gjithë qytetet e mëdha të Evropës është rritur ditë pas dite; ato u përhapën si kërpudhat pas shiut vjeshtor. Por, përderisa në sistemin kapitalist vetëm njerëzit me çanta të shtrenjta e ata që janë të renditur mirë në shoqëri mund të përballojnë ushqimin në restorante, në qytetin komunist çdokush që do mund të vijë e të hajë në kuzhinat qendrore dhe restorantet publike.
Rasti do të jetë i njëjtë edhe me pastrimin dhe punët tjera: gruaja punëtore nuk do të jetë më e obliguar të zhytet në oqeanin e ndyrësirës ose të shkatërrojë sytë e saj duke qepur çorape e duke arnuar veshje; ajo thjesht do t’i dërgojë këto gjëra në lavanderitë qendrore çdo javë dhe do t’i marrë prapë çdo javë tashmë të lara e hekurosura. Kështu, gruaja punëtore do të ketë një shqetësim më pak në mendje. Gjithashtu, dyqane speciale për qepjen e rrobave do t’i japin mundësinë gruas punëtore që t’i dedikohet mbrëmjeve leximit e rekreacioneve të shëndetshme në vend që t’i kalojë ato orë, sikur tani, në punë rraskapitëse.
Kështu që katër detyrat e fundit që mbesin ende barrë për gratë tona, siç e pamë më lart, së shpejti do të zhduken nën regjimin fitimtar komunist. Dhe gratë punëtore sigurisht që nuk do të kenë arsye që të pendohen asnjëherë për këtë. Shoqëria komuniste vetëm se do ta zhbëjë lidhjen e fortë të punëve shtëpiake dhe gruas për ta bërë jetën e saj më të pasur, më të lumtur, më të lirë e më kuptimplotë.
Edukimi i fëmijëve në kapitalizëm
Por ç’do të mbesë tjetër nga familja pasi punët e mirëmbajtjes individuale të shtëpisë të jenë zhdukur? Na mbeten ende fëmijët. Por, sërish, shteti i kamaraderisë punëtore do të vijë në shpëtim të familjes duke ia zënë vendin familjes; shoqëria gradualisht do ta marrë përsipër gjithë çka më parë ishte përgjegjësi e prindërve.
Nën regjimin kapitalist, mësimi i fëmijëve ka reshtur së qeni detyrë e prindërve. Fëmijët mësoheshin në shkolla. Vetëm kur fëmijët mbërrinin moshën për të filluar shkollën, prindërit merrnin frymë lirshëm. Duke filluar nga ky moment zhvillimi intelektual i fëmijës së tyre reshte së qeni punë e tyre.
Por krejt këto obligime të familjes për fëmijën nuk kanë përfunduar. Ekziston ende detyra e të ushqyerit të fëmijës, blerja e këpucëve, të bërit e tyre punëtorë të zellshëm e të ndershëm, të cilët do të ishin të aftë, kur të vinte koha, të jetonin vetëm dhe të ushqenin e mbështetnin prindërit e tyre në moshë të vjetër. Gjithsesi, ishte shumë e pazakontë që një familje punëtori të ishte e aftë të përmbushte krejtësisht të gjitha këto obligime kundrejt fëmijëve; pagat e vogla nuk u lejonin t’u jepnin fëmijëve mjaftueshëm ushqim, përderisa mungesa e pushimit i frenonte prindërit në devotshmërinë e tyre për edukimin e gjeneratës së re, me gjithë vëmendjen që kërkohej për këtë detyrë. Familja supozohej si institucioni për rritjen e fëmijëve. Por a ishte vërtetë ashtu? Në fakt është rruga ajo që i rrit fëmijët e proletariatit. Fëmijët e proletarëve nuk dinë se çfarë është ngrohtësia familjare, kënaqësi që ne e kemi me baballarët e nënat tona.
Për më tepër, rrogat e ulëta të prindërve, pasiguria, madje edhe uria, bën që edhe në moshë dhjetëvjeçare djali i proletarit të shndërrohet në punëtor të pavarur. Tani, sapo fëmija (djali apo vajza) fillon të fitojë para, ai e konsideron veten si zot të vetvetes në atë mënyrë që fjalët e këshillat e prindërve të tij pushojnë së pasuri ndonjë ndikim tek ai, autoriteti i prindërve dobësohet dhe bindja ndaj tyre merr fund. Meqenëse punët shtëpiake të shuhen një nga një, të gjitha obligimet për mbështetjen dhe rritjen e fëmijëve do të jenë në përgjegjësi të shoqërisë e jo të prindërve. Në shoqërinë kapitaliste fëmijët shpesh, shumë shpesh, janë një barrë e rëndë dhe e papërballueshme për familjen proletare.
Fëmija dhe shteti komunist
Shoqëria komuniste do t’i dalë në ndihmë prindërve. Në Rusinë sovjetike, falë kujdesit të Komisariatit të Arsimit Publik dhe Mirëqenies Sociale, po bëhen avancime të mëdha dhe shumë gjëra të tjera janë bërë në mënyrë që të ndihmohet familja në detyrën e rritjes dhe mbështetjes së fëmijës. Kemi shtëpi për foshnjat, çerdhe ditore, kopshte fëmijësh, koloni e shtëpi fëmijësh, infermieri dhe qendra shëndetësore për fëmijët e sëmurë, restorante, dreka falas në shkolla, libra pa pagesë, rroba të ngrohta, këpucë për fëmijët e institucioneve arsimore – a nuk tregojnë të gjitha këto se si i kalon fëmija kufijtë e familjes dhe vendoset nga krahët e prindërve në ato të shoqërisë?
Kujdesi i fëmijëve nga prindërit përbëhet nga tri pjesë të ndryshme: (1) kujdesi i devotshëm për bebet e vogla; (2) rritja e fëmijës; (3) udhëzimi i fëmijës. Sa i përket udhëzimit të fëmijës në shkollën fillore, e më vonë në të mesmen e universitet, kjo është bërë vetëm detyrë e shtetit, madje edhe në shoqëritë kapitaliste. Obligimet e tjera të klasës punëtore, kushtet e jetesës, diktuan medoemos, madje edhe në shoqërinë kapitaliste, ngritjen, në shërbim të të rinjve, të fushave të lojërave, shkollave e shtëpive të fëmijëve të vegjël etj. etj. Sa më shumë që punëtorët bëheshin të vetëdijshëm për të drejtat e tyre, aq më mirë organizoheshin në shtetin e caktuar, aq më shumë shoqëria do ta shtonte interesimin për ta liruar familjen prej kujdesit për fëmijën.
Por shoqëria borgjeze kishte frikë se duke shkuar shumë larg në çështjen e përmbushjes së interesave të klasës punëtore ajo do të prekte interesat e klasës punëtore, mos në këtë mënyrë do të kontribuonte në shthurjen e familjes. Vetë kapitalistët nuk është se nuk e dinë se një familje e së vjetrës – me gruan që është skllave dhe burrin përgjegjës për mbajtjen dhe mirëqenien e familjes –është mënyra më mirë për ta ngulfatur orvatjen e proletariatit drejt lirisë, ta dobësuar shpirtin revolucionar të burrave dhe grave të klasës punëtore. Brenga për familjen e tij bëhet kryesorja për punëtorin, e obligon atë që të pajtohet me kapitalin. Ç’do bënin babai e nëna, fëmija i të cilëve po vdes urie?
Në dallim prej praktikës së shoqërisë kapitaliste e cila nuk ka qenë e aftë që ta transformojë edukimin e të rinjve në sistem funksional, puna e shtetit, shoqëria komuniste do ta trajtojë edukimin social të brezit që po rritet si vetë bazën e ligjeve dhe zakoneve të tij, si gurthemelin e ngrehinës së tij. Nuk është familja e së kaluarës – e vogël dhe e cekët, me grindjet mes prindërve, me interesin e tejshtuar për të vegjlit – ajo që do e brumosë njeriun e shoqërisë të së nesërmes. Njeriu ynë i ri, në shoqërinë tonë të re, do të brumoset nga organizatat socialiste, siç janë fushat e lojërave, kopshtet, shtëpitë e fëmijëve dhe të tjera institucione në të cilat fëmija do të kalojë kohën më të madhe të ditës e ku edukatorë të ngritur do të nxjerrin prej tij një komunist i cili është i vetëdijshëm për madhështinë e motos së shenjtë: Solidaritet, kamaraderi, ndihmë reciproke, e devotshmëri për jetën kolektive!
Jetesa e siguruar e nënës
Por tani, kur rritja dhe udhëzimi nuk janë më, ç’do të mbesë prej obligimeve të familjes kundrejt fëmijëve, sidomos pasi të jetë hequr një pjesë e madhe e shpenzimeve materiale në të pasurit fëmijë, pos përkujdesjes për foshnjat e vogla, përderisa ato të kenë nevojë për vëmendjen e nënës së tyre, derisa mëson të ecë duke u kapur për fustanin e nënës së tij? Këtu prapë shteti komunist nxiton në ndihmë të nënës punëtore. Një nënë nuk do të ketë më nevojë të kërruset me fëmijën në krahët e saj! Shteti i punëtorëve do ta ketë si përgjegjësi sigurimin e jetesës së secilës nënë, qoftë ajo e martuar apo jo, aq kohë sa ajo të jetë duke ushqyer në gji fëmijën e saj, të ndërtojë shtëpi materniteti, të ndërtojë në gjitha qytetet e fshatrat shtëpi kujdesi dhe institucione të ngjashme në mënyrë që kësisoj ta lejojë gruan që edhe të shërbejë në dobi shtetit, edhe të jetë nënë njëkohësisht.
Martesa nuk do të jetë më zinxhir
Le t’i rigarantojmë nënave punëtore! Shoqëria komuniste nuk ka për qëllim t’ua marrë fëmijët prindërve ose t’i ndajë foshnjat nga gjiri i nënës; as nuk ka qëllimin të përdorë dhunën në mënyrë që të shkatërrojë familjen si të tillë. Në asnjë mënyrë! Këto nuk janë qëllimet e shoqërisë komuniste.
Çfarë shohim ne sot? Familja e kohës së vjetër është duke shkatërruar. Gradualisht është duke e liruar veten nga të gjitha punët shtëpiake të cilat më parë ishin shtyllat e mbështetjes së familjes si njësi shoqërore. Mirëmbajtja e shtëpisë? Shihet që përdorimi i saj është i skaduar. Fëmijët? Proletarët-prindër nuk kanë më mundësi të kujdesen për ta; ata nuk mund t’iu sigurojnë atyre as ekzistencën e as edukimin. Kjo është situatë ku edhe fëmija edhe prindërit vuajnë njësoj.
Shoqëria komuniste kësisoj i qaset gruas dhe burrit punëtor e iu thotë: “Ju jeni të rinj. Ju e doni njëri-tjetrin. Gjithsecili ka të drejtë të jetë i lumtur. Mos iu frikësoni martesës, anipse martesa ishte me të vërtetë zinxhir për burrin e gruan punëtore në shoqërinë kapitaliste. Mbi të gjitha, mos u frikësoni, të rinj e të shëndetshëm sa jeni, t’i jepni shtetit tuaj punëtorë të rinj, fëmijë të rinj qytetarë! Shoqëria e punëtorëve ka nevojë për forca të reja punëtore; i gëzohet ardhjes në jetë të secilit fëmijë të lindur në botë. As nuk do të duhej të brengoseshit për të ardhmen e fëmijës suaj; fëmija juaj nuk do të njohë as urinë e as të ftohtit. Nuk do të jetë i palumtur e as i braktisur nga fati i tij siç do të ishte në rastin e një shoqërie kapitaliste. Një racion ekzistence e kujdesi janë të siguruara për fëmijën dhe për nënën nga shoqëria komuniste, nga shteti i punëtorëve, sapo fëmija vjen në këtë botë. Fëmija do të ushqehet, do të rritet dhe do të edukohet nga atdheu komunist; por ky atdhe në asnjë mënyrë nuk do të marrë prej jush përgjegjësinë e edukimit të fëmijës, nëse prindërit duan ta bëjnë atë vet për fëmijët e tyre. Shoqëria komuniste do të marrë mbi vete detyrat që përfshijnë edukimin e fëmijës, por gëzimet atërore, kënaqësinë amësore, këto nuk do iu mohohen atyre që tregohen të gatshëm e të aftë të vlerësojnë e të kuptojnë këto gëzime.’’
A mund të quhet kjo shkatërrim i familjes në kuptimin e përdorimit të dhunës?! Apo një ndarje me forcë e fëmijës prej nënës?!
Familja si një bashkim i dashurisë dhe kamaraderisë
Nuk mund të ikim nga fakti: lloji i familjes së vjetër i ka ditët e numëruara. Nuk është faji i shtetit komunist, por është rezultat i ndryshimit të kushteve të jetesës. Familja ka pushuar se qeni nevojë për shtetin sikurse ka qenë në të kaluarën; përkundrazi, është më shumë se e kotë, pasi pa nevojë ua mohon grave punëtore një punë shumë më produktive e tejet më serioze. Më nuk ka as nevojë për vet anëtarët e familjes, pasi detyra e rritjes së fëmijëve, që më parë i takonte familjes, po kalon gjithnjë e me shumë në duart e shoqërisë.
Por mbi rrënojat e familjes së vjetër, ne së shpejti do shohim ngritjen e një forme të re, e cila do të përfshijë marrëdhënie të ndryshme mes burrit e gruas dhe e cila do të jetë një bashkim i dashurisë dhe kamaraderisë, një bashkim i dy personave të barabartë të shoqërisë komuniste, të dy të lirë, të dy të pavarur, të dy punëtorë. Jo më “skllavërim” në shtëpi për gruan! Jo më pabarazi në familje. Jo më frikë nga ana e gruas se mos mbetet pa mbështetje apo ndihmë me më të vegjlit në krahë nëse e braktis burri. Gruaja në qytetin komunist nuk varet më prej burrit, por nga puna e saj. Nuk është më burri i saj, por janë krahët e saj të fuqishëm në të cilët do të mbështetet. Nuk do të ketë më ankth mbi fatin e fëmijëve të saj. Shteti i punëtorëve do të marrë përgjegjësi për të gjitha ato.
Martesa do të jetë spastruar nga të gjitha elementet materiale, nga të gjitha kalkulimet e parasë, gjë që paraqet një cen të fshehtë në jetën familjare të ditëve tona. Martesa tani e tutje do të transformohet në një bashkim sublim të dy shpirtrave që janë në dashuri me njëri tjetrin, secili duke pasur besim në tjetrin. Ky bashkim i premton njëlloj çdo burri e gruaje punëtore lumturinë e plotë, maksimumin e kënaqësisë që mund të jetë fat i shumë krijesave që janë të vetëdijshme për veten e tyre dhe për jetën që i rrethon. Bashkimi i lirë e i fortë në kamaraderinë prej së cilës është frymëzuar në vend të skllavërisë bashkëshortore të së kaluarës – kjo është ajo që shoqëria komuniste e së nesërmes i ofron të dyve, burrit e gruas.
Pasi të jenë transformuar kushtet e punës dhe siguria materiale për gruan punëtore të jetë rritur, dhe pasi martesa siç proklamohej nga kisha – kjo e ashtuquajtur martesë e qëndrueshme që në thelb s’është asgjë më shumë se mashtrim – t’ia ketë lëshuar vendin një bashkimi të lirë e të sinqertë mes burrit e gruas që janë dashnorë e shokë, një tjetër kamxhik i turpshëm do të zhduket, një tjetër e keqe e frikshme do të zhduket, e cila është njollë për njerëzimin dhe e cila bie me tërë peshën e vet mbi urinë e gruas punëtore: prostitucioni.
Jo më prostitucion
Këtë të keqe ia kemi borxh sistemit të tanishëm ekonomik, institucionit të pronës private. Kur ky i fundit të jetë zhbërë, tregtia me gruan do të zhduket automatikisht. Kështu që lejojeni gruan e klasës punëtore të ndalojë së brengosuri për faktin që familja e së tashmes është dënuar me zhdukje. Ato do të bënin më mirë po t’i gëzoheshin agimit të shoqërisë e cila do të lirojë gruan nga skllavërimi shtëpiak, e cila do të hedhë dritë mbi barrën e amësisë për gratë, dhe në të cilën, do të zhdukim mallkimin më të tmerrshëm që peshon mbi gruan e që quhet prostitucion.
Barazi sociale për burrin e gruan
Gruaja e cila thirret në luftën për qëllimin e madh të lirisë për punëtorët – një grua e këtillë duhet ta dijë që në shtetin e ri nuk do të ketë më hapësirë për kësi ndarje të vogla siç ishin kuptuar më parë: “Këta janë fëmijët e mi. Atyre u kam borxh gjithë përkujdesjen materiale, gjithë dashurinë. Ata janë fëmijët e tu, fëmijët e fqinjit tim. Unë nuk mërzitem për ta. Kam mjaft punë për të bërë për veten time.” Tani e tutje nëna-punëtore, e cila është e vetëdijshme për funksionin e saj shoqëror, do të ngrihet deri në atë pikë ku ajo nuk do të mund ta bëjë dallimin mes ‘imja’ dhe ‘jotja. Ajo duhet të mbajë në mend që tani e tutje ka vetëm “fëmijët tanë”, ata të shtetit komunist, të përbashkët të të gjithë punëtorëve.
Shteti i punëtoreve ka nevojë për një formë të re marrëdhënieje midis sekseve. Dashuria e ngushtë dhe ekskluzive e nënës për fëmijët e saj duhet të zgjerohet derisa të përqafojë të gjithë fëmijët e familjes së madhe proletare. Në vend të martesës së qëndrueshme bazuar në skllavërinë e gruas, ne do të shohim ngritjen e bashkimit të lirë, të fortifikuar nga dashuria dhe respekti i ndërsjellë i dy anëtarëve të shtetit të punëtorëve, të barabartë në të drejta dhe obligime. Në vend të familjes individuale dhe egoiste do të ngrihet një familje e madhe universale e punëtorëve, në të cilën të gjithë punëtorët, burrat dhe gratë do të jenë, mbi të gjitha, punëtorë, shokë. E tillë do të jetë lidhja mes burrit dhe gruas në shoqërinë e nesërme komuniste. Kjo lidhje e re do t’i sigurojë gjithë gëzimin njerëzimit për të ashtuquajturën dashuri e lirë të mundësuar nga një barazi sociale mes shokëve, gëzime të cilat ishin të panjohura në shoqërinë komerciale të sistemit kapitalist.
T’i hapim rrugë për fëmijët e shëndetshëm që do të lulëzojnë! Të hapim rrugë për një rini të fuqishme që jepen pas jetës e gëzimeve të saj, e cila është e lirë në sentimentet e dashurinë e saj! E tillë është deviza e shoqërisë komuniste. Në emër të barazisë, të lirisë dhe të dashurisë, ftojmë gratë dhe burrat punëtorë, gratë e burrat fshatarë, që me guxim dhe besim t’i hyjnë punës së rindërtimit të shoqërisë njerëzore me qëllim që ta bëjmë të përsosur, më të drejtë dhe më të aftë që t’i sigurojë individit lumturinë që meriton. Flamuri i kuq i revolucionit që do të strehojë, pas Rusisë, edhe vendet e tjera të botës njashtu, tanimë shpall afrimin e parajsës në tokë, për të cilën njerëzimi ka shpresuar prej shekujsh.
Përkthyer nga Krenare R. Loxhaj
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.