/Klodi Leka/
Më 9 janar të 2004 edicioni informativ në Top Channel ndërpritet nga një telefonatë e cila shtangu tërë kombin e ulur për darkë. Një zë i ri, verior, nis të flasë e të qajë: “Po mbytemi babë, në det babë, ndoshta nuk shihemi më babë.” Të nesërmen, në mjegullat e trasha të agimit, helikopterët italianë zbulojnë në blunë rrenacake të Adriatikut 28 trupa pa jetë. Ka një histori të gjatë e të lashtë të nepsit të këtij deti për të kollofitur shqiptarë, në gomonet e përmbysura nga dallgët dhe hera herës racizmi.
Për imagjinatën tonë si fëmijë të tranzicionit, kalamaj dhe kushërinj të një proletariati që ia mbathte malit, detit, në këmbë dhe maune, madje jo rrallë edhe me not, gomonia përfytyrohej si një mjet fluturues nën një qiell të qelqtë, ndërsa skafisti lab si njëfarë dallëndysheje nate. Por kjo fantazi u kris kur qëllova të dëgjoj dënesen e mamasë tek mësoi se e motra e saj dhe i shoqi, me një fëmijë të lënë në atdhe, i patën hipur gomones për Andej. “Koha, deti, dallgët, fëmija, është dhjetor, e mjera unë” ma konfiguruan disi në mendje idenë e gomones, si dhe pritja disa ditë e telefonatës së shkurtër se: “Kemi mbërrit gjallë.”
Ka ca kohë që në Facebook shfaqen pamje të vetëfilmuara nga të rinj shqiptarë që të ngjeshur në gomone së bashku me fatkeqë të tjerë të Botës së Tretë, luten për të kaluar kanalin e Lë Manshit për në Britani. Përkundër arabëve dhe afrikanëve, të cilët e marrin seriozisht aventurën në ardhje, të rinjtë tanë, në live-n e fundit përpara nisjes, me një gaz të admirueshëm buzë humnere, nuk ngurrojnë të përshëndesin miqtë, të llomotisin në jerm shqip, të hapin një flamur, pra ta duan një vend që nuk i do. Janë krejt të papërvojë, me qimen që atdheu ka nisur t’ua egërsojë në turi, por tërë uzdajë për fatin e madh që i pret, me siguri të vetme paundët e marra me kamatë dhe dhjetë llafe të gjymta, në një det që i ka sfiduar seriozisht romakët, vikingët, frëngët, e tashmë edhe shqiptarët e rinj.
Kështu, desh i shqeva sytë nga habia kur pashë se edhe Berti, një i njohuri im, me forcën e kaut dhe në moshën e Krishtit, i mërzitur nga puna e pabereqet me të cilën mbante veten dhe të ëmën, por mbi të gjitha nga ajo jetë e shkretë dhe pa ngjarje në provincë, i kishte hipur gomones në brigjet e detit francez dhe filmonte live-n e fundit para se llastiku me ajër të ndizte motorët. Në ato dhjetë sekonda ai tregonte veten dhe bashkudhëtarët e ligur levantinë, me një muzg të madh sipër kokës dhe asnjë shenjë të murrmë në horizont, duke marrë zemër nga ajo gurgule gjuhësh dhe bekimet e fisit në live-n e tij.
Po ta vrojtosh nga lart, ka një pamje pothuajse apokaliptike përreth Evropës, detet e së cilës gëlojnë nga gomone me turma të varfërish të dekolonizuar që ia mësyjnë asaj a thua se do të marrin hak për të gjithë pasurinë e grumbulluar mbi mjerimet e tyre. Por e vërteta është se më tepër se turmë avarësh të ndërsyer për plaçkë, këta qengja do të jenë kurbani i sakrificës në ceremonitë e përditshme të civilizimit. Më tepër se gotë që i japin fund Romës së Vjetër, do të jenë thrakas të zhgraduar në shërbëtorë ose, më keq, mish për cirkun e përgjakshëm të Romës së Re. Më të shkolluarit do të ndërrojnë oturakët nëpër azile, të tjerët në të zezë në lavazho dhe skela, të mbeturit në getot me kopshtije hashashi, e mandej, drejt e në birucë, ose nën tehun e fluturës së zezë.
Është si njëfarë fati i pashkruar që secili popull është i obliguar ta kryejë daljen e tij në botë dhe më pas të rigjejë paqen e rrënjëve në shtëpi. Por është një popull që kurrë nuk ju nda detit dhe endjes nëpër të. Helenët e kryen në Azinë e Vogël, arabët në Spanjë dhe Sicili, hebrenjtë i ranë kryq e tërthor për katër dekada shkretëtirës, italianët ia mësynë Amerikave. Për ta u shkrua Iliada, Torahu, divanët dhe epet. Po për shqiptarët? Për shqiptarët është live-i i Bertit, si një narrativë e pashkruar që vazhdon prej shekujsh, këtu ku kthimi nuk është një shpagim si ai i Uliksit, por si një natë martesore e Ago Ymerit që ia beh të ngjizë brezninë e re të refugjatëve, për t’ia mbathur sërish pa nam e nishan ditën e nesërme.
Imazhi: Mstyslav Chernov/Unframe
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.