Inflacioni që ndryshon gjithçka

/Romaric Godin/

Ka më shumë se tridhjetë vjet që inflacioni është zhdukur nga diskutimet politike dhe nga mendjet e qytetarëve të pjesës dërrmuese të vendeve perëndimore. Më shumë është folur për rritje dhe konkurrueshmëri dhe, nga 2008, detyra kryesore e politikës ka qenë ajo e shmangies së spirales rënëse të çmimeve, deflacionit.

Papritur, nga fundi i vitit 2020, kriza shëndetësore ndryshoi gjithçka. Çmimet nisën të rriteshin. Në fillim ato të pak produkteve e më pas edhe të mallrave të tjera. Ajo që duhej të ishte e përkohshme u shndërrua në një fenomen afatgjatë. Dhe të gjithë duket sikur u shqetësuan: politikanë, banka qendrore dhe ekonomistë ishin “çmësuar” me inflacionin.

Por ky fenomen nuk ka zbritur nga qielli. Këtu nuk kemi të bëjmë me një rritje ciklike. Ashtu si inflacioni i viteve ’70 shënjoi fundin e kapitalizmit kejnesiano-fordist, edhe rritja e fillim viteve 2000 paralajmëroi një farë fundi të pasardhësit të tij, neoliberalizmit.

Sepse shkaqet dhe realiteti i këtij inflacioni janë tërësisht të reja. Për të kuptuar këto problematika është e nevojshme pasja e një vizioni afatgjatë dhe një analize e gjendjes globale të sistemit prodhues. Tentativa për ta zgjidhur këtë situatë duke kopjuar recetat e vjetra – dhe të pakolauduara – të viteve ’80 duket një akt i rrezikshëm që buron nga moskuptimi i momentit historik aktual. Kjo rritje inflacioniste po minon siguritë ekonomike që ekzistojnë prej gati gjysmë shekulli.

Premtimi i pamundur i kufizimit të madh

Në vitet ’70 inflacioni shihej si një e keqe absolute. Thuhej se ai ishte shkaku i papunësisë dhe rritjes së ngadaltë. Ai duhej luftuar me të gjitha mënyrat. “Stabiliteti i çmimeve” i garantuar prej bankave qendrore të pavarura  dhe i mbrojtur nga politika e “reformave strukturore” është shndërruar kësisoj në prioritet.

Ky prioritet ka ndryshuar shpejt tërë modelin. Inflacioni ishte endemik sepse, sipas këtij leximi, modeli kombëtar kejnesiano-fordist favorizonte përqendrimin industrial, proteksionizmin dhe rishpërndarjen e të ardhurave. Konkurrenca, shkëmbimi i lirë dhe kufizimi i pagave u shndërruan në trininë e ri të shenjtë të politikave ekonomike.

Kjo narrativë, megjithëse historikisht dhe teorikisht e dobët, ka pasur një përhapje në opinionin publik dhe në botën politike. Të gjithë prireshin t’i besonin. Premtimi ishte që “vuajtjet” e të punësuarve do të kompensoheshin dhe se dimensioni i sferës jotregtare të shoqërisë do të zvogëlohej si pasojë e një kufizimi të përgjithshëm të çmimeve të konsumit. Pagat nuk janë rritur falë globalizimit dhe liberalizimit të cilët kanë garantuar çmime më të ulëta.

Mbi raftet e supermarketeve konsumatori duhej të gjente atë që kishte humbur si punëtor. Kjo ishte bota e mrekullueshme e “kufizimit të madh” të viteve 1990 dhe 2000, ku supozohej që inflacioni i ulët garantonte një mirëqenie të përgjithshme.

Por ky realitet i ri shumë shpejt u bë e paqëndrueshëm. Nga ana tjetër, efektet e globalizimit të prodhimit, individualizimit të punës dhe shkatërrimit të sindikatave kanë çuar në ngadalësimin e përgjithshëm të kërkesës e për rrjedhojë të investimeve. Produktiviteti ka vijuar të ulet, duke ushtruar një presion zbritës mbi fitimet dhe pagat dhe duke nxitur zhvillimin e sferës së prodhimit. Mirëpo pas 2008 ka qenë i nevojshëm mobilizimi i bankave qendrore e më pas i shtetit për ta shpëtuar këtë model, gjë që ka paraqitur vështirësi gjithnjë e më të mëdha.

Premtimi për përfitime nga stabiliteti i çmimeve ishte i vështirë për t’u mbajtur sepse vete stabiliteti ishte i vështirë për t’u mbajtur. Për dhjetë vjet, pas rënies së sektorit financiar, bankat qendrore kanë hedhur miliarda euro në ekonomi për të shmangur spiralen deflacioniste, pa ia arritur realisht objektivave të tyre. Ndërkohë që çmimet në dukje kanë qenë të arsyeshme, familjet i janë nënshtruar një presioni gjithnjë e më të madh për sa i përket pagave dhe shërbimeve publike – për të garantuar vijimësinë e rentabilitetit të kapitalit. Ndërkohë, flluskat financiare dhe imobiliare po rriteshin duke kontribuar në thellimin e pabarazive.

Përkundër asaj që besohet, deflacioni dhe inflacioni nuk janë të kundërt, por janë shpesh përplotësues. “Kufizimi i madh” ka sjellë një nëninvestim kronik, një përhapje dhe fragmentim gjithnjë e më të madh të zinxhirëve të prodhimit dhe, në fund, një dobësim gjithnjë e më të madh të punëtorëve përballë kapitalit. Këto janë burimi i krizës inflacioniste aktuale.

Spiralja çmim-fitim

Neoliberalizmi, i lindur nga premtimi për kufizimin e çmimeve, ka hedhur në këtë mënyrë bazat për ethet e sotme inflacioniste. Kjo mund të kuptohet duke shqyrtuar “fleksibilitetin” e tregut, i cili për shumë kohë është propaganduar si maksimumi i organizimit ekonomik dhe burimi i “kufizimit të madh”. Falë tij, çdo gjë për të cilën mund të kishe nevojë mund të arrihej në mënyrë të shpejtë dhe ekonomike: të mirat, shërbimet, vendet e punës, lëndët e para. Përgjigjja duhej të ishte medoemos e shpejtë dhe optimale. Aq më tepër që mekanizmat e mbulimit financiar lejonin që kërkesa e ardhshme të bëhej më herët e për rrjedhojë prodhimi të organizohej më mirë.

Ajo që ka ndodhur pas krizës shëndetësore i ka hedhur poshtë dhunshëm këto parime. Fleksibiliteti dhe eficienca e supozuar janë shndërruar në grackë. Ndryshimi i papritur i kërkesës gjatë krizës shëndetësore ka qenë tërësisht i paparashikuar dhe sistemi i organizimit të prodhimit “just-in-time” është vënë në krizë, megjithëse niveli i rimëkëmbjes së kërkesës është ende më i ulët se ai i 2019-s. Në këto kushte globalizimi neoliberal i prodhimit nuk ofron një zgjidhje, por përbën problemin, burimin e krizës inflacioniste.

Organizimi neoliberal nuk është më garancia e “kufizimin të madh”, por karburanti për rimëkëmbjen e inflacionit. Premtimi i tij është i papërballueshëm. Aq më tepër që ky shpërthim inflacionist është një mundësi për sipërmarrjet për të përmirësuar mundësitë e tyre duke luajtur me çmimet. Ajo që më 2010 ishte e vështirë tani është e mundur. Jo sepse kërkesa është më e fortë, por sepse oferta është më e kufizuar.

Edhe në këtë rast politikat neoliberale po ushqejnë lëvizjen drejt liberalizmit të tregut. Si gjithmonë, kjo lëvizje është shoqëruar me një përqendrim të sipërmarrjeve, të inkurajuar nga sektori financiar, i cili ka pasur fitime të mëdha. Kjo lëvizje reflektohet në kapacitetin më të madh të sipërmarrjeve për të vendosur çmimet e tyre (“pricing power”-in e tyre). Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare ka theksuar së fundmi në buletinin e saj që kjo aftësi për të vendosur çmimet nga ana e sipërmarrjeve ka arritur “majën historike”.

Në historinë e neoliberalizmit, vitet e fundit janë shënjuar nga një evolucion gjithnjë e më i madh në drejtim të krijimit të rentave, të cilat politikat e liberalizimit nuk i frenojnë, përkundrazi i ushqejnë. Kur tregjet hapen, si në vitet ’70 dhe ’80, ka një moment përqendrimi  i cili për shkak të konkurrencës ndodh shumë shpejt.

Kjo u pa së fundmi në sektorët e teknologjisë, tregtisë me pakicë, telefonisë, por edhe të financës, ku logjika e menaxhimit të aseteve ka mbizotëruar mbi logjikën e tregut. Kudo janë formuar oligopole, në rastin më të mirë, dhe monopole, në rastin më të keq.

Sapo lëndët e para dhe kostot e prodhimit, përjashto pagat, rriten, është më e thjeshtë të rritën çmimet dhe të përmirësohen marzhet në këtë proces sesa të kërkohet një ekuilibër.

Përkundër asaj që duan të na bëjnë të besojnë, kriza aktuale është krejtësisht e ndryshme nga ajo e viteve ’70. Lëvizja nuk është, siç thonë ekonomistët ortodoksë, një spirale “çmime-paga”, por një spirale “çmime-fitim”: fitimet favorizojnë inflacionin dhe kjo lëvizje shpie në transmetimin e tij në të gjithë ekonominë.

Rënia e pagave reale

Për të shmangur që fitimet e ardhura nga rritja e çmimeve të gllabërohen nga rritja përkatëse e pagave, pronarët e kapitalit praktikojnë politikat shtrënguese të pagave duke zvogëluar vlerën reale të pagave. Kjo bëhet më e lehtë nga fakti që, falë “reformave strukturore” të së shkuarës, puna nuk mund t’i bëjë më ballë presioneve mbi çmimet dhe të mbrojë nivelin e vet të jetesës me të një njëjtin efikasitet.

Sindikatat janë dobësuar, punëtorët janë izoluar dhe kërcënohen me heqje të menjëhershme nga puna dhe me një pagesë të ulët të papunësisë. Rezultati është që pagat reale, domethënë ato që llogariten sipas inflacionit, po ulen. Në Francë, sipas Dares-it, në tremujorin e parë paga mesatare në sektorin privat ka rënë me 2.3% në terma realë. I njëjti fenomen ndodh në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani.

Domethënia e kësaj rënieje është e thjeshtë: nëse pagat rritën më ngadalë se çmimet, kjo shkakton një çekuilibër në shpërndarjen e kostos së inflacionit mes kapitalit dhe punës. Dhe një çekuilibër të ngjashëm në vlerën e shtuar. Punëtorët kështu sakrifikojnë një pjesë të nivelit të tyre të jetesës për të shpëtuar fitimet e pronarëve.

Thelbi i dinamikës  inflacioniste aktuale pra përfaqësohet nga fitimi. Në SHBA, ashtu si në Francë, shifrat flasin vetë. Niveli i marzheve të sipërmarrjeve franceze në tremujorin e  fundit të 2021 është shumë më i lartë krahasuar me 2019, ndërsa niveli i PBB-së është pothuajse i njëjtë. Në SHBA të ardhurat kanë arritur një nivel rekord nga 2020.

Në një studim të Economic Policy Institute (EPI) tregohen qartë dallimet me vitet ’70. Rritja e çmimeve unitare mes tremujorit të dytë të 2020 dhe tremujorit të katërt të 2021 i atribuohet 53,9% fitimeve dhe 7,9% pagave. Marzhet e larta, pagat e ulëta: inflacioni i viteve 2000 nuk është ai i viteve ’70, dhe as ai që mbron teoria standarde.

Inflacioni i lartë nuk buron nga një kërkesë e tepërt, nga një lloj shthurjeje monetar apo nga një shtysë e pagave të shkaktuar nga një punësim i plotë hipotetik, por nga aftësia e sipërmarrjeve për të ruajtur nivelet e tyre të fitimit duke rritur çmimet dhe duke përmbajtur pagat reale.

Ky është paradoksi i epokës tonë: organizmi ekonomik dhe shoqëror që do të duhej të kishte garantuar çmime të ulëta në këmbim të kufizimit të pagave shkakton çmime të larta pa rritje pagash. Kjo shpie në atë situatë të rrallë ku të ardhurat reale bien duke i lënë familjet, kryesisht ato më të varfrat, në varfëri.

Në vitet ’70, humbja e pagave reale rrallë e kalonte 1%, ose gjysmën e humbjes së tremujorit të parë të 2022-shit… Mirëpo paradoksi është thjeshtë në dukje: nëse organizmi neoliberal i shoqërisë synon të privilegjojë fitimet, atëherë kjo është ajo që ai prodhon, cilado qoftë dinamika e inflacionit.

Gara drejt humnerës

Përballë kësaj situate, neoliberalizmi rimerr funksionin e tij kryesor: ruajtjen dhe mbrojtjen e kapitalit nga puna. Megjithëse realiteti ekonomik po i zhbën të gjitha ligjërimet e fund viteve ’70, ka përpjekje për të ricikluar recetat e asaj epoke që të na bëjnë të besojmë që mbajtja e pagave reale, me fjalë të tjera ruajtja e nivelit të jetesës së të punësuarve, na qenka e keqja absolute. Pa përmendur këtu çështjen e pagave, megjithëse që nga “Paga, çmimet dhe fitimet” (1865) e Marksit e dimë që çështja e qendrore e inflacionit është shpërndarja e barrës mes pagave dhe fitimeve.

Të shtunën, më 14 maj, guvernatori i Bankës së Francës, François Villeroi de Gahau, deklaroi se “do të humbisnin të gjithë po të rrisim pagat”. Në shkurt ishte radha e homologut të tij britanik Andrew Bailey i cili kërkoi “kufizim në rritjen e pagave” që të shmanget “humbja e kontrollit të situatës”. Qeveritë, nga ana e tyre, duke nisur nga ajo e franceze, po përpiqen të kufizojnë efektin e inflacionit mbi konsumatorët nëpërmjet ndihmave (subvencionim i energjisë) për të kufizuar kërkesat për rritje page.

E gjithë kjo dëshmon se logjika neoliberale vepron ende fuqishëm: prioriteti i autoriteteve mbetet mbrojtja e fitimeve. Problem është që kjo logjikë po mbërrin në një rrugë qorre. Megjithëse neoliberalizmi i ka dhënë jetë inflacionit aktual, ai gjithashtu duket sikur po përshpejton drejt murit që po ndërton vetë.

Duke kërkuar që të kufizohen me çdo kusht pagat duke përdorur armën e rritjes së normës së interesit për të shmangur një spirale të kërkesës që nuk ekziston, rrezikohet që ekonomia botërore të precipitojë në një cikël rënieje ekonomike dhe të provokohet një krizë financiare.

Depresioni që po vjen

Kjo do të thotë se dëshira për të luftuar inflacionin nëpërmjet kërkesës do të kërkojë një shtrëngim të fortë të rripave, dhe nuk është e thënë që shoqëritë të cilat janë goditur prej dekadash nga kriza e neoliberalizmit dhe nga Covid-i janë në gjendje të rezistojnë. Kriza mjedisore po rëndohet, duke rrezikuar më tej burimet.

Në vendet në zhvillim që janë më të brishtë dhe të rrezikuar, si Sri Lanka, situate politike po përkeqësohet për shkak të shtrëngimeve, rritjes së çmimeve dhe zisë. Depresioni që po vjen do të jetë me gjasë shpërthyes.

Në Francë, në tremujorin e parë, konsumet kanë rënë deri me 1,3%, duke shkaktuar një stanjacion të PBB së tremujorit. Një presion i tillë rënës  mbi pagat reale është një ngjarje e rrallë në ekonomitë e përparuara. Dhe është e mahnitëse lehtësia me të cilën udhëheqësit “e përgjegjshëm” e konsiderojnë këtë situatë si të shëndetshme dhe normale.

Kjo krizë nuk është rastësore. Është pasojë e një rruge pa krye: rënia e vazhdueshme e rritjes së produktivitetit që neoliberalizmi nuk ka arritur të ndalojë. Kjo është zemra e problemit të kapitalizmit bashkëkohor. Nëse nuk është e mundur të rritet produktiviteti, sipërmarrjet nuk kanë ndonjë mënyrë për të kompensuar rritjen e pagave reale apo pasojat e një konkurrence më të madhe.

E vetmja mënyrë për të garantuar që fitimet të vijojnë të rriten është presioni mbi çmimet dhe pagat. Kjo është situata e përshkruar nga Ricardo-ja më 1815 dhe të cilën rritja e produktivitetit deri më tani e kishte shmangur. Inflacioni aktual nuk është pra një “aksident”, por është pjesë e evolucionit të thellë të kapitalizmit bashkëkohor.

Ky është edhe motivi për të cilin çdo tentativë për zgjidhje “të brendshme” ndaj krizës do të përplaset me këtë realitet. Është e pamundur që thjesht të rrisim kërkesën apo konkurrencën, apo të mbrojmë vetë rentën. Ngado dyert duken të mbyllura. Logjika e rentës do të dështojë çdo tentativë “socialdemokrate” dhe do të çojë në një krizë shoqërore dhe ekonomike, siç thoshte Ricardo-ja. Në çdo rast, këto dinamika po bëhen vrastare në terma të evolucionit të krizës mjedisore dhe tejet shpërthyese në nivel shoqëror.

Në këtë kontekst, i vetmi opsion duket sikur është ai i thyerjes së dinamikave aktuale në mënyrën e prodhimit nëpërmjet një ndryshimi radikal ku gjenerimi i fitimit nuk do të ketë më rol qendror. Kjo mund të bëhet nëpërmjet marrjes së masave për kontrollin e emergjencave me qëllim “thyerjen” e dinamikës aktuale: kontrolli i çmimeve, indeksimi pagave, menaxhimi i mungesës së ushqimeve nëpërmjet racionimit dhe taksave mbi fitimet. Por më pas do të jetë e nevojshme të merret përsipër dhe thyerja e sipërmarrjeve rentiere që këto masa implikojnë dhe të riorganizohet tërësisht mënyra e prodhimit nëpërmjet planifikimit dhe demokratizimit. Pikërisht se hap pashmangshmërisht debate dhe tensione të këtij lloji, kriza inflacioniste ndryshon gjithçka.

E përktheu Alfred Bushi

Marrë nga Infoaut

Imazhi: Kantar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.