Transporti urban dhe sindikalizmi servil
/Arlind Qori/
Sot, e quajtura Sindikatë e Transportit Urban ka shpallur se nesër do të hidhet në grevë duke pezulluar punën e autobusëve urbanë në pikun mëngjesor të tyre. Nëse alienët do të kishin zbritur në dheun tonë legjendar, me siguri do të mendonin se motivet dhe kërkesat e grevës do të ishin mirëpagimi i punëtorëve (shoferë e faturino), përmirësimi i kushteve të punës (që gojët e trembura thonë nën zë se janë të papërballueshme dhe shkatërruese fizikisht për punëtorët), pagesa e sigurimeve, apo të tjera të drejta themelore të punëtorisë. Por fatmirësisht alienët nuk para e vizitojnë Shqipërinë, dhe s’do të kenë rast të mbeten të zhgënjyer. Zhgënjimin na e kanë lënë neve, bashkëqytetarëve të sindikalistëve tanë.
Po çfarë kërkon sindikata në fjalë, emri i të cilës nga një kërkim i shpejtë në google del vetëm këto dy-tre muajt e fundit dhe për të njëjtën çështje? Ata, sindikalistët, ose përfaqësuesit e organizuar të punëtorëve, kërkojnë rritjen me rreth 130% të çmimit të biletës së transportit urban. Arsyetimi i tyre është se firma që duhet t’u japë pagën nuk ua jep ngaqë pretendon, firma gjithmonë, se del me humbje dhe nuk ka para për ta. Madje nëse binomi qeveri-bashki nuk pranon ta çojë çmimin e biletës 70 lekë, sindikalistët tanë propozojnë që së paku të shkojë 50 lekë dhe reston ta subvencionojë shteti. Bukur fort deri këtu.
Por deri këtu s’mjafton. S’mjafton për disa arsye, dhe jo për t’u dalë në krah dy krahëve të oligarkisë politike shqiptare. Pikësëpari, transporti urban në Tiranë nuk operon në kushte konkurrueshmërie të plotë, por ushtrohet në rrethana monopoli të njohur dhe kontrolluar prej shtetit, i cili, pikërisht ngaqë ka dhënë të drejtën përjashtimore të transportit publik, ka edhe të drejtën, në parim, për të vendosur çmimin dhe kushtet teknike të udhëtimit të qytetarëve në autobusët tanë privatë. Nuk e ka harruar askush kohën e artë, kaotike dhe të shpejtë të furgonave sypatrembur që të çonin nga njëri cep i Tiranës në tjetrin, madje duke të ndalur në çdo zgëq që të tekej, për një 20 lekësh mjeran, madje edhe me buzëqeshjen falënderuese të shoferit pronar/punëtor dhe tingujt mbresëlënës të kasetofonit. Dhe në kushte tregu, (i thërrisni apo jo kur ju teket tregut magjik, thirrini edhe kësaj here! Apo tregu vlen vetëm për interes të oligarkëve, dhe jo si treg i vogël vetësipërmarrësish/punëtorë?!), pra në këto kushte tregu çmimi i transportit, me gjithë rritjen e naftës nuk kishte pse ta kalonte 30 lekëshin, në mos më pak.
Nga ana tjetër, deri më tash kemi vetëm pretendimin e pronarëve të firmave të transportit urban se fitimi i tyre është i pamjaftueshëm. Kush e ka përcaktuar këtë? Vetë të interesuarit, pra pronarët? Pse duhet t’iu besojmë? Pse duhet t’u besojnë vetë sindikalistët tanë? A kanë bërë ndonjë kërkim në llogaritë e pronarëve për të parë se si ka luhatur norma e fitimit të tyre? Vërtet kanë hyrje-dalje në qitape të tilla sa të krijojnë një ide serioze dhe të paanshme mbi luhatjet e fitimeve të pronarëve? Nëse ky fitim vërtet luhatet, a e kanë vrarë ndonjëherë mendjen se sa, sidomos në sektorë monopolistë, duhet të jetë norma e fitimit? Apo u zënë besë pronarëve babaxhanë që me dorën në zemër u ankohen për humbje dhe s’u japin pagat?! Apo s’jemi vend mirëbesimi ne, që edhe ndihmën ekonomike mjerane ua shpërndajmë pronarëve të vilave, aq sa i mundësojmë edhe ministrit spitullaq që të krekoset para kamerave sikur ka çliruar Shqipërinë nga varfëria, athua se po ta ngresh ndihmën ekonomike (duke zbuar përfituesit e padrejtë) nga 5000 lekë në 6-7000 mijë lekë i ke dhënë dermën varfërisë. Pra pse u besojnë?!
Mbi të gjitha, pse u besojnë kur pagat dhe kushtet e punës së vetë punëtorëve të transportit urban (sipas gojëve të trembura) janë mjerane, bash për hir të normës së shenjtë të fitimit të pronarëve?! A s’është e vërtetë se shoferët gjobiten rëndë, d.m.th. u mbahet një pjesë e pagës nga pronarët, nëse vonohen qoftë edhe një minutë në stacionin e radhës?! A s’është tjetërsuese kjo sidomos me një trafik mbytës si ai i Tiranës, ku edhe Shumaheri i gjorë po t’i jepte autobusit nuk do t’i shpëtonte dot gjobës?! A nuk sjellin grafike të tilla udhëtimi ngjeshje udhëtarësh për të përfituar sa më shumë nga futja e milingonave në të njëjtën kuti?! A nuk kërcet sharja, sherri, mllefi në autobusë ku udhëtari, duke mos i rënë dot gomarit që jep urdhra merret me samarin e gjorë të faturinos dhe shoferit?! Dhe mbi të gjitha, a nuk punojnë shoferët pa pasur mundësi ta ngrenë të pasmen e ngjitur pas sediljes për orë të tëra, sidomos kur janë burra të njëfarë moshe që majasëlli s’i lë rehat si mizat kalin?! A nuk kërcënohen shoferët dhe faturinot me shprehjen sa banale, aq edhe të tmerrshme: po s’deshe, ka sa të duash që presin pas dere! Sa herë ka protestuar sindikata jonë për këto punë? Sa herë i ka kërcënuar pronarët me grevë? Aq sa nuk na e pret mendja…zero.
Të gjitha rrethanat e mësipërme tregojnë se kjo nuk është sindikatë, por shtojcë e interesave dhe urdhrave të pronarëve që duan të prekin zemrat e buta të qeveritarëve tanë me fatet e punëtorisë. Pronarët, të paqejf për të bërë menjëherë lock-out, e bëjnë këtë të fundit në dukjen e një greve punëtorësh. Ata kanë nevojë për shërbyes (servilë), duke shfrytëzuar më njërën anë dëshpërimin dhe frikën e punëtorëve të thjeshtë nga papunësia dhe etjen e “organizatorëve” të parisë punëtore për ndonjë shpërblim të vockël. Malcolm X, kur fliste për skllevërit zezakë të kohëve përpara Luftës Civile Amerikane, i ndante këta të fundit në skllevër shtëpie dhe skllevër fushe. Skllevërit e shtëpisë bashkëjetonin me pronarët, ishin kuzhinierët, mamitë, rojtarët, pastrueset, edukatoret e familjeve pronare, e për pasojë përfitonin diç më shumë prej lëmoshës së tyre, madje ndiheshin edhe si pjesë e dashur e familjes. Skllevërit e fushës, përkundrazi, ndjenin deri në deje rrahjen e kamxhikut të zotërisë që kërkonte punë, punë e vetëm punë, sidomos kur kërkesa për pambukun e plantacioneve rritej. Nga të parët nuk pritej asgjë, përpos se t’u bëheshin mburojë zotërinjve. Shpresa gjendej te të dytët. Mirëpo në rastin e punëtorëve tanë situata është pak më e ndërlikuar nga përfytyrimi malkolmiksist. Punëtorët tanë të fushës (shoferët dhe faturinot) janë aq të trembur nga papunësia dhe aq të pashpresë se vetorganizimi autonom do t’u sjellë gjësend, saqë s’u mbetet gjë tjetër përpos t’u shkojnë nga pas me bisht ndër shalë urdhrave të pronarëve dhe zotimeve të sindikalistëve të shtëpisë. Po ashtu, shkretëtira e lëvizjeve autonome punëtore të këtyre dekadave i dëshpëron edhe më.
Dhe vërtet që ata, punëtorët e fushës (shoferët dhe faturinot) nuk kanë ç’të bëjnë vetëm…nëse lihen vetëm. Por për hir të fatit dhe strukturimit të marrëdhënieve e interesave ata nuk kanë se pse të jenë medoemos vetëm. Të tjerë të ngjashëm me ta, udhëtarët e urbanit, që s’ua mban xhepi edhe 30 lekë biletën e jo më tepër, të papunë, punëtorë, studentë apo mikroborgjezë plebeas që makinën e shohin vetëm në ëndërr, mund të solidarizohen me ta, në mos drejtpërdrejt, tërthorazi. Nesër autobusët do të ndalen. Po udhëtarët kanë mundësinë që të mos tërheqin këmbët zvarrë gjithë mllef, por të rimishërojnë frymën e Rosa Parksit amerikane, që u bë emblema e aktivizmit zezak për të drejta civile duke mos pranuar të shkonte në cepin që u rezervohej zezakëve në autobusët segregacionistë të shtetit të Alabamës. Sigurisht që segregacioni i rritjes së çmimit nuk është racor, por klasor, e megjithatë nuk është më pak përjashtues. Ç’ndryshim ka ngjeshja në këmbë në fund të autobusit, ngaqë je zezak duke u lënë të bardhëve ulëset e lira, me të moshipurit dot në autobus se nuk ta mban xhepi as sot, as mot. Se për dreq, në shoqëritë turbokapitaliste bashkëkohore më shumë mundësi ka një zezak i kamur të bëhet i bardhë sesa një zezak/i bardhë/aziatik i varfër të dalë nga varfëria dhe të përballojë çmimin e ri të autobusit. Nëse nesër udhëtarët mblidhen përpara stacioneve dhe vetorganizohen duke e bërë bashkërisht rrugën në këmbë në shenjë demonstrative, nuk kanë për të fituar vetëm mosrritjen e çmimit, por kanë për t’u dhënë zemër edhe shoferëve e faturinove që të vetorganizohen dhe ta transformojnë grevën e tyre, duke zbuar servilët e sindikatës, nga grevë kundër udhëtarëve në grevë kundër pronarëve, dhe në thelb kundër krejt oligarkisë politike qeveri-bashki që bën sikur është kundër rritjes së çmimit, vetëm për të negociuar masën e kësaj rritjeje. E nëse nuk e bëjnë nesër, ka kohë pasnesër dhe çdo ditë. Përndryshe mjerë ne, dhe jo vetëm si udhëtarë autobusi!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.