/Arlind Qori/
Edhe pa ndryshimet e kohëve të fundit të ndërmarra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, arsimi i lartë në Shqipëri trupëzon mjaft probleme. Veçse siç ndodh rëndom gjatë historisë sonë të lavdishme (jo se kemi me ç’të lëvdohemi, porse këtë mangësi e mbushim me vetëlëvdata), zgjidhja e pretenduar është njëkohësisht simptomë e vetë problemit e kështu edhe thelluese deri në dëshpërim e tij. E problemi i kahershëm është shkretimi i hapësirës publike të universitetit duke i shtuar gjithnjë e më shumë detyrimet financiare të studentëve, ndërsa zgjerohet hapësira e çdo sipërmarrësi privat arsimor që prej këtyre ligjeve veç përfiton. Kështu përmbyset çdo normalitet politik në të cilin publikja (populli) ka të drejtat e qeveria detyrimet. Në vend të kësaj qeveria ka të drejtat, universitetit publik e studentëve u shtohen detyrimet e u mpaket territori fizik e akademik, e në fund shtohet kategoria e tretë politikë-përmbysëse e privatëve (universiteteve) të cilëve u shtohen përfitimet.
A mund të mendohet shqip?
Që të diplomohesh në një universitet të Republikës së Shqipërisë, ku gjuhë zyrtare është ende shqipja, duhet të kalosh teste ndërkombëtare të gjuhës angleze. Të paktën këtë kërkojnë rregullat e reja të bëra ligj me nismën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Justifikimi dëfton kutiçkën ideologjike brenda së cilës shtrëngohen kapacitetet reflektuese shqiptare. Kësisoj, gjuha shqipe konsiderohet një gjuhë e padenjë për të bujtur mendimin kritik e shkencor. Për mbrojtësit e kësaj teze, gjuhët e popujt ndahen në të denjë e të padenjë për mendimin, e kriter dallues i të parëve nga të dytët është suksesi ekonomik, fuqia ushtarake etj cilësi që i afrohen më shumë garës së kuajve se shqyrtimit kritik. Kështu, meqenëse mosbërja e historisë deri më tash na ka hedhur në krahun e të padenjëve, atëherë për t’u mirarsimuar s’na lypet vetëm të fitojmë njohuritë e nevojshme në fushat shkencore përkatëse, por mbi të gjitha të dëftojmë se mund të flasim anglisht. (Madje, meqenëse jetojmë në tollovitë e turbo-kapitalizmit të normalitetit të pasigurisë, atëherë çdo inxhinier apo mjek duhet të përgatitet në jetë të kryejë punët e guidës turistike apo kamerierit të buzëqeshur. Prandaj anglisht duhet me fol rrjedhshëm, s’është shaka). Jo se për propozuesit e kësaj gjuhe anglishtja ka ndofarë rëndësie si gjuha e Shekspirit apo Uitmanit, por vetëm se është gjuha e të fortëve e të suksesshmëve të epokës. E meqenëse bathët tregojnë se balanca e fuqisë do të anojë nga Kina, na duhet të parashikojmë se pas disa vitesh neni mbi domosdoshmërinë e provimit në gjuhën e huaj do të abrogohet e në vend të anglishtes të vendoset kinezçja.
Së dyti, detyrueshmëria e provimit të anglishtes dëfton një tjetër simptomë publik-rrënuese të përmbysjes së raportit midis të drejtave të publikes e detyrimeve të shtetit. Prej fillesës e me krejt arsyet e mundshme, institucionet arsimore e kanë kushtëzuar vlerësimin qoftë një për një gjatë provimeve, e qoftë kolektivisht në formë diplome, me dije që vetë institucioni ka pasur përgjegjësinë për t’ua mësuar studentëve; madje këtyre të fundit u ka krijuar të gjitha kushtet që kurrgjë tjetër përpos mungesës së vullnetit të mos ua pengojë daljen me sukses. Me imponimin e testeve ndërkombëtare të gjuhës angleze, studentëve u ngarkohet një detyrim nga një institucion i cili jo vetëm që nuk e ka marrë përsipër barrën e të përgatiturit të këtyre studentëve për njohuri të tilla, por as premton se do ta bëjë diçka të tillë në të ardhmen. Kjo është njëlloj sikur në fletën e provimit studentëve t’u vësh përpara pyetje mbi çështje që nuk janë trajtuar kurrë as në leksione e as në literaturën mbështetëse.
E meqenëse njohuri të tilla për gjuhën angleze nuk merren e nuk parashikohen nga programet shkollore të të gjitha niveleve, mbetet që barra financiare e përgatitjes dhe tarifës së dhënies së këtij testi të rëndojnë mbi shpinat e studentëve, pra e publikes në dimensionin e vet studentor e njëkohësisht t’u krijohet kërkesë rritëse e sigurt të gjitha institucioneve private fitimprurëse që merren me përgatitjen dhe marrjen në provim të studentëve. E kështu përsëritet fabula e mësipërme. Shteti merr të drejtat, publikja kërruset nga detyrimet e privatja përfiton financiarisht.
Puna e papaguar
Prej pak kohësh, në Republikën e Shqipërisë për herë të parë është sanksionuar me ligj skllavëria. Kuptohet jo skllavëria spektakolare e të kapurit të njerëzve në rrjetë si me qenë peshq për t’ia shitur blerësit më të afërt. Përtej elementeve estetike, në thelb skllavëria është përkufizuar qysh në krye të herës si punë e papaguar, pra si detyrim për të punuar pa pagesë. Me ligjin për profesionet e rregulluara studentëve shqiptarë të disa prej degëve universitare u kërkohet që si kusht për marrjen e diplomës të kryejnë punë në formë stazhi pa pagesë për një deri në tre vjet. Justifikimi i mbrojtësve të kësaj teze ka qenë gjithnjë ai i shenjtërisë së punëdhënësve: bizneset nuk kanë interes të paguajnë stazhierët. A thua se mjafton që diçka të mos jetë në interes të biznesit për të mos e quajtur të drejtë?! Në fund të fundit, biznesit nuk i intereson të paguajë askënd, as punëtorët, i intereson të mos paguajë taksa, të ndotë ambientin kur ta shohë se i rrit fitimin, të mos respektojë rregullat e sigurisë në punë etj.
Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se punëdhënësve nuk u intereson puna e të saposhkolluarve. Në rast se puna e tyre do të ishte e padobishme, atëherë askush nuk do t’i pranonte këta profesionistë në mjediset e punës, qoftë edhe pa pagesë, qoftë edhe për arsyen e zënies së hapësirës kot. Meqenëse puna e tyre është prodhuese, e leverdishme, rritëse fitimesh për punëdhënësit etj, atëherë detyrimi i mospagesës përbën thelbësisht detyrimin e skllavërisë bashkëkohore. Puna as paguhet, as keqpaguhet. Thjesht nuk paguhet.
Po ashtu, në justifikimin publik të mbrojtësve të këtyre tezave, spikat qëndrimi se profesionistët e saposhkolluar nuk janë të zotë për t’u integruar menjëherë në zanat e kështu megjithëse nuk paguhen monetarisht, ata përfitojnë “marrjen e zanatit” në punë e sipër. Një qëndrim i tillë e rifeudalizon marrëdhënien midis punëdhënësit dhe punëmarrësit e njëkohësisht e shkërmoq krejt domethënien e rëndësinë e arsimimit universitar. Në mesjetë, ku dija praktike e arrinte kulmin e vet në stadin e ustait të një zejeje, çiraku duhet të ndihej i privilegjuar nëse ustai e pranonte për të tillë e kështu ishte i gatshëm të punonte qoftë edhe për një kothere se kështu do të fitonte zanatin. Kjo praktikë justifikohej me mendimin se gjatë kohës së punës-mësim, çiraku nisej prej hiçit e arrinte të bëhej usta. Shkollimi modern universitar nuk e lë studentin në stadin e çirakut që s’di asgjë. Niveli dhe kompleksiteti i njohurive që studentët marrin i bëjnë ata krejt të aftë për të hyrë në marrëdhënie pune. Po ashtu, cilësia e punës varet shumë e shumë më tepër nga shkollimi universitar sesa nga praktika, gjithsesi e domosdoshme. E nëse të saposhkolluarve u duhet një minimum përshtatjeje me punën konkrete, kjo tregon se ata kanë nevojë veç për tullën e fundit në murin e dijeve të përftuara. E puna e tyre mbase mund të paguhej një lek më pak nga ajo e të punësuarit normal, por kurrsesi të mos paguhej apo keqpaguhej si të ishte punë çiraku.
Publikja si taksapaguese e privates
Sinteza e rrënimit të dimensionit publik të universitetit dhe simptoma e privatizim(pushtimit) 20 vjeçar të çdo hapësire publike gjendet në reformën financiare të universiteteve. Fondet edhe sot të pamjaftueshme për universitetet publike do të ndahen midis tyre dhe universiteteve private. Këto të fundit, të favorizuara nga kapitalet private, fuqitë reklamuese e komoditetet infrastrukturore do të kenë përballë universitete publike gjithnjë e më të varfra ekonomikisht, me kapacitete infrastrukturore të reduktuara si rezultat i rënies së pritshme të fondeve publike, trupë pedagogjike më të pakët në numër e më të keqpaguar, e ku studentët duhet të paguajnë çdo herë më shumë për të marrë dije.
Në mjegullnajën ideologjike heshtohet pas parullave “po ndjekim përvoja të suksesshme botërore”, fakti që modeli i marrë është ai kilian i viteve 80, ku qeveria fashiste e Augusto Pinochet-it, për të favorizuar elitën ekonomike dhe për të shkretuar vatrën opozitare ndaj regjimit që e kishte qendrën në universitete, ndërmori një reformë financuese që i mundësonte universiteteve private të përfitonin nga paratë që përndryshe u shkonin atyre publike. Pasojat e atij sistemi janë bërë shpërthyese në Kilin e ditëve të sotme ku studentët janë në revoltë për rikthimin e arsimimit publik cilësor e ku mbi 70 për qind e popullsisë shprehet në favor të kësaj kauze. Në Kilin pinoçetist protestuesin e prisnin skuadrat e zhdukjes. Në Shqipërinë e sotme, vendin e skuadrave të zhdukjes fizike e ka zënë pafuqia e fataliteti që buron nga këmisha e forcës ideologjike sipas të cilës rrugë tjetër s’ka, përveçse duke i ngarkuar detyrime publikes, i dhënë të drejta shtetit e përfitime privatëve.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.