Të vdesësh nga Shqipëria dhe të vdesësh për Shqipërinë

/Arlind Qori/

S’ka ditë që Shqipëria të mos ja marrë jetën dikujt, padrejtësisht, padenjësisht, paarsyeshëm, panevojshëm, pakuptimshëm. Nga Shqipëria vdiset në demonstratë, në grevë, në minierë, në skelë, në rrugë, në farmaci, në spital, në gjellëtore, në mejhane, në shtëpi…Kudo e për çdo arsye të panatyrshme. Për çdo herë e përherë në mënyrë potencialisht të shmangshme, veçse konkretisht të pashmangur. Marrëdhënia e shqiptarëve me Shqipërinë kushtëzohet më shumë se kurrë nga vdekja, e vdekja nga padrejtësia.

Ç’është Shqipëria që të vdes? Është hapësira territoriale e rrënjosur në pabarazi, paliri, përjashtim, segregacion, getoizim…Shqipëria që mishëron padrejtësi; Shqipëria në të cilën e përbashkëta si mushkëri kolektive tkurret përditë nga tentativat e suksesshme privato-zaptuese (për mashalla-në e fundamentalistëve që për lirinë e forcës në treg mbysin lirinë kundër forcës varfëruese të tregut); Shqipëria që për fitimin në rritje të të paktëve gjithnjë e më të paktë sakrifikon ushqimin, ilaçet, punën…jetën e të shumtëve përditë e më të shumtë; Shqipëria që lëvdohet me frazeologji që riprodhojnë sundim, mjerim e anomi. Shkurt, Shqipëria që s’është më e shqiptarëve.

E kujt është Shqipëria atëherë? T’i thërrasësh në ndihmë teorive komploto-konspirative vlen për të ndezur imagjinatën, joshur kureshtjen e vrarë kohën me pseudo-thellësi. Kështu që s’mjafton të thuash që Shqipëria është e grekëve, serbëve, italianëve, gjermanëve, amerikanëve…e pafundësisht kështu. S’ka rëndësi jo se pjesërisht nuk ndodh kështu, por se origjina etnike e sundimtarëve apo shfrytëzuesve (pra vampirëve në kuptimin e vdekjeprurjes) pak rëndësi ka. Nëse shqiptarisë i jepet kuptimi etno-origjinar, atëherë Shqipëria që vret është edhe e disa shqiptarëve, madje mbase edhe më shumë e disa shqiptarëve se e ca të huajve. Veçse në raport me vdekjen, shqiptaria e tyre vlen po aq sa vlejnë zemërngrohjet tona përulëse për stërgjyshin shqiptar të Robert De Niros. Sa kohë ata janë zotët e Shqipërisë që vret, që vret shqiptarë kudo e sido, atëherë termi shqiptari duhet ripërkufizuar.

Në fjalorët kuptimorë politikë, populli (shqiptarët në rastin tonë) nuk shënjon shumën numerike të banorëve të një territori, qofshin këta edhe të së njëjtës origjinë a përkatësi etnike. Populli, demosi, lind konceptualisht si grupim politik i atyre që llogariten si pjesë në sundim, shfrytëzim e skamjezim, por që nuk gjykohen si pjesë në vendimmarrjen politike, në shfrytëzimin e burimeve apo përftimin e të mirave. Pra populli, demosi, shënjon ata që Ranciere-i i quan pjesa-e papjesë. Në këtë kuptim, demokracia, qysh prej preludit athinas, e deri më sot, sërish në rrugët e Athinës, e po ashtu të Romës, Nju Jorkut, Kajros, Londrës, Tunisit…, shënjon ndërhyrjen e të papjesëve në sferën publike duke e shndërruar këtë të fundit nga pusht(et)im policor marrëfrymës në hapësirë politike frymëmarrëse. Kështu që demokracia nënkupton tentativën e suksesshme ku vendos jo më shumica e çfarëdoshme numerike, por shumica deri më dje e përjashtuar që vepron mbi bazën e të vetmes premisë të denjë për emrin politikë: mospërjashtimit të askujt, jo vetëm në aspektin procedural vendimmarrës të “një dite në katër vjet” aq të dashur për liberal-demokracitë, por mbi të gjitha në atë të angazhimit të përçdoçastshëm që përjashton çdo akt që synon përjashtimin.

Në kuptimin e mësipërm, Shqipëria që vret nuk vret me dorën e për interes të disa shqiptarëve, përderisa shqiptaria nënkupton të përjashtuarit e shumtë nga çdo e drejtë jetësore e mbijetësore. Shqipëria që vret është e të huajve, jo në kuptimin ksenofob të ndonjë (ruajna zot!) greko-serbi (pavarësisht se konkretisht edhe kështu ndodh), por mbi të gjitha e të huajve si trupa pusht(et)uese që megjithë përbashkësinë origjinare, në veprimtarinë e tyre privatizuese-zaptuese-shfrytëzuese ja mpakin e ja marrin jetën shqiptarit.

Cinikët e kafes përballë shpejt e shpejt e nxjerrin një përfundim “të mençur”: në qoftë kjo Shqipëria, atëherë ç’na kanë lodhur kot me përrallat mitike mbi heroizmin e të vdekurit për Shqipërinë! Shqipëria vret, atëherë poshtë Shqipëria! Apo jo? Duket se po, por në të vërtetë është jo. Është jo sepse vërtetësia e Shqipërisë nuk qëndron në konkretësinë e rrethanave historike çshqiptarizuese e shqiptaro-vrasëse. Vërtetësia e Shqipërisë është vërtetësia e popullit, demosit, shqiptar. E të përjashtuarve, paprivilegjuarve, shtypurve, mbyturve, vrarëve shqiptarë. Shqipëria si çdo koncept tjetër mund të thuhet se përbën një lloj shënjuesi të zbrazët, pra një fjalë që mund të mbushet në varësi të projektit politik me përmbajtje nga më të ndryshmet. Gjithsesi nëse përmbajtja e sotpërsotshme e konkrete shënjon kusuret e mësipërme, ajo s’ka të bëjë me vërtetësinë. Kjo e fundit ndërtohet përmes të papjesëve që sot sundohen e nesër mund të tentojnë të shpërthejnë vargonjtë e situatës. Dhe pjesa-e papjesë përbën popullin, demosin, shqiptarinë, Shqipërinë si përpjekje e përbashkët për të jetuar në kushtin e barazi-lirisë. Në këtë kuptim, të vdesësh për Shqipërinë shënjon jo vdekjen për origjinën pellazgjore apo porositë e monumenteve, por për dallgën e bashkëndërtuar të përpjekjes për çlirim politik e shoqëror. Të vdesësh për Shqipërinë do të thotë të sakrifikosh për bashkëshqiptarin, të vdesësh për të zëvendësuar Shqipërinë që vret me Shqipërinë që ngjall…shpresën se e nesërmja do t’i përkasë të gjithëve. Pra, të vdesësh për Shqipërinë është i vetmi kusht që mundëson të mosvdekurin nga Shqipëria.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.