8 Marsi

/Arlind Qori/ 8 Marsi nuk është dita e koketave, borgjezkave a madamave. As e jozefinave, monikave, artave. Është e rozave, aleksandrave, margaritave. 8 Marsi nuk ka të bëjë me shpërndarjen e barabartë të posteve drejtuese. As me mundësinë e barabartë për të shfrytëzuar/dhunuar tjetrin. 8 Marsi nuk është dita e qaramaneve se pse s’po ua var burri. As e dashnoreve të përkëdhelura. 8 Marsi nuk është dita kur gruaja respektohet si nënë. Por dita kur gruaja e ka në dorë nëse do të bëhet nënë. Kur do, t’i garantohet shtrati e përkujdesja falas spitalore e më pas. Kur s’do të mos ia çajë kush veshët pse nuk do. E aq më pak ta ndalë së bëri çfarë do me trupin e saj. 8 Marsi është dita e punëtoreve, rrobaqepëseve, shitëseve të byrekut. Është kumti i tyre për emancipim gjinor e klasor. S’është thjesht kërkesa për t’u shfrytëzuar njëlloj me minatorin e metalurgun. Por vullneti për të përmbysur së bashku hierarkinë klasore. S’është veç dita kundër dhunës së burrit pijanec. Por dita e luftës në të gjitha vendshfaqjeve të dhunës, nga fabrika në shkollë. 8 Marsi nuk është dita e gruas së ndershme. Por e mospasjes turp me qenë grua. 8 Marsi është dita e proletareve të dyfishta, në punë e shtëpi. Është dita e proletareve të njëfishta, se në punë është turp me shku. E ca më keq, se punë s’ka edhe kur do. 8 Marsi është klithma që kërkon shkollë. Është dita e studentes së periferisë, ngadhënjyese në kushte mjerane. Nuk është veç dita e barazisë gjinore. Por e barazisë së gjithanshme, edhe gjinore. Lulet, sidomos mimozat, i hanë gomarët. Është dita për të ngritur grushtin. Për veten dhe mbarë shoqërinë.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.