8 Marsi
/Arlind Qori/
8 Marsi nuk është dita e koketave, borgjezkave a madamave.
As e jozefinave, monikave, artave.
Është e rozave, aleksandrave, margaritave.
8 Marsi nuk ka të bëjë me shpërndarjen e barabartë të posteve drejtuese.
As me mundësinë e barabartë për të shfrytëzuar/dhunuar tjetrin.
8 Marsi nuk është dita e qaramaneve se pse s’po ua var burri.
As e dashnoreve të përkëdhelura.
8 Marsi nuk është dita kur gruaja respektohet si nënë.
Por dita kur gruaja e ka në dorë nëse do të bëhet nënë.
Kur do, t’i garantohet shtrati e përkujdesja falas spitalore e më pas.
Kur s’do të mos ia çajë kush veshët pse nuk do.
E aq më pak ta ndalë së bëri çfarë do me trupin e saj.
8 Marsi është dita e punëtoreve, rrobaqepëseve, shitëseve të byrekut.
Është kumti i tyre për emancipim gjinor e klasor.
S’është thjesht kërkesa për t’u shfrytëzuar njëlloj me minatorin e metalurgun.
Por vullneti për të përmbysur së bashku hierarkinë klasore.
S’është veç dita kundër dhunës së burrit pijanec.
Por dita e luftës në të gjitha vendshfaqjeve të dhunës, nga fabrika në shkollë.
8 Marsi nuk është dita e gruas së ndershme.
Por e mospasjes turp me qenë grua.
8 Marsi është dita e proletareve të dyfishta, në punë e shtëpi.
Është dita e proletareve të njëfishta, se në punë është turp me shku.
E ca më keq, se punë s’ka edhe kur do.
8 Marsi është klithma që kërkon shkollë.
Është dita e studentes së periferisë, ngadhënjyese në kushte mjerane.
Nuk është veç dita e barazisë gjinore.
Por e barazisë së gjithanshme, edhe gjinore.
Lulet, sidomos mimozat, i hanë gomarët.
Është dita për të ngritur grushtin.
Për veten dhe mbarë shoqërinë.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.